Monday

27-10-2025 Vol 19

Max Lambertz-i në Shkodër

Maximilian Lambertz lindi më 27 korrik 1882 në Lajpcig dhe më 26 gusht të vitit 1963 u varros në Döbling në Vjenë. Ishte një gjuhëtar, folklorist austriak dhe një personalitet i madh i albanologjisë. Lambertz kreu studimet në universitetin e Vjenës, në një nga qendrat e studimeve Juglindore. Ai u bë shpejt dishepull i shkollës së Krestschmeri-it, nga e cila dijetari i ri mori entuziasmin për t’u thelluar në gjuhët klasike në përgjithësi dhe historinë e popujve e gjuhëve të vjetra e të reja të Gadishullit Ballkanik, pa lënë jashtë dashurinë për botën e përrallave, si krijimet më të hershme të njeriut. Botimi i tij i parë në fushën e albanologjisë (së bashku me Gjergj Pekmezin) ishte një libër mësimor-leximi i shqipes antologji e shqipes (botuar në Vjenë, 1913), Lehr und Lesebuch des Albanischen (Manual dhe lexues i shqipes). Në vitet 1913 dhe 1914, ai udhëtoi në Italinë e Jugut, për të studiuar dialektet shqipe që fliteshin atje. Në veçanti, ai iu përkushtua të folmeve më pak të njohura veriore të arbëreshëve.Nga maji deri në korrik 1916, Max Lambertz vizitoi për herë të parë Shqipërinë Veriore dhe Qendrore për t’u marrë shkencërisht me gjuhën dhe folklorin shqiptar. Në këtë udhëtim ai vizitoi Grudën, Shkodrën, Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin, luginën e Kirit, Shoshin, Shalën, luginat e Drinit dhe të Valbonës dhe veçanërisht Mirditën ku iu përkushtua dialektit vendas dhe materialit folklorik të mbledhur. Materiali folklorik i mbledhur u botua në Sarajevë, 1917, ku nën drejtimin e professor. Karl Patschi-t ishte ngritur një institute` studimesh, “Për njohjen e Gadishullit Ballkanik” si Volkspoesie der Albaner: eine einführende Studie (Poezia popullore e shqiptarëve: një studim hyrës). Ai erdhi sërish në Shqipëri me trupat austro-hungareze, të cilat e kishin pushtuar Shqipërinë veriore dhe atë të mesme gjatë Luftës së parë Botërore. Ai përfshihet në zhvillimn e arsimit shqiptar dhe ishte i huaji i parë, anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës, që u emërua nga qeveria perandorake, për të vendosur një gjuhë standarte me norma për arsimin. Në Shkodër së bashku me Gjergj Fishtën ai ishte redaktor i gazetës “Posta e Shqypniës” (për pjesën gjermanishte të shkrimeve), në të cilën publikoi shumë artikuj shkencorë dhe divulgativ. Pas luftës, Lambertz u kthye në Austri, ku dha mësim deri në vitin 1934. Ai gjithashtu shkroi libra dhe artikuj për aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare, veçanërisht për folklorin. Më 1943 shkoi në Lajpcig, ku dha mësim frëngjisht dhe italisht në Shkollën e Gjuhëve të Huaja në Lajpcig në rolin e drejtorit të kësaj shkolle. Si profesor i gjuhësisë krahasuese në Universitetin e Lajpcig-ut, Lambertz jetonte me gruan e tij Josepha në një vilë në Markkleeberg aty pranë. Në vitin 1957deri kur doli në pension ai ishte gjithashtu edhe drejtor i Institutit Indogjerman. Lamberz-i e vizitoi Shqipërinë dy, në korrik të vitit 1954 dhe herën e dytë në vitin 1957. Vlerësimi i profesor Çabej për këtë figur të albanologjisë ka qenë i lartë duke thënë: “Përsa i përket gjuhësisë shqiptare, gjurmimet e tij përfshijnë më pak etimologjinë e gramatikën historike sesa më fort sintaksën, leksikografinë e sidomos dialektologjinë, ai ka qenë i fokusuar rreth folklorit shqiptar, kryesisht përrallave dhe eposit popullor shqiptar, mitologjisë, epikës, baladave, gojëdhënave, këngëve të trimërisë, të dashurisë, të dasmave, ligjeve dhe vajeve të cilat janë publikuar më parë tek “Posta e Shqypniës”. Lambertz-i bëri të njohur shqipen dhe etnogjenezën e popullit shqiptar në fillim të shekullit XX.

”Në Gazetën “Posta e Shqypniës”(1916-1918) e cila doli në qytetin e Shkodrës me lejën dhe urdhërin e Komandës së Lartë ushtarake të Austro-Hungarisë, pasi u themelua Komisia Letrare e Shkodrës. Numri i parë i saj mban datën 5 dhjetor 1916, kurse i fundit më 23 nëntor 1918, gjithsej 193 numra. Ky organ botohej nga Shtypshkroja Franciskane e fretërve minorë (0MF), 6 deri në 8 faqe dhe si përgjës apo si Drejtuer i gjeshëm nënshkruhej P.Gjergj Fishta. Pëmbajtja e kësaj gazete ishte jo vetëm me lajme të hollësishme nga fronti i Luftës së I Botërore, ku Austro-Hungaria së bashku me Gjermaninë ishin protogonistët kryesor kundër bllokut të Antantës, por “Posta e Shqypniës” jepte një pasqyr të plotë të gjendjes politike shoqërore e kuturore të vendit tonë. Aty shtroheshin probleme nga më të ndryshmet: varfëria, uria, moti, gjendja e lumenjve, ngjarjet me rëndësi kulturore dhe shkencore. Intelektualët si Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi, Justin Rota At Vincens Preënushi dhe At Dedë Bërdica të bëjnë përshtypje me shkrimet e tyre analitike dhe debatet intelektuale. Lambertz-i, nisi bashkëpunimin aktiv me këtë gazetë një muaj pas daljes së saj, në rubrikën “Shkencë, art dhe letërsi). Shkrimi i parë studimor i Max Lambertz-it në këtë gazetë të Shkodrës është me titullin “Ëie entstehen Schriftsprachen” (Si lindën gjuhët e shkruara). Në këtë studim autori e hedh vështrimin në gjuhët të tjera me letërsi të vjetër dhe shprehet se rreth viteve 1000-500 para krishtit nuk kishte ende gjuhë greke homogjene, por një sërë gjuhësh shkrimi që u përdor ishte në gjini të ndryshme. Ai nënvizon se grekët e lashtë nuk shfaqen si një popull homogjen në histori, por si shumë fise të ndryshme. Athina pati lulëzimin e saj në periudhën mes luftës perse dhe asaj peloponeze dhe bash në këtë kohë dialekti i Athinës u bë gjuha zyrtare e kohës. Përpjekja e parë për gjuhë të njësuar greke u bë në vitin 1821, kur Greqia fitoi pavarsinë nga perandoria osmane. Dialektet e gjuhës greke ndahen në dy grupe: në atë verior dhe atë jugor, të cilët nuk janë në pajtim me njëra-tjetrën: i pari lidhet me gjuhën e kishtare, kurse tjetri me gjuhën e popullit. Autori është marrë edhe me gjuhën Latine, për të cilën nënvizon: Në vitet 300 para Krishtit gjendja e kësaj gjuhe ishte në rrafshin e të folurës së fshatarëve dhe ushtarëve. Së pari pjesët e tragjedive greke u përkthyen dhe u vunë në skenë në latinisht. Gjeneralët dhe prijësit e betejave u flisnin ushtarëve latinisht. Njihen edhe sot format e stilizuara të gjuhës së shkruar të Çezarit e Ciceronit.Ndër të tjera autori pohon se shqipja është një degë e familjes së gjuhëve (indoevropiane). Ajo s’është e lidhur në origjinën e saj me gjuhët ugrofone, me turqishten, e ardhur nga Kaukazi, si mendohej më parë e deri në atë kohë. Përkatësia në të njëjtën familje mund të vërtetohet përmes eptimit të fjalës dhe të foljes; për shembull në shqip dy, tri, katër; në latinisht duo, tre-s, quattuor; në greqisht duo, teris, tesera. Të bën përshtypje njohja nga një i huaj, e fjalës së rrallë shqipe të përdorur në Shkodër, gastare, e cila nuk mban asnjë nga 6 variantet semantike të leksemës në gjermanisht Glas(das) 1.xham, qelq, 2.gotë, kupë, 3.kavanoz, 4.syze, 5.xhama syzesh, 6.dylbi. Po ashtu Makx Lambertz-i kreu vëzhgime dhe i dha rëndësi fjalës dashuri, sepse akuzoheshin shqiptarët shumë të ashpër nga shkrimtar të huaj dhe ai filloi të mbledhë kuptimet e kësaj fjale për dashurinë e një mashkulli për një femër. ”dashtni” ose dashuni dhe “dashuri”, kuptimi i fjalës me të dashtë nënkupton po të njëjtën gjë si shprehja vjeneze “einen Gusto auf eëas haben,” ka lidhje të afërt me fjalën latine “gustus”=shije dhe gjermane “erkiesen,”= zgjedh. Ky studiues vazhdon të informojë me shkrimet e tij se në zonën e Shalës dhe të Shoshit, Grudës apo Traboinit, në çdo shtëpi gjejmë të varur në mur lahutën (ose karadyzenin, Karaduzen), këngët janë tepër të gjata dhe mund të shtrihen deri në një orë apo më shumë. Këngët shkruan Lambertz-i, lidhen me ngjarjet e reja luftarake, sidomos në luftërat e përpjekje kundër turqve, malaziasve dhe serbëve. Në vitin 1917 nis një studim të gjatë për Beratin dhe e boton nga data 1gusht, 4 gusht deri më 11 gusht me titullin “Aus Berts Sage und Geschichte” (Këngë dhe rrëfime nga Berati). Në tetor deri në mbyllje të gazetës Lambertz-i shkruan për temën e Ilirëve dhe pyetjet që bëhen rreth tyre. Makx Lambertz kishte hyrë thellë në historinë e formimit të kombit tonë, siç njihte edhe kundërshtimet e denigrimet që përpiqej të bënte historografia e disa shteteve përreth Shqipërisë. “Në ditët e sotme çdokush që shkollat greke të asaj kohe nuk mësohej vetëm mbi fenë, ashtu siç pretendohej. Në fakt, ata shërbyen edhe si vegla për politikën propoganduese të Athinës. Më shumë sesa me përhapë dije të rëndësishme e me vlerë për jetën, mësuesi shikonte si detyrë kryesore përhapjen e gjuhës greke dhe dëshirën për të aneksuar sipas pikpamjeve të kërkuara. Ata dhe klerikët grekë i mësonin popullit shqiptar se gjuha shqipe nuk ishtegjuhë korrekte dhe se shqiptarët e kishin prejardhjen nga grekët. Një marrëzi e tillë u trumbetua për një kohë të gjatë dhe shpesh keqinformimi i këtyre të ashtuquajturve mësues të popullit shpesh ishte imponues”, shkruan Max Lambertz-i tek numri 94, f.3 i gazetës “Posta e Shqypniës”më 31 tetor të vitit 1917. Në numrin e dhjetë të gazetës (“Posta e Shqypiniës” në 10. Kallnduer 1917, f.3), ja si shkruhet për ardhjen e albanolugut Max Lambertz:“Nji dietaar albanolog n’Shkodër” Dietaari prejë Vjenet, Prof. Max Lambertz n’kto dit kaa mrii’ n’Shkodër. Ky Ztnië, posë se kaa shkrue me hollim e simpatië m’u m’i punë t’ona, ma tepër kaa zanë edhe me folë shqyp mirë; kshtu qi kemi shpnesë se me die e me kshille t’veta kaa me ju gjetë ndimë edhe Komisjonit Letraar. “Posta e Shqypniës” e përshëndetë me gzim t’ardhunit e tii.”.

Nga Kastriot KOTONI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *