Monday

27-10-2025 Vol 19

Kur ligji nuk flet qartë, nuk ndëshkon krimin, por qytetarin

(…më parë se një instrument ndëshkimi për kriminelë, Kodi Penal lipset të përcillet tek qytetari si një mjet komunikimi për të parandaluar krimin)

Nga Ilir MBORJA

Në një kohë kur Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari i Dhomës së Avokatëve dhe shumë figura të tjera të rëndësishme të drejtësisë artikulojnë kundërshtime të strukturuara mbi bazë juridike për [draftin] e Kodit Penal, nën zhurmën e këtyre termave ligjorë, është një zë që nuk dëgjohet: ai i gjuhëtarit. Vështrimi i tij nxjerr në pah jo vetëm ngërçin e formulimit të përkufizimit të ligjeve, por edhe dështimin e komunikimit të këtij dokumenti të rëndësishëm, me qytetarin…

Kodi Penal përfaqëson njërën nga format më të konsoliduara të pushtetit normativ të shtetit, ku çdo fjalë, frazë, nyje gjuhësore, mbaresë shumësi, shquarsie apo shenjë pikësimi,  nuk ka vetëm funksion gramatikor, por edhe ligjor. Gjithashtu, në një shoqëri humane e të qytetëruar, më parë se një instrument ndëshkimi për kriminelë, Kodi Penal lipset të përcillet tek qytetari si një mjet komunikimi për të parandaluar krimin. Për këtë arsye, qartësia dhe saktësia gjuhësore në hartimin e ligjeve nuk janë thjesht çështje stilistike: ato janë domosdoshmëri funksionale e garantimit të sigurisë juridike dhe e respektimit të të drejtave themelore të individit. Ligji duhet të jetë më transparent se kurrë, por, fatkeqësisht, po vëmë re se [drafti] i Kodit Penal që na kanë paraqitur, në disa vende, në vend se të ndriçojë, mjegullon. Qartësia gjuhësore, e domosdoshme në komunikimi institucional, rrezikon të kthehet në pengesë për vetë drejtësinë që synon të garantojë. Mes termave të paqartë, sintaksës së ngatërruar dhe formulimeve që hapin rrugë për interpretime subjektive, ky [draft] provokon pyetjen themelore: A mund të jetë ligji i drejtë, nëse nuk është i qartë gjuhësisht?

Vështruar me syrin e një specialisti të gjuhës, diskutimet që po zhvillohen aktualisht në Tiranë mbi [draftin] e Kodit Penal, nxjerrin në pah probleme që tregojnë shpërfillje të jurilinguistikës. Pikërisht për këtë, disa prej tyre duken të paqarta në shprehjen e kuptimit juridik. Kjo mungesë e qartësisë mund të krijojë mëdyshje interpretative dhe, si rrjedhim, të rrezikojë zbatimin uniform të ligjit.

Megjithëse një çështje jo problematike për temën që po trajtojmë, për mua le shije jo të mirë përdorimi i shprehjes [Drafti final], në vend të “Projekti përfundimtar”, apo [draft], në vend të fjalës [projekt]. Kjo dukuri gjuhësore, krejt e panevojshme, e zëvendësimit të një fjale të natyralizuar me shqipen me një fjalë nga anglishtja, të kujton 6 nëntorin e vitit 1994, kur për here të parë u përdor nga Sali Berisha në fushatën e Partisë Demokratike për ndryshimin e Kushtetutës. Qysh atëherë zuri rrënjë termi “draft” që, bashkë me shijen e kujtimeve të shëmtuara për një “Kushtetutë” të atyre kohëve pa Kushtetutë (pasi [drafti] i rrëzuar në referendumin e 6 nëntorit, rrëzoi edhe Paketën Kushtetuese në fuqi)… Qysh atëherë, në ligjërimin publik, fjala [draft] zëvendësoi fjalën “projekt”. Nejse!… Por, një pështjellim të panevojshëm në opinion sjell përdorimi i përcaktorit [i ri] kur dëgjohet të përdoret pas fjalës [draft] që nënkupton ekzistencën edhe të disa të tjerëve, apo përmirësimin e një të mëparshmi…, duke e paraqitur këtë aktualin si të lidhur me projekte të tjera që janë mbajtur fshehur…

Edhe Kodi Penal, edhe Kodi i Procedurës Penale janë dy pjesë thelbësore të drejtësisë, por me role të ndryshme: i pari thotë çfarë është krim, i dyti si trajtohet ai. I pari është i domosdoshëm të njihet nga qytetari, ndërsa i dyti, domosdoshmërisht vetëm për punonjësit e drejtësisë. Pikërisht për këtë, sepse ndihmon qytetarët të dinë çfarë nuk lejohet dhe cilat janë pasojat, është veçanërisht e rëndësishme që Kodi Penal të jetë i qartë e i kuptueshëm për të gjithë. Vetëm në këtë mënyrë, qytetarët mund të shmangin sjellje të rrezikshme dhe të ndëshkueshme, pa pasur nevojë të jenë ekspertë të ligjit. Qartësia ligjore nuk është luks, por është mjet mbrojtës për secilin prej nesh.

Prandaj, për të siguruar zbatueshmëri efektive të Kodit Penal që duam të kemi, është e rëndësishme që formulimet ligjore të jenë sa më të qarta dhe të përputhura me standardet gjuhësore e juridike që sigurojnë kuptim të saktë dhe interpretim të drejtë.

Kështu, p.sh., te Neni 6 i këtij projekti, i cili deklaron qëllimin e legjislacionit penal, vërehet nevoja për interpretim jurilinguistik dhe riformulim strukturor në një stil më të qartë dhe më të precizuar.

Neni 6 / Qëllimi i legjislacionit penal / Legjislacioni penal i Republikës së Shqipërisë ka për qëllim të parandalojë kryerjen e veprave penale dhe, të mbrojë pavarësinë e shtetit shqiptar, tërësinë e territorit të tij, rendin kushtetues, dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, pronën, mjedisin, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin e shqiptarëve me pakicat kombëtare dhe bashkëjetesën fetare nga kryerja e tyre.”

Fjalët e fundit të këtij neni: “nga kryerja e tyre”, ndonëse në dukje referuese, krijojnë një pështjellim sintaksor e semantik të panevojshëm. Pas një vargu të gjatë objektesh që duhen mbrojtur (shteti, territori, rendi, të drejtat, bashkëjetesa), ky përfundim ngjan i shkëputur dhe mund të ngatërrojë lexuesin në kuptimin e vetë objektit që i referohet. Pa një ndërlidhje të qartë me “veprat penale”, formulimi lë hapësirë për interpretime relativizuese që mund të ndikojnë mbi përdorimin evaziv dhe zbatimin praktik të dispozitës. Formulimi lë hapësirë për interpretime relativizuese, duke krijuar mundësi që kuptimi i dispozitës të zbutet ose të shtrembërohet. Kjo pastaj lejon shteg për interpretim sipas interesit nga palët, të cilave u jepet mundësia (u sanksionohet liria) ta trajtojnë në mënyrë jo uniforme. Si pasojë, kjo paqartësi ndikon drejtpërdrejt në zbatimin praktik të dispozitës, duke rrezikuar efektivitetin dhe funksionin e saj normativ.

Kjo flet për mungesën e një procesi të thellë redaktimi gjuhësor në hartimin e normave penale, dhe për nevojën që çdo nen të vlerësohet jo vetëm nga aspekti substancial, por edhe nga efektiviteti i tij komunikues. Në këtë kontekst, analiza jurilinguistike e [draftit] bëhet një mjet kritik për të siguruar jo thjesht pajtueshmëri me parimet ndërkombëtare, por edhe zbatim të drejtë dhe të kuptueshëm për qytetarin.

Në vijim të këtij shkrimi, me qëllim që të identifikojmë ato që për ne konsiderohen pasaktësi gjuhësore dhe të propozojmë riformulime të qarta dhe të kontribuojmë së bashku për një kod penal më transparent, të kuptueshëm dhe juridikisht të qëndrueshëm, po ndalemi edhe në zbërthimin sintaksor dhe leksikor të normave të përzgjedhura nga [drafti] te Neni 668.

Në diskutimet aktuale mbi [draftin] e Kodit Penal, një nga pikat që ka ngjallur interes të veçantë është mënyra se si janë formuluar dispozitat që lidhen me dënimin e personit juridik, që trajtohen pikërisht këtu:

Neni 668 / Kryerja e veprës nga personi juridik / 1. Nëse një person juridik ka kryer veprën penale të parashikuara nga nenet 659, 660, 661, 662, 664, 665 dhe 667 të këtij seksioni, caktimi i dënimit me gjobë do të ndjekë rregullat e përcaktuara në nenin 123 të Kodit Penal. 2. Për veprat penale të lehta të parashikuara në dispozitat e këtij kreu kur çmohet e arsyeshme dhe në përputhje me natyrën e veprës penale të kryer, ose kur çmon të drejtë për të zbatuar dënimin plotësues krahas dënimit kryesor për vepra të rënda penale, gjykata mund të vendosë dhënien e jo më pak se sa dy dënimeve plotësuese në vend të dënimit kryesor si, caktimin e një mbikëqyrësi ligjor, detyrimin që brenda tre muajve të marrë masat e përshtatshme organizative për të mos lejuar kryerjen e veprave penale, të mos marrë ndihmë nga shteti apo të mos hyjë në marrëdhënie me sektorin publik etj., dhe publikimin e vendimit gjyqësor.

Ky nen, i cili trajton këtë çështje, përmban një sërë formulimesh që jo vetëm e mjegullojnë kuptimin normativ, por edhe hapin rrugë për interpretime të lira dhe shpesh subjektive nga ana e gjykatës. Fjalitë që përfshijnë shprehje si “kur çmohet e arsyeshme dhe në përputhje me natyrën e veprës penale të kryer”, apo “kur çmon të drejtë për të zbatuar dënimin plotësues krahas dënimit kryesor” janë tregues të një diskursi ligjor ku kufijtë mes objektivitetit ligjor dhe vlerësimit personal bëhen të paqarta. Nuk përcaktohet se, si vendoset çmimi(?), me çfarë kriteresh(?), dhe mbi çfarë baze matet arsyeshmëria apo drejtësia në një kontekst penal(?).

Kjo paqartësi gjuhësore ngre jo vetëm probleme në aspektin e zbatimit praktik të ligjit, por edhe në nivelin e legjitimitetit të vetë dispozitës. Në mungesë të një referimi të saktë ndaj kritereve të matshme, gjykata mbetet e lirë të vendosë mbi bazën e perceptimeve momentale, rrethanave të rastit apo influencave të jashtme. Në një sistem ku parashikueshmëria dhe barazia para ligjit janë parime themelore, formulime të tilla cenojnë besueshmërinë dhe efektivitetin e së drejtës penale. Edhe termi “natyra e veprës penale” është i paqartësuar dhe nuk ofron një klasifikim të saktë që ta bëjë përputhshmërinë me dënimin një akt të matshëm dhe të kontrollueshëm. A është kjo natyrë e lidhur me dëmin që shkakton? Me frekuencën e shkeljes? Apo me ndikimin publik? Kodifikimi nuk e sqaron.

Në kontekstin e reformës penale, që është paraqitur si një hap drejt modernizimit institucional, përdorimi i gjuhës së pështjelluar dhe referimeve të paqarta minon jo vetëm funksionin normativ të Kodit, por edhe transparencën e procesit ligjvënës. Ligji nuk është thjesht një mjet ndëshkimi, por edhe një instrument komunikimi institucional me publikun. Ai duhet të jetë i kuptueshëm, i matshëm dhe i parashikueshëm. Përndryshe, ai rrezikon të kthehet në një mjet arbitrar për trajtim selektiv të rasteve. Kjo është arsyeja pse juristët, gjuhëtarët dhe aktorët institucionalë duhet të angazhohen së bashku në një debat të thelluar mbi gjuhën e ligjit, sepse përmes gjuhës artikulohet jo vetëm masa e dënimit, por edhe kuptimi dhe ndjeshmëria e drejtësisë.

Neni 668, siç është formuluar aktualisht, sugjeron nevojën për një rishikim të thelluar, jo vetëm në planin teknik, por edhe në atë konceptual dhe filozofik. Duhet përcaktuar me saktësi se çfarë kuptohet me “arsyeshmëri” dhe “çmim” dhe kjo nuk bëhet vetëm me referenca të mjegullta, por duke vendosur kritere të qarta dhe një fjalor shpjegues të kodifikuar. Vetëm kështu mund të ndërtohet një sistem penal që gëzon besimin e publikut dhe respekton standardet minimale të shtetit të së drejtës. Në të kundërt, ky [draft] rrezikon të ngelet një tekst që më shumë se sanksionon, pështjellon dhe, në vend të mbyllë shtigje, lejon mundësinë për të çelur shtigje për interpretime të diskutueshme… Dhe kjo, pastaj, është më e rrezikshme se çdo shkelje procedurale.

Në përfundim, mund të theksojmë se, ligjbërësit tanë duhet të kenë parasysh se procesi i hartimit të Kodit Penal duhet të reflektojë domosdoshmërisht jo vetëm objektivat substanciale të drejtësisë dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian, por, përveç këtyre, duhet të sigurojë edhe një standard të lartë të artikulimit gjuhësor. Paqartësia në formulime jo vetëm që komprometon koherencën normative, por cenon parimin e sigurisë juridike dhe parashikueshmërinë që duhet të karakterizojnë çdo sistem ligjor funksional që synon Evropën. Integrimi i analizës jurilinguistike në fazat e hershme të projektimit është një kusht thelbësor për të garantuar që ligji të mos mbetet një tekst i mbyllur për qytetarin, por një instrument komunikimi i qartë, i drejtë dhe, mbi të gjitha, i besueshëm. Vetëm përmes një gjuhe të përpunuar me kujdes mund të realizohet një sistem penal që ndërton besim institucional dhe përfaqëson realisht vlerat e shtetit të së drejtës. Ligjbërësit duhet të mos harrojnë se, pa sintaksë (greqisht: kushtetutë) të saktë të gjuhës shqipe, nuk mund të kemi një Kushtetutë të Shqipërisë që kërkon Evropa, ku jemi nisur të shkojmë…

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *