
Këtu tek ne, historia është si një film që nuk mbaron kurrë, një skenë e gjatë ku çdo aktor kërkon të luajë rolin kryesor, edhe kur nuk ka pasur asnjë rresht në skenar. Tamam si në filmin “Asgjë nuk harrohet”, ka njerëz që kujtesën kolektive e trajtojnë si një fije kashte që mund të tërhiqet me kujdes nga ata që duan ta rikthejnë të shkuarën në favor të tyre. Disa, në përpjekje për të kapur një copëz lavdie të paqenë, si ai tipi në filmin shqiptar “Asgjë nuk harrohet”, që kërkon “dy gisht kartë” për të “vërtetuar” se ka qenë “veteran” lufte, dhe ca të tjerë e përdorin Marrëveshjen e Mukjes si një flamur të zhubravitur, që valëvitet vetëm kur u duhet të justifikojnë pozicionet e sotme politike. Ironikisht, të majtët shqiptarë ndahen në qindra parti, por kur vjen puna për t’u lëpirë pas shokut Ramo, bashkohen si një trup i vetëm, pa asnjë ndjesi kontradikte.
Në këtë vorbull përplasjesh në historinë e Luftës e më pas, Mehmet Shehu del e futet si një hije që nuk gjen qetësi. Ishte apo nuk ishte agjent? Pyetja që nuk merr përgjigje, ndërkohë që arkivat heshtin dhe partitë flasin me dy zëra. Po si nuk iu bë pyetja Ramizit për vetingun e Kadri Azbiut? Enveri, Ramizi dhe Hekurani nuk u mjaftuan me 400 dëshmitarë për Azbiun — çfarë do t’i kishin bërë Mehmetit? Kjo është ajo pjesë e historisë që nuk shkruhet, por që rri pezull si një re e rëndë mbi kujtesën tonë…
Namik Hoti, një nga ata që e njihte mirë anatominë e politikës shqiptare, pati thënë se, të gjitha partitë e sotme kanë dalë nga mitra e Partisë së Punës. Dhe si çdo gjellë e gatuar keq, edhe kjo histori vjen erë. Por le t’i kthehemi fakteve, jo thashethemeve.
Një nga të vërtetat që rrallë përmendet, por që ka një peshë të veçantë në historinë e rezistencës shqiptare, është fakti se Këshilli i parë Antifashist Nacional Çlirimtar u formua në Korçë, në fillim të tetorit të vitit 1942, vetëm pak ditë pas Konferencës së Pezës që u mbajt më 16 shtator. Ky moment historik, që shpesh mbetet në hije, shënon një pikë kthese në organizimin e luftës kundër pushtuesit, duke e vendosur Korçën si një nga qendrat më aktive të rezistencës antifashiste.
Në krye të këtij Këshilli u zgjodh profesori i njohur i Liceut Francez, Sali Mborja, një figurë me integritet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj çështjes kombëtare. Ai ishte biri i Dr. Haki Mborjes, rilindasit të shquar që kishte krijuar çetat e para patriotike që në vitin 1909, duke i dhënë Korçës një trashëgimi të hershme në organizimin e rezistencës. Sekretar i Këshillit u emërua Behar Shtylla, një tjetër emër që më vonë do të luante rol të rëndësishëm në diplomacinë shqiptare. Por ajo që e bën këtë ngjarje edhe më prekëse është sakrifica personale e Sali Mborjes: para se të shpërndanin traktin që njoftonte krijimin e Këshillit, themeluesit u kujdesën të siguronin jetën e djalit të tij të vetëm, Fatmirit, i cili nuk kishte mbushur ende dy vjeç. Me pseudonimin “Aleko Qyteti”, fëmija iu besua një familjeje të varfër të komunitetit ish-egjyptian, një akt që dëshmon jo vetëm përkushtimin ndaj luftës, por edhe besimin te solidariteti i njerëzve të thjeshtë.
Për figurën e Sali Mborjes, historia ka shumë për të thënë, dhe jo vetëm si kryetar i Këshillit të parë Antifashist Nacional Çlirimtar të formuar në Korçë në tetor të vitit 1942. Ai ishte një personalitet me vizion të gjerë dhe me një përkushtim të rrallë ndaj arsimit dhe çështjes kombëtare. Në gusht të vitit 1943, në fshatin Lozhan të Korçës, Sali Mborja u bë edhe themeluesi i Shoqatës së Mësuesve Antifashistë — një organizatë që synonte jo vetëm rezistencën ndaj pushtuesit, por edhe edukimin e brezit të ri me frymën e lirisë dhe të përparimit.
Kjo nismë, e cila u konkretizua në një trakt të shpërndarë në zonë, është e dokumentuar edhe vizualisht: ekziston një foto e këtij trakti, dëshmi e gjallë e angazhimit të mësuesve në luftën për çlirim dhe për emancipim shoqëror. Shoqata e Mësuesve Antifashistë nuk ishte thjesht një grupim simbolik, por një lëvizje e organizuar që bashkonte intelektualët e zonës, duke e kthyer arsimin në një mjet të rezistencës aktive. Dhe në krye të saj, qëndronte Sali Mborja, i biri i Dr. Haki Mborjes, rilindasit që kishte krijuar çetat e para patriotike që në vitin 1909 dhe çeljen e shumë shkollave shqipe, deri tek Normalja e Elbasanit më 1910, së cilës, pasi i fali 50 Lira ari, mori përsipër kujdesin dhe mjekimin falas për konviktorët e saj — duke e trashëguar jo vetëm emrin, por edhe misionin për një Shqipëri të lirë dhe të arsimuar.

Ky Këshill nuk ishte një strukturë e mbyllur ideologjikisht, por një organizëm që bashkonte të gjitha grupimet që kishin vullnetin për të luftuar kundër okupatorit. Në krahinën e Korçës, u krijuan me shpejtësi Këshillat Nacional Çlirimtare, të cilat u shtrinë në të gjithë qarkun, duke përfshirë qytetet e Ersekës, Leskovikut, Bilishtit, Korçës dhe Pogradecit. Në këto struktura merrnin pjesë figura të ndryshme, që nga Sali Mborja e deri te prifti Pais Vodica (Pashko), si dhe babai i teqes së Turanit, duke dëshmuar se lufta nuk ishte pronë e një ideologjie të vetme, por një përpjekje e përbashkët e shqiptarëve të të gjitha shtresave dhe besimeve.

(Në këtë foto (Kolonjë – 1943) Sali Mborja, kryetar i Qarkut të Korçës, i dyti (nga e majta në të djathtë) ulur, me xhaketë, jelek dhe me kilota me kuadrate, së bashku me kuadro kryesorë drejtues partizanë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si: Nexhip Vinçani, Pellumb Dishnica, Riza Kodheli, Teki Kolaneci, Petrit Dume, Muhamet Prodani, Koço Theodhosi, Todi Lubonja, Hulusi Topollaj, Behar Shtylla etj.)
Një shembull i jashtëzakonshëm i kontributit familjar është ai i familjes Plaku, e cila i dha luftës partizanin e parë, të burgosurën e pare, një vajzë vetëm 10 vjeç (motra e Koços dhe Panajotit) dhe një sërë sakrificash që nuk mund të harrohen. Kjo familje, si shumë të tjera në Korçë, nuk luftoi për lavdi, por për dinjitet dhe për një Shqipëri të lirë. Këto janë rrëfime që nuk duhen lënë në harresë, sepse janë gurët themelorë mbi të cilët u ndërtua rezistenca shqiptare.
Po ka arkiv që dëshmojnë besën e shqiptarit, atë besë që nuk njeh ideologji, por njeh nderin dhe mikpritjen…?
Në një nga fshatrat e Korçës, një shtëpi u bë strehë për dy botë të kundërta: në njërin kat strehoheshin ballistët, ndërsa në katin tjetër partizanët. I zoti i shtëpisë, i vetëdijshëm për rrezikun dhe për peshën e përgjegjësisë, në të gdhirë u kërkoi të dyja palëve që të largoheshin, secila në drejtim të kundërt, duke ruajtur një distancë prej 300 metrash në shpinë të njëra-tjetrës. Një kërkesë që sot mund të duket e pabesueshme, por që atëherë ishte një akt i guximshëm për të shmangur gjakderdhjen mes shqiptarëve. Dhe po, kjo ngjarje ka ndodhur vërtet — në fshatrat e Korçës! Sepse ndryshe si do të ishte shkruar nga Dritëro Agolli “Njeriu me top”, një vepër që buron nga realitete të tilla të ndërlikuara dhe të mbushura me kontradikta njerëzore?
Por ka edhe ngjarje që arkivat nuk i shkruajnë dot, sepse janë aq të ndjeshme, aq të mbushura me emocion dhe rrezik, sa mbeten në kujtesën e atyre që i jetuan. Nën hundën e gjermanëve, një nacionalist, i zoti i një shtëpie, u vu në shërbim të tyre si mikpritës, duke i qerasur sipas zakonit shqiptar. Por ajo që nuk dinin gjermanët ishte se vajza që u shërbente në atë pritje ishte një ilegale, pjesëtare e njësive guerile. Kur më vonë, gjatë një kontrolli, ajo u rreshtua në mur bashkë me të tjerët, një nga oficerët gjermanë e njohu — ishte e njëjta vajzë që e kishte qerasur më parë. I habitur dhe i prekur, ai bëri me dorë që ajo të largohej, duke e shpëtuar nga ekzekutimi. Një akt që nuk mund të përshkruhet thjesht si mëshirë, por si një moment ku njerëzimi i tejkalon kufijtë e luftës.
Këto episode tregojnë se aty ku ngritja kulturore dhe pasurore ishte më e lartë, aty rritej edhe ndjenja e përgjegjësisë kombëtare, dëshira për t’u bashkuar rreth Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar. Sepse nuk ishte thjesht luftë me armë, por luftë me ndërgjegje, me guxim dhe me besë. Dhe Korça, me traditën e saj arsimore, me familjet e saj të kulturuara dhe të pasura, u bë një vatër ku idealet e lirisë gjetën strehë dhe mbështetje.
Pas kësaj, në krahinën e Korçës u ngritën menjëherë Këshillat Antifashiste Nacionalçlirimtare, përfshirë qytetet si Erseka, Leskoviku, Bilishti e Pogradeci. Në to merrnin pjesë figura të ndryshme, nga prifti Pashko Vodica te babai i teqes së Turanit, duke treguar se lufta nuk ishte pronë e një ideologjie, por një përpjekje e përbashkët.
Në fshatrat e Korçës, historia ka ndodhur në mënyra që arkivat nuk i përshkruajnë dot. një vajzë ilegale e guerilëve u shpëtua nga një gjerman që nuk po u besonte syve kur e pa mes të arrestuarve. Kjo është besa shqiptare, që nuk ka nevojë për propagandë, sepse jeton në rrëfimet e njerëzve dhe në kujtimet që nuk shuhen.
Familjet korçare, me lidhje në Amerikë, vunë pasurinë e tyre në shërbim të luftës. Heroi Xhafer Cenko Lubonja dhe shumë të tjerë janë dëshmi e kësaj sakrifice. Abaz Ermenji, në librin e tij “Albania dhe Skënderbeu”, pohon se Partia Komuniste ishte dakord me traktin e tij dhe kishte iniciativën në luftë — ndaj, sipas tij, pushteti u takonte me të drejtë. Dhe kur flitet për komunistët si njerëz të shtresave të ulëta, historia e vërtetë tregon të kundërtën: në udhëheqje kishte djem e vajza nga shtresa të pasura e të mesme, sepse ndryshe kush do t’ua bënte propagandën?
Balli Kombëtar, me teorinë “prit të presim”, nuk përkrahu aksionet kundër armikut. Ndërkohë, në shtëpinë e Abaz Kupit, gjermanët ishin si të shtëpisë. Myslym Peza dhe Haxhi Lleshi i ofruan ish-mikut alternativën e arratisjes si nderin e fundit. Abaz Kupi strehoi djalin e vogël të Shitit, kur gjermanët kishin urdhëruar marrjen peng të fëmijëve të krerëve të shtabit. Këto janë fakte që arkivat i mbajnë, por historia zyrtare shpesh i anashkalon.
Misionet angleze i thanë Abaz Kupit: “Mos ikni si minjtë, çoni deri në fund misionin për çlirimin e Shqipërisë.” Furnizimi do të bëhej vetëm për ata që luftonin gjermanët. Ndërkohë, gjermanët dhe italianët kishin premtuar “Serbi të Madhe”, “Shqipëri të Madhe”, “Greqi të Madhe” — një strategji për të ndezur ekstremizmin dhe shovinizmin në Ballkan. Dhe po të ishin aq të fortë jugosllavët sa ta kishin mendjen tek Shqipëria, nuk do t’u vriteshin një milion njerëz.
Shqipëria, edhe pse bëri zgjedhjen e duhur, nuk u pranua në Konferencën e San Franciskos. Në Paris, kërkoi të drejtën si pjesëtare e kualicionit antifashist. Por për disa, historia është ende një fije kashte ku kapen fort, duke harruar se Mukja nuk është as fillimi, as fundi i së vërtetës. Dhe ndoshta, më shumë se të kërkojmë lavdi në të shkuarën, duhet të mësojmë prej saj për të mos e përsëritur. Sepse historia nuk është për t’u përdorur si kartë, por për t’u kuptuar si mësim.
Nga Trifon DAFA