
Problematika e jetës sonë kombëtare i është besuar fuqisë së mendimit dhe të veprimit të intelektualëve tonë”, shkruhet në një kapitull të Revistës “Përpjekja Shqiptare”me titull “Qëllimi i Revistës sonë”. Ky shkrim redaksional i një grupi intelektual, jep natyrisht edhe motivin e themelimit të kësaj reviste. Siç edhe do të perifrazojmë disa paragraf të këtij shkrimi, jo se do të gjejmë fenomene apo situata të ngjashme me apatinë e jetës intelektuale të vendit në ditët e sotme, por do të rikujtojmë disa fenomene të baticave dhe zbaticave të jetës sonë intelektuale në këto 113 shtet shqiptar. Shembull i një paragrafi që ka aktualitet të cilin po e citojmë si më poshtë: “Pas fitimit të vetëqeverimit tonë, shumë prej intelektualëve shqiptarë, midis të cilëve dhe disa të radhës së parë, shpallën dhe përsëritën në shumë raste këto fjalë të bujshme – Shqipëria u bë, tani të bëjmë shqipatrët”. Kjo frazë është shkruar shqip vetëm gramatikisht. Fjalët i kemi radhitur pa hyrë as në shpirtin as në kuptimin e tyre. Origjina e këtyre fjalëve është italiane. U tha në emrin dhe datën dhe me emër të një vendi Ballkanik në vitin 1881 nga princi i Bullgarisë Aleksandër Battemberg në një mbledhje me intelektualët bullgarë. Që ta marrim vesh mirë shpirtin e kuptimit të kësaj fraze, duhet të heqim dorë për një çast nga mania europiane dhe të kthejmë vështrimin tonë drejt Bullgarisë së sotme. Atje do të gjejmë një punim të mrekullueshëm që u bë në gjysmën e shekullit të fundit, një punim me një tok eksperiencash të ndritëshme, si edhe të shkëlqyera që do të na vrasin sytë dhe do të na zgjidhin enigmën e frazës së mësipërme, që në shqip duhej të përkthehej kështu: “Na duhet një jetë mendore!”… Sepse, nëse u bë Bullgaria, u bë më tepër për hir të gjakut që derdhën luftëtarët rusë? Por bullgarët janë bërë në sajë të punës mendore të intelektualëve të zotë dhe idealistë, të shkollave bullgare dhe të Universitetit të Sofjes. Ne për fat të keq, dhe me gjithë që jemi dy a tre milionë shqiptarë në këtë botë, domethënë jo më pak se sa kanë qenë atëhere bullgarët, nuk kemi mundësi sot për sot, jo të fillojmë të hedhim gurët e parë për ngritjen e Parnassit shqiptar, por edhe as të bashkohemi një grup njerëzish për të themeluar një shoqëri akademike, private -neve, na mbetet një gjë vetëm për të bërë:- Të botojmë revista dhe të mendojmë me mend, me sistem dhe me seriozitet. Të lejmë mendjen tonë të çliruar, të emancipuar ndër idera të realitetit shoqëror shqiptar, të udhëtojë lirisht, por me ngadalë dhe me kujdesë nëpër gërmadhat e jetës sonë brenda së cilave flejmë qysh prej shekujsh. Këtë udhëtim mendor brenda katakombeve të historisë duhet të bëjmë duke ecur në majë të gishtave. Është frikë, frikë e madhe se mos shkelim në dërrasa të kalbura të shtresës sonë shoqërore të mos qëndrojmë dot në ecjen me hapa të plota. Një barrë e rëndë ngarkohet mbi supet tona. Por kemi guximin e idesë sonë. Dhe besim të plotë në përkrahjen dhe bashkëpunimin e sinqertë dhe në entuziazmin e elementit intelektual laik të Shqipërisë së 1936-ës. Vendi ynë ka sot brenda dhe jashtë vendit 500 njerëz të ndritur. Për herë të parë në historinë tonë kombëtare 10 shkolla të mesme brenda kufijve të të tokës sonë të çliruar.
Shqetësimi intelektual i kohës është një busull orientimi për brezat e ardhshëm. A nuk i kemi parë disa prej ëndrave të tyre të realizuara? A nuk ishin disa nga emrat më të shquar të kohës të cilët i paraprinë shkencës shqiptare pas çlirimit të vendi? A nuk u krijuan apo themeluan Institute për fusha të ndryshme të shkencës? Po Universitete ? Ne natyrisht shohim Shqipërinë nga largësia e viteve dhe çdo arritje dhe sakrificë e këtij populli i cili ka kaluar shumë vështirësi në rrugëtimin e tij për mbijetesë. E dënojmë veten sikur ta kishim ne në dorë fatin tonë për të shkuar nga lindja apo perëndimi? Nuk e çmojmë si vlerë të popullit, gjithë atë sakrificë që na vuri përballë vetvetes për hir të ideologjisë, u ndamë në të kuq dhe blu. Tragjizmin tonë e mbolli koha e Luftës së Ftohtë, dhe në atë hapësir apo ngushticë të ciklit politik dhe historik, patëm edhe të mirat edhe të këqijat që pati çdo popull në etjen për zhvillim. Të kishe besim dhe shpresë tek shtresa e intelektualëve që i kanë dhënë shumë këtij vendi, kjo ishte sfida! Ta vlerësosh atë pasuri, si aset dhe trashëgimi e një kombi të ecësh në gjurmët e saj, këtu qëndronte problem i këtyre 34 viteve! Me sa shpresë shihen hapja e shkollave të mesme në vitet 1936? Po 500 të diplomuarit në universitetet e botës sa shpresë jepnin? dhe sa dëshpërimisht po shohim se si po mbyllen shumë degë në universitetet tona. Sa student shqiptar kanë mbaruar jashtë shtetit dhe sa prej tyre janë kthyer? Sa nxënës ikin nga ky vend? Sa shkolla mbyllen nwpwr qytette dhe fshatra? Të tjerë shqiptarë shkëlqejnë nëpër botë, a ka kush t’i bëj një ftesë që të japin një kontribut për vendin e tyre? Me çfarë morali do t’i thërrasësh? Ne këmbëzbathurit e Evropës përpara 113 vjetësh, me disa burra të mençur e të shkolluar i dolëm zot atdheut atwherw kur na quanin shprehje gjeografike? dhe sot atdheu ka luksin të mos i mbajë bijtë e bijat e tij me bukë? Jemi të shtrënguar për hir të mbijetesës nga dhënia e votës, sepse nuk jemi pjekur ende politikisht apo, sepse u rikthehemi cikleve të vitit të “mbrapshtë” dhe, kur na servirin demo-korrupsionin, mendojmë sikur zgjedhim të keqen më të vogël. Kur ti mbyllën teatrot kinematë e biblotekat, t’i prishën fushat e sportit e këndet e lodrave, ti o populli im, nuk reagove, natyrisht nuk ishe në nivelin e Francës për të cilën Napoloni tha: A ka shfaqje në teatrot e Parisit? Atëherë kur të mos ketë teatro të hapura do të bjerë jo vetëm Parisi, por edhe Franca!
_______________
Timoleo GURI