Sot, më 30 gusht 2025 mbushen 11 vjet nga largimi nga jeta i akademikut të nderuar, prof. dr. Shaban Demiraj.
Në vijim po japin një material të përgatitur nga prof. dr. Rami Memushaj:
Më 30 gusht 2014, pas një lëngimi të gjatë, u nda nga jeta akademiku Shaban Demiraj, i fundmi i brezit të gjuhëtarëve që e ngritën gjuhësinë shqiptare në nivelin e gjuhësisë ballkanase. Ai lindi në Vlorë, më 1 janar 1920, në familjen e Sulejman Demirajt, i njohur si mulla Sulua, klerik mysliman, veprimtar i lëvizjes kombëtare në prag të Pavarësisë, i cili, së bashku me atdhetarë të tjerë, si Kristo Karbunara, Ibrahim Shyti, Osman Haxhiu etj., punoi për përhapjen e mësimit të shqipes në Vlorë e rrethina.
Vlora e atëhershme ishte një qytet i vogël, pa ndonjë peshë në jetën administrative të vendit, por një vatër e ndezur atdhetarie, që shquhej edhe për një traditë të trashëguar qysh nga shek. XIX të kujdesit për shkollimin e fëmijëve. Familjet vlonjate nuk kursenin për edukimin e fëmijëve të tyre, madje familjet e pasura merrnin edhe mësues nga jashtë për t’u mësuar gjuhë të huaja. Një ndër këto familje arsimdashëse ishte edhe ajo e mulla Sulos, që, pavarësisht se ishte e numërt dhe me të ardhura të pamjaftueshme, u kujdes për shkollimin e fëmijëve të vet.
Arsimin plotor 5-vjeçar e mbaroi në shkollën e parë shqipe të lagjes Muradie, me mësues Jani Mingën, Ibrahim Shytin etj. Shokë të tij të shkollës ishin Ali Asllani, Nexhat Hakiu, Petro Markua etj. Pranë shtëpisë së tij, Ibrahim Shyti kishte librarinë “Shpresa”, ku merrte libra hua. Kështu iu forcua dëshira për të lexuar, po edhe për të mësuar gjuhë të huaja. Tregonte se, kur ishte 13 vjeç, i kishte rënë në dorë një gazetë me reklamën e një metode për mësimin e frëngjishtes. Ia tregoi gazetën babait dhe, pasi ky i dha të holla për ta porositur, i nisi botuesit francez zarfin me porosinë, duke shkruar në anën për adresën e dërguesit “Dr.” në vend të “Dërg.” Metoda i erdhi në një zarf, në të cilin në adresën e marrësit kishin shkruar: “Dr. Shaban Demiraj”, duke menduar se porositësi do të ishte ndonjë doktor shkencash! Ishte gati si një profeci për të ardhmen e këtij fëmije që, nga një vend i humbur i Ballkanit, porosiste një metodë të frëngjishtes.
Shkollën e mesme e kreu në medresenë e Tiranës, ku pati si mësues mjaft emra të dëgjuar të arsimit shqiptar të atyre viteve. Aty pasuroi edhe më tej njohjen e gjuhëve, duke mësuar arabishten, persishten e anglishten, veç turqishtes e italishtes që i kishte mësuar në shtëpi.
Studimet e larta i filloi në Universitetin e Romës, por kreu vetëm dy vjetët e parë, për shkaqe që nuk vareshin prej tij.
Pas Luftës, megjithëse me diplomën e shkollës së mesme dhe vëlla i dy dëshmorëve të vdekur në kampet naziste të Gjermanisë, nuk u dërgua për studime në vendet e demokracisë popullore si shumë moshatarë të tij. Kështu që zuri punë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, e cila kishte nevojë për njohës të gjuhëve të huaja. Më 1946 regjistrohet në degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë të Institutit Pedagogjik 2-vjeçar dhe, me përfundimin e studimeve më 1948, emërohet mësues në gjimnazin e Gjirokastrës e më pas transferohet në shkollën pedagogjike të Tiranës. Në vitin 1954 caktohet asistent pranë katedrës së gjuhës shqipe të Institutit të Lartë Pedagogjik, ku gjatë viteve 1954–1955 dha edhe provimet plotësuese për diplomën përkatëse.
Që nga 1954-a e deri më 1990 punoi në katedrën e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, të cilën e drejtoi për 28 vjet, nga 1962 deri më 1990. Në degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë të këtij Fakulteti dha lëndë të ndryshme, si histori e gjuhës së shkruar (shek. XVII–XIX), morfologji e sotme, gramatikë historike dhe gjuhësi ballkanike.
Morfologjia e shqipes së sotme dhe gramatika historike kanë qenë dy nga disiplinat gjuhësore bazë të kurrikulës së degës së gjuhës shqipe dhe të letërsisë. Të dyja ishin lëndë shumë të vështira, por shpjegimi mjeshtëror i profesorit i bënte ato të dashura për studentët. Ai rrëfente që, përpara se të merrte përsipër të jepte gramatikën historike, iu vu studimit të rumanishtes (të cilën arriti edhe ta fliste), maqedonishtes, bullgarishtes, greqishtes së re e serbishtes, por edhe të rusishtes, për shkak të literaturës së pasur gjuhësore, por edhe sepse metodat për mësimin e gjuhëve të Ballkanit ishin kryesisht në këtë gjuhë. Në punë i hynë sidomos gjuhët klasike, latinishtja dhe greqishtja e vjetër, të cilat i kishte mësuar kur kishte qenë student në Romë. Njohu për qëllime studimi edhe gjuhë të tjera, si spanjishten, portugalishten, armenishten e sanskritishten. Shkruante e fliste lirisht në gjermanishte, anglishte, italishte e frëngjishte. Pra, gramatika historike kishte gjetur mjeshtrin e vet, gjë që u provua shumë shpejt.
Si pedagog dhe si drejtues i katedrës së gjuhës shqipe për gati tre dhjetëvjeçarë, prof. Demiraj ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Mijëra studentët e tij që kanë shërbyer e shërbejnë ende në sektorin e arsimit dhe në sektorë të tjerët të tjerë në të katër anët e vendit, ruajnë për të një respekt të thellë. Këtë respekt të studentëve dhe të kolegëve ai e fitoi me sjelljen korrekte, qëndrimet parimore dhe me frymën e lartë të kërkesës. Në raportet me kolegët e studentët, ai ishte i rreptë por i drejtë, kërkues por i gatshëm për të ndihmuar. Ai udhëhoqi drejtpërdrejt kualifikimin shkencor të pedagogëve më të rinj të katedrës, duke përgatitur një grup gjuhëtarësh, që u dalluan shpejt për prodhimin shkencor të tyre. Nën drejtimin e tij, katedra e gjuhës shqipe u bë në ato vite një nga njësitë pedagogjiko-shkencore më të dalluara të Universitetit të Tiranës.
Por profesori nuk u mjaftua vetëm me punën mësimore. Zotërimi i një numri të madh gjuhësh të huaja dhe njohja e thellë e literaturës gjuhësore për shqipen, ishin dy premisa pozitive, por jo të mjaftueshme, për t’u marrë me veprimtari shkencore. Duheshin edhe prirje, të cilat nuk i mungonin. Prova të talentit të vet ai kishte dhënë që në rininë e hershme. Më 1937, kur ishte vetëm 17 vjeç, pati botuar shkrimin e parë në gazetën “Jeta e re”, që dilte në Vlorë. Që nga ai vit e deri më 2011, kur shkroi artikullin e fundit, janë plot 74 vjet veprimtari krijuese. Një jetë e gjatë njeriu në letrat shqipe, gjatë së cilës botoi 13 vepra gjuhësore, tri të tjera me bashkautorësi dhe kontribues për pjesën e shqipes në katër vepra të botuara në Europë; 10 tekste mësimore universitare, 4 për shkollat e mesme si autor i vetëm dhe 5 tekste të tjera si bashkautor kryesor; 6 transkriptime dhe përshtatje veprash të autorëve të Rilindjes, si Naim Frashëri, Sami Frashëri e Gavril Dara i Riu; tri përkthime veprash letrare; dhe mbi 260 artikuj e kumtesa, të botuara në revista shkencore të rreth 20 vendeve.
Gjithë kjo veprimtari e bëri emrin e tij shumë të njohur në rrethet linguistike të Europës, gjë që e dëshmojnë pjesëmarrja e tij në kongrese e konferenca shkencore ndërkombëtare, ligjëratat e mbajtura në universitete europiane me emër, njohjet dhe letërkëmbimi i tij me shumë gjuhëtarë europianë e amerikanë.
Për veprimtarinë e tij të pasur shkencore, ai u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në vitet 1993–1997 u bë kryetar i saj dhe në vitin 2006 u zgjodh “akademik i përjetshëm”. Qe anëtar i Akademisë Qendrore Europiane të Shkencave dhe të Arteve, anëtar nderi i Akademisë Diplomatike të Londrës, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe nënkryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve të Europës Juglindore (AIESEE).
Puna e tij është vlerësuar me shumë tituj e çmime. Më 1972 iu dha titulli “Profesor”, më 1977 “Mësues i Popullit” dhe më 1990 “Profesor i merituar”; laureat i dy Çmimeve të Republikës, njëri i Klasit të Dytë dhe tjetri i Klasit të Parë; i dekoruar në vitin 2000 me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Më 2001, bashkia e Vlorës i dha titullin “Qytetar nderi” dhe një rruge të qytetit i vuri emrin e tij.
Veprimtarinë e vet botuese e nisi me shkrime patriotike në shtypin e kohës, duke vijuar me artikuj për fenë myslimane, që dolën në shtypin e kohës së Luftës; në të ri shkroi edhe poezi. Më vonë vijoi me përkthime, duke shqipëruar veprat “Jeta dhe lundrimet e Kristofor Kolombit” (botuar më 1944) dhe “Tregime prej Shekspirit” (1944, e pabotuar). Këtij pasioni të hershëm do t’i kthehet 15 vjet më vonë, më 1959, me romanin “Martin Iden” të Xhek Londonit, që ka njohur tri botime. Pas Luftës, luhatet mes letërsisë e filologjisë, duke botuar në gazetën “Mësuesi” e në revistën “Arsimi popullor” artikuj për çështje të përgatitjes së mësuesve dhe të mësimit të gjuhës shqipe e të letërsisë në shkollë; në revistën “Nëntori” shkruan për autorë vendës e të huaj.
Falë gjuhëve që njihte mund të ishte bërë një përkthyes i talentuar, siç mund të ishte bërë edhe studiues me emër i letërsisë. Por një rrethanë ndikoi që të hiqte dorë nga këto prirje të rinisë. Sikundër shkruan në shënimet biografike, qysh kur jepte provimet në Institutin Pedagogjik, kishte tërhequr vëmendjen e prof. Kostaq Cipos, me sugjerimin e të cilit u emërua në Institutin e Shkencave. Profesor Cipoja e ngarkoi të shfletonte literaturën albanologjike të Bibliotekës Kombëtare, gjë që e ndihmoi të konsolidonte njohuritë për shqipen. Ka shumë gjasa që, gjatë kohës së shkurtër që qëndroi këtu (sepse përsëri e transferuan në shkollën pedagogjike të Tiranës), të ketë nisur punën për studimin e gjuhës së Jul Varibobës. Studimi, që u botua më 1953 në tre numra të revistës “Buletin i Institutit të Shkencave”, u prit shumë mirë dhe duket se përcaktoi të ardhmen e tij. Më pas, u mor me gjuhën e Sami Frashërit, duke shkruar një punim tjetër të gjatë me më shumë se 40 faqe, që e botoi më 1955 në “Buletin për shkencat shoqërore”. Një tjetër studim bëri për lëvrimin e gjuhës shqipe gjatë shek. XIX, që u botua më 1958 e 1959 në dy numra të “Buletinit për shkencat shoqërore”.
Duke qenë se disiplina kryesore që iu ngarkua të jepte ishte morfologjia, edhe kërkimet e mëvonshme i përqendroi në këtë fushë, në fillim në morfologji të sotme dhe, më vonë, në gramatikë historike. Fryt i kësaj veprimtarie kërkimore 60-vjeçare janë një varg monografish e tekstesh universitare si dhe një numër shumë i madh artikujsh. Nga fusha e morfologjisë së sotme prej tij kemi monografitë “Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe” (1972), “Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe” (1975), tekstin universitar në dy pjesë “Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe” (1961 e 1963), e para vepër që trajton në mënyrë të plotë sistemin morfologjik të shqipes, si edhe kreun e foljes në gramatikën akademike të shqipes (1976). Po aq e pasur është veprimtaria e tij botuese edhe në fushën e gramatikës historike, që nis me tekstin në dy vëllime “Morfologjia historike e gjuhës shqipe” (1973, 1976) dhe kulmon me veprën madhore “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (Tiranë, 1986 dhe Prishtinë, 1988), e cila është quajtur “Bibla e gjuhës shqipe”. Për nga gjerësia e problemeve të cekura dhe thellësia e shpjegimit të evolucionit të shqipes, kjo gramatikë është kthyer në një libër pune shumë të domosdoshëm, të cilit i referohen të gjithë ata që merren me gramatikën e shqipes. Pikërisht, për nivelin e lartë shkencor të kësaj vepre, Akademia e Shkencave e Austrisë i kërkoi autorit hartimin e një varianti në gjermanisht të saj, që u botua në Vjenë më 1993. Për nevoja të mësimdhënies së gramatikës historike në degët e gjuhës shqipe të universiteteve tona, autori hartoi edhe një version të shkurtuar, që u botua në vitin 2002.
Për të zbuluar dhe shpjeguar ndryshimet që kanë pësuar fjalët dhe lëvizjet në sistemet e eptimit, morfologjia historike krahason format e shqipes së sotme me format e dokumentuara të periudhave më të hershme të saj ose të gjuhëve huazuese, duke zbuluar ndërrimet fonetike që kanë pësuar format më të vjetra për të përfunduar në gjendjen e sotme. Por krahasimi i formave nuk mund të bëhet pa njohjen e thellë të fonologjisë historike, gjë që jo vetëm e nxiti profesorin të thellonte dijet e tij edhe në këtë fushë, por edhe të grumbullonte një përvojë të pasur. Njohjen e thellë të fonologjisë historike të shqipes si dhe të zhvillimeve të përbashkëta dhe të ndikimeve të ndërsjella të gjuhëve të Ballkanit, i dëshmoi në dy vepra të tjera të rëndësishme: “Gjuhësi ballkanike” (1994), botuar edhe maqedonisht po atë vit, dhe “Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (1996).
Por ndihmesat e prof. Demirajt nuk mbyllen me prurjet në fushën e gramatikës. Gjatë dhjetëvjeçarëve që u mor me studimin e gramatikës dhe të historisë së shqipes, iu forcua bindja se historia e një gjuhe është e lidhur ngushtë me historinë e bartësve të saj. Si rrjedhim, pasi kishte parë gjymtyrën e parë të binomit gjuhë e një populli – histori e tij, nga fundi i viteve ‘80 të shekullit të kaluar e deri në fund të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit tonë e përqendroi vëmendjen në gjymtyrën e dytë të këtij binomi, në historinë e popullit shqiptar, duke dalë kështu kuadri i ngushtë i problemeve historike të gjuhës. Fryt i punës për të ndriçuar aspekte të historisë së popullit tonë me të dhëna gjuhësore janë veprat “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (1988), botuar edhe italisht me titullin “La lingua albanese – origine, storia, strutture” (1997), “Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe” (1999), botuar edhe anglisht me titull “The origin of Albanians (linguistically investigated)” (2006) dhe “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët” (2008). Në to, duke shfrytëzuar të dhënat gjuhësore, ai provon se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe gjuha e tyre është bijë e ilirishtes, që u quajt arbërishte dhe nga fillimi i shek. XVIII shqipe. Vepra e fundit i kushtohet posaçërisht trevës në jug të Vjosës, të quajtur në lashtësi Epir. Me të dhënat që ka pasur në dorë – dëshmi historike dhe emra të lashtë e të rinj vendesh e njerëzish – ai arrin të provojë se epirotët e lashtë ishin gjithashtu ilirë, se gjuha e tyre ishte ilirishtja dhe se banorët e sotëm të Epirit, me përjashtim të popullsisë greke të vendosur në pjesët jugore të tij dhe të enklavave greke brenda kufijve të Shqipërisë politike, janë pasardhës të ilirëve. Në këtë mënyrë, duke provuar ilirësinë e Shqipërisë së Jugut dhe të gjuhës së banorëve të saj, ai hedh poshtë mëtimet greke për karakterin grek të Epirit. Këto tri vepra përbëjnë një shembull të dobisë së studimeve ndërdisiplinore për ndriçimin e çështjeve të vështira historike, siç është ajo e gjenezës së popullit tonë.
Veç veprave të mësipërme, prof. Demiraj ka botuar edhe dy vepra me karakter biografik, njërën për jetën e prof. Eqrem Çabejt (1990) dhe një tjetër për disa figura të shquara të gjuhësisë shqiptare (2003).
Me 7 mijë faqe të shkruara, nga të cilat rreth një e treta libra e artikuj në gjuhë të huaj (gjermanisht, anglisht, italisht e frëngjisht), prof. Demiraj ka vendosur një rekord në shkencën shqiptare. E megjithatë, ai nuk ndiente lodhje, ishte gjithnjë i papërtuar për të nxënë. Aty nga mosha 85-vjeçare mësoi edhe përdorimin e kompjuterit, me të cilin shkroi disa nga librat e fundit. Pas veprës së fundit, kishte ndër mend të shkruante një libër për mesapët dhe një tjetër për mësuesin e tij, Jani Mingën. Për të parin, në jetëshkrimin e shkruar prej tij lexojmë: “Kam dëshirë që t’i përvishem punës për hartimin e një monografie për Mesapët e Italisë Jugore, për të cilët disa vjet më parë kam shkruar nja dy artikuj. Dhe për këtë qëllim kam grumbulluar edhe disa materiale. Por në gjendjen e sotme shëndetësore, nuk mund t’i hyj një pune të tillë.” Shëndeti, që vinte duke iu përkeqësuar, nuk e la t’i përmbushte këto dëshira. Nga viti 2012 zuri shtratin për të mos u ngritur më.
Natyra i dhuroi prof. Demirajt një jetë të gjatë, pjesën aktive të së cilës ai e shfrytëzoi duke punuar pa u lodhur për t’i dhënë shqipes një numër kaq të madh veprash. Ky sukses nuk do të ishte arritur pa kombinimin e disa rrethanave jetësore me cilësitë pozitive të karakterit të tij, si etja e pashuar për dije, pasioni për shkencën dhe vullneti i pashoq. Falë këtyre cilësive, edhe pse i shkolluar brenda vendit, ai arriti të barabitej me kolegët në Institutin e Shkencave dhe në Fakultet që ishin diplomuar në universitete europiane, duke u bërë një nga emrat më të shquar të gjuhësisë shqiptare, krahas Eqrem Çabejt, Mahir Domit e Idriz Ajetit.
Jeta e këtij patriarku të gjuhës shqipe do të mbetet një shembull i rrallë i përkushtimit ndaj punës dhe kërkimit shkencor, kurse vepra e tij një kontribut me vlerë të paçmuar për albanologjinë. Veç kësaj trashëgimie vlerash e veprash, ai u ka lënë këtë amanet brezave të rinj të intelektualëve shqiptarë dhe shtetit:
“Mesazhi im për intelektualët tanë të rinj është që të punojnë me përkushtim, secili në fushën e tij, për të ndihmuar në zhvillimin dhe përparimin e gjithanshëm të vendit tonë. Shqipëria ka një potencial intelektual të pasur, i cili duhet nxitur që t’i shfrytëzojë sa më shumë aftësitë e tij për të mirën e vendit tonë. Por, për këtë qëllim, intelektualët tanë të rinj edhe duhen ndihmuar me të gjitha mënyrat që të mos detyrohen të braktisin Atdheun dhe të shkapërderdhin energjitë e tyre në dhe të huaj.”