Monday

27-10-2025 Vol 19

Kriminelë, të korruptuar qysh në kopshte

Nuk është për të hapur, as një portal apo mjet mediatik se të vijnë lajme me të rinjtë e të rejat, që kryejnë krime e korrupsion në këtë vendin tonë, a thua se janë në garë se kush është më krimineli apo më i korruptuari i planetit? Një popull i dalë nga skutat e alla komunizmit shqiptar, nga një varfëri e tejskajshme deshëm të kapim kohën e humbur, a thua se jeta do kishte kronometër në vrapimin për t’u pasuruar. E u ngritëm e ikëm nga sytë këmbët nëpër botë, mes detrave dhe udhëve pa krye. Të përbuzur të urryer, nga racizmi i botës perëndimore, disa prej nesh u bënë pjesë e krimit të rrugës, me apo pa dashje, të tjerë edhe më të stërvitur, iu futën rrugës së errët të botës së krimit, me drogë, prostitucion, dhe vrasje. Këtu ku kemi mbërritur i shohim analistët dhe opinionistët, gazetarët, të cilët për mir apo për keq na shfaqin një tablo të asaj që po ndodhte e ka ndodhur në botën shqiptare, si jashtë edhe brenda kufijve të kombit shqiptar. Ndoshta edhe për përputhje të moshës së këtyre brezave, apo mungesë e vështrimit kritik, të një studimi të botës së krimit shqiptar në të gjitha fushat, ose pse jo u mungon intuita për të kapur thelbin e çështjes për të bërë pyetjen “Pse shumë të rinj në moshë shqiptarët i futen botës së krimit”?Pra cilët janë faktorët apo shkaqet që e favorizojnë këtë lloj moshe për t’i hyrë botës së krimit? Njëri do thotë: “po kjo dihet se politika?” Edhe po edhe jo, përgjigjet tjetri. Për një shembull që mund të jetë i vlefshëm të cilin edhe mund ta keni hasur në jetën tuaj, po ua bëj publik. Dikur pija kafen me një gjysh biznesmen i cili me punë të ndershme shiste tek tregu “ÇAM”. I ndjeri Antonin për fat të mirë i siguronte nipit një pagesë tek një kopësht privat. Nipi i vogël në atë kohë, po festonte ditëlindjen dhe si zakonisht dikush kish blerë dhurata dikush kish mbledhur lekët për të organizuar një banket të vogël. Midis fëmijëve një fëmij bullafiq i biri një ministri u thotë me mburrje fëmijëve: “pse kaq pak lekë keni mbledhur? “Po babi im sjell çdo ditë nga një çantë me lekë në shtëpi”. E rrufisnim kafen me Antoninin dhe thoshim me njëri tjetrin: “ç’bëhet kështu?” Fëmija i ministrit është bërë biznesmen dhe nipi i Atonint është jashtë shtetit. Po sa qindra e mijra raste, kemi dëgjuar për lekët që paguajnë prindërit tek mësuesit e petagogët, apo si blihen notat në shkollë, diplomat, vendet e punës në administratën tonë? Ja pra ky brez i ri që vishen bukur me veshje firmato, si në Milano e Paris, e gëzon konto bankare me miliona euro, nuk zbriti nga qielli? Isheh nëpër lagjet e reja megjithëse u këndohet kënga “Jam tirons tirons i vjetër vendali dem baba dem”, këta or lum miku e kapin Tirnanë apo qendrat e qyteteve tak fak me çunin e lagjes në fshat se e bëri partia drejtor, shef policije, drejtor spitali, drejtor i peshmatjes, i doganave, tatimeve dhe I taksave. Lyejnë flokët me xhel i fusin një të qethur model rrepistësh apo futbollistësh, e veç kur i sheh me borxhe nëpër dyqane e supermarket. As një ditë pune nuk kanë në jetë, dhe direkt drejtorë, ispektorë, e ku në vendet ku ka lekë! Duhen larë borxhet, se zë borxhi borxhin dhe lekët e kazinos e të llotove me çfarë do të paguhen? Kjo armatë e njerëzve të rinj është më e rrezikshme se krijon idenë e jetës së lehtë dhe pa pikë morali shoqëror. Sado që flasin klerikët kudo në të gjithë botën, kundër kësaj jete sipërfaqësore “Jetës së të dukurit”, as që duan t’ia dinë, bile ndodh që është aq hipokrite sjellja e këtij brezi sa i sheh në objektet e kultit. Mëkatarë apo besimtarë, kur opinioni publik i sheh të akuzuar ose të dënuar për vepra penale këta të rinj, të cilët në moshë fare të re tundohen nga krimi, korrupsioni kupton se bërthama e shoqërisë sonë familja është cënuar aq shumë, sa që mund të thuash janë bërë aq të varur nga paraja e krimit dhe korrupsionit të fëmijëve, sa që edhe e justifikojnë krimin e fëmijës së tyre. Kjo epidemi e heshtjes dhe bashkëpunimit apo kompromentimit të pjestarëve të familjes, nuk duhet justifikuar se: “tani na erdhi rasti e o burra të vjedhim të vrasim, të merremi me korrupsion, se nuk na vjen më kjo ditë!” të çon tek modelet e jetesës së qyteteve mafioze”. E rëndë për ta thënë, por po joshim rininë me modele që të krijojnë përshtypjen, se shoqëria shqiptare të “bulizon po të jesh i ndershëm”. Reforma në Drejtësi sado e mirë të jetë, pa reformë në të gjithë shoqërinë, nuk do të ketë sukses. Ndaj duhet menduar për të ardhmen e brezit të ri, më mirë një reformë e thellë në sistemin tonë arsimor qysh në kopshte se të mbash universitetet me para duke e kthyer Shqipërinë në agjensi refugjatësh.

Hasan Sokoli

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *