Monday

27-10-2025 Vol 19

PËR MESHARIN E GJON BUZUKUT

Nga Xhevat LLOSHI

Për librin e parë shqip të vitit 1555 është e natyrshme që ka një literaturë të gjerë. Botimi më 1968 me titullin “Meshari” i Gjon Buzukut në dy pjesë nga Eqrem Çabeu ishte jo vetëm një punë e jashtëzakonshme, por edhe një arritje madhore e gjuhësisë shqiptare. Kapërceheshin me këtë trajtimet që i ishin bërë deri atëherë këtij libri, i cili njihet si i pari në gjuhën shqipe, sepse siç e thoshte vetë E. Çabeu: “studimet e gjertanishme janë o tepër të shkurtëra, o jo mjaft të thelluara”. Gjatë më se gjysmë shekulli e kam pasur në duar atë dokument të shqipes së shkruar, që na e kishte bërë të mundur ta shfrytëzonim E. Çabeu, duke qenë përpara shumë pikëpyetjeve të mëtejshme që ishin shfaqur.

Përse deri më sot dihet se ka vetëm një kopje? Përse kanë humbur disa fletë dhe prandaj nuk mund të thuhej me siguri se ku ishte botuar, ngaqë mungojnë faqet e para? Nuk dihej as titulli dhe prandaj është quajtur përgjithësisht Meshari i Gjon Buzukut. Mungesa e këtyre të dhënave themelore ka sjellë hamendësime të ndryshme dhe interpretime e mendime jo të njëjta sipas autorëve që janë marrë me librin. Dhe kjo ishte e natyrshme. Në këtë hulli nga ana ime kisha botuar më 2005 një artikull me titullin ngacmues “A është përkthyes Buzuku”. Natyra e tekstit në tërësi nuk përputhet me një përkthim të zakonshëm. Në fund është një pasthënie, e cila jo vetëm nuk është përkthim, por është e modeluar nga vetë Buzuku dhe përbën njëkohësisht të parin tekst origjinal shqip. Edhe në libër, Buzuku flet dy herë në vetën e parë njëjës, duke përmendur emrin e vet. Ai kishte pasur një praktikë të gjatë shërbesash e përkthimesh për ato shërbesa dhe më në fund vendosi t’i përmblidhte në një libër. Nuk do të zgjatem me këtë argumentim, por do ta përgjithësoj: Buzuku ka ndërtuar një libër, për të cilin i është dashur të bëjë përkthime, siç e kërkonin rregullat kanonike të kohës.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *