Monday

27-10-2025 Vol 19

Idriz Guri, luftëtari, patrioti e mendimtari politik

Nuk është e lehtë të shkruash për figura patriotike të cilat kanë lënë gjurmë të thella në memorien e kombit tonë. E tillë është edhe jeta e vepra e luftëtarit, mendimtarit poltik, patriotit Idriz Guri. Ky patriot lindi më 18 korrik të vitit 1870, nga një familje gjirokastrite me origjinë nga Zhulati i Gjirokastës, ku thuhej se të parët e tij, ishin ata që kishin krijuar kanunin e labërisë. Ishte i vogël kur pasi mabaroi shkollën fillore në Gjirokastër u dërgua nga familja në Janinë më vonë në një shkollë ushtarake në Stamboll. Por punët e kombit e thërrisnin djaloshin Guri. Ai i bashkohet lëvizjes kombëtare kundër zgjedhës turke të Abdyl Hamitit në çetën e Çerçiz Topullit. Dhe këtë veprimtari të çetës së Çerçizit me shokë e për të gjithë “Djemtë e Shqipërisë” ai i kushtoi vargjet “Idadien” (idadien – shkollë e mesme turke) ata iknë e lanë, T’u mir mbeç i thanë. Dhe e bënë me besa-besën, ja të rrojnë, ja të vdesin. Ja të mbrojnë abecenë, me gjithë shpirt sa gjallë të jenë. Në një poezi tjetër kemi vargjet “U nxi koha, u nxi dielli, duman lëshonte qielli, bë dit, e ligësisë, humbën djem të Shqipërisë” dhe më të tjera vargje ai shprehet: “Po jo, jo… se djalëria, që po na vjen pas e gjallë, hakën s’e la pa marrë, Shqipërinë do ta ngjallë”. Idriz Guri ishte njeri i vendosur për luftën kundër zgjedhës turke dhe lirinë e Shqipërisë, por edhe njëkohësisht një njeri përparimtar që luftonte kundër shfrytëzimit feudal. Për Idrizin lumturia kishte nocionin e patundëshmërisë dhe konseguencës së luftëtarit që do t’i mbronte idealet gjer në fund, dhe ja si shprehet duke na lënë këto vargje: ”Lum ata, jan të lumtur, ata mund të qëndrojnë të patundur, gjersa vdesin më në fund!”. Kjo ishte si të thuash sinfonia e jetës dhe veprës së tij, epitaph më i përshtatshëm. Vjershat dhe vargjet e tija ishin të thjeshta se ai i bënte vetë të tilla që t’i kuptonte populli (vegjelia) dhe e gjithë njerëzit i mësonin përmendësh, siç shkruan bashkëluftëtari Mihal Grameno, në gazetën “Koha” që botohej prej tij në mërgim. Kur dikush e pyeti Idriz Gurin se çfarë kërkonte kur të ish çliruar Shqipëria ai u përgjegj: “Kërkoj të bëhet Shqipëri, pa le të jem edhe llustraxhi”. Kjo linte të kuptonte se ai nuk e kishte syrin tek postet e kolltuqet, siç bënë disa pseudopatriotë. Ai kishte syrin dhe dorën e një artisti të lindur, kur i gdhendëte bastunet me simbolika (metafora), aq aktuale për kohën, sa duhet një studim i tërë për këtë fushë. Kur ai heshte për kohën që nuk kishte shkruar në gazeta, popullit të Gjirokastrës që e kërkonte atë se diçka i mungonte, kërkonte si të thuash sot kronistin, komentatorin e javës, të muajit, i cili ngjarjet i lidhte me historinë, me aktualitetin brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai ishte antipod i regjimeve dhe i propogandës së tyre. Punimi i bastumeve prej druri nga duart e tij prej mjeshtri, ishin ilaç (melhem), për edukimin e popullit me ndjenjën patriotike. Bastumin e parë e filloi me portretin e sulltan Abdyl Hamitit me simbolikën “Lulon”, të cilin e paraqiti si një figurë të shëmtuar: “qimekuq, si qeros e hundëgjatë”. Në punimet e tjera ai e paraqet Perandorinë Osmane si një kafshë të stërmadhe “ari, arush”. Ai këto punime i përgatiste në shtëpinë e tij, ku punonte për ditë e netë të tëra. Atelije apo muze mund ta quash në ditët e sotme, atë shtëpi mbushur me vegla pune, dhe dokumenta të vjetra, gazeta e libra të kohës së Rilindjes kombëtare, fotografi e sende të vjetra. Mbahet Sami Frashëri si ideatori i një muzeu, por më pas shohim në shtypin e kohës që shkruan edhe Idriz Guri për një “musio”, si paraprijës largpamës e mendimtar politik, i cili vlerësonte pasurinë materiale dhe historke të popullit shqiptar. Shumë objekte në shtëpinë e tij janë dëmtuar, disa ai i ka shpërndarë nëpër fare-fis dhe në njërëz të njohur shokë e miq. Kanë mbetur pak shkrime e korrespondenca të tijat, një ndër to për dëshmorin e Luftës së Mashkullorës, Hajredin Tremishtin. Po ashtu këtij dëshmori i ka gdhendur një bastum. Ka mbetur bastuni kushtuar dëshmorëve në të cilin pati gdhendur këto fjalë: “Vit për vit varret e tyre, me lule t’i zbukuroni, këta duhet t’i nderoni, dhe përherë t’i kujtoni”. Bastumet me numrin 46 dhe ai me numrin 34 janë kushtuar tre vëllezërve Frashëri, kurse për çdo portret të tyre janë punuar 6 dyer të një godine me disa shkronja të padeshifruara gjer më sot. Në kohën kur në Gjirokastër kishte ardhur një oficer i lartë i Zogut për të mbyllur klubin ku mblidheshin të rinjtë në vitin 1936, Idriz Guri gdhendi një bastun me me fjalët “Tunduni!” dhe i vuri edhe një zile në mënyrë që të tërhiqte vëmendjen të rinjëve. Në një bisedë me të rinjtë Kadri Baboçi, Siri Shapllo përpara hotel “Ruajal” në pazarin e Gjirokastrës u tha: “Shikoni këto gërma – J.L. J.V” dhe nisi t’ua shpjegojë: “Ai zabiti i madh, që erdhi nga Tirana e ju mblodhi me xhandarë në klub ju tha: “Ja ligji, ja bajoneta”, e duke ikur tundi shkopin për t’u thënë “tunduni”.  Bastuni nr. 10 mban datën 20 gusht 1938, ai me nr. 38 ka një thirrje ku janë gdhendur fjalët “Durim gjer kur?” Në këtë kohë kishte mbërritur në Gjriokastër “Ku vemi?” dhe datën 18 shtator 1937, këto bastune i kushtohen luftës së Spanjës. Në një bastum tjetër kishte gdhendur gërmat me këto fjalë “P.N.B.PD. – J.K.PT.V., që do të thoshte “Po nuk i bëtë popullit derman, ju ka për t’ju vrarë!”. Ka bastume për luftën heroike të Vlorës më 1920-tën, me të cilat godet pushtuesit Italian dhe pseudopatriotët. Në ditën e flamurit e cila do të festohej përpara prefekturës dolën në mes të portës prefekti dhe komandanti i xhandarmarisë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të cilët mes të tjerash folën edhe për Ahmet Zogun dhe regjimin e tij. Një zë u dëgjua nga turma. “Poshtë kusarët!” Xhandarët më kot kërkuan nëpër turmë u del përpara Idriz Guri me sharpën kuq e zi. Majori i Zogut i thotë: “Kapiten Idriz Guri, kam urdhër të arrestoj. Dorëzo shpatën!”

Idriz Guri, tashmë me mustaqe të dredhura e të thinjura, nxorri shpatën e sokëlliu “Se dorëzon kollaj shpatën Idriz Guri sprapsu, zoti major!” Gjirokastritët e rrethuan majorin së bashku me xhandarët e i thanë: “Ik e u thuaj atyre që të kanë dërguar se nuk arrestohet Idriz Guri!”. Ne po shkojmë tek kafeneja e Kuçukut se kemi festë dhe, po të doni, ejani, por duhet të vini me një tabor xhandarësh. Majori u shtang, u tremb dhe u spraps dhe u largua, kurse turma me patriotin Idriz Guri, mori rrugën e pazarit duke kënduar këngët atdhetare. Me bastunin në të cilin kishte gdhendur fjalën “befa për 5 vjet shtëpinë” të cilit i kishte lidhur një këmbanare të rëndë me shumë zile përreth (Idrizi kishte vënë peng shtëpinë duke bërë aluzion për tradhtinë e Zogut) dhe populli përsëriste “Idriz Guri e vuri befa (peng) shtëpinë”, që do të thoshte “Zogu e shiti Shqipërinë”. Ky punim i ekspozuar te Qafa e Pazarit, i miratuar nga populli gjirokastrit, bëri që atë ta shkarkonin puna dhe e dënuan me detyrim paqraqitje dy herë në ditë për 6 muaj në prefekturë. Patrioti i mësuar me burgosjet e internimet, njëra burgosje ishte kur mbrojti bashkë me shokët malësorët e Veriut të ndjekur nga turqit e të internuar në Gjirokastër më 1910-1911. Ai si gjithmonë i kushtoi një bastum vuajtjeve dhe mjerimit të “gegëve”, gjithashtu shkruan në gazetë për “tetë shpirt të lidhur në tërkuzë dhe po i burgosin duke u thënë se janë komitë”. Dënimi i tij në burgun e Janinës kishte hidhëruar zemrat e popullit. Atë e mbajnë për një kohë të gjatë në burg, aq sa shtypi i kohës shkruante se atij nuk i jepnin as bukë. Patrioti ynë përmendet si një atdhetar i flaktë që i ka shërbyer çështjes shqiptare me mish e shpirt dhe kabërë theror kamjen e vet për Shqipërinë, pranë kërkohej që shtypi të kontribonte për lirimin e tij nga burgu. Për osmanët Idriz Guri ishte cilësuar “njeri i rrezikshëm” dhe ishin të sigurtë se po ta nxirrnin nga burgu ai do të vazhdonte veprimtarinë e tij kundër tyre. Turqit nuk ia harronin pjesëmarrjen në çetën e Çerçizit dhe si një nga të parët në këtë çetë, duhej vetëm një preteks për ta burgosur, ai kishte “sharë formën e ushtrisë turke”. Në veprimtarinë e tij patriotike Idrizi ngre në revolta popullin e Gjirokastrës në mbrojtje të abetares shqipe kundër synimeve të xhon turqëve për alfabetin turko-arab. Ai këtë ngjarje e gdhendi në bastunin nr. 37, në të cilin ka figurën e Naum Veqilharxhit dhe patriotëve të tjerë që përkrahën abetaren shqipe.

Një mënyrë tjetër e të shprehurit të propoganës së tij me simbole ishte përdorimi i kriptogrameve. Gdhendja në dru e kriptogrameve kishte një traditë në Shqipëri, kjo provohet edhe nga një shkrim i albanologut Han, që na flet për një shkrim “kriptografik” në Gjirokastër nga mesi i shekullit të XIX. E provon këtë një gdhendje në dru në 7 maj të vitit 1870, e një bilbil të hijshëm dhe dy gjarpërinjë që e ndjekin. Kështu në bastumet e gdhendura prej tij nga gushti i 1912 deri në nëntorin e 1912 gjejmë jehonën e ngjarjeve më të rëndësishme të vendit si vendimet e Komiteteve të Fshehta që kërkonin “vetëqeverim”. Po ashtu gdhendi në bastum figurën e Ismail Qemalit e të Luigj Gurakuqit me rastin e shpalljes së pavarësisë. Në këtë mënyrë gdhendi edhe bastum për ngjarjet e viteve 1913-1920. Në bastumin ku shkruhej “Dun spiro spero” (sa të kem shpirt shpresoj). Idrizi sipas Mihal Gramenos mikut të tij, megjithëse në gjendje të rëndë ekonomike kishte shpresë dhe i shkruante “Do t’i kapërcejmë edhe këto or vëlla, duke pritur, ditët e mira paskëtaj, që të bashkohemi të gjithë në Shqipërinë e lirë e të lumtur”. Me vlera edukuese ishte punimi kushtuar shkollës së mesme. Krahas protestave të popullit dhe të studentëve që kërkonin të mos mbyllej liceu më 1929, Ai gdhend “një dritare burgu dhe një shpend”. Idrizi si njeri inteligjent, plot simbolik në shprehjet dhe mendimet e tij, i kërkon kryetarit të bashkisë së Gjirokastrës një palë shkallë të larta, për tu ngjitur tek busti i Çerçiz Topullit “që t’i thoshte këtij dy fjalë”. Kryetari i bashkisë çuditet e Idrizi i thotë: “Kur nuk dëgjoni ju me kompaninë tuaj, shumë mirë dëgjojnë patriotët, se ata sy e veshë kanë në vend, jo si juve që jeni shurdhuar e verbuar nga të mirat që ju rrethojnë”. Në bastumet e tij gdhendeshin fenomenet që shqetësonin shoqërinë, vjedhja e korrupsioni, vrasja e politikanëve, mashtruesit, demagogët dhe shprehte me satirën e tij urrejtjen ndaj regjimit të Zogut. Në pleqëri ai nuk vazhdon gdhendjen, por shkruan shkrime në shtypin e kohës. Ja çfarë shkruan në testamentin e tij si dëshirën e tij të fundit: “Të kisha vdekur edhe unë si ki (ky) do të jesha i lumtur… meqë nuk vdiqa tani lus zotin të më lërë deri sa të shoh Shqipërinë 5 ditë, të lirë pa le të vdesë”, (Fjalë të shkruara pas një fotografie të tij me Dino Çiçon i cili kishte vdekur më 3 shkurt të vitit 1939). Pushtimi Italian i vendit e kishte brengosur shumë patriotin që, për 40 e ca vjetë ia kushtoi çështjes kombëtare, me pushkë e penë dhe vdiq më 22 maj të vitit 1941. Idriz Guri i bën nder jo vetëm Gjrirokastrës, por gjithë kombit shqiptar se do të mbetet simbol i patriotizmës shqiptare në breza.

Nga Kastriot KOTONI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *