
Nga Kastriot KOTONI
Spiunazhi nuk u shpik dhe as u gjet në një kohë të caktuar, siç zbuloi mendja njerëzore në shekullin XVIII – “ligjin e gravitacionit”, apo në mesin e shekullit XX, “teorinë e relativitetit etj. Duket që ky art, shërbim dhe profesion njëkohësisht, lindi së bashku me njeriun, fillimisht si instikt, si nevojë, kërkesë e qenësishme e jetesës dhe mbijetesës, pastaj si domosdoshmëri e ekzistencës në formë të organizuar të tij në shoqëri, pra si domosdoshmëri e ekzisstencës së vetë shtetit, shkruan në hapjen e librit “Spiunazhi” Irakli Koçollari. Akush nuk mund të përcaktojë shekullin, aq më pak dekadat apo vitet e para, të fillimit të veprimeve informative, apo siç thërriten rëndom në ditët tona, aktivitetin e spiunazhit. Sa më tepër të kërkosh nëpër histori aq më shumë gjen ngjarje, bëma dhe episode që lidhen me pusi, kurthe, grumbullim informacioni, vëzhgime sekrete, komplote, infiltrime spiunësh, dështime të papritura, tradhti etj. Mjeshtëria, imagjinata, përkushtimi dhe heroizmi i derdhur në to tërheq, josh dhe mahnit po me atë forcë njeriun, sa edhe mrekullitë e krijuara nga dora dhe mendja e artistëve shpikësve të mëdhenj të njerëzimit si Da Vinçi, Rafaelo, Donatelo, Van Gogu, Verdi, Ajnshtajni etj. Veprat dhe aktet e mëdha të spiunazhit janë thurrur me aq mjeshtëri dhe finesë, qysh prej kohëve parahistorike, sa edhe sot këto skena, episode, aksione dhe histori lakmohen, adhurohen, nxisin kërshërinë, befasojnë, trondintin dhe mahnitin ende krijuesit, njerëzit e letrave, artin në përgjithësi dhe botën e njeriut të thjeshtë nga shekujt e harruar gjer në orët e kohëve moderne. Momi, një personazh mitik, personifikim i njeriut të keq që merret me thashetheme, tall dhe përqesh të tjerët, tërbohet, shan dhe fyen perënditë, “që kur ndërtuan trupin e kësaj krijese nuk i lanë një vrimë në gjoks. Nga këtu do të kisha mundësinë të shikoja dhe mësoja të gjitha sekretet që njeriu ruan dhe fsheh brenda vetes…”.
Zotësia e njeriut për të ruajtur të fshehtat dhe sekretin, është konceptuar si një virtyt dhe armë e domosdoshme në luftë kundër së keqes. Momi kërkoi prej perëndive patjetër të realizohej pretendimi i tij. Pikërisht tek kjo cilësi, – sekreti, – Momi, i keqi shikonte dështimin e ambicjeve të tij kundër njeriut. Ndaj quhej virtyt ruajtja e sekretit ose aftësia e njeriut për të ruajtur sekretin ishte arma e tij. Në të kundërt njeriu i zhveshur prej saj, nga mundësia për të ruajtur brenda vehtes të fshehtat, pra, njeriu i cili nuk zotëron sekretin, është plotësisht i mundshëm të ndëshkohet nga e keqja.
Spiunazhi, në vlerësimin e studiuesve, analistëve dhe historianëve modernë, konsiderohet si një nga profesionet njerëzore më të vjetër në botë. Ndoshta dëshmia më e hershme, e shkruar, na vjen nga Egjipti i lashtë gati 5OOO vjet më parë. Në betejën e ashpër për marrjen e qytetit Xhafa, mbreti Thutmonisis III shpiku një kurth të cilin e aplikoi konkretisht në praktikë. Ai futi brenda thasëve të miellit, që shkonin për të furnizuar qytetin njerëzit e tij. Fshehja dhe maskimi ishte aq i përpiktë sa hamenjtë, dhe depoxhinjtë, jo vetëm nuk dyshuan, por i stivosën ata sërë si ushqim për popullin. Po ky mbret, Thutmosis III, shfaqet si reformator i parë në historinë e shtetit, me një qeveri, në strukturat e së cilës kishte aparat spiunazhi. Këtë shpikje, ky njeri i çuditshëm, më pas e daltoi mes heroglifeve duke fiksuar dhe na përcjell nëpër shekuj triumfin e mbretërisë së tij. Heroizmat dhe arritjet e këtyre strukturave speciale ai i gdhend nën tituj “Skema sekrete”. Megjithatë po ai vetë shpreh rezervën se, “spiunimi ka diçka jo të këndshme edhe kur bëhet ndaj armiqve tanë…”. Më 1161 përpara krishtit (Libri i Judës), sqaron se Samsoni, një hebre me fuqi mbinjerëzore, i lindur nga një grua izraelite shterpë, erdhi në jetë si një misionar i Jehovait për të flakur tej zgjedhën Filistine. Ai, në rininë e tij kreu bëma të mëdha duke mbytur vetëm me fuqinë e duarve të tij një luan. Kurse në ceremoninë e martesës së tij me një grua filistine, për shkak të mossinqeritetit, vrau 300 dasmorë dhe mandej braktisi bashkëshorten. Më vonë u nis drejt tokave të Judahut, por 3000 filistinë i kishin zënë pritë dhe mundën ta zënë të gjallë, pas shumë humbjesh. Ky përbindësh me forcë mbinjerëzore, kur përqeshej dhe tallej përpara filistinëve nga një lolo, shkurtabiq, i revoltuar këputi prangat, dhe me një kockë-nofull gomari-vrau 100 filistinë dhe u arratis. Pas kësaj masakre, me një tërbim të papërmbajtur ky përbindësh nuk rreshti të derdhë gjak dhe sillte fatkeqsësi të tjera ndër radhët e filistinëve. Për të mposhtur (Samsonin), gjer atëhere nuk mjaftuan as legjionet e zgjedhura të ushtrisë dhe as kurthet. Akush nuk dinte cili ishte burimi i fuqisë së tij. Nën këtë tmerr dhe llahtar të paparë, filistinët vendosën të përdorin një mjet tjetër, “armën e butë”, një femër spiune. Delilah ishte vajza më e bukur që u përzgjodh dhe iu servir SAMSONIT. Ajo ishte motra e bashkëshortes së tij të parë. Ajo ndërtoi një kamping në afërsi të trojeve të Samsonit. I mikluar, i tërhequr, i probokuar dhe i ngacmuar prej saj, ky mbinjeri filloi të frekuentonte “kampingun” e Delilasë. Nën këtë intimitet të thellë dhe besim të kultivuar përmes relacioneve që Delilah krijoi me Samsonin, ajo mundi të mësojë nga rrëfimi i tij se forca e mbinatyrshme dhe e përbindshme i buronte nga flokët e tij të gjatë. Pasi mundi të shtjerë në dorë këtë të fshehtë, në një rast të volitshëm, Delilah, e qethi Samsonin duke e lënë të çarmatosur plotësisht nga arma e tij, forca, mjeti i superioritetit dhe pushtetit absolut. Mbas kësaj Delilah thirri filistinët, të cilët erdhën dhe e lidhën lehtësisht Samsonin dhe e burgosën atë. Për spiunazhin e saj të mrekullueshëm seksual Delilah mori si shpërblim 11000 florinj dhe u nderua në mënyrë të veçantë nga filistinët. Duke zbritur nëpër histori gjejmë të tjera fakte, shkruan në librin e tij “Spiunazh”, Profesor Irakli Koçollari.
Ç’është në fund të fundit Kali i Trojës? Ky kalë që rend nëpër histori dhe nëpër tërë mëndjet njërëzore duke i tronditur ato dhe lënë gjurmë që vështirë se i shuajnë shumë gjetje moderne të epokës së atomit? Ky kalë ishte një kurth, kombinacion. Ishte një plan i përgatitur me kujdes nga specialistët e spiunazhit. Kishin kaluar vite dhe dekada të tëra lufte mes trojanëve dhe akejve. Dhe ç’ishte “Kali”? “Kali” nuk ishte kalë. Jo! “Kali” ishte një simbol letrar. “Kali” ishte sajesë, triil i shpikur nga shtabe spiunësh. “Kali” ishte një koperturë që mbulonte komplotin e fshehtë të spiunëve. “Kali” ishte një dizinformacion i studiuar me kujdes. “Kali” ishte emërtimi i skenarit, një operacioni të madh spiunazhi. Në fund të fundit “kali ishte një “grup spiunësh”i futur mes trojanëve, i lidhur me disa prej tyre. Një ditë ai u shfaq si “kalë” që natën mes radhëve të tyre të derdhej me forcëne armëve. I goditi pas shpine, hapi portat e rënda të mbrojtësve, qëndresës trojane dhe solli atë tragjedi që mes skenave të llahtarshme çapitet drejt nesh duke ngazëllyer dhe emocionuar banorët e këtij rruzulli. Pra “Kali” e thënë ndryshe, ishte një komplot i madh i përgatitur me shumë kujdes, nën një sekret dhe fshehtësi të plotë. Për t’u bërë sa më i besueshëm për trojanët, se kali ishte një dhuratë me dëshirën e “perëndive”, por jo një komplot, grekët patën menduar edhe për elementët plotësues që shoqëronin maskimin e komplotit. Dhe ja! Mbasi patën ndërtuar për ditë me radhë kalin, një mëngjes panë përtej mureve se grekët kishin marrë me vete kuajt, qerret, çadrat, tërë makinën e tyre të luftës dhe ishin larguar. E vetmja gjë që kishin lënë aty në fushë, të heshtur, ishte kali i madh prej druri. Dolën nga portat e qytetit dhe të grumbulluar përpara këtij simboli mendonin se përse grekët ndërtuan ngrehinën pastaj e braktisën atë. Sinoni i përlotur vajtonte fatin e tij të keq. Ai shante pa fund grekët që e kishin lënë në duart e trojanëve dhe i tregonte arsyen mbretit Priam se ai ishte kundër vazhdimit të luftës me trojanët. Grekët pasi ishin këshilluar me Orrakullin e Delfit i cili u rekomandoi që të qetësonin perëndinë duhej të jepnin dhurata. Në mbështetje të kësaj grekët ndërtuan Kalin e Madh dhe sakrifikuan Sinonin si sakrificë njerëzore-kurban perëndive. Në këtë mënyrë, me këtë detaj dytësor plotësues Priami e fali Sinonin dhe urdhëroi që ta lironin dhe trojanët u bindën se Kali ishte një dhuratë e grëkërve sipas porosive të vetë perëndive. E parë me kujdes kjo ngjarje, duket qartë se ajo është një grackë e dytë në mbështetje të kurthit të madh; ndërsa Sinoni spiun i vogël që realizoi me mjeshtëri një rol të madh. Ai kreu një detyrë anësore, por ndikoi racionalisht në realizimin e një synimi kryesor. Sinoni ishte nxënës i shkëlqyer dhe vartës i një spiuni të madh, i mjeshtrit të spiunazhit grek-Ulisit. Po, vetë Odiseja (Ulisi) ç’ishte. Një misionar. Një specialist spiunazhi, që dinte të zgjidhte mrekullisht detyra të caktuara, jo vetëm me forcën e armëve, jo vetëm me repartet e kalorsisë, jo vetëm ballë përballë në frontet e luftës, etj, por edhe me një mjet tjetër të veçantë mjeshtrinë e ngritjes së kurtheve, të penetrimit brenda radhëve të kundërshtarit, të grumbullimit të informative me vlerë, të kompromentimit të (rekrutimit) të nerëzve në radhët e kundërshtarit, mashtrimit, dredhisë dhe komplotimit. Pra, ai e njihte mirë artin e spiunazhit. Po pastaj ç’bëri Ulisi? Mori rrugën e kthimit për në atdheun e tij të largët, Itakë. Dhe ç’ishte udhëtimi i tij? Një operacion, ekspeditë spiunësh të stërvitur mirë, për të njohur vende të panjohur, popuj të panjohur, tregjet e reja ekonomike të panjohura, burime të reja lëndësh të para, për ekspansion dhe për të ngritur kolonitë e njohura helenike, të cilat u shtrinë në tërë brigjet e Mesdheut, Europë e Afrikë, Azi dhe më gjerë. Ç’bëjnë sot më shumë agjentët tregtarë, apo seksionet ekonomikë të qendrave të specializuara të spiunazhit? Marrin sot informacion për tregjet, mallrat, çmimet e tyre, prodhimin, superprodhimin, inflacionin, burimet e lëndëve të para, pasuritë nëntokësore dhe mbitokësore, rezervat e tyre, limanet, aftësitë portuale, aftësitë përpunuese të porteve, kapacitetet dhe të gjitha këto ia përcjellin strukturave të specializuara të informacionit për të ndërtuar planet strategjike, ekonomike dhe politikat shtetërore. Informacioni, si thelbi kushti i parë për çdo loëvizje, aksion lëvizje veprim, operacion apo fushatë ushtarake, jo vetëm është synuar dhe kërkuar me këmbëngulje, por edhe është punuar që të mbrohet dhe ruhet sekreti i tij nga kapja e mundshme prej kundërshtarëve. Përpjekjet e para për kamuflimin dhe ruajtjen e informacionit i gjejmë në Romën e Lashtë, në shekullin e parë para Krishtit nën perandorin Jul Çesar. Ky krijoi një lloj alfabeti, që asokohe u thirr “Alfabeti i Çesarit” i cili nëpërmjet një teksti të mesazheve ngatërrohej kushdo që do t’i binte në dorë. Ky novacion, i parë me kujdes, nuk është gjë tjetër veçse forma e parë racionale e kodimit dhe e dekodimit, (pra e shifrës). Pra, e thënë me pak fjalë, nevoja për informacion është nevoja për ekzistencën e vetë shtetit. Kinezët e vjetër për të përcjellë mesazhet sekrete nga një vend në tjetrin i shkruanin ato me tatuazh në kokën e rruar të një spiuni. E mbanin pastaj” njeriun mesazh” gjersa t’i rriteshin flokët dhe e nisnin mandej drejt bazës që prisnin spiunin, për të përcjellë mesazhin tek agjenti i tyre brenda kampit të kundërshtarit. Në popujt e tjerë aziatikë janë gjetur mesazhe të shkruara, brenda pareteve të brendshme të enëve të cilat transportoheshin, për t’u “tregtuar” në vendet armike. Pra mallrat bartnin brenda tyre dy vlera, atë të mallit dhe atë më të rëndësishme akoma të informacionit sekret. Filozofi i lashtë kines Konfuci në shekullin VI par Krishtit duke folur për rëndësinë e spiunazhit thekson: “Për të përballuar një invazion patjetër duhet të përdoret mashtrimi, spiunazhi i cili dhe i vetëm mund të mjaftojë për të zbrapsur kundërshtarin”. Gjenerali i famshëm Sun Zhu, në librin e tij të njohur me titull “Ping Fa” (Arti i luftës), të shkruar më shumë se 2000 vjet më parë, e konsideronte spiunazhin si armën kryesore të luftës. Pa informacionin e siguruar nga spiunët – shprehet ai,- fatet e luftës i pret disfata. Nëse ju njihni kundërshtarin dhe veten tuaj, mos kini frikë nga njëqind beteja. Nëse ju njihni veten tuaj, por jo kundërshtarin, pas çdo fitoreje të pret disfata. Nëse ju nuk njihni as vehten tuaj as kundërshtarin, ju jeni thjesht një budalla dhe pas çdo beteje ju pret disfata”. Sun Zhu përcakton edhe tiparet e cilësitë që duhet të gëzojnë këta njerëz për kryerjen me sukses të detyrës: “Si informatorë aktivë na lipset të rekrutojmë njerëz të zgjuar, të mençur, por që në pamje të duken si budallenj. Ata duhet të jenë me zemër të fortë, të shkathët, të fuqishëm, të durueshëm, me përvojë të mirë për çështjet dhe problemet e jetesës së përditshme, të jenë në gjendje të përballojnë të ftohtin, urinë, poshtërimet, pisllëkun etj.” Është ineresante fakti se si janë ndërtuar “Pallatet e lashta të kultit të rëfimive” buzë lumit Akeron, shkruan ndër të tjera Irakli Koçollari në librin “Spiunazhi”. Në këto “Pallate” ku të gjallët shkonin të takonin e bisedonin me të vdekurit. Kati i sipërm i këtyre godinave kishte dhoma të ngushta plotësisht të errëta, ku hynin fillimisht ata njerëz që donin të komunikonin me të afërm apo miq që kishin kohë që kishin vdekur më parë. I gjalli donte t’u rrëfente atyre çfarë s’i kish thënë sa ish në jetë, desh të nxirrte mallin, apo të këshillohej me të për halle e të fshehta që mund t’ua tregonte vetëm atyre dhe të merrte amanetet nga ata. Pasi besimtari (rrëfimtari) futej në këto ambiente hermetikisht të mbyllura në errësirë, pyetej dhe paralajmërohej nga priftërinjtë që shërbenin aty, duke krijuar efektin e parë çoroditës. Ndërkohë i afroheshin doza të pranueshme pije eksituese që thellonin më tej efektin tronditës dhe mandej kalonte nëpër disa korridore të ngushtë e të errët që nuk mund të orientoheshe se ku të çonin dhe nga të drejtonin. Rrëfyesi, i çorientuar i trembur dhe i hutuar, mendonte mes kësaj dalldie zhurmash dhe dehjeje se dëgjonte zërin e të vdekurit, për të cilin kish ardhur. Kështu ai fillonte bashkëbisedimin me të fare hapur, pa i mbajtur atij asnjë rezervë. Anuk thonë të gjitha këto për një lloj hetimi që bëhej me mjete të sofistikuara, në zyrat e “specializuara”, nga njerëz të përgatitur për të zbërthyer enigmat dhe për të grumbulluar informacion? Anuk ngjajnë dhomat e orakullit “Pallati i Akeronit”, në Epirin e Lashtë, me zyrat e hetimit dhe të “testit” të të dyshuarve që aplikojnë sot Shërbimet Sekrete modern? Autorët antikë na bëjnë të njohur se në Maqedoninë e lashtë rrethet e specializuara të mbretit Filip II (Babai i Aleksandrit të Madh) kishin marrë informacion se athinasit kishin dërguar agjentë për t’i bërë atentat Filipit gjatë një parade ceremoniale. Pauzania arriti të futej gjer pranë tendës mbretërore, ta nqëllojë dhe ta vrasë Filipin, megjithë masat e rrepta për ruajtjen fizike të mbretit maqedon. Shumë çështje të artit të luftës së Filipit II, i ngriti në një shkallë më të lartë i biri i tij Aleksandri i Madh. Historianët për të na sjellin një fakt interesant që lidhet me mjeshtërinë e artit të spiunazhit, të cilin e aplikoi ky strategu. Në fushatat e Azisë së Vogël, të cilat Aleksandri i Madh i kaloi me një vrull të mahnitshëm operacionesh të sukseshme ushtarake, iu desh të përballte një betejë tepër të ashpër që i kushtoi kohë dhe gjak. Ai urdhëroi një dekret në të cilin t’u komunikohej ushtarëve tepër të lodhur nga vuajtjet, mundimet e vështirësitë që të mos kishin korrespondencë me familjet e tyre në atdhe. “Kjo argumentoi ai, për nevoja sigurie”. Në këtë mënyrë ai evidentoi, të deziluzionuarit, të rënit e moralisht, të pakënaqurit, por edhe ndonjë kundërshtar. Me këtë rast ai shmangu ata nga fronti i betejës. Por jo vetëm kaq, por edhe pasi mori këtë fortesë, sipas zakonit ai nuk la asnjë prej tyre si njerëz të besuar për administrimin e territoreve që linte pas. Në këtë kuptim Aleksandri shfaqet si shpikësi i parë i censurës postare, formë që përdoret edhe sot e kësaj dite për grumbullim informacioni nga spiunazhi kudo në botë.
Mesjeta mbetet koha ku u përpunuan më tej metodat e punëve sekrete të spiunazhit për të plotësuar nevojat në rritje për informacione permanente dhe të thella në fusha të ndryshme. Këtu fillojnë përpjekjet e para për ngritjen e institucioneve dhe strukturave të para, të qëndrueshme të shërbimeve sekrete. Bizanti, Perandoria Osmane, arabët, popujt e Lindjes së Largët, shtetet dhe Mbretëritë e Europës mesjetare kanë lënë gjurmët e tyre të dukshme në këtë lëmë. Venedikasit me fuqinë dhe ëndrrat për të qënë zotër të deteve, mbidhnin, përpunonin dhe raportonin pranë Pallatit të Dozhëve informacione të të gjitha fushave. Raportet e diplomatëve venecianë edhe sot të habisin me strukturën e tyre, thellësinë dhe shtrirjen analitike të informacionit të të gjitha fushave. Këtë gjë bënin edhe aragonezët, gjenovezët, portugezët, turqit etj. Raportet e tyre, të dërguara metropoleve, përshkruajnë dhe flasin për potencialet ushtarake të kundërshtarëve, të bazave të ndryshme detare apo tokësore, flasin për numrin e armatimit të rëndë, të lehtë, efektin e kështjellave dhe garnizoneve brenda tyre. Në to gjenden qarkore të cilat urdhërojnë efektivat për të kërkuar dhe kapur element të rrezikshëm, piratë të njohur, komitë dhe grabitës. Përshkruhen tiparet e tyre, lidhjet familjare, karakteri ku mund të jenë bazat e fshehta, të strehimit të tyre etj. Për t’u admiruar janë edhe relacionet (Acta) e misionarëve katolikë apo ortodoksë për gjendjen relixhioze në terrenne e zona ku ata operonin, lëviznin apo dërgoheshin me mision. Në një relacion të shekullit XI, një nënpunës arab shënon këto të dhëna interesante: Mbretërit dërgojnë ambasadorë jo vetëm për qëllime diplomatike, por edhe përspiunazh. Ata përpiqen të mësojnë fshehurazi rreth gjendjes së rrugëve, vendkalimeve malore, lumenjve, kullotat, cili është numri i ushtrisë mbretërore dhe kush është gjendja e saj luftarake dhe armatimi. Gjithashtu tepër interesante është edhe tradita japoneze, siç bëjnë të ditur burimet historike të këtij vendi, strategët ushtarakë dhe burrat e shtetit përpara betejave qëndronin dhe dëgjonin më shumë spiunët e dërguar fshehur në territoret e kundërshtarit se sa këshillat e kulteve. “Vetë Perandoria Japoneze, – shkruan një historian perëndimor, ishte një rrjet spiunazhi, parimi bazëi i këtij sistemi qeverisës ishte dyshimi.” Në Japoninë mesjetare, të qenit spiun ishte profesion. Një spiun mund të përzgjidhej vetëm nga shtresa e fisnikëve Samuraj. Ai thirrej “Ninxha”. Pra një samuraj mund të bëhej ninxha vetëm nëse e perfeksiononte tek vetvetja artin e të bëri i padukshëm përmes artificave dhe meritave në operacionet e guximshme të spiunazhit. Por Europa mesjetare polli edhe për këtë fushë një sërë personalitetesh, të cilët bënë përmbysje të vërteta në mënyrën e strukturimit, fuksionimit dhe koncepteve modern të shërbimeve sekrete. Pikërisht këta njerëz që ndoshta nuk menduan asnjëherë për lavdinë dhe kurorat e dafinës, luftuan dhe sakrifikuan jo rrallë gjer në vetmohim, duke mbetur kështu pionierë misionarë dhe shpërblimet e tyre t’i marrin pakësaj vetëm simbolet e tyre të heshtur, gurët e varreve.