Monday

27-10-2025 Vol 19

Pak ujë ore vëlla se plasëm!

Legjenda e misrit e shkruar me aq vërtetësi e ndjeshmëri nga Migjeni, shkrimtari ynë i madh i poemës së “Mjerimit”, do t’i shkonte për shtat këtyre ditëve të nxehta korriku kudo në Shqipëri. I ndjek lajmet në të gjithë botën njeriu shqiptar helbete, se jemi në kohën e magjishme të internetit, dhe kur sheh se në vendet fqinje bujaria për të dhënë ujë falas në qendrat urbane, është bërë pothuajse normë e pashkruar në stinën e verës, në pikun e të nxehtit afrikan, kupton tregtarët e pashpirt shqiptar që mir që na e kanë privatizuar ujin me njëqind ligje e marifete, por edhe në kohë festash të fundvitit, as që i ulin çmimet jo që jo, por i ngrejnë si për paradoks me vendet perëndimore, ky fenomen ndodh vetëm në Shqipëri. Nga një vëzhgim i një televizioni francez “Arte” gazetari ishte ndodhur për festat e fundvitit në Shqipëri para nja 15 vjetëve dhe e konstatojë këtë fenomen alla shqiptar dhe ia vuri titullin emisionit “Tregtarët e pashpirt shqiptar në kohë festash”. Ju kujtohet besoj, se në kohën kur ngjarjet në Shqipëri kishin marrë rrokopujën, u hap fjala se kishte rënë kolera, dhe këta more këta, vipat e biznesit u pasuruan tak fak me media dhe lulëzoi shitja e një marke uji nga Italia. Harohet reklama e bujshme e një marke uji e cila tregonte një thes të mbyllur deri në grykë, dhe mendjeshkurtët shqiptar që ishin mashtruar nga firmat piramidale, tani prisnin me padurim se çfarë do të kishte thesi brenda? Tek ne në Shqipëri meqë jemi popull zëmbyllur, “i djegur nga qulli i fryn kosit”, kur shkatërruam shtetin në vitin 1997-1998, e nuk dimë të kërkojmë të drejtat tona, çdo gjë që thotë i pari i qeverisë, na shushatë me bëmat e tia, pa lexuar nenin e kushtetutës se e drejta për ujin është e drejtë kushtetuese, që do të thotë është detyrim i shtetit për të garantuar ujin qoftë edhe një curril. Nuk hap dot rubinetin, se nuk pikon asnjë pikë uji, e kemi ujin ende me orar. Fushatë mbas fushate premtime stratosferike dhe çështja e ujit na rri çekiç mbi kokë, a thua se jemi qendra e Afrikës. Premtime dhe vetëm premtime: – jo po vota juaj do të vendosi të ardhmene familjes suaj e mrekullia e shtatë do na vijë nga qielli.-Jo po do bëjmë sigurimin e banesave nga tërmeti!-Po do të monitorojmë hapësirat publike!-E tërci e vërci! Ti monitoro njëherë ujin energjinë, gjërat më bazike të një jete normale, dhe pastaj ngreji dronat e satelitët për të kontrolluar çfarë të zëri syri. Nuk ka qytet në botë që të mos ketë në qendrat urbane çezma publike? Bëji! Qeveria, ka me se merret dhe është e zënë me probleme të mëdha, po këta bosët e ujit a kanë ndonjë fije shpirtgjerësi? Ore po ka apo nuk ka biznemen shqiptar që e dinë se si verpojnë kolegët tyre në botë, të cilët e shpërndajnë ujin e prodhimit të tyre falas në pikun e temperaturave të larta? E di që po kërkoj shumë, se ata i zhvatin këtij vendi, jo vetëm ujin, por çdo gjë, ore edhe të pëgërën veç ta kenë të tyren. Është herët, duhet të presim edhe ca dekada sa të civilizohet kjo racë biznesmenësh dhe të humanizohet e deri atëhere ikën edhe vapa me gushtin, nuk besoj se duhen shumë investime për ujin, se një popullsi prej 500 mijë banorësh në vitet 2050-të, do ta gëzojë këtë privilegj.

Hasan SOKOLI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *