Monday

27-10-2025 Vol 19

Shkolla shqiptare në agimin e një viti të ri: Heshtja në klasat bosh bërtet më fort se zhurma e nxënësve

Si në vitet ’30, edhe sot, klasat kolektive, mungesa e kushteve dhe braktisja
e shkollës janë plagët që e bëjnë mësuesinë profesion të heshtur, të harruar
dhe të shpërfillur…

Dita e parë e shkollës është dita kur çdo komb rikujton se e ardhmja nis nga klasa, nga mësimi, nga
fletoret e bardha. Shqipëria po nis një tjetër vit shkollor me bankat pothuajse të zbrazura, pa praninë
e nxënësve dhe me ëndrrat që veniten pa u nisur. Dita e parë e shkollës duhet të jetë ditë shprese,
por në realitet ajo është një përsëritje e së njëjtës fasadë. Mësuesit nuk frymëzojnë më, ata janë të
lodhur nga padrejtësitë. Ndriçimi i nxënësve është zbehur në errësirën e neglizhencës.

Çfarë lloj shoqërie jemi, nëse na duhen fjalimet për të justifikuar dështimet dhe fotografitë për të
mbuluar varfërinë?!

Në një shkrim të publikuar në revistën “Përpjekja Shqiptare”, në vitet ’30, ngrihej një shqetësim që
tingëllon aktual edhe sot: përgatitja që i jepej kandidatit për mësues në Shkollën Normale ishte kaq
ideale dhe larg realitetit, saqë ai dilte nga shkolla duke ëndërruar një jetë profesionale në kushte
perfekte, me klasa të rregulluara, me mjete mësimore të bollshme, me nxënës të sjellshëm e prindër
që e vlerësojnë dijen. Por kjo ishte veç një ëndërr. Realiteti në terren ishte krejt ndryshe; mësuesi
ishte i vetëm përballë një shoqërie të varfër dhe të lodhur nga rrënojat e historisë. Në vend të
kushteve perfekte të punës ai përballej me klasa kolektive, pa kushtet minimale të domosdoshme.
Ai që shpresonte të bëhej udhërrëfyes i dritës, gjendej i vetëm në errësirë.

Në këtë fillim viti, pas afro 100 vitesh, sërish Shqipëria përballet me krizën e arsimit që është krizë
besimi, krizë shpirti. Ne jemi vendi që shpall reforma njëra pas tjetrës, që flet për laboratorë
inteligjentë e për modernizim kurrikulash, por që ka ende klasa kolektive dhe fshatra pa shkolla, flet
për rritje cilësie duke ecur në modelet e Cambridge, por renditet i fundit në PISA. Në retorikën
politike dhe në prezantimet ndërkombëtare, arsimi shqiptar përshkruhet si një sistem në
transformim, i mbështetur në standarde evropiane, vizioni është po aq i përsosur sa ai që u jepnin
dikur nxënësve të normales: një shkollë moderne, digjitale, që i përgjigjet standardeve evropiane,
por në fakt, realiteti është zhgënjyes, dëshpërues, i pandryshuar. Mjafton të zbresësh në një fshat, të
hysh në një shkollë periferike, ose të flasësh me një mësues të ri që është emëruar larg qytetit, për ta
kuptuar të vërtetën.

Ashtu si dikur edhe sot, mësuesi ngarkohet me barrën e ringjalljes kombëtare, por mbetet pa armët
për ta bërë këtë. Në auditorët e universiteteve, studentët e shkëlqyer zgjedhin gjithnjë e më pak
degët e mësuesisë, sepse profesioni nuk ofron as statusin social, as kushtet materiale që të tërheqin
talentet, sepse ai që dikur ishte profesioni fisnik, sot është kthyer në një angazhim pa garanci, pa
vlerësim, me paga minimale dhe një barrë të pafundme burokracie dhe përgjegjësie. Në këto kushte
vetëm idealistët ose ata pa shumë zgjedhje marrin përsipër të bëhen mësues.

