Monday

27-10-2025 Vol 19

“Drejtësia me kronometër”


Teatri absurd i KLGJ-së në 433 nene

Nga Avokat Edmond PETRAJ

Në një vend ku drejtësia është kthyer në një sport ekstrem me pengesa të pakapërcyeshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi më 22 korrik të vendosë “rregull” me vendimin nr. 433, një akt që nuk kërkon analizë ligjore, por diagnozë klinike.

Sipas këtij vendimi, çështjet penale për vrasje, krim të organizuar apo korrupsion duhet të mbyllen brenda 12 muajve, ndërsa gjyqtarët civilë duhet të gjykojnë 400 çështje në vit, domethënë një çdo ditë pune edhe gjatë gripit, edhe kur s’ka sallë, edhe kur avokati kërkon shtyrje, edhe kur prova nuk ka. Nëse nuk e arrin normën, gjyqtari duhet të raportojë “pse” dhe të kërkojë më shumë njerëz. Shkurt: drejtësia me turn dhe orar zyre.

Ky vendim nuk është reformë. Është një akt i pastër burokratik që zhvesh drejtësinë nga përmbajtja dhe e vesh me Excel. Jo për të ndihmuar qytetarin, por për të fryrë statistikat që i duhen raporteve për BE-në. Në vend që të përballen me krizën reale – mungesën e gjyqtarëve, presionet politike, vonesat sistematike, mungesën e mbështetjes teknike KLGJ zgjedh të japë urdhra prodhimi si në kapanon tekstilesh.

Le të themi të vërtetën: kjo është drejtësi e simuluar, një sistem artificial që funksionon vetëm në letër dhe vetëm për sy e faqe. Sepse në realitet, askush nuk do t’i respektojë këto afate. Thjesht, do të kemi më shumë shkelje procedurale, më shumë vendime të paarsyetuara, më shumë padrejtësi të veshura me etiketa “efikase”.

E dini çfarë na thotë sot KLGJ? Që drejtësia nuk ka më nevojë për cilësi, por për sasi. Një çështje familjare del njësoj si një kërkesë për urdhër ekzekutimi. Një konflikt për jetën dhe lirinë e dikujt del njësoj si një kërkesë për shpërngulje qiraje. Mjafton të jetë brenda afatit. Ky është triumfi i formës mbi përmbajtjen, i maskaradës institucionale mbi nevojën reale të shoqërisë për drejtësi.

Kur gjyqtari bëhet robot statistikor dhe çështja bëhet numër serie, atëherë drejtësia vdes, por shpejt! Dhe, ironikisht, brenda afatit.

Bravo Klgj..
Drejtësi me metër
Si po e kthen KLGJ gjyqtarin në punëtor norme
Kronometri i drejtësisë me 400 çështje në vit për çdo gjyqtar, ose dil jashtë!..
Fabrika e vendimeve… KLGJ shpik drejtësinë ‘fast-food’”

________

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *