Monday

27-10-2025 Vol 19

Ulërima e heshtur e Marigo Posios dhe heshtja ulëritëse e një kombi

Zonja Marigó dhe Flamuri Kombëtár (Fragment)
“(…)Vlora një herë e një kohë, ka pasur një zonjë që të gjithë ditën e kalonte duke qëndisur flamuj,
të gjithë natën duke pritur e përcjellë nacionalistët që në shtëpinë e saj, bënin mbledhje për të
shkëmbyer mendime e për të marrë vendime rreth luftës për Atdhe. Ata që kanë hyrë e dalë në një
shtëpl të vogël, dera e madhe e së cilës hapet në rrugën që sot mban emrin “Justin Godart”, m’a kanë përshkruar në këtë mënyrë Zonjën Marigo Pozio: Ishte një grua hollake, me gjatësi mesatare,
e me një fytyrë të ëmbël, nën rrudhat e së cilës fshiheshin tiparet e një gruaje që kishte qenë e bukur në të ri të saj. Ishte gojëmbël,buzëgaz, e zonja në fjalë sa ia kthente mendjen edhe burrit më të peshuar, trimëreshë në vepra sa nuk i trembej syri as prej bajonetave tyrke. Ishte mjaft e gjallë dhe, për në kohët e saj, kishte një kulturë të mirë të shoqëruar nga një gjykim i fortë. Dinte shumë gjëra: njihte, sidomos, mirë përpjekjet e shqiptarëve për liri; kishte lexuar të gjithë poetët e
Rilindjes sonë Kombëtare, shumicën e vargjeve të të cilëve e dinte përmendësh.(…)
Ibrahim Shyti, arkivisti fanatik i impulsit nacionalist vlonjat, përveç kujtimeve që mban në tru, ruan edhe shumë dokumenta të vlefshëm, letra të shkëmbyera e gazeta të vjetra që kanë të bëjnë
me Rilindjen tonë Kombëtare. Shumë ndër këto flasin për Zonjën Marigo Pozio. Ka njerëz që
mbajnë mend se kjo zonjë, që në vitin 1904, do me thënë përpara shpalljes së Hyrietit,
interesohej për çështjen shqiptare, predikonte idenë e shqiptarizmës nëpër gra e nëpër burra,
mirrte pjesë nëpër mbledhjet e ndryshme të nacionalistëve. Ndërsa i shoqi, Jovan Pozio, një
burrë i mirë e i dukshëm, e kalonte ditën në dyqanin e tij të madh, Zonja Marigo, në shtëpi,
qëndiste, shkruante artikuj për gazetat, shkëmbente letra me miqtë e shumtë atdhetarë të
shpërndarë në të gjithë botën, e u fliste grave të Vlorës për një Shqipëri të lirë, diskutonte me
burrat për ngjarjet e ditës. (…)
Pas shpalljes së Pavarësisë, Zonja Marigo nuk mên së punuari për çështjen kombëtare. Është
bashkëpuntore e Ismail Qemalit, të cilit, më 28 Nëntor 1912, i jep flamurin që do të shohë për të
parën herë dritën e diellit të shkëlqyer shqiptar. Dera e oborrit të saj tashi i hap të dyja kanatat
për të pritur e përcjellë nacionalistët. Oda e miqve bëhet qendra më kryesore ku rrihen problemet
e koklavitura të ditës;(…)
Në këtë kohë ajo kthen sytë në një fushë tjetër të palëruar të cilën e kishte në kujdes për vite me
radhë: në rrethin e grave. Nis, më parë, këshillat, propagandën. Iu flet zonjave të cilësdo klasë:
të bejlerëve, të tregtarëve, shërbetorëve të tyre, grave të pasura e të varfëra. Më vonë propozon mbledhjen e një kongresi të gruas Shqiptare dhe ia arrin qëllimit. Në krye të vitit 1914,
themelohet shoqërija “Shpresa Kombëtare” në të cilën ajo, më e ditura grua e qytetit, zgjidhet
sekretare. (…)
Po n’atë kohë plasi Lufta e Madhe (Lufta e parë botërore) dhe Shqipëria u shkel prej Fuqive të
Huaja. Shoqërija e “Shpresa Kombëtare” u shpërnda pa e parë të aprovuar statutin e saj nga
ana e Mbretëreshës Sofije që do të ishte kryetare nderi. Zonja Marigo hyn prapë në shtëpinë e saj të vogël për të pritur e përcjellë miqt e vjetër nacionalistë. Fatbardhësisht kjo periudhë
turbullimi nuk i kalon të pes a gjashtë vjetët. Luftrat e 1920-ës i nxjerin jashtë Shqipërije fuqitë e
huaja; Kongresi i Lushnjës riorganizon shtetin e lirë shqiptar. Zonja Marigo, porsa e sheh
Shqipërinë të lirë e sovrane, mendon menjëherë komitetin e grave vlonjate që, gjashtë vjetë më
parë, ishte shpërndarë pa u formuar mirë. Shoqërija “Shpresa Kombëtare, u formua më 21
Janar 1921 (Mbrojtja Kombëtare Viti 1, Nr. 16, 23 Janar 1921) dhe menjëherë mori një vendim
të madh: të botojë një gazetë që do të ketë për mision zbvillimin e femrës shqiptare.Zonja Marigo
J. Pozio caktohet drejtoreshë e përgjigjshme. (…)
Shifet qartë se Zonja Marigo ka pasur dhe një kulturë që e bënte superiore ndërmjet shoqeve,
edhe një farë shije në gazetari. Fletorja “Shpresa Kombëtare” vazhdoi botimin vetëm për pak
muaj. Kur entuziami që kishte grumbulluar të gjithë gratë e Vlorës rreth Zonjës Marigo u shua,
shoqërija u shpërnda dhe fletorja u mbyll. Zonja Marigo tashmë ishte mplakur dhe nuk mund të
punonte më me vrullin e dikurshëm. Përveç pleqërisë, sëmundjet e mjerimet familjare nuk e linin
të qetë. Dy vajza dhe biri i vetëm i vdiqën nga tuberkulozi. Jovani, i shoqi zemërbardhë, që për
disa vjetë me radhë mundohej të përkrahte veprimtarinë e saj dhe të ndihmojë çështjen
kombëtare, vdiq po prej kësaj sëmundjeje. Më në fund, bacilet e Koch-ut nisën të brejnë edhe
mëlçinë e Zonjës Marigo. E varfër sa s’bëhet, s’kishte asnjë mjet për t’u mjekuar. Me kohë
humbi edhe dritën e syve dhe, pesë a gjashtë vjet më parë, vdiq në Tiranë në një gjendje të
vuajtëshme. Për varrimin e saj u përkujdes i kunati, KristoFloqi.(…)
Ky është fundi i tmerrshëm i një idealisteje të madhe. Zonja Marigo Pozio të gjithë jetën e pasurinë
ia kushtoi çështjes Kombëtare. (…)”
JAKOV MILAJ
PËRPJEKJA SHQIPTARE, JANAR 1938

E varfër sa s’bëhej, pa ndihmë, pa mbështetje, pa sy, e pa zë, kështu u shua Marigo Posio, gruaja
që qëndisi flamurin e Ismail Qemalit. Ajo që dikur qëndisi me duart e saj simbolin e lirisë, e
përfundoi jetën në një dhomë të errët në Tiranë. Askush nuk u kujtua për të. A ka ironi më të fortë
se kjo?
Kishte dhënë gjithçka për kombin: jetën, pasurinë, rininë, sytë… dhe në këmbim mori heshtje.
Heshtje nga ata që në çdo kohë kanë folur me pathos për flamurin në ditët festive, por që nuk e
kanë ditur kurrë kuptimin e vërtetë të fjalës sakrificë.
Historia e saj është një plagë e hapur në ndërgjegjen shqiptare, një pasqyrë tronditëse e asaj çfarë
shoqëria shqiptare është. Një shoqëri që lavdëron simbolet, por harron dorën që i krijoi ato. Një
shoqëri që flet me fjalë të mëdha, por shpërblen me harresë.
Gjithçka ka një kosto. Një vepër nuk ka peshë, nëse nuk sjell përfitim. Flitet shumë për kontribut, pak për përkushtim. Shpesh edhe gjestet më të vogla bëhen për efekt publik, për reklamë, për imazh. Sot, ajo që zonja Marigo bëri me përulësi dhe dashuri për kombin, do të ishte kthyer në një
fushatë promovimi me sponsorë dhe hashtagë, sepse në kohën tonë, gjithçka matet me klikime dhe përfitime.
Jetojmë në një kohë ku antivlerat promovohen me bujë dhe vlerat heshtin në varfëri. Nuk nderohen
më ata që punojnë në heshtje, por ata që bërtasin më fort. Intelekti është zëvendësuar nga imazhi,
përkushtimi nga pushteti, dhe sakrifica nga spekulimi. Në këtë pazar të lavdisë së rreme, nuk ka
vend për njerëz si Marigo Posio që dhanë gjithçka, pa kërkuar asgjë.
Shoqëria jonë i ngre përmendore interesit dhe i mban të varrosura idealet. Kujtimi i Marigosë na
detyron të pyesim: A jemi ende një komb që di të çmojë fisnikërinë, apo jemi shndërruar në një
shoqëri që njeh vetëm çmimin dhe jo vlerën?!
Flamuri që Marigo Posio qëndisi nuk ishte thjesht pëlhurë, ishte vizion, dashuri, përkushtim. Ishte
gjuha e shpirtit të një kombi që kërkonte dinjitet. Ajo nuk bëri asgjë për lavdi, s’kërkoi asgjë në
këmbim.
Po sot? Sot, lavdia jepet me tender, nderimet prodhohen me regji, heroizmi shpallet me dekret.
Ndërkohë që harrojmë Marigonë, nderojmë hijet që nuk kanë lënë asnjë gjurmë të vërtetë në rrugën
e kombit.
Marigo Posio është një test moral për të gjithë ne. Sa herë shohim flamurin në një podium, në një
shkollë, në një ndërtesë shtetërore, duhet të kujtojmë se ai është qëndisur nga duart e një gruaje që
nuk e kërkoi kurrë vendin në skenë. Dhe megjithatë, ajo e meritonte më shumë se kushdo tjetër.
Ajo është viktimë e harresës, jo e historisë. E një harrese që po bëhet rregull. Një harresë që nëse
nuk ndalet, do të na lërë në mënyrë të qëllimshme pa të shkuar.
Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për njerëz që japin pa pritur që t’u kthehet. Që qepin flamuj
në heshtje, pa bujë, por me zemër. Sepse një komb nuk mbahet nga zërat më të lartë, por nga duart
më të ndershme.
Kujtimi i Marigo Posios nuk është monumenti i radhës për të kaluarën, është një ndërgjegje për të tashmen. Nëse sot duam të flasim me respekt për flamurin, duhet të fillojmë me ata që sakrifikuan për të. Duhet të ndalojmë së lavdëruari ata që vetëm marrin dhe të fillojmë të vlerësojmë ata që japin, edhe kur askush nuk i sheh.
Fundi i zonjës Marigo nuk është thjesht një dramë individuale, është një akuzë morale për të gjithë ne, pasi një komb që nuk nderon sakrificën e grave dhe burrave të tij të përkushtuar, është një komb që i shkul vetes rrënjët dhe mbillet përkohësisht në tokën e interesave të vogla. E një komb
që nuk sheh të kaluarën e tij me nderim, është i dënuar të mos ketë të ardhme me dinjitet.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *