
Çyrykët, zarfet bosh, burgjet plot dhe vegjetimi politik
1: Në Dibër, në mitingun vetëm me gra e vajza, Rama tha, gjysma e burrave janë çyrykë. Ti Bujar, si dibran, çfarë mendon?!
B. K. – Rama ka të drejtë. Ai tha një mendim të saktë për të gjithë ata burra vërtet çyrykë që i lejojnë gratë dhe vajzat e tyre të marrin pjesë në atë miting e të dëgjojnë broçkullat e një çyryku. Ndërsa gjysma tjetër e burrave normalë e të mençur nuk i lejuan gratë e vajzat të qorrollisen në mitingun çyryk-çyryk.
2: Presidenti Regan ka thënë, nuk ka politikanë të moshuar dhe të rinj, por ka politikanë që punojnë dhe që vegjetojnë. Në cilin grup bën pjesë kryeministri ynë?
B.K. – Si politikan në asnjë grup. As i moshuar e as i ri. Punon duke vegjetuar.
3: Shumë zarfe nga diaspora kanë arritur pa fletë votimi brenda. Zarfe bosh. Si mendon, ky boshllëk është defekt apo strategji?!
B.K. – Si boshllëk i ngjan premtimeve elektorale të maxhorancës, pra e shoh si defekt zgjedhor. Por njëkohësisht ngjan edhe si strategji e përsëritur nga patronazhistët. Në zgjedhjet e kaluara mblidhnin kartat e identitetit në vend, ndërsa këtë radhë mbledhin fletët e votimit në diasporë. Zuzarllëqet e tyre nuk kanë kufi.
4: Po bëhen telefonata nga burgjet për të votuar maxhorancën. Mos vallë shpresojnë ndonjë amnisti?!
B.K. – Ndoshta. Çfarë nuk ndodh me këtë maxhorancë, që si maxhorancë njerëzit e saj i ka maxhorancë edhe nëpër burgje. Shpreson për një amnisti për ti nxjerrë zullumqarët e saj nga burgjet e më pas ti fusë përsëri në burg për të mbajtur edhe aty nivelin e maxhorancës.
5: Shqiptaro-amerikanët do të paguajnë 6 milionë dollarë për lobim në USA që të pastrohen akuzat e sajuara nga qeveria jonë ndaj opozitës. SPAK deklaron që po e verifikon këtë kontratë. Mos vallë SPAK dyshon se janë dollarë false?!
B.K. – Jo, miku im. SPAK-u i mençur dhe pse pak i vonuar, nuk dyshon kurrë që janë dollarë false. Por jam i bindur, dyshon që akuzat e qeverisë tonë për opozitën janë tërësisht false dhe përfitoj nga rasti të shpreh dëshirën që edhe hetimet për këto akuza të mos jenë false.
________________________________________________________________________________________________________________