Monday

27-10-2025 Vol 19

Receta e gatimit të Faik Konicës

Faik Konica si një përfaqësues dinjitoz i shtetit shqiptar në detyrën e Ambasadorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose ndryshe, Ministrit fuqiplotë, ka qenë një njeri i njohur në qarqet diplomatike të kohës, por jo vetëm kaq, ai kishte njohje me qarqet e biznesit të artit dhe letërsisë dhe gazetarisë. Faiku ishte një nga frekuentuesit më të njohur të plazhit të Suamskotit. Një plazh i qetë që shtrihej nja 20 kilometra në verilindje të Bostonit. Ky plazh me famë botërore për kapjen e aragostave, i cili tërhiqte të gjithë njerzit e kamur si dhe pushues nga e gjithë bota. Faiku e kishte si shtëpi të dytë qëndrimin në hotelin gjigand me emrin Ocean House. Pushimet në Suamskot kishin një të mirë të madhe, sepse komunitetet e shqiptarëve ishin afër. Kështu që Faiku nuk e kishte të vështirë të shkëputej nga plazhi për të vizituar miqtë ose për të mbajtur ndonjë ligjeratë. Vatra i bënte çdo vit kuvendet në Boston çka ishte një plus për pushuesin Faik. Ai qëndronte në Suamskot të paktën për gjashtë javë e kthehej në Uashington nga fundi i shtatorit. Ndërkaq e prista stina artistike në Uashington. Është pak të thuash se Konica ishte një vizitor dhe shijues arti. Me rastin e fillimit të sezonit për vitin 1932, ai ishtei ftuar i nderit në çeljen e galerive të artit Serars Roebuck në Avenynë Connectcut. “Ministri shqiptar është si në shtëpinë e tij në një galeri arti”, shkruante Ëashington Post-i. “Shumë nga miqtë e tij të ngushtë, sidomos gazetarët, e njohin vëzhgimin e tij të hollë dhe kujtesën e shkëlqyer që ai ka për punimet e mjeshtrave e të artistëve bashkëkohorë. Faiku ishte ndër ata që kishin bërë me kohë rezervimet kur në Uashington çelej çdo tetor seriali i koncerteve sinfonike. Shoqëria e lartë e kryeqytetit mbushte sallën elegante Costitutional Hall pranë Shtëpisë së Bardhë për të ndjekur Orkestrën Sinfonike Kombëtare që dirigjohej nga themeluesi i saj, holandezi Hans Kindler. Seriali i Kindlerit ishte kthyer në një ritual të jetës muzikore të Uashingtonit që pasurohej pastaj me Traviatën, Rigoleton, Aidën dhe opera të tjera klasike. Ai shprehej për muzikën: ”Për rata që e duane kuptojnë dhe e duan në thellësi, muzika nuk është thjesht një qejf, është një fe”. Kur ishte i ri linte kokën pas Vagnerit dhe disqet e tij i kishte ende aty, siç kishte edhe ato të tjerat të Moxartit, Bethoven, Bahut. Por pak nga pak ai ishte kthyer Moxartit për të cilin thoshte: “ka një hollësi të veçantë, një njomësi qiellore, një hirë femërore të pashoqe, që e qasin më tepër afër zemrës së njeriut”. Adhuronte dirigjentin me famë botërore Arturo Toscanini dhe i kishte ndjekur të gjitha premierat e tij. Ai e kishte pritur dirigjentin një vit përpara arratisjes së tij nga Amerika dhe kishte mbetur i mahnitur nga thellësia dhe fisnikëria e muzikantit të madh. Miqtë e dinin pasionin e Faikut-të lunate një arie ose muzikë dhome të Moxartit, ndërsa i qeraste me shampanjën e shkëlqyer, e cila nuk i mungonte kurrë. Dikur i pëlqente të pinte skoç, por më vonë kishte filluar të preferonte uiskin kentaki, mundësisht të fermentuar para periudhës së ndalimit të alkolit. “Ministri njeh mirë jo vetëm verërat dhe likeret, por edhe arësyen e ekzistencës së tyre, shkruante Washington Post-i. I pëlqente të rrëfente historinë e shpikjes aksidentale të shampanjës nga një murg francez Don Perigon në vitet 1600, të cilën e kishte lexuar në njërin nga librat e vjetër të koleksionit të tij. Kjo histori e treguar prej Faikut përmendej rëndom nga diplomatët. Gazetarët, disa prej të cilëve i kishte miq, e dinin se Faiku e mbante depozitën e tij sekrete të verërave të mira në banjën e apartamentit. Ata dinin edhe verërat e tij të preferuara: Chablis,burgundu, sherry, dhe shampanjë të cilat i shoqëronte me djathin e tij Roquefort ose kaviar. Ai e shijonte në mbrëmje pijen. Në disa qarqe ekzistonte shprehja kokteji Konica, që premtonte të bëhej popullor mes diplomatëve. Kjo shpikje e Faikut kishte si bazë të vetën vermutin Italian, të cilit i shtonte një grusht bajamesh të shtypura e të përzjera me pak pije të hidhur. Në vitin 1935, kur poeti i famshëm irlandez, George William Ruusell [Rasëll], i shkoi në legatë, dy burrat u rrëmbyen aq shumë ndër biseda , saqë biseda, që duhet të ishte fare e shkurtër, zgjati mbi dy orë. Kur Faiku iu përgjegj se e dinte që poeti Ruusell kishte qenë dikur kryeredaktor i gazetës The irish Statesman ai u shtang dhe më pas vijoi Faiku: “Kureshtja për të parë se si i kanë zgjidhur popujt e tjerë problemet e tyre”. Pastaj e pyeti mos dëshironte të pinte një gotë sherry. Ruusell i tha se donte të pinte “pijen kombëtare të Amerikës”dhe Faiku nisi t’i përgatiste një kokteji. Poeti e ndali duke buzëqeshur. ”Pija kombëtare e Amerikës është uji me akull”- i tha. “Kokteji i përket një shtrese të kufizuar njerëzish, ndërsa uji me akull përdoret nga të gjitha klasat dhe në çdo skaj të vendit”. Faiku njihte mirë jo vetëm artin e të shijuarit, por edhe atë të të gatuarit, që ishte një pasion i tij. “Konica e përgatit një gjellë ashtu sikurse poeti i madh i jep formë poezisë”, thuhej në njërën nga rubrikat me grimca nga jeta në Uashington që servinin gazetat e kohës. Ato shkruanin se Faiku “shkon në fshat për ta zgjedhur vetë qengjin”. Ai nuk pranonte të mbante ushqime për një kohë të gjatë në akull, pula të therura më tepër se disa orë para se të servireshin, ose ushqime deti që nuk vinin direkt nga uji. Thoshte se gjella e tij e preferuar, të cilën e shijonte me një gotë sherry, ishte mëlçi pule me oriz të egër.

Washington Post-i i asaj kohe na ka lënë edhe recetën e Faikut: “Përgatisim gjashtë mëlçi pule me kripë, piper të zi dhe të kuq. I kavardisim me një lugë gjalpë duke u shtuar majdanoz të grirë imët. Zjejmë gjysmë filxhani oriz të egër për 10 minuta dhe e kullojmë. Përzjejmë orizin e egër me mëlçitë duke shtuar një lugë të vogël sherry. Përzjerjen e mbështjellim me një napë, të cilën dhe e lemë në ujë të valuar për 30 minuta.“.

Ministri Konica ishte nga diplomatët më të njohur dhe më të admirueshmit, ndaj ai tregonte kujdes të veçantë sa herë kishte rast t’i ftonte ata na apartament për një drekë apo një pije. Por qerasja e mikut pa kafenë e tij të famshme, nuk do ta kishte kurrë vlerën e vërtetë. Faiku i piqte vetë kokrrat e kafesë, pastaj i bluante me mulli përpara syve të habitur të mysafirit, sepse sipas tij, dyqanet e ushqimeve nuk dinin ta bënin. Pastaj e ziente dhe e servirte kafenë të freskët nga xhezvja prej bakri. Ministri i kishte rënë kryq e tërthorë kryeqytetit dhe njihte mirë disa nga restorantet e vjetër në periferitë e tij. Kur donte të qeraste ndonjë mik të zgjedhur, dërgonte dikë në restorant për të udhëzuar qysh më parë guzhinierin se si t’i gatuante gjellët shqiptare që ato të ishin gati kur Faiku të arrinte bashkë me mysafirin.

__________________

Kastriot KOTONI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *