“ Tregtarë dhe kapitalistë vlonjatë”!A e mbani mend vitin 1920, kur fshatarët lanë gjakun e tyre në kodrat e Vlorës, pa marrë parasysh telat, istikamet, mitralozat, topat dhe aeroplanët e Italisë së Madhe. Për shpëtimin e Shqipërisë dhe të Vlorës tuaj mbetën më se 1000 veta të vdekur dhe të plagosur, pa i kërkuar atdheut shpërblim. Të plagosurit dhe bonjakët u muarën vetëm me mjeshtërinë e tyre, bagëti e bujqësi, pa pasur as më të voglin pretendim. Lumturia e tyre ishte vetëm shpëtimi i Shqipërisë. Ju e shijuat më shumë lumturinë lëndore, tue punuar në qetësi, liri dhe paqe, duke grumbulluar kapitale nga gunat e grisura të këtyre fshatarëve të mjerë. Djersa e këtij populli u përdor në interes tuaj, pse ju dërguat djemtë në Universitetet e botës si shpërblim të sakrificave që bëri populli për këta djem, nuk pati gjë. Por një pjesë me rëndësi e këtyre të mësuarve sot rrin krejt indiferent për punët e popullit dhe të Shqipërisë, interesohen vetëm për punët e tyre. Prapë po përsëritet koha e vitit 1920, armiku na ka zënë vatrën shqiptare. Na, paralel me luftën botërore që i është hapur armikut, duhet dhe gjoksi dhe armët shqiptare për ta përzënë armikun dhe intrigat e huaja që paturpësisht qasen me pasanikët e pasuruar në këtë vend. Këta me prapamendim u janë në dispozicion. Fshatari trim edhe sot po e bën detyrën e tij duke e lënë shtëpinë dhe fëmijët në pellgun e varfërisë dhe të vuajtjeve, pa opinga dhe xhveshur, ka kapur pushkën përpara dy vjetësh, ka vdekur dhe do vazhdojë të sakrifikohen deri sa t’i sigurojë Shqipërisë lirinë e plotë, një liri që ti tregtar e kapitalist do ta shijosh më mirë se sa fshatari i cili do të shijojë sedrën dhe kryelartësinë kombëtare dhe tradicionale. Më në fund do të kthehet ndër arat e tij si luftëtar i kombit, armik “cincinati”. O tregtar dhe kapitalist, që rri rehat dhe fiton pare, baras sakrifica e këtyre heronjve që ta kanë treguar dhe një herë më 1920-ën si e derdhin gjakun, ti ç’duhet të bësh? Gjithë kapitalin për luftën! Gjithë kapitalin se po të jesh gjallë dhe në liri do e vësh prapë. Luftëtarët do të kënaqen me historinë e Shqipërisë dhe asgjë tjetër. Ne s’kërkojmë as të gjithën, as gjysmën e kapitalit tuaj, kur ju s’e jepni dot, kërkojmë një ndihmë të arsyeshme për të mbajtur çetat vullnetare të Lirisë, me armë, veshmbathje dhe ushqime. Kështu dhe ju do të keni bërë detyrën tuaj ndaj Atdheut dhe do të tregoni që jeni shqiptar, jo parazitë dhe spekulatorë që e doni vetëm për ta vjelë këtë vend. Të tillë këtu nuk duhet të rrojnë. Atdheu do i marrë masat për ta. Presim kontributin tuaj. Organizata do të japi llogari të rregullt nesër në faqe për inkasimet që ka bërë dhe do të bëjë populli. Qarkori Llegal i Ballit Kombëtar(Hysni Lepenica) 15 dhjetor 1942Hysni Lepenica ky njeri që i duhesh atdheut, si një model i njeriut që e ka vënë çështjen e çlirimit nga pushtuesi në rend të ditës, me këtë Apel internacional që bën çdo patriot kudo në botë, tregon nivelin lartë të ndergjegjësimit të tij, për çështjen e atdheut. Ky tekst sipas origjinalit ndodhet në Muzeumin e Vlorës. Vetëm duke rilexuar disa herë këtë tekst që ka aktualitet në çdo kohë, kupton se ke të bësh me një intelektual të formuar dhe brymosur me frymën e atdhedashurisë qysh në fëmijëri. Një rol të madh në edukimin e Hysniut të vogël luajti nëna e tij, bijë nga Velça me emër. Ishte një grua e mençur, fisnike, tepër e shkathët, e zonja për të mbajtur rregull në një familje aq të madhe, për të pritur e përcjellë miq. Nënë Faria ishte amvisë me autotritet, e denjë të quhej gruaja e Allush Mamos, për të edukuar fëmijët e saj me dashuri për atdheun. Ata patën katër djem dhe tre vajza: hysniun, Safetin, Taipin, Shyqon, dhe Menshtanen që u martua në Gjorm tek Miftar Merua. Sulltana u martua në Çorrsus te Bektash Çorrushi ndërsa Hatixheja në Gjorm te Muço Sherifi. Mamo Allushi mori pjesë në Luftën e Vlorës dhe këto ndjenja kombëtare i mbolli edhe tek fëmijët. Emri i fashatit Lepenicë u bë mbiemri i dytë i familjes Allushi, ndaj edhe Hysniu e kishte mbiemrin Allushi (Hysi) i mbiquajtur Lepenica qysh nw ditwn e lindjes prej vitit 1932. Me mbarimin e semimaturës në qytetin e Vlorës, si nxënës i dalluar, me ndihmën e patriotëve si Osman Haxhiu, Jani Minga e Murat Miftari, niset për në Kalabri. Hysniu që kishte mbaruar studimet e shkollës së mesme petagogjike në tokën italiane të Kalabrisë në Shën Mitër Korona, kishte etje për të lexuar historinë e Skënderbeut, shkruar nga poeti ynë kombëtar Naim Frashëri. Ai u bë shumë shpejt shok ideali me Avni Rustemin dhe formojnë së bashku shoqërinë kulturore patriotike “Lidhja e djelmoshave”. Ata mendojnë se kjo shoqëri do krijonte një klimë patriotike mes arbëreshëve dhe sqarimin e italianëve në favor të Shqipërisë me anë memorandumesh. Shfaqja hapur e ndjenjave antiimperialiste e bëri Hysniun dhe Avniun nga njerëzit më aktivë në protestat e popullit italian. Në vitin 1918 Hysniu do të gjendet në Vlorë si mësues dhe kur kthehet në vendlindjen e tij Lepenicë në krah të Selam Musa Lepenicës. Krahas së dhënit mësim, ai propogandonte lëvizjen kombëtare dhe nën ndikimin e Murat Miftarit dhe të Halim Xhelos mori pjesë në formimin e Shoqërisë “Mbrojtja Shkollore” ose siç njihet ndryshe “Shtizat e Qytetërimit”. Në gazetën “Liria Kombëtare”, në shtator 1928 nga Gjeneva, Halim Xheloja do të shkruante për kontributin e kësaj shoqate dhe ndër emrat e përmendur shkruan: “Midis asaj djalërie shquhej Hysni Lepenica, Brahim Kushta, Rexhep Sulejmani, Gani Alikua” etj. Gjithashtu në këtë organ vëmë re një shkrim të Eqerem Çanos i cili ndër të tjera shkruan: “për aftësitë dhe shpirtin luftarak të H.Lepenicës në tërë krahinën dhe urtësinë fisnike të M.Tërbaçit“. Një kalorës i bukur si yll i këputur kaloi pranë meje: që shpinte një urdhër të komandës ndër çeta t’i qërojë hesapet”. Në prill të vitit 1920, në shtëpinë e Rradhimajve në Vlorë nën drejtimin e Avni Rustemit, Halim Xhelos e Muharrem Havarit e Rasim Hamzarait u mblodh djalëria e Vlorës dhe Labërisë, ku u bisedua për vrasjen e Esat Pashë Toptanit. Në këtë takim mori pjesë edhe Hysni Lepenica. Ai mbajti fjalën e tij dhe theksoi: “Shqipëria nuk merr dot frymë pse në shpinën e saj Esat Pashë Toptani po kurdis njëqind pabesi. Shqipëria duhet t’i qërojë ferra e driza të tilla që i përgjuznin nderin vetë”. Për vrasjen e Esatit “djalëria” hodhi short. Njëri ndër ta që shprehu dëshirën për të kryer atentatin kundër Esatit ishte edhe Hysni Lepenica. Avniu u nis për në Paris, dhe Hysniu së bashku me Halim Xhelon ngritën në këmbë Labërinë kundër pushtuesit italianë. Të mbledhur në Beun në maj të 1920-ës luftëtarët nën urdhrat e komitetit “Mbrojtja Kombëtare” me komandant të Luftës së Vlorës Ahmet Lepenica të cilin Hysniu e çmonte dhe e respektonte shumë ndanë detyrat. Hysniu u radhit luftëtar në çetën e Lepenicës me të cilën kreu disa lufime si në Qafën e Llogarait, në llogoret dhe istikamet e Vlorës. Në këto luftime Hysniu 20 vjeçar pa me sytë e tij, se si ra si luanë Sheme Jazo komandant i çetës së Lepenicës. Hysniu nënshkroi peticionin në mbrojtje të Avni Rustemit pas aktit të tij heroik në Paris. Pas mbarimit të Luftës së Vlorës atë e gradojnë me titullin oficer krahas Dhimitër Balës, Hazis Çamit toger ndërsa Osman Tetovën, Hysni Lepenicën, Ismail Hakiun e Rrapo Çelon- oficer. Pas Luftës së Vlorës Hysniu do të ishte mbrojtësi kryesor i fshatarësisë në Katundarinë e Vlorës edhe me shkrime në gazetën “Politika” e “Mbrojtja Kombëtare” për të ndihmuar familjet dhe fëmijët e dëshmorëve të kësaj lufte legjendare. Në kujtimet bashkëfshatarëve në vjeshtën e vitit 1920, në shtëpinë e Ahmet Lepenicës u shtrua një darkë ku merrnin pjesë edhe Ali Asllani, Shtjefën Gjeçovi, Jani Minga, Dom Mark Vasa, Mihal Peço, Muço Delo etj. Hysni Lepenica, Fejzo Tafili, Selman Hitaj ishin edhe artsitët që kërcyen e kënduan për nder të Shtjefën Gjeçovit, i cili interesohej për traditën dhe kulturën e Labërisë. Hysniu gjeti rastin, për të biseduar për hallet e Labërisë me Ali Asllanin. Vitet që do vijnë pas, e gjejnë mësuesin Hysni njëkohësisht aktivistin e çështjes kombëtare në krijimin e Federatës “Atdheu”, më pas mbështeti krijimin e degës së shoqërisë “Bashkimi” të Vlorës duke u caktuar me detyra në Himarë, Dukat, Nartë e Llakatund. Në zgjedhjet e vitit 1923 Hysniu përkrahte dhe mbronte kapedanin Sali Vranishti, i cili edhe ky si Eqerem bej Vlora kishte vënë kanditaturën për deputet në krahun demokratik. Në vitet 1923-1924, Hysni Lepenica bënte pjesë në rradhën e oficerëve të krahut kombëtar së bashku me Ismail Hakiun, Meleq Frashërin, Ali Shefqet Shkupin, Osman Tetovën, Ahmet Lepenicën, Ferit Frashërin, Koço Mukën, Dhimitër Balën etj. Më 23 shkurt, u bë atentat ndaj Ahmet Zogut. Me dorëheqjen e tij u formua qeveria e Shefqet Vërlacit. Më 20 prill 1924 u bë atentati kundër Avni Rustemit, i cili pas dy ditëve vdiq. Hysniu mori pjesë në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë si dhe në Kuvendin që organizuan deputetët e opozitës, anëtarët e shoqërisë “Bashkimi” dhe 300 përfaqësuesit e krahinave të vendit, në të cilët nënshkruan dy memorandume nga Fan Noli, Halim Xhelo, Reshat Këlliçi, Luigj Gurakuqin, ku protestohej kundër vrasjes së Avniut dhe kërkohej “kapja e vrasësit. Kryengritësit e Vlorës nën udhëheqjen e Fan Nolit u nisën drejt Tiranës, ku zhvilluan luftime në Fier me forcat zogiste. Nga qershori deri në dhjetor të 1924 Hysniu ishte në gardën republikane të komanduar nga A.Cani, shquhet për trimëri dhe guxim e talent ushtarak në regjimentin e A.Lepenicës. Drejton luftimet në Vilëz, Tujan të Tiranës dhe Mamurras të Krujës. Kur mercenarët e Ahmet Zogut dhe bjellogardistët ruso-serb thyen rezistencën e Nolistëve, Hysniu u kthye në Vlorë me Luigj Gurakuqin, Mustafa Tragjasin. Hysniu së bashku me Fejzo Tafilin fillimisht emigruan në Greqi e më pas në Itali (Firence), ku bashkëpunoi me Halim Xhelon, Luigj Gurakuqin, Beqir Velon, Abdul Kuçin, Omer Nishanin. Më 1931 u diktua një revolt për rrëzimin e Ahmet Zogut ku mes tyre ishte në “Organizatën e fshehtë” të Vlorës në bashkëpunim me organizatën “Bashkimin Kombëtar” edhe Hysni Lepenica. Dënohet nga Gjykata e Lartë Mbretërore me vdekje me litar. Në sallën e gjyqit ai do të shprehej me një promemorje kundër regjimit të Zogut. Kur ishte përpara litarit trimi Hysni Lepenica tha: “Nuk kërkoj falje. Më vjen keq që nuk të asgjesova. Sikur 100 herë të më varësh dhe unë 100 herë të ngjallem, po 100 herë do të të vras! – që kombi të shpëtojë nga Monarkia dhe varfëria. Mbreti, me demagogjinë e tij, pasi e ndiente një revolt kombëtare e ktheu dënimin me vdekje në burgim të përjetshëm, duke thënë: Trimat nuk vriten. Falë qofsh Hysni bej Lepenica. Në burg ai me Skënder Muçon, Murat Tërbaçin, Myqerem Hamzarain, Dhimitër Konomin, Gani Iliazi, Gani Aliko, Haki Stërmilli, Skënder Luarasi, Kostë Çekrezin bisedonin gjatë për një Shqipëri me Kosovë e Çamëri. Bashkëpunonte me demokratët e njohur Safet Butka, Bari Omari, Branko Merxhani, Mustafa Gjinishi, etj. Kujtonte me respekt Riza Cerovën shok ideali, që së bashku me të organizuan kryengritjen e Fierit në vitin 1935, siç shkruan në ditarin e burgut. Pas 6 vjet burg kthehet në Vlorë, pranë familjes në dhjetor të vitit 1938. Muajt e parë të dimrit të 1939 Hysniu i kaloi pranë familjes.
TIMOLEO GURI