Dhe sistemi, ironikisht, pret mrekulli prej tyre. Nelson Mandela pat thënë: “Arsimi është arma më e
fuqishme që mund të përdorësh për të ndryshuar botën.” Nëse është kështu, pse atëherë shoqëria
jonë po armatoset me injorancë?! Sepse sistemi i braktisur ka filluar të prodhojë braktisje. Mësuesi
nuk është më figura që frymëzon, ai është bërë figura që mundohet të mbijetojë.

Ashtu si përpara një shekulli, ndryshon vetëm skenografia, ndërsa drama mbetet e njëjtë. Pra, nga
një brez në tjetrin, i njejti problem; shkolla shqiptare ka ditur të krijojë diskurse të bukura, vizione
largpamëse dhe programe moderne, por nuk ka arritur të ndërtojë bazën praktike që u jep atyre jetë.
Pra, si afro një shekull më parë, edhe sot, ajo që propagandohet bie ndesh me realitetin.

Shkolla shqiptare është në krizë shpirtërore. Është kriza e një kombi që po rritet pa arsim cilësor, pa
drejtim, pa vlera. Një komb që nuk investon në arsim, nuk ka të ardhme. Dhe është e kotë të flasim
për zhvillim ekonomik, për integrim evropian, për drejtësi, për shpresë, nëse nuk kemi klasa plot
nxënës dhe mësues të mirë.

A ka më shpresë për një shkollë shqiptare që të jetë burim drite për brezat e ardhshëm?

Kjo… varet nga ne.

Nëse nuk duam që çdo shtator të jetë më bosh, më i heshtur dhe më i pashpresë, duhet të zgjohemi.
Duhet të nderojmë mësuesin me vepra, jo me fjalë. Të rikthejmë dijen në qendër. Të ndërtojmë jo
thjesht godina, por ura mes brezave, mes dijes dhe jetës. Sepse një komb që braktis shkollën, ka
nënshkruar fundin e vet. Dhe fundi nuk vjen vetëm me luftë, vjen edhe me heshtje, me një klasë
bosh.

Kjo është tragjedia e heshtur e arsimit shqiptar.

Një sistem që prodhon iluzione dhe konsumon njerëz. Një shkollë që ngjan me një skenë teatrale ku
dritat janë ndezur, skenografia është gati, por aktorët nuk besojnë më në tekstin që kanë në dorë.
Dhe publiku, fëmijët tanë, po e braktis sallën. Kjo nuk është vetëm pasojë e “mungesës së
motivimit” të nxënësit, siç thuhet shpesh, është pasojë e një sistemi të tërë që ka ndërtuar iluzion në
vend të vizionit, ka investuar në fjalë në vend të infrastrukturës dhe ka harruar themelin: nxënësin,
mësuesin.

Arsimi është më shumë se shkolla, libra apo laboratorë. Është fryma e një kombi që kërkon të
ndërtojë të ardhmen mbi dijen. Shqipëria ka nevojë për një arsim që jo vetëm mëson, por edhe
frymëzon; që jo vetëm përgatit për tregun e punës, por edhe formon qytetarë të lirë, të ndershëm
dhe të përgjegjshëm.

Megjithatë, arsimi shqiptar mbetet një fushë ku shpresa ringjallet vazhdimisht. Çdo klasë e re, çdo
libër i hapur, çdo fëmijë që shkëlqen nga kurioziteti është dëshmi se e ardhmja mund të jetë
ndryshe. Nevojitet vullnet politik, përgjegjësi shoqërore dhe një përkushtim i palëkundur që arsimi
të mos jetë thjesht slogan, por realitet.

Të investosh në arsim nuk është luks, është kusht për mbijetesë kombëtare. Dhe nëse e harrojmë
këtë, do të na e kujtojë çdo shtator heshtja therëse e klasave pa zë.


Nga Borea LISI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *