Monday

27-10-2025 Vol 19

Dorëzimi i Shkodrës nga Esat Pashë Toptani

Megjithatë Shkodra mbahej shkruan në kujtimet e tij Syrja bej Vlora, por ai e kishte të vështirë të largohej prej saj, për shkak të luftimeve të ashpra në malet e Kuklit dhe malit të Barbullushit. Ai mendonte se disfata turke do të ishte e shpejtë dhe këtë ia shprehu edhe konsullit austriak në Shkodër, Adolf Ritter von Zambauer. Nonëse qyteti ishte i kërcënuar nga uria dhe bllokada ende mbahej, mbeti qytet i papushtueshëm. Më 24 mars ishte marrë mali i Shirokës, por kjo nuk tregonte asgjë vendimtare nga sulmi serbo-malazezëve. Tri ditë më vonë do të bombardohej Shkodra nga Mali i Zi, dhe mbreti Nikolla po i ndiqte veprimet nga ishulli Vraninës së Liqenit të Shkodrës. Për t’u prerë furnizimet forcave ushtarake të kështjellës, ata pushtuan Shëngjinin më 29 mars. Armët e rënda ishin vendosur në pozicion sulmues në Oblikë. Ndërsa midis Murriqanit dhe Oblikës ishin vendosur 24 batalione dhe njerëz të tjerë që ndodheshin në Zogaj dhe malin e Shirokës. Sulmi mbi Shkodër thuhej se do niste më 31 mars. Bombardimet zgjasnin gjithë ditën. Ndonëse pazari i Shkodrës ishte hapur në rrugë nuk kishte njerëz. Kostoja e bukës ishte rritur skajshëm, mungonte vajguri për gatim. Temperaturat ishin shumë të ulëta dhe njerëzit nuk guxonin të dilnin jashtë për të marrë dru se mund të vriteshin. Mbi 7000 të vrarë ishin ushtarët malazezë dhe në radhët e tyre mbizotëronte frika. Por për të hyrë në Shkodër batalionet malazeze u ndihmuan nga tradhtia e Esat Pashë Toptanit. Ja si është e vërteta sipas studiuesit Xheladin Shala i cili na sjellë një fakt që flet për për këtë tradhti. Më 2 mars të vitit 1913, Esat Pasha i kërkonte me shkrim mbretit Nikolla, që të dërgonte në Shkodër Petar Plamenacin për të biseduar. Me të njihej mirë qysh në Stamboll. Mbreti Nikolla ia dërgoi Plamenacin më 4 mars. Ai u takua me Esat Pashë Toptanin dhe biseduan për 4 orë. Fillimisht biseda ishte zyrtare, pasi u zhvillua në prani të kryeshefit të shtabit, majorit Keram Edin Begu dhe ndihmësit të tij, kapitenit Nasuf Begu. Pastaj biseda me Plamenacin vazhdoi kokë më kokë. Aty mund të jetë hartuar dhe plani i tradhëtisë për dorëzimin e Shkodrës. Të nesërmen Esat Pasha i shkruante gjeneralit malazezë Martinoviç, që t’i dërgonte materiale sanitare për të plagosurit e shumtë në Shkodër. Nuk kaluan as dy ditë, mbretëresha Milena ia dërgoi porosinë me anije, ku gjendej një sasi e madhe e materialit sanitar. Ndërsa më 7 mars qeveria ruse përpiqej të bindëte Serbinë, se Shkodra nuk mund të shpëtohej për shkak të rrugës që kishin marrë bisedimet në Konferencën e Londrës. Sazonov i tha ministrit të Jashtëm serb, se edhe po të pushtohej Shkodra, kjo nuk do të ndryshonte gjë. Kështu forcat ushtarake serbe u tërhoqën. Mbreti Nikolla pas tërheqjes së serbëve i shtoi përpjekjet për të bindur Esat Pashën për të hequr dorë nga qëndresa. Pashai Toptanas u tregua i gatshëm për të biseduar me Cetinën dhe vuri në zbatim projektin e tij. Më 29 mars ai do t’i dërgonte malazezëve një toger turk, që e kishte si adjutant të parë. Ai do t’u thoshte atyre se eprori i tij ishte nën komandën sllave. Natën midis 9-10 prillit ishte nënshkruar dhe tradhtia. Sekreti kishte fuksionuar. Konti Mensdorff i lexoi Nicholsonit disa telegrame të dërguara nga konti Berchtold me anë të të cilave kërkonte të shtohej presioni mbi Malin e Zi. -Ne propozojmë që repartet tona të Fuqive të Mëdha të pushtojmë Ulqinin dhe Tivarin, -tha ambasadori austriak në Londër më 22 prill. Në rast se Shkodra do të bjerë para syve të flotës ndërkombëtare, Europa do ta bëjë veten qesharake, – vijoi ai, kur e e pa që Nicholsoni po e dëgjonte. Nga ana e tij Nicholsoni u përgjegj, -por ju ishit vetë në mbledhjen e djeshme të konferencës. Nuk jemi përgatitur për të zbarkuar me trupa. Personalisht kam dyshime, se opinion ynë publik, nuk do të pranojë që të rrezikohet jeta e ushtarëve britanikë. Madje një pjesë e opinonit ishte e mendimit se qeveria jonë kishte shkuar tepër larg duke marrë pjesë në bllokadën ndaj Malit të Zi. Më 23 prill, trupat ushtarake malazeze hynë në Shkodër dhe qyteti ra në duart e tyre. Me rënien e Shkodrës, ra edhe kështjella e FUNDIT E REZISTENCËS BALLKANIKE. Në gazetën “Liri e Shqipërisë”, përshkrimi është si më poshtë: Zëvendësi i valiut dhe sundimtar i ushtrisë së Shkodrës, Esat Pashë Toptani, pasi u mor vesh me Preng Danilin, kryesundimtarin e ushtrisë malazeze dhe ranë në ujdi midis tyre për një marrëveshje lidhur me dorëzimin e Shkodrës, njoftoi edhe Konferencën e Londrës dhe Fuqitë e Mëdha. Ja çfarë shkruante ai: “Tash muaj kështjella e Shkodrës, pa patur ndihma nga asnjë anë u qëndroi fuqive të armikut. Sot, meqënëse ushqimi që gjindej në kështjellë nuk mjaftonte për të mbajtur asnjë ditë ushtrinë, po ju bëj të njohur, se po i lëshoj kështjellën ushtrisë malazeze dhe po kthehem në Tiranë”. Esati u kishte kërkuar malazezëve që ta lejonin të nxirrte nga qyteti gjithë trupat shqiptare dhe osmane bashkë me materialin luftarak që dispononte. Me pranimin e kushteve, më 22 prill 1913, ai e la Shkodrën në duart e tyre. Po t’i referohemi të Kristo Dakos, Shkodra ishte tradhtuar prej Esat Pashës. Gjenerali do t’i dërgonte një mesazh oficerit malazez që komandonte operacionin e rrethimit. Ai e vinte në dijeni për dorëzimin e Shkodrës. Kushti i vetëm ishte që t’i krijonin mundësinë për t’u tërhequr drejt Shqipërisë së Mesme me 40 mijë luftëtarë dhe të shpallej mbreti i Shqipërisë. Ky lajm e gëzoi mbretin Nikolla, i cili nisi menjëherë gjeneralët Vukoviç dhe Pamenac. Marrëveshja u nënshkrua në mesnatë dhe Esati u largua me nderime, sipas kushteve që kishte rënë dakord. Ka njoftime se ai është shpërblyer me 1600 L nga serbët, pasi kjo tradhti nuk ishte e para për të. Në Konferencën e Londrës do të diskutohej vetëm për Shkodrën në datën 25 prill, dhe masat që duheshin marrë ndaj Malit të Zi. Malit të Zi do t’i caktohej një afat I shkurtër kohor që të tërhiqej, ndryshe do të niste bllokada. Ambasadori austriak do të shprehej se vendimet lidhur me masat shtrënguese duhet të merreshin menjëherë. Duhej të parashikohej mundësia e një zbarkimi në portet e Malit të Zi. Këtë deklaratë e mbështetën edhe ambasadorët e Italisë dhe Gjermanisë Ndërsa ambasadori rus kërkoi diçka shtesë. Sipas tij, për të lehtësuar pranimin e Flotës së Fuqive të Mëdha nga ana e mbretit Nikollë, duhej bërë një lëshim. Mbretit t’i bëhej me dije, që në rast se do të plotësonte dëshirat e Fuqive të Mëdha, ato do të shqyrtonin kërkesën e tij për disa lëshime territoresh të tjera. Në Serbi lajmi i rënies së Shkodrës ishte pritur me hare dhe ekstazë, ishte festuar me lotë gëzimi e shlivovica. Shtypi hungarez dhe austriak kërkonin luftë të hapur kundër Malit të Zi. Mbreti Nikolla as që u shqetësua për vendimet e Fuqive të Mëdha, sepse kishte në krah Rusinë e cila e mbështeste kurdoherë pas kuintave. Nga ana tjetër krushqia e tij me mbretërinë italiane ishte një garanci për mbretin Nikolla, se ajo nuk do ta hidhte poshtë. Çështja e Shkodrës ishte aq e madhe saqë mbreti i Malit të Zi e pranoi që fatin e qytetit e vuri në duart e Fuqive të Mëdha. Tani Shkodra është një pjesë e çështjes së madhe të Shqipërisë deklaronte ambasadori rus. Rusia do t’i japë mandatin e saj Francës dhe Anglisë për të zbarkuar në Shqipëri. Pushtimi i Shqpërisë nga trupat ndërkombëtare do t’i shërbente edhe zgjidhjes së Shkodrës, shtoi Sazanov. Ngjarjet për Shqipërinë zhvilloheshin me shpejtësi dhe ndryshonin dita ditës. Të gjitha vendet që përfaqësonin Fuqitë e Mëdha, kishin plane të fshehta për copëtimin e kombit shqiptar. Dhe përfitimin në mënyra të ndryshme. Por sapo u zgjidh çështja e Shkodrës, në Romë u parashtrua problem i kufirit shqiptar me Greqinë. Italia kishte disa pretendime për disa territore të pushtuara paraprakisht prej grekëve. Dukej se Austria dhe Italia po e trajtonin Shqipërinë si një “qengj” për ta ndarë në copa mes tyre, që të mos binte në gojën e “ujqërve” të tjerë. Austria dhe Italia më 8 maj nëpërmjet ambasadorëve të tyre kërkuan, që, nga projektii organizimit të Shqipërisë të hiqeshin dispozitat që e vendosnin atë në nën një suzerenitet të Sulltanit. Me këtë qasje, ata hoqën pengesën “ligjore”, për pushtimin dhe copëtimin e ardhshëm të kombit shqiptar prej tyre. Më 14 maj qyteti i Shkodrës ishte dorëzuar prej forcave ushtarake malazeze. Dokumenti i dorëzimit u firmos nga qeveritari civili Petar Plamenac, nënadmirali Sir Cecil Burney dhe oficerë e komandantë të Flotës Ndërkombëtare. Më pas për administrimin e qytetit ndërkombëtarët caktuan komandantin e forcave gjermane, V. Klitzing. Ai do të lunate rolin e kryetarit të Bashkisë. MË 18 maj krerët e Malësisë së Madhe do t’u shkruanin Fuqive të Mëdha të Konferencës së Londrës. Sipas tyre, Malësia e Mbishkodrës, Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati, e Shkreli, për nga gjaku, gjuha, kanuni e zakonet, janë njëlloj me gjithë kombin shqiptar. Të tilla janë trevat nga Dukagjini deri në malësi të Lezhës. Populli shqiptar ka tre vjet që lufton për liri kundër robërisë osmane bashkë me malazezët, duke derdhur gjakun lumë. Nëse ato territore nuk do t’i lihen Shqipërisë, ka për të vazhduar lufta e të derdhet gjaku deri në lirimin e plotë të tyre. Pikërisht më 26 maj të vitit 1913, krerët e Malësisë së Madhe u thirrën në një takim nga ndërkombëtarët. Aty u parashtruan kërkesat e parisë shqiptare. Për nder të tyre u shtrua një drekë ku morën pjesë 150 malësorë nga Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati e Shkreli. Midis ndërkombëtarëve ndodheshin konsujt e Anglisë, Francës, Miss Durham, përfaqësues të flotës ndërkombëtare, etj. Fjalën përshëndetëse e mbajti Ded Gjon Luli për Malësinë dhe zëvendësadmirali anglez, Cecil Burney, i cili u uroj mirseardhjen në gjuhën shqipe. Sipas Kristo Dakos ata e quajtën këtë ditë të madhe, si më të madhen pas lindjes së Krishtit. Ded Gjon Luli shtroi edhe problemin e flamurit shqiptar, se me një urdhër absurd ishte ishte vendosur heqja e flamurit kuq e zi. Të nesërmen në çdo shtëpi shkodrane valëvitej flamuri shqiptar. Ndërsa një ditë më vonë, ministri italian i Punëve të Jashtme thirri të ngarkuarin me punë të Greqisë dhe në mënyrë brutale i tha: -Unë nuk mund të lejoj që Greqia të mbajë të dy brigjet e Kanlit të Korfuzit, prandaj tërhiquni ose do të filloj luftën për ta penguar këtë. Në takimin e Grey me ambasadorin Italian dhe ambasadorit rus Sazanov, i cili ishte shprehur se duhet të pajtohemi me pushtimin e Shqipërisë nga Greqia. Ambasadori Italian u shpreh se për të rregulluar kufijt jugor të Shqipërisë, ne pranojmë të tërhiqemi nga ishujt grek të pushtuar vetëm me tre kushte; Kufiri i Greqisë nuk duhet të shkojë më në veri të pikës që kemi përcaktuar; I gjithë Kanali i Korfuzit të bëhet asnjëanës dhe ishulli i Sazanit t’i mbetet Shqipërisë. Më 24 maj populli i Elbasanit gjatë një mitingu për çështjen e kufijve të Toskërisë, do të dërgonte një telegram në adresë të Konferencës së Londrës dhe ministrave të Jashtëm të Anglisë , Austrisë, Italisë. Pesë ditë pas Elbasanit intelektualët Kristo Luarasi, Thoma Sotiri e Veli Kolonja, në emër të kolonive shqiptare në Bullgari, do t’i shkruanin Konferencës, se aq sa peshon Shkodra për Gegërinë, po aq peshon edhe Korça për Toskërinë. “Pa Korçën, s’ka përlindje për shpirtin e popullit shqiptar. Ajo është Athina jonë. Pa Korçën, toskët humbasin ndjenjat mendore dhe e ardhmja vihet në rrezik. Në emër të popullit shqiptar, ju lutemi nxehtësisht shkëlqesisë suaj të mbesi në Shqipëri”. Ndërsa pak ditë më vonë, patriotët Idhomeno Kosturi dhe Mihal Grameno do të dërgonin në emër të shqiptarëve nga Roma telegrame të njëpasnjëshme për Konferencën e Londrës, në mbrojtje të territorit shqiptar. Komuniteti i shqiptarëve të Amerikës, Rumanisë, Bullgarisë dhe Italisë ishin sensimbilizuar ndjeshëm për mbrojtjen e interesave kombëtare të Shqipërisë, kështu ndodhi në mitingun madhështor të 20 prillit me pjesëmarrjen e 30 mijë shqiptarëve të Amerikës që protestonin ndaj vendimeve të Konferencës së Londrës për kufijtë verior dhe verilindor të Shqipërisë. Ata kundërshtonin edhe kërkesën, e Greqisë për ndarjen e kufijve të jugut me anë komisioni.

Tolemeo Guri

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *