Monday

27-10-2025 Vol 19

Agjenti “Ciceroni”

 Iliaz Bazna Ciceroni (Cicëroni) agjenti i mashtruar në Luftën e Dytë Botërore

Nga Kastriot KOTONI

I ftuar të punonte në Amasadën Britanike në Ankara nga ambasadori britanik Sër Hjuxh Nexhbëll Hagësen i cil e simpatizoi për punën e garderiobistit Iliaz Baznën , këtë njeri autodidakt shumë inteligjent nga natyra e me kulturë në disa fusha, i cili fliste çuditërisht disa gjuhë të huaja. Mësoi shumë shpejt zakonet e ambasadorit, lëvizjet e tij, nevojat personale, steriotipin e tij të punëve, dhe preferencat. Ambasadori para largimit nga ambasada merrte me vete një zarf të zi të mbështjellë me një sërë dokumentesh të cilat në mënyrë sistematike dhe skrupuloze i lexonte në shtëpi, në shtrat para se të flinte. Të nesërmen ai i kthente në ambasadë, por kishte raste që nuk e bënte atë ritual dhe documentet i linte gjatë ditës mbi shtrat. 

Më 26 tetor 1943, L. C. Mojznih, një oificer i zbulimit gjerman, i cili vepronte nën petkun e diplomatit në ambasadën gjermane në Ankara, mori një telefonatë të çuditshme që e njoftonte se dikush e priste në një nga zyrat e ambasadës. Ishte Iliaz Bazna i njohur në literaturën botërore të spiunazhit me pseudonimin “Ciceroni”. Fillimisht punoi si shofer, më pas si shërbëtor në disa ambasada të vendeve të ndryshme si në Amerikë, Jugosllavi, Gjermani dhe së fundi në Ankara pranë ambasadorit britanik , Sër Hjuxh Nexhbëll Hagësen. Bazna mbasi u takua me Mojzih në ambient të veçuar dhe të siguruar që askush tjetër nuk dëgjonte, iu drejtua zbuluesit gjerman:

-Kam një ofertë për ju, një propozim konkret për gjermanët…, por kushti im kategorik është që këto t’i dini vetëm ju dhe Shefi juaj i madh, në të kundërt pasojat do të jenë fatale për ne.  

 -A ma jep fjalën besë? 

-Patjetër, u përgjigj prerë Mojzih. 

 Nga ky çast filloi aventura më e madhe e këtij spiuni të çuditshëm që u dha gjermanëve sekretet më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore për forcat aleate dhe planet e tyre. Qysh në takimin e parë, ai u kërkoi gjermanëve për sekretet tepër të rëndësishme që do t’u jepte shifrën prej 2O OOO stërlinash. Në rast mossinqeriteti (mashtrimi) të palës gjermane, Bazna bëri presion që në rast të kundërt mund t’ua kalonte informacionet sovjetikëve. Ambasadori Von Papen, nuk mund të besonte këtë tregim të vartësit të tij,  i cili ofronte nga një individ anonim, pa rëndësi dhe asnjë lloj pushteti, sekrete të tilla, kaq të mëdha. Ishte Ministri i Jashtëm gjerman Ribentrop ai që vendosi i pari dhe pranoi kushtin, dhënien e shumës së kërkuar në këmbim të dokumenteve sekrete, të fotografuara, por mbasi ato të ishin verifikuar për autenticitetin e tyre. Më datë 30 tetor të vitit 1943, kur ishte afati i fundit, një korier diplomatik special mbërriti nga Berlini me shumën e kërkuar. U gjykuan, analizuan dhe rianalizuan nga ekspertët të gjitha informacionet dhe dokumentet tepër sekrete që ofronte Bazna. Mbetej si variant i fundit që dokumentet t’i kishte ofruar vetë Inteligjent Servisi me qëllim dizinformimi. Por ekspertët e spiunazhit që i kqyrën dhe analizuan gjatë, konkluduan se rasti ishte real dhe unikal që duhej shfrytëzuar në mënyrë urgjente. Në këtë mënyrë filloi të marrë udhë një nga operacionet më të sukseshme të spiunazhit që realizuan gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përmes “Ciceronit” zbuluesi Mojzih i përcolli Gjermanisë thesare të vërteta me sekrete nga më të rëndësishmet. Ndër të tjera ata shtinë në dorë raportet, bisedat dhe planet e plota të Konferencës së Kasablankës, të realizuara mes Presidentit Rusvelt dhe Kryeministrit britanik, Çurçill. 

Në materialet e tjera “Ciceroni” u dorëzoi gjermanëve dokumentet të Konferencën së Kajros ku u takuan Rusvelti, Çurçilli dhe Çan Kai Shia; dokumentat dhe tërë bisedat e zhvilluara në Konferencën e Tehranit, mes tre të mëdhenjve Rusveltit, Çurçillit dhe Stalinit. Nga detajet e këtij takimi të nivelit të lartë, gjermanët gjithashtu mësuan planin për invazionin e Europës nga Aleatët më 1944. Po, publikimi nga ana e Ribentropit dhe propogandës gjermane të disa copëzave nga këto informacione, krijuan pikëpyetjen dhe dyshimin e madh se informacionet më të rëndësishme angleze dhe amerikane nga diku rridhnin. Duke ndjekur gjurmët që linin deklratat e Ribentropit, Shërbimi Sekret Britanik, konkludoi se ato dilnin nga ambasada angleze në Ankara. Në këto rrethana, në pranverën e vitit 1944, specialistët e spiunazhit anglez jo vetëm e ngushtuan rrethin e njerëzve, por gati e identifikuan “Ciceronin”. Por, Bazna ndërkohë i shpërblyer si askush nga agjentët e këtij shekulli, pasi kishte marrë 300 000 stërlina (një shumë e jashtëzakonshme për atë kohë), ishte larguar për në Lisbonë dhe mbas pak kohe në Amerikën Latine. Mbasi depozitoi sasinë e madhe të të hollave në disa banka vendase “Ciceroni” ndërtoi një vilë madhështore në brigjet e Atllantikut, duke u prehur në një jetë të begatë përrallore. Por, për çudi, nuk kaloi gjatë bankat kërkuan klientin e tyre për t’i treguar se diçka nuk shkonte në rregull me shumat e depozituara prej tij. Ekspertët bankarë kishin saktësuar se të hollat e depozituara prej tij ishin kartmonedha të fallcifikuara. Gjermanët, të cilëve ai u kish kaluar sekretet më të rëndësishme sa askush tjetër, e kishin mashtruar atë. Jeta e tij përrallore, ende pa shijuar frutet e ditëve të begata, ishte venitur. Shpërtheu në të qeshura të çuditshme, që mbanin Brenda, ironi dhimbje dhe llahtari. U arrestua për këtë krim bankar dhe shkelje të rregullave në përdorim të kartmonedhës së fallsifikuar. Por, shpejt me ndihmën e disa miqve u lirua dhe u kthye në Europë. Vitet e fundit i kaloi në mjerim të plotë deri sa vdiq në Kajro më 1971, në moshën 67- vjeçare.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *