Monday

27-10-2025 Vol 19

Delegacioni i Qeverisë së Vlorës në Londër

Jeta politike në vend ia bënte të pamundur Qeverisë së Ismail Qemalit që të shkonte në Londër. Ismail Qemali së bashku me patriotët Luigj Gurakuqi dhe Isa Boletinin arritën të dalin nga bllokada detare prej flotës greke. Ata udhëtuan me jahtin e Ferdinandit të Burbonëve i cili kishte hyrë në Gjirin e Vlorës me flamurin Britanik, duke shpallur dhe kandidaturën për fronin shqiptar. Delegacioni do të udhëtonte për në Romë, Vjenë, Paris, Londër. Qëllimi ishte që të kontaktonin me Fuqitë e Mëdha, me shpresë se ata do të kontribonin në çështjen e kufijve të Shqipërisë. Pasi mbërritën në Brindisi më datën 1 prill, Ismaili u nis drejt Romës, ndërsa ata të dy, Luigji dhe Isa u nisën për në Bari nga ku mblodhën ndihma nga bashkëatdhetarët e u takuan sërish bashkë në Milano për të shkuar drejt Vjenës me tren. Konti Berchtold i kishte thënë se ishte shumë e vështirë ruajtja e integritetit territorial të Shqipërisë, pavarësisht nga të drejtat e saj dhe nga përpjkejt e austriakëve. Gjithsësesi ai kishte ndjerë një farë ngrohtësie në Londër, ku pritja që I ishte rezervuar nga zyrtarët britanikë, reagimi i qytetarëve dhe shtypit londinez ishte pro interesave të Shqipërisë. Ismail Qemali e nisi turin e tij me takimin me Ministrin e Punëve të Jashtëme të Italisë. Ai i kishte shprehur keqardhjen për ngushtimin e kufijve verior të Shqipërisë. Por vazhdonte të mbante shpresë në një ndarje të drejtë të kufijve jugorë, ndonëse ishte i bindur se Janina do t’i mbetej Greqisë. Përpara se të niseshin për në Vjenë delegacionit i kërkoi takime të veçanta diplomati serb, Zhijovin Ballugxhiç. Ai kishte qenë dërguar nga Beogradi në Shqipëri për të bindur udhëheqësit shqiptarë që të pranonin planet ekspansioniste serbe. Takimet i organizoi veç e veç me seicilin prej tyre, pasi shpresonte në bashkëbisedimin me Isain. Isamil Qemali e priti ftohtë dhe pa inters këtë takim. –Çfarë kërkoni? – e pyeti Ismaili Ballugxhiçin, sapo diplomati serb i zgjati një paketë me cigare të kushtueshme, të cilën ai e refuzoi. Diplomati serb e mbylli paketën me pezmatim dhe u shpreh. –Unë kërkoj në emër të qeverisë sime, që ju si anëtarë dhe drejtues i qeverisë së përkohshme shqiptare, të pranoni vijën kufitare të caktuar nga Serbia. Dhe këtë miratim ta njoftoni botërisht. –Çfarë domethënë kjo? – e pyeti Ismail Qemali.-Përveç kësaj, -shtoi diplomati serb, -pala shqiptare duhet të pranojë kërkesën tonë, që Durrësi të bëhet skelë tregtare e Serbisë. Më vonë është mirë të deklaroni se e pranoni idenë e bashkimit të Shqipërisë me Serbinë. Një kërkesë e tillë i ishte bërë edhe në Vlorë edhe nga disa emisarë të ardhur nga Beogradi. Ide të tilla gjenin mbështetje prej disa pseudopatriotëve shqiptarë, që ishin shitur tek serbët. Ismail Qemali i kishte refuzuar këto ide me dhjetëra herë. Por guximi i diplomatit serb për t’i përsëritur këto propozime në Milano e nervozoi edhe më shumë. Ismaili duke ruajtur maturinë diplomatike e refuzoi qetësisht propozimin e tij, duke i thënë: -Serbia duhet të lirojë menjëherë viset shqiptare të pushtuara nga ushtria serbe. Në të kundërt, shumë shpejt do të vijë koha, kur Beogradi do të pendohet për qëndrimin e mbajtur ndaj Shqipërisë. Në brendinë e territorit shqiptar, serbët do të përballen me luftën e elementit trim dhe të vendosur shqiptar. Në atë moment, diplomati serb e kuptoi se vazhdimi i bisedës me kreun e qeverisë së Vlorës ishte pa shpresë. Pas kësaj ai kërkoi takim me Isa Boletinin, të cilit i kujtoi që në fillim ndihmën prej 20 dinarësh në ditë, që i jepte qeveria serbe. -Mos harro kudjdesin e kryeministrit Nikolla Pashiç ndaj familjes suaj, -tha Ballugxhiçi. Isai e priti ftohtë këtë hyrje bisede dhe po atë ditë Ballugxhiçi i shkruante Beogradit, se Isa Boletini e kishte pritur me mospërfillje përmendjen e ndihmës serbe ndaj familjes së tij. Ai i shkruante ministrit të Jashtëm serb: “Isai mbajti një qëndrim, sikur kjo ndihmë është diçka që ia kemi borxh, sepse me asnjë fjali nuk shprehu asnjë mirnjohje për këtë kujdes ndaj familjes së tij”. Ky kurth i diplomatit serb i bërë që të mposhte Isain, i cili u përqendrua tek tragjedia që i kishte shkaktuar Serbia, ndaj familjes së shqiptarëve. -Serbia ka bërë dhe vazhdon të bëjë padrejtësi të mëdha ndaj shqiptarëve. Ne kurrë nuk do të pajtohemi me këtë padrejtësi historike, -i tha Isa Boletini me qetësi, pastaj shtoi: -Serbia rrëmbeu viset tona duke robëruar gjysmë milionë shqiptarë. Ata nuk do të rrinë duarkryq, por do të ngrenë krye dhe “do t’i tregojnë Europës se nuk duan të jetojnë nën zgjedhën serbe”. Kjo është e drejta e tyre, sepse këtu ka më shumë shqiptarë se serbë. Të gjithë do të ngrihen më këmbë për të mbrojtur trojet e tyre. Ismail Qemali në mes të muajit prill, pasi kishte takuar Berchtoldin, pati një bisedë edhe me ministrin grek. Kryeministri shqiptar kishte këmbëngulur që në caktimin e vijës kufitare të merrej parasysh faktori etnologjik. Madje kishte hedhur poshtë pretendimet greke për Korçën dhe Gjirokastrën, duke e kërkuar vijën e kufirit diku në afërsi të Filatit. Qeveria Greke e tronditur nga një qëndrim I tillë I kërkoi zyrtarisht Ismail Qemalit që të respektonte marrëveshjen e vitit 1907. Ishte një marrëveshje, e cila presupozonte bashkëpunimin më të gjerë me Greqinë. Zyrtarët e lartë grek, porosisnin të dërguarin e tyre, që të shihej mundësia nëse kjo marrëveshje mund të ndikonte në favor të politikës greke. Në fillim të muajit maj delegacioni shqiptar mbërriti në Londër. Ai do të linte mbresa të veçanta në qarqet diplomatike. Por në aspektin zyrtar do të pritej me ftohtësi dhe mospërfillje nga lidershipi i qeverisë së Londrës, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të Konferencës së Paqes. Ismail Qemali dhe Isa Boletini dhanë intervista për gazetat e huaja, ku deklaruan se shqiptarët nuk do të tërhiqeshin kurrë nga mbrojtja deri në fund e territoreve të tyre kufitare. Delegacioni shqiptar kishte dhe ndihmën e komitetit anglez, që përbëhej nga C.F. Fajdër, U. Xhaxh, I.C. Pexheti, me kryetar Auber Hebert, ishte caktuar për të ndihmuar delegacionin shqiptar. Me ta ishte bashkuar Miss Edith Durham dhe kapiteni Evans Mëkëri. Sipas Hebertit delegacioni shqiptarë kishte lënë përshtypje shumë të mirë në Londër. Ministri anglez i Financave, Llojd Xhorxhi ishte mahnitur me pastërtinë e shpirtit dhe atdhedashurinë e tyre, veçanërisht të Isës, karakter të cilin e quante të përafërt me atë të tijën. Ata do të bënin përshtypje edhe në Asamble (House of Commons). Lordi Roven do ta priste Isa beun me veshjen e tij popullore. Miqtë anglez e çuan delegacionin të vizitonte disa vende të rëndësishme të Londrës, por Isa do t’u thoshte: Sado madhështore të jetë gjithë kjo që pashë, nuk do ta ndërroja me shkëmbinjtë e Shqipërisë. Komiteti anglez do të botonte një sërë artikujsh pro çështjes shqiptare në gazetat ”TheTime”, “The Manchester Guadian”, “The Morning Post”, “The Daily Neës”. Ata shpallën publikisht se shqiptarët kishin të drejta të njëjta me gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, që të konsideroheshin komb dhe të kishin autonominë e tyre.Në muajin qershor u ktheva në Shqipëri, -shkruante Ismail Qemali, -i dorëzuar, po jo i dëshpëruar. Më mbante gjallë shpresa e vetme, se në të ardhmen, mund të krijoheshin kushte më të favorshme, të cilat do t’i lejonin Shqipërisë të realizonte dëshirat e saj legjitime.

Timoleu Guri

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *