

Klod ZHIVANI
Jo prej ushtimës së tritolit që bani me u dridhë bjeshkët, as prej pluhunit që ngjiti alpet, e as prej forcave të policisë dhe as prej pamjes së atij vendi që vetë Zoti ka dasht me i dhanë bukuri.
Por… prej nji cope buke!
Prej nji tavoline malësorësh, të shtrume me lot, me dhimbje, por me shpirt të fortë sa vetë malet.
Të familjes Çarku, të Micanve.
Godina që u shemb, ishte e familjes Çarku, ishte andrra e tyne, puna e tyne, shpresa që kishte mbajt familjen aty, në Theth, pa u largu në Itali, Angli, Amerikë, si tan të tjerët.
Por për shtetin, ajo ishte nji ndertesë pa leje, ashtu si shpiza e drunit që shembën nji natë ma përpara.
Kur hala në qiellin e Thethit ishin retë e pluhnit të 8 kileve tritol, e lotët hala ishin ndër faqe, Pëllumbi, na kapi për krahu:
— Djema, hajdeni te shpija… pushoni se jeni lodh edhe ju. Tash Zoti e baft mirë. Randsi ka që jena shnosh e mirë me rob.
Shkume!
Te shpija e Micanve, te ai kroni i vjetër që e njeh tan Thethi e Dukagjini.
U ulëm në tavolinë pa ndrru asnji fjalë se kur ke para vetes dhimbje të tillë, edhe fjalët nuk të dalin.
Sa morëm me pi ujin e kronit, papritmas, ato gratē, që 10 minuta ma përpara kishin pa se si iu rrëzu jeta, shtrunen tavolinën.
Bukē, djath, gjithçka që ju doli para e që kishte shpija…
Prap heshtje. Si me fol, kur njerëz që kan pa jetën me iu shemb para syve, të ofrojnë gjithçka çka i ka mbetë, veç me mos me të lanë pa bukë e pa respekt?
Ku e gjeten atë forcë, nuk e kam kuptu as sot por aty mësova nji gja të cilën shumë e kam ndi, e lexu dhe pak e kam provu:
Ka diçka që nuk shëmbet, sado tritol me i vu, sado ligjet të jenë të forta e sado fadroma me i ra.
Zemra e malsorit!
Nderi, bujaria, e mikpritja që nuk njeh mposhtjen.
Aty, në at tavolinë të thjeshtë ku përballë kishim gërmadha, pash monumentin ma të fuqishëm që ka Thethi e malësia:
Jo prej betoni, por prej shpirtit.
Jo prej tullash, por prej zemërgjanësisë.
Jo me urdhna, por me nji copë buke nderit, që flet ma shumë se çdo gja.
Shpija e Çarkut, Zoti ua shtoftë nderin e bereqetin!