Në orën 23 të datës 27 prill, në një kënd të sheshit të vogël të qytetit, në drejtim të Kus Babasë, u takuan dy persona. I pari, i cili ishte në pritje, një burrë shtatlartë dhe mjekër të dendur, i zgjati një letër tjetrit, duke i thënë: Drejt bazës! Nesër do të fillojmë veprimet konkrete. Pasi u largua disa metra, nën dritëzën e hënës, personi që mori letrën u përpoq ta lexonte, por ishte e vështirë. Gjithësesi ai mundi të dallonte emrat: Esat Toptani, Haxhi Qamili, Servet Laçe, Namik Terziu. Më poshtë vazhdojnë emra të tjerë dhe në fund shkruhej: “ Organizata “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”. Siç duket edhe nga dokumentet bëhet fjalë që dikush luan rolin e korrierit dhe del në skenë emir i Astrit Kondurit, njeriut që po priste korrierin. Sipas dëshmitarit të kësaj mbledhjeje problemi shtrohej se të gjithë këta ishin tradhëtar apo jo, e duheshin shtuar edhe disa emra të tjerë. Nga debatet del se dikush ishte i mendimit të tregoheshin më të matur dhe të kujdesshëm. Dy tre emra duheshin hequr, sepse sipas tij, ishin bashkuar rastësisht me keqdashësit. Mbase i kishin kryer veprimet nën kërcënim-u tha ai. Ne nuk jemi organizatë terroriste, por duke ndëshkuar të ligjtë synojmë paqen kombëtare. Tani për tani kjo është në dorën tonë. Këtu nuk ka gjykata që të peshojmë bëmat e njerëzve. E keqja duhet të marrë përgjigje në çdo kohë, veçse duhet t’i ndajmë të mirët nga të ligjtë e Shqipërisë nga të pafajshmit. Edhe ata që vihen nën presion duhen dalluar nga njerëzit politik e të paguar. Do t’i shoshisim një e nga një të gjithë emrat. Tri ditë më vonë njoftohej se në pika të ndryshme të Toskërisë ishin gjendur tre kufoma të vrarësh. Kjo tregonte se ky grupim kishte nishallinj të mirë. Tre të vrarëve u ishin varur me pe të bardhë nga një letër ku shkruhej “Kështu do e pësojnë të gjithë tradhtarët”. Njërin prej tyre e akuzonin se kishte bashkëpunuar me andartët grekë, tjetrin se kishte kryer një atentat kundër një patrioti, i treti si spiun i serbëve. Kjo ishte e vetmja mënyrë me të cilën qyteti mund të ndahej me tradhtinë. Burimet sipas Arkivës së Shtetit (272. AQSH, F. V. 1912-1913, D. 11, f. 6-9) dhe (273.Po aty, 274. Po aty). “Programi i çetave” i miratuar nga Komiteti Qendrori organizatës “Shoqëria e zezë për Shpëtim”, (275 AQSH, F. 102, V.1912-1913, D.10, f1.). Po aty (273,274, 275, 277, 278, 279, 280, 281). Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Tiranë: Akademia e Shkencave të Shqipërisë, 2009, f 2510. Kjo organizatë i ka fillemet e saj të hershme, dhe roli i saj evidentohej veçanërisht në momentet e vështira të kombit shqiptar. Krijimi i kësaj organizate siç argumentohet me faktet në vijim, flasin për datën emblemat, betimin e anëtarëve dhe programin e saj. Kjo “Organizatë”atdhetare e krijuar 18 qershor të vitit 1878. Pra ajo ishte krijuar një javë pas Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ajo Bazohej në themelin e tri shtyllave, që ishin: shpirti, trupi dhe mendja. Anëtarët e saj duhej të kishin shpirt patriotik, mendje të kjellët dhe trup për t’u bërë ballë vështirësive. Vula e shoqërisë ishte në formë të rrumbullakët, ku shkruhej “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”. Brenda saj vendoseshin këto shenja: bombë, kamë dhe kobure. Nën to ndodhej shkronja “Q”. Në të majtë të saj, numri 18 dhe në të djathtë, numri 78. Kjo përcaktonte datën e krijimit të shoqërisë; 18 QERSHOR 1878. Qendra e shoqërisë do të ishte në Shqipëri, por pa u përcaktuar asnjëherë saktësisht vendqëndrimi. Ajo do të punonte për qytetërim, lulëzim dhe shpëtim të kombit shqiptar. Në çdo sanxhak, kaza dhe nahije, mund të krijoheshin degë të saj. Çdo degë qeverisej nga një pleqësi prej tre vetësh. Në shoqëri mund të hynte çdo shqiptar besnik. Ai paraqitej tek udhërëfyesi, i cili zgjidhej nga pleqësia. Formula e betimit ishte: “Unë, shqiptar, bir shqiptari, që jam nga gjaku i prindërve tanë, duke dëshiruar fatbardhësinë e shiptarit, po hyj me gjithë zemër, brenda në “Shoqërinë e Zezë për Shpëtim”. Dhe duke qenë nën hijen e atij besimi të shenjtë, po jap besën, duke thënë tri herë: Besë, Besë, Besë! Dhe, po vë dorën mbi këtë libër të shënjtëruar, duke bërë BE, që do të jem shok besnik dhe shërbëtor përjetësi i shoqërisë”. Pas kësaj përsoni merrte numrin personal dhe shkonte në çetë. Komiteti Qendror i çetës udhëzonte se kryetari duhej të ishte person që njihte mirë doket dhe zakonet e vendit. Nuk duhej të mbante anësi. Ai kishte për detyrë të mbronte çetën nga çdo rrezik dhe të kujdesej për anëtarët e saj lidhur me nevojat që mund të kishin për hutë, opinga, rroba, guna etj. Të mbante shënim shpenzimet e bëra dhe të jepte llogari për to në komitet. Anëtari i çetës që pajisej me armë, ishte i detyruar ta dorëzonte atë, në rast se kishte mbaruar detyrën. Çetat nuk kishin të drejtë të punonin për çështje vetiake. Ato duhej të ndiqnin çdo lloj propogande të huaj greke, bullgare, serbe apo vllahe. Kur një anëtarë tradhëtonte idealet e çetës, duhej të dënohej sipas fajit, me vrasje ose me pagë. Shoqëria u riorganizua pikërisht në Manastir, po me atë emër. Ajo punoi për organizimin e kryengritjes kundër osmane të vitit 1911 në Shqipërinë e Jugut, duke ndihmuar në dërgimin e forcave vullnetare në ndihmë të malësorëve kryengritës. Dha kontribut edhe për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Ajo kordinonte veprimtarinë me shoqëritë jashtë vendit. Në fillim të luftërave Ballkanike u deklaroi Fuqive të Mëdha, se shqiptarët kishin rrëmbyer armët, jo për t’i zgjatur jetën perandorisë turke, por për t’i dalë zot tërësisë tokësore të Shqipërisë. “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” e kishte shtrirë veprimtarinë në varg qytetesh si Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Manastir, Shkup, etj. Programi i saj, në thelbin e vetë kërkonte bashkimin e vilajeteve të Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe Manastirit nën një qeveri autonome, administratë shqiptare, parlament të veçantë, shërbim ushtarak në vend etj. Si mjet për realizimin e atij programi, shoqëria konsideronte kryengritjen e armatosur. Në fillimet e veta, qëllimi i asaj organizate ishte çlirimi i kombit shqiptar nga shtypja shekullore osmane. Gjithçka bëhej nëpërmjet atentateve dhe planeve për rezistencë frontale në të gjithë vendin. Disa krerë të kësaj organizate kishin marrë pjesë edhe në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, por tani kur zhgënjimi po zëvendësonte shpresën, autoriteti i shoqërisë po rivendosej prapë. Në vitin 1913 riorganizimi i kësaj shoqërie u kthye në domosdoshmëri për të goditur eksponentët që tradhtonin interesat e kombit shqiptar. Kjo ishte strategjia afatshkurtër për momentin, ndërsa strategjia afatgjate ishte bashkim i katër vilajeteve shqiptare. Pronari i hotel “Liria” Themistokli Gërmenji së bashku me patriotin Haki Mborja ishte marrë me riorganizimin e kësaj organizate në Manastir. Ai shkoi në Bukuresht, ku u takua me Thoma Avramin, Pandeli Çalen e të tjerë. Ata u pajtuan me propozimin e tij dhe i dhanë “lejen” që ai të kthehej në Manastir për të krijuar çetat e armatosura, ashtu siç parashikonte edhe programi i kësaj shoqërie. Programi u botua në Shtypshkronjën e Familjes Qirjazi në Manastir. Në të deklarohej qëllimi i shoqërisë, që do të ishte, çlirimi i popullit shqiptar nga sundimi shumë shekullor osman, përmes luftës së armatosur. Kjo organizatë në pamje të parë dukej rebele dhe vrastare. Por në fakt kishte rregulla fikse dhe ishte e kujdesshme për mbarëvatjen e vet. Mandej rregullorja përbëhej nga 47 nene. Nyja e dytë e quante shoqërinë si një familje, ku qendra me degët e saj, përmblidhte të gjithë anatarët “në një qark të shenjtë, të nderçëm, që përgatit lindjen e diellit të lirisë”. Në nenin katër thuhet se “Qendra, punon brenda në Shqipëri, me ballë të hapur, me fuqi të plotë, për shpëtim të kombit e për sigurimin e rrojtjes në mes të Shqipërisë”. Duhet vënë në dukje se disa atdhetarë të dalluar shqiptarë, nuk ishin dakord me emrin e kësaj shoqërie, me argumentin se me një emërim të tillë, ajo mund të kompromentohej në botën e kulturuar. Madje në mesin e këtyre atdhetarëve të shquar që nuk pajtoheshin me këtë emërtim ishte edhe Fan Noli. Ai i shkruante Nikolla Ivanajt: “Epmëni lejen t’u thom që emri i organizatës “Shoqëria e zezë për Shpëtim” është zgjedhur shumë ligsht. Siç e dini fort mirë, ”Dora e Zezë”në Itali quhet një shoqëri kusarësh. Shikoni me mend se sa përshtypje të ligë do të bëjë Europa me një emër kaq të palumtur… Për emrin e Shqipërisë, në e kini në dorë, ndërrojeni atë emër të tmerruar.
“Shoqëria e Zezë për Shpëtim”
Opinion
July 30, 2025
perpjekjashqiptare.al
Related Posts
Një dekret i pezulluar, një bashki pa datë dhe një kërkues pa legjitimitet kushtetues…
Nga av. Edmond PETRAJ Gjykata Kushtetuese vendosi sot të pezullojë përkohësisht pjesën e dekretit të Presidentit për datën e zgjedhjeve…
“Darka e gabuar” përkohshmëria e pushtimit dhe e sistemeve politike
Tema e rikthimit tek identiteti europian është bërë tema e ditës. Trinia si një prej strukturave të kulturës evropiane është…
Sa shumë pasuri në histori dhe sa pak investojmë për imazhin e vendit.
Tek sa kam përditësuar në faqen time të facebook, një nga ngjarjet më të ndritura të historisë së luftës për…
Aristotel Spiro: Asnjë gjuhë s’mund të jetë “nëna” e dikujt tjetër
Gjuhëtari i njohur Aristotel Spiro, i ftuar mbrëmë në emisionin “Aranutistan” të Mustafa Nanos, duke iu rikthyer çështjes së sharlatanëve…
PËR MESHARIN E GJON BUZUKUT
Nga Xhevat LLOSHI Për librin e parë shqip të vitit 1555 është e natyrshme që ka një literaturë të gjerë.…
Shqipëri – Serbi (2 – 0)
Nga Kastriot KOTONI Të nderuar sportdashës shqiptarë dhe serbë, aty ku jeni! Ndeshja e shumëpritur Shqipëri-Serbi, megjithëse do të luhet…
Kur ligji nuk flet qartë, nuk ndëshkon krimin, por qytetarin
(…më parë se një instrument ndëshkimi për kriminelë, Kodi Penal lipset të përcillet tek qytetari si një mjet komunikimi për…
CA TË VËRTETA QË NUK MUND TË HARROHEN
Këtu tek ne, historia është si një film që nuk mbaron kurrë, një skenë e gjatë ku çdo aktor kërkon…
Luan Topçiu deshifron tërësisht kodin lasgushian
Libri “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci (tekstualizëm dhe stil)”, Onufri, Tiranë 2024, i studiuesit dhe kritikut letrar dr. Luan Topçiu,…
Trupat e bukur në plazh
Plazhi është finish i egos së jashtëme të njeriut, i cili e përdor armën e bukurisë trupore, si një pronë…