Monday

27-10-2025 Vol 19

Tri pyetje dhe tri përgjigje nga Dritëroi

Tre pyetje tre përgjigje …

Gazetari : A ke bërë ndonjëherë çmenduri ?

Dritëro : Njeriu në çdo tri minuta , një minutë është i çmendur , domethënë në një orë njëzet minuta janë çmenduri . A mund t’i kem shpëtuat unë kësaj çmendurie ? Kryesorja është të mos e kërkosh çmendurinë, por ta kërkosh mënçurinë dhe duke kërkuar të bësh edhe ndonjë gjë të çmendur pa e kuptuar se është e tillë. Ndonjëherë në jetë gjendesh në rrethana të tilla të vështira , që, për të dalë prej tyre , detyrohesh të jesh i çmendur .

Gazetari : Ç’është dashuria sipas Dritëro Agollit ?

Dritëro : Dashuria është një jehonë: ti thërret , jehona përgjigjet , ajo thërret , ti përgjigjesh . Nuk di se ku e kam lexuar një mendim të një të dituri , që thotë: “ Dashuria dhe miqësia janë jehonë e ndërsjelltë: ato japin aq sa marrin. “ Për mendimin tim , një njeri që nuk e ndjen dashurinë duhet të përpiqet që ta mbjellë në shpirt , siç mbillet pema në tokë. Ne nuk do ta ndjenim dashurinë për tokën, po të mos e mbillnim. Dashuria është pemë që mbillet dhe kërkon kujdes për tu rritur , përndryshe thahet . Unë në rini kam mbjellë pemë të tilla , por nga kujdesi i pakët ato janë tharë. Dashuria e fundit u mboll, u punua , u rrit dhe lulëzoi. Bie ndonjëherë tek-tuk ndonjë fletë, por nga kujdesi rritet përsëri.

Gazetari : Fle më shumë , apo më pak se më përpara ? Pse?

Dritëro : Në përgjithësi unë radhitem në ushtrinë e të pagjumëve. Në këtë ushtri dikur kam qenë rreshter, tani jam gjeneral , sipas gradëve që akordon Ministria e Pagjumësisë . Unë zakonisht punoj natën, kur të gjithë flenë, pasi jam i qetë. Ditën hyjnë e dalin njerëz dhe nuk më lenë të mendoj. Pastaj unë natën e quaj kohë për të medituar dhe për të filozofuar , sepse ka hijen e misterit , e fshehtësive që duhen zbuluar . Kështuqë nata është për filozofim dhe dita për veprim. Prandaj pagjumësia në përgjithësi është cilësi e intelektualëve. Them në përgjithësi , pasi atë e kanë edhe kriminelët. Madje është shprehja : “ I pagjumë si kriminel “.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *