Monday

27-10-2025 Vol 19

BUSHATLLINJTË NË DOKUMENTET RUSE

Në librin e autorit Grigorij. L. Arsh “Ali PASHA dhe BUSHATLLINTË NË DOKUMENTET RUSE”, botuar nga shtëpia botuese M@B Tiranë 2022 përkthyer nga përkthyesi i 25 librave Vladimir Bregu. Nga ky libër kemi shkëputur disa fakte tepër interesante për historinë e Ali Pashë Tepelenës dhe Bushatllinjëve. Në faqet e para të librit na shfaqet një panoramë e përgjithshme e gjendjes politike ekonomike dhe sociale në territoret shqiptare në fillim të viteve 1750. Për autorin analiza e historisë së pashallëqeve ballkano-perëndimore, për studimin e së kaluarës së Shqipërisë, ka rëndësi të dorës së parë. Materialet e pabotuara, që ruhen kryesisht në Arkivin e Politikës së Jashtëme të Rusisë, shërbyen si burim kryesor për shkrimin e kësaj vepre. Nga karakteri, ato mund t’i ndash në tre grupe. Së pari ato janë informacione të konsujve rusë dhe agjentëve të tjerë politikë që ndodheshin në Ballkan dhe në rajonin e Adriatikut. Burimi kryesor sistematik për studimin janë informacionet e konsujve në Korfuz, L. P. Benaki dhe S. Papandopullo nga viti 1785 deri në vitin 1821 shkruan autori. Vlera e informacioneve nga Korfuzi qëndron dhe në faktin se në to, veçanërisht në periudhën e luftës ruso-turke të viteve 1787-1791, pasqyrohet situata si në pashallëkun e Shkodrës, ashtu edhe të Janinës. Informacionet për sundimin e Mahmud Pashë Bushatlliut, për luftën e tij të parë me sulltanin vijnë nga konsujt A. Palladoklis nga Kotori, G. Protopsallti nga Ankona, S. Varuki nga Trieste, A. Gljuk nga Otranto dhe të tjerë. Lufta e dytë e Mahmud pashës me sulltanin (viti 1793) dhe vitet e fundit të sundimit të tij pasqyrohen në mënyrë më të plotë në informacionet e konsullit të përgjithshëm rus në Raguzë (Dubrovnik) A. Gjika për vitet 1789-1799. Informacionet e Gjikës, në një pikëpamje dallohen nga informacionet e konsujve të tjerë me synimin e autorit të tyre për saktësi kronologjike dhe përpjekjes për t’i nxjerrë kuptimin ngjarjeve të caktuara. Për ndriçimin e situatës në pashallëkun e Janinës, të rëndësishme janë informacionet e konsullit të përgjithshëm të Rusisë në Shqipëri dhe Himarë, P. Bicili, të viteve 1785-1787, të konsullit të Rusisë në Prevezë, I. Vllasopullo për vitet 1804-1807, të konsullit G. Flori në Artë për vitet 1804-1806, të konsullit rus në Vlorë Z. Bicili për vitet 1806-1807. Veçanërisht duhet vënë në dukje se Z. Bicili ishte konsulli i vetëm huaj në Vlorë dhe në zonat e jugore dhe veriore të Shqipërisë. Grupin e dytë të burimeve arkivore e përbëjnë informacionet e ambasadorëve rusë nga Kostandinopoja. Ato janë të rëndësishme nga këndvështrimi i marrëdhënieve reciproke të sundimtarëve me Portën e Lartë. Përveç kësaj, nga informacionet, ruse në Turqi mund të nxjerrësh shumë të dhëna edhe për ngjarjet në Shqipëri dhe në Greqi. Në grupin e tretë të materialeve arkivore janë ato që kanë të bëjnë me përshkrimin e Shqipërisë dhe promemoriet për sundimtarët feudalë shqiptarë (kryesisht për Ali-Pashën), të përpiluara nga diplomatët rusë. Në rradhët e tyre janë ”Përshkrimi i Shqipërisë”, “Përshkrim i zotërimeve të pashait beratas”, “Njohuri për provincat e Shqipërisë”, “Informacion” për (Mahmud-Pashën), “Të dhëna për njohjen me Ali-Pashën, “Promemorie e argumentuar për gjendjen e tanishme të punëve të Epirit dhe për qëndrimin e Ali-Pashës ndaj nesh dhe Oborrit të tij, “Informacion për Ali- Pashën, “Informacion për Ali-Pashën. Përveç materialeve të gjendura në Arkivin e Ministrisë së Jashtëme të Rusisë materiale të çmuara për këtë monografi u gjetën edhe në Arkivin shtetëror qendror të flotës ushtarako-detare NË Leningrad. Ato kanë të bëjnë me periudhën e viteve 1787-1791 dhe prekin problemin e marrëdhënieve të Aliut me Rusinë. Po ashtu mjeku Pukëvill i cili gjatë 9 viteve (1806-1815) ndodhej në Janinë si konsull i përgjithshëm i Francës ka pjesën e tij me shënimet e udhëtimit në librin “Historia e rilindjes së Greqisë”. Librin e Pukëvillit “Historia e rilindjes së Greqisë” mund ta futësh edhe te burimet edhe te letërsia. Si në njërin këndvështrim në tjetrin ky libër ka të meta, sepse nuk jep burimet e informacioneve dhe sillet me shumë indiferencë ndaj kronologjisë shprehet autori Grigori. L. Arsh. Si rezultat i krijimit të pashallqëve të mëdha, në fund të shekullit XVIII, rajone të mëdha të perandorisë faktikisht u shkëputën nga sulltani duke formuar një lloj “principate feudale”. Në Siri, si sundimtar i pavarur drejtonte Xhazar-Pasha, në Bullgari-Pasvand-Ogllu, në Maqedoni- Ismail-bej Seresi. Në këtë periudhë, lufta feudale hyri në një etapë te re në Shqipëri. Ajo karakterizohej nga fakti se feudalët më të fuqishëm duke zgjeruar pushtetin në pjesë të mëdha të vendit, filluan të shfaqin mosbindje të hapur ndaj Portës së Lartë. Në pjesën veriore kjo u vu re në vitet 60 të shekullit të XVIII, kur në Shkodër filloi sundimi me trashëgimi i oxhakut të Bushatllinjëve. Origjinën e saj ajo e kishte nga familja e vjetër vendase e Dukagjinëve, që kaluan në myslimanizëm pas pushtimit të Shkodrës nga turqit. Bushatllinjtë shumë herë mbanin detyrën e sanxhak beut të Shkodrës. Në shekullin e XVII kjo familje, me shumë gjasa u shndërua në pronarë të mëdhenj çifligjesh që kishin lidhje të ngushta me tregun. Në vitin 1756, kur anarkia feudale në pashallëkun e Shkodrës arriti kulmin pushtetin në qytet e rrëmbeu Mehmed-bej Bushati. Porta e saksionoi këtë rrëmbim, duke i dërguar fermanin për sundimin e Shkodrës, Mehmed-beut duke i dhënë titullin e Pashait. Mehmed –Pashë Bushati vendosi rregull e qetësi dhe siguri filloi të zgjeroj kufijtë e tij në kurriz të pashallëqeve të Dukagjinit dhe të Elbasanit. Por rritja e pavarësisë dhe fuqisë së sundimtarit krijoi shqetësime te Porta e Lartë. Në, vitin 1775, nga agjentët e saj u helmua Mehmed-Pasha. Por pas tij, djali Mahmud Bushati i cili kish lindur në vitin 1750 u bë sundimtar i Shkodrës dhe jo vetëm vazhdoi politikën e të atit, por edhe u fut në konflikt të hapur me sulltanin. Duke zbatuar politikën përçarëse të ndezjes së armiqësisë ndërmjet grupeve të ndryshme të popullsisë së nënshtruar, qeveria e sulltanit në vitin 1770, hodhi në More çetat e bejlerëve shqiptarë. Pas përfundimit të luftës ruso-turke të viteve 1768-1774, këto çeta shqiptare të ardhura nga Shqipëria jugore qëndruan në More dhe merreshin me grabitje duke mos iu bindur Portës. Atëherë sulltani urdhëroi Mahmud- Pashën që me forcat e tij të spastronte Morenë nga bejlerët e pabindur. Mahmud-Pasha dërgoi vëllain e tij Mustafa me tre mijë vetë i cili vuri rregull e qetësi, por kur shkodranët nuk po merrnin pagat iu vërsulën vjedhjeve e grabitjeve. Porta dërgoi ushtri për luftë me shqiptarët në More dhe e helmoi Mustafa Bushatin. Në raportin e Gjikës këshilltar i ambasadës ruse në Napoli vihet re se Porta kishte ndërmend ta shtrinte dhunën e saj në të gjithë Shqipërinë. “E gjithë Shqipëria dhe Epiri janë përfshirë nga ankthi”, vazhdon Gjika. Mahmud-pashai shfrytëzoi rritjen e tendencave antiturke dhe mbylli kufirin e pashallëkut të tij për tagrambledhësit e sulltanit që mblidhnin haraçin, por i ndoqi ata dhe në pashallëqet fqinje. “I RI, TRIM ME INICIATIVË”, sipas fjalëve të Bulgakovit, atëherë ambasadori rus në Turqi. Mahmud Bushati duke u mbështetur në ushtri të madhe mbi njëzet mijë vetë në vitin 1785 hyri në Malin e Zi dhe shumë shpejt u fut në Cetinjë. Rrethanat e këtij pushtimi ishin se malazezët kishin përçarje mes njëri tjetrit. Për nënshtrimin e malazezëve, njoftonte konsulli rus në Dalmaci A. Palladoklis”, Pashai përdori më shumë lajka, të hollat dhe premtimet sesa armët”. Rajonet e pushtuara u mbytën me taksa, por edhe ky pushtim i Malit të Zi nuk zgjati shumë, sepse Mahmud-Pasha sulmoi zotërimet venedikase të Pashtroviçëve, banorët e të cilave shkaktuan zemërimin e pashait se më parë kishin pranuar të ishin nënshtetas të tij, pastaj jo vetëm u tërhoqën nga bisedimet, por njoftuan vendedikasit për marrëveshjet me shkodranët. Ky sulm ndaj Pashtrovicëve shkaktoi përkeqësimin e marrëdhënieve turko-veneciane. Në këtë vit Mahmud-Pasha ndërmori fushata pushtuese në jug të Shqipërisë dhe u përplas me Kurd-pashën e Beratit, në qendër të kësaj lufte ishte kush zotëronte qendrën zejtaro tregtare të Elbasani e cila deri në atë kohë e zoteronte Kurd- pasha. Lufimet morën rrjedha të padëshiruara për Kurd-Pashën, sepse kushuriri i tij Sulejmani kaloi në krahun e Mahmud-Pashës. Kurd-Pasha me forcat e tij i doli përpara rivalit të Shqipërisë veriore. Në betejën e përgjakshme, në të cilën nga të dyja palët vdiqën 6 mijë vetë. Kurd-pasha u thye. Mahmud-Pasha u fut në zotërimet e pashait të Beratit dhe filloi t’I shkatërrojë ato. Çetat e tij deportuan thellë në jug të vendit dhe në kthim vranë 600 korçarë pjesëtar të forcave të Kurd-Pashës. Për këtë fushatë Porta e lartë dërgoi pashain e Rumelisë Abdi-pasha që të asgjesonte Mahmud-pashën. Përveç Abdi Pashait morën pjesë edhe tre pashallarë Selim e Jusuf dhe Kurd. Mahmud-pasha nga ana e tij nis përgatitjet mbrojtëse, përforcoi të gjitha shtigjet që shkonin për Shkodër, instaloi atje bateri dhe vendosi garnizone. Abd-pasha mblodhi në Sofje 7 pashallarë e shihte me zymtësi këtë fushatë. Mahmud-pasha i Shkodrës kishte zënë prit në Peqin me 12 mijë forca, sipas njoftimeve të Biankit. Por ndërkohë kishte lindur një tension në kufirin boshnjako-austriak dhe nga ky shkak sulltani u tërhoq nga fushata kundër pashait të Shkodrës dhe Mahmud-pasha jo vetëm u fal, por edhe u gradua me postin e pashait me tre yje. “Porta nuk mund të pajtohej me shkatërrimin e qytetit të Prishtinës nga forcat e Mahmud-pashës që ndodhej nën qeverisjen e bejlerbeut të Rumelisë, atë përsëri kanë ndërmend ta shpallin kryengritës. Bulgakovi njoftonte në fund të vitit 1786- duke mos dalur hapur kundër Mahmud Pashës u dërgon udhëzime banorëve të rajoneve të pushtuara prej tij që ata të dëbojnë njerëzit e dërguar prej tij (Mahmud-Pashës). Përveç kësaj Porta e Lartë si gjithmonë duke shfrytëzuar shqiptarët në përçarje kundër njëri tjetrit gjeti Pashë Çaushollin nga familjet feudale të Shkodrës armike me Bushatllinjtë. Ndërkohë pasha i Trikallës u bë Ali-Pashë Tepelena. Mahmud Pasha bën përgatitje kundër sulltanit dhe pajtohet me Kur-pashën në vjeshtë të vitit 1786. Porta provoi që të tërheq në luftë kundër Mahmud- Pashës malazezët duke u premtuar atyre lirimin nga pagesa e haraçit. Përkundrejt nisjes së fushatës ndaj Mahmud-pashait i cili kishte ngritur popullsinë në kryengritje në Adrianopoli kundër sulltanit. Sipas informacioneve të Bilicit, për Mahmud-Pashën thoshin se “ai drejton shumë mirë shtetin e tij, i drejtë me të gjithë, si me të pasurit ashtu edhe me të varfërit, sillet me Portën siç duhet, por nuk do që zotërinjtë e tjerë të marrin dhuratat e zakonshme. Për këtë shkak, atë e paraqesin rebel. Konsulli rus në Dalmaci A. Palladoklis, njoftonte më 30 prill të 1787, se “I përmenduri Pashai shkodran pret në emër të tij monedha, duke e quajtur veten pasardhës trashgimtar i heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, po grumbullon të gjitha forcat nën komandën e Hasan Otas. Nga njoftimet e Benakit del se është zhvilluar beteja e parë e forcave të sulltanit me Mahmud-pashën në Uskjubit (Shkup). Forcat e sulltanit pësuan disfatë të rëndë. Sipas njoftimeve të konsullit spanjoll Bejlerbeu “u shpartallua plotësisht dhe ia dha vrapit”. Në këtë fushatë ishte përfshirë edhe Ali-pashë Tepelena me forcat e bejlerbeut të Rumelisë të cilit i eci mbarë se komandantit të tij: ai arriti të sundojë qytetin e Ohrit, të cilin e administronte i afërmi i Mahmud-pashës. Më 20 prill 1887 në qytetin Eubeja u shpall fermani i sulltanit me të cilin guvernatori i atjeshëm Çerkes-Hasan-pasha emërohej komandant i skuadriljes (ekspeditës) turke e destinuar kundër Shkodrës me veprime nga deti. Me ndihmën e këtij shqiptari Porta pretendonte të shfrytëzonte kundër Mahmud-Pashës elementët armiq ndaj tij në qytetet bregdetare. Mahmud Bushatlliu, përforcoi kështjellën e Shkodrës, duke e furnizuar me ushqime dhe municione. Në Drin kishte një trup prej 5 mijë vetash me 8 topa. Vendosi 1000 forca në kështjellën e Nikshiqit, ndërsapak më larg tij në qendrën Nikshiq-Uvasi, vendosi forcat e korpusit të tij me 4 mijë veta. Në korrik të vitit m1787 filloi sulmi i forcave boshnjake të udhëhequra nga Selim –pasha të cilat pushtuan qendrat e rëndësishme: Ostrogom, Potgoricë, Shpuzë. Luftimet në kalanë e Shpuzës ishin të përgjakshme dhe Selim-Pasha kërkonte përforcime me 12 mijë trupa nga Bosnja, sepse Mahmud-Pasha i cili ishte vetë në krye të fitores u kishte shkaktuar humbje të jashtëzakonshme boshnjakëve. Në mbësëhtetje të politikës së tij për të bërë pas vetes banorët e zonave që banon në Adriatik, në trekëndëshin e kështjellave Shkodër-Ulqin-Lezhë në mënyrë që të ndalonte forcat e sulltani, Mahmud Pasha u premtoi popullsisë lirimin për 20 vjet nga taksat. Sipas njoftimit të A .Memo më 3 gusht forcat e Ahmed Pashës i vëllai i Mahmud Pashës me 7 mijë trupa sulmuan forcat boshnjake në Potgoricë dhe në Zhabjak të cilat i komandonte Pashai i Shkupi Halil Aliagiç. Bejlerbeu Mehmed Pashë Ajdozli në fillim të korrikut 1787 mbërrit në Elbasan dhe së bashku me pashallarët shqiptarë që ishin kundër Mahmud Pashë Bushatlliut filluan shkretimin e Shqipërisë Qendrore me një dhunë të papërshkruar njoftonte Aleksandër Albergeti. Kalorësit e vendosur në Tiranë u zbërthenin shtëpitë për lëndë djegëse dhe u shkelnin të korrat, u merrnin fshatarëve qetë, buajt, drithin pasurinë dhe u digjnin shtëpitë sa që nuk mbeti gjë e gjallë. Komandanti i kësaj ekspedite ndëshkuese Hasan Pasha ishte me origjinë shqiptare dhe kishte lidhje me aristokracinë myslimane të qyteteve bregdetare. Nga ardhja e kësaj ekspedite mori zemër edhe Pashai i Tivarit për t’i dalë kundër Mahmud Pashait të Shkodrës, siç njofton Palladoklis këtë verpim mund ta bënte edhe Ulqini, por të 12 amanatë nga banorët më fisnikë të Ulqinit i qëndruan besnikë atij. Shumë të tjerë ia dorëzuan kështjellat bregdetare përfaqësuesit të sulltanit Hasan Pashës. Kjo kohë quhet edhe koha e komplotit kundër Mahmud Pashës, sepse Pashai i Rumelisë kishte rënë në marrëveshje të fshehtë me shkodranët dhe këta do ta tradhtonin, por Bushatlliu mblodhi njerëzit e tij më besnikë u mbyll në kështjellë me 300 prej tyre, ndërsa vëllai i tij besnikë teksa po i vinte në ndihmë u gjend i rethuar nga shkodranët e pabesë dhe i prenë kokën. Durrësi dhe Ulqini dhe Lezha u kapën nga Turqit ndërmjet 20 dhe 25 gushtit të vitit 1787 dhe vërshimi i trupave turke drejt Shkodrës ishte i pandalshëm në 19 tetor të 1787. Kështjella e tij e fundit Rozafa u bë fortesa që do të përballonte një rrethim të gjatë kundër sulltanit nga ana e Mahmud Pashë Bushatlliut. Turqit thurnin plane dhe kryenin operacione aktive kundër kështjellës qëlluan edhe me topa, por pa sukses. Ata nuk ishin përgatitur për një fushatë të gjatë, shumë shpejt gjatë zhvillimit të luftimeve, nën muret e kështjellës u zbulua një mungesë e madhe e municioneve dhe ushqimeve dhe u rrit armiqësia e vendasve. Mehmed Pashë Çausholli kundërshtar i hapur i Mahmud Pashë Bushatlliut i emëruar nga turqit shumë shpejt ngjalli armiqësinë e qytetarëve të Shkodrës dhe rajoneve përqark. Pushtimi turk çoi në shkatërrimin e jetës ekonomike të Shkodrës. Bllokada detare dhe tokësore shkaktoi prishjen e lidhjeve tregtare të jashtëme të banorëve të kryeqendrës së Shqipërisë Veriore. Të gjitha këto rrethana bënë që situata të ndryshojë në favor të Pashait të Shkodrës i cili duke ndjerë simpatinë e popullsisë mbrohej menergji të dyfishta. Siç njoftonte Benaki “Pashai i Shkodrës vazhdon të mbrohet me trimëri të madhe dhe ne mësojmë se në kampin turk, forcat e tyre janë shumë të dekurajuara dhe vuajnë nga uria dhe mungesa të tjera”. Sulmet e datës 25 tetor të 1787 kundër kështjellës u sprapsën. Këto disfata bënë që ushtria turke të demoralizohej edhe më tepër. Në një njoftim të Benakit thuhet se nga 30 mijë trupa turke shkuan në 20 mijë dhe për dy ditë mbetën 4 mijë deri 5 mijë. Ata menduan se do t’i mbaronin rezervat Pashait të Shkodrës mbyllur në kështjellën e Rozafës, por pakënaqësia e popullsisë së Shodrës dhe fyerja që u bënin forcat e sulltanit bënë që ata të ngrihen në kryengritje kundër pashallarëve të Rumelisë e atij Boshnjak dhe për këtë arsye u lidhën me Mahmud Pashën, i cili u premtoi të sulmojë sapo të fillojë kryengritja. Beteja e shkurtër e Mahmud Pashës kundër garnizonit të rumelinjëve filloi kryengritjen dhe u bashkuan me të edhe forcat e kapedanit të Mirditës. Turqit pësuan humbje të rënda me mbi 6 mijë të vrarë dhe fituesve u mbetën trofe të shumta 16 topa dhe 14 mortaja. Mehmed Pashë Çausholli u përpoq të ikte, por u diktua nga barinjtë dhe u vra, ndërsa ekspedita ndëshkimore e turqve e la Adriatikun. Fitorja e Mahmud Pashës bëri përshtypje të madhe në qarqet ndërkombëtare, autoriteti i tij u rrit si asnjëherë. Që nga koha e Skënderbeut turqit nuk kishin pësuar një disfatë të tillë. Rëndësia e shpartallimit të ushtrisë turke del jashtë kontekstit të një konflikti mes vasalit dhe sulltanit. Masat e gjëra të popullsisë, qytetarë, fshatarë, zejtarë, myslimanë dhe katolikë që bashkuan forcat etyre. Kjo aleancë e vënë në dukje plotësisht me të drejtë nga Dora D’istra, “u tregoi otomanëve se çfarë mund të bëjë Shqipëria, kur ajo në një moment arritit të harrojë masakrën vëllavrasëse”. Pashai vendosi sërish rregull në pashallëkun e tij dhe nisi përgatitjet për mbrojtjen kundër sulltanit. Malësorët e krishterë në rajonët përqark Shkodrës të inkurajuar nga lufta ruso-turke, ishin për vazhdimin e luftës me turqit. Qeveria ruse, ende pa marrë lajmin për ngjarjen e 25 nëntorit të vitit 1787 në Shkodër, mendoi të vendosë lidhje me Pashain shkodran. ZV. Kancelari Osteman ngarkoi ministrin rus në Venecia, Mordinov “të hapë me të (Mahmud Pashën) komunikim të besueshëm për pëlqimin me tij në luftë të mëtejshme me turqit”. Ministri rus i premtonte se flota ruse në Mesdhe ishte në mbështetje të luftës së tij dhe i lutej ta njoftonte nëpërmjet Oliverit, një njeri me influencë dhe njohës i shkëlqyer i turqishtes që punonte në Arqipelag. Duke udhëtuar nëpër Dalmaci, Oliver u njoh me murgun françeskan Erazm Frakini di Banjo, “njeri që kishte besimin e plotë të Pashait shqiptar”. Pasi mësoi se murgu shkonte në Shkodër Oliveri I tregoi atij për detyrën dhe I kërkoi atij të njoftojë për gjithçka pashain dhe të mësojë prej tij qëllimet. At Erazmi pasi mbërriti në Shkodër njoftoi Oliverin se “Pashai me kënaqësi pranoi propozimin e oborrit perandorak rus, por nuk nxitoi gjersa të jetë i sigurtë nga ana e kundërshtarëve të vet, dhe për këtë mendon ai, është e nevojshme më mirë që të ketë durim, deri sa ai të rregullojë punët e tij” Pashai mendonte për luftën e brendëshme në pashallëk dhe për çështjet e marrëdhënieve të mëtejshme me Portën e Lartë. Cila do të ishte linja e qëndrimit të Portës së Lartë ndaj Mahmud Pashait pas disfatës së Shkodrës? Pas futjes të Austrisë në luftë kundër Turqisë, në janar të vitit 1788, humbi mundësia e Portës së Lartë për të ndërmarrë një aksion të ri ushtarak në Shqipëri. Peticioni i popullsisë së Shkodrës për faljen e Mahmud Pashait u hodhë poshtë nga Porta e Lartë. Kërcënimi i sulltanit për popullsinë shkodrane se në rast se nuk dorëzonin kokën e Mahmud Pashës do të ndëshkoheshin me djegie e shkatërrime dhe do të mbahen si sklevër për pesë vjet. Mahmud Pashai zbuloi komplotin e 12 feudalëve myslimanë që ishin inkurajuar nga Porta dhe ua preu kokat. Pashai mori masa ndaj kështjellave të Ulqinit dhe të Tivarit dhe u vendos përsëri në kalanë e Rozafës më të përforcuar në pritje të reagimeve të Portës. Njëkohësisht, Mahmud Pasha rifilloi bisedimet me Rusinë. Më 10 maj 1788 Oliveri, që ndodhej në Raguzë, mori një letër na at Erazmi. Duke ftuar Oliverin, sipas porosisë së Pashait, që të vinte në Shkodër për bisedime murgu shkruante ”Unë shpresoj fort që të kem sukses të mirë, duke qenë se turqit e këtushëm janë në gjendje të keqe, miku i tyre në Konstantinopojë nuk mund të bëjë asgjë në favor të tyre dhe shumë besojnë atë, tani atje duan ta zhdukin. Mua më duket se Pashai duhet të vendosë për ndonjë gjë”. Mahmud Pasha në letrën e tij të projektmarrëveshjes me Rusinë dërguar Mordinovit nëpërmjet Sava Mirkoviçit dhe me garanci të Erazmit, hedh dritë për gjendjen e tij dhe synimet politike dhe flitet për gadishmërinë që të luftojmë “një armik të përbashkët”. Mahmud Pasha kishte nevojë për ndihma monetare për të blerë pashallarët, armiq të mij dhe fqinjëve, e bashkimit të tyre me mua pa gjakderdhje, për të gjitha këto mua më duhen 60 mijë çërnovec. Me mbërritjen e flotës ruse mua më duhen 6 kryqëzorë dhe disa fregata ose anije bombarduese të cilat mund të qëndronin pranë Durrësit dhe qyteteve të tjera bregdetare. Mahmud Pasha nga ana e tij i detyrohej, pas marrjes së të hollave dhe mbërritjes së anijeve ruse, të grumbullonte forcat e tij tokësore, të pushtonte të gjithë Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe të “çoj ushtrinë time deri në Selanik dhe Manastir dhe me këtë t’u hap rrugën forcave ruse për në Konstantinopojë”. Tokat e pushtuara nga ana ime pas pajtimit duhen të jenë nën mbrojtjen tuaj perandoreshë, por me kushtin që të lejohet në to fuksionimi i plotë i besimit tonë fetar, ngritja e xhamive dhe gjithçka që i përket zakoneve dhe riteve tona, siç është lejuar kjo në Krime dhe në provinca të tjera ruse. Qeveria austriake duke i parë Malin e Zi dhe Shqipërinë si sfera të ndikimit të saj, ndiqte me pakënaqësi veprimet e agjentëve rusë në këto vende. Ajo nëpërmjet agjentëve të vetë, sunonte të nxiste Mahmud Pashën që të vepronte, jo në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë, por në drejtim të Bosnjës, me qëllim që të ndihmonte ushtrinë austriake që luftonte atje kundër turqve. Në maj 1788 në Raguzë mbërriti përfaqësuesi special i Jozefit të II, kavalieri De Bronjat, të cilit i ishin ngarkuar bisedimet me Mahmud Pashën. Këtu ai u takua me Oliverin I cili u përpoq që të bindte Bronjarin për të mos shkuar në Shkodër se prisheshin interest ruse. De Bronjari mbërriti në Shkodër në një situatë krejt të pafavorshme se kishte luftë mes idhtarëve të Portës dhe mbështetësve të marrëveshjes me shtetet e krishtera. Dhe në Shkodër ish hapur fjala se koloneli austriak F. Vukasoviç që ndodhej në Malin e Zi kërkonte leje nga Mahmud Pasha që të kalonte forcat nëpër Shqipëri, në rast të kundërt do të shkretonte gjithë Shqipërinë. Kjo shkaktoi trazira të mëdha në mes popullsisë myslimane. Ata menduan se austriakët kishin ardhur për të korruptuar Mahmud Pashain të mbledhë forca nga të krishterët. Pasi mbaroi bisedimet me Pashain, i dërguari austiak De Bonjari u nis për në Malin e Zi dhe rojet që e shoqëronin e vranë së bashku me dy oficerë më datën 21 qershor të 1788. Kuptohej se kjo vrasje u shërbente vetëm interesave të atyre qarqeve që ishin me sulltanin. Në këtë mënyrë kontaktet e Mahmud Pashës me Rusinë dhe Austrinë u ndërprenë. Në qarkoren për nënpunësit e tij, dërguar një ditë më pas ai falenderon zotin “për vrasjen e austriakëve, sepse nëpërmjet kësaj ngjarjeje munda të marr dhe shpëtimin tim”. Porta duke pasur nevoja për forca ushtarake të Shqipërisë, ishte e prirur për ta “falte” Mahmud Pashën me kusht që ky të shkonte me forcat e tija në front. Bisedimet me Portën e lartë zgjatën për shkak të mosbesimit që kishte Mahmud Pasha se duke e nxjerrë atë jashtë nga Shqipëria, ata e kishin më të lehtë që të lanin hesapet me të. Pas ngjarjes me austriakët Shkodra nuk po gjente qetësi, Pashai sërish vendoset në kështjellën e Rozafës, të krishterët ndihen të frikësuar dhe shumë rajone refuzonin t’i nënshtroheshin atij. Ky ishte shkaku që ai tashmë nuk mund të grumbullonte shumë forca. Në rrethimin e Krujës ai ishte me forca të pakta dhe në krahun tjetër Malazezët me ndihmën e austriakëve kishin mbërritur në portat e Shkodrës, kështu ai u detyrua të kthehej në Shkodër. Tashmë kish mbërritur edhe fermani i sulltanit i cili ia njihte të gjitha zotërimet Pashait, por me kusht që ky të nisej drejt Bosnjës me 40 mijë njerëz, që në fakt ai shkoi me 15 mijë vetë, që në shumicë ishin myslimanë. I ngarkuar në shumë operacione, sa në Bosnjë sa në Krujë, Pashait i kërkohet nga Porta që të shojë në mbrojtje të Serbisë dhe Vllahisë nga austriakët, me 20 mijë vetë. Kjo rilidhje me Portën e Lartë e dëmtoi shumë Mahmud Pashën se popullësia e krishterë iu kundërvu dhe nuk jepte asnjë njeri prej saj. Ai filloi një politikë diskreminimi ndaj popullsisë së krishterë duke i tatuar me 100 mijë piastrash, taksë jashtëzakonisht e rëndë për ata që praktikonin rritet e krishtera. Më vonë në një luftë 5 mujore të 14 majit të vitit 1791 në Vidin, ai kthehet në Shkodër pas nënshkrimit të marrëveshjes së Sistovos ndërmjet Austrisë dhe Turqisë. Porta e lartë si rezultat i krijimit të pashallëkut gjysëm të pavarur të Janinës, bërthama e së cilës u bë Epiri, nuk e ngacmoi më për disa kohë Mahmud Pasha Bushatlliun i cili iu fut politkës së tij të pavarur, por kurrë nuk iu ndanë konfliktet ushtarake me Portën e Lartë.

_______________

Kastriot KOTONI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *