Monday

27-10-2025 Vol 19

Shqipëri – Serbi (2 – 0)

Nga Kastriot KOTONI

Të nderuar sportdashës shqiptarë dhe serbë, aty ku jeni! Ndeshja e shumëpritur Shqipëri-Serbi, megjithëse do të luhet në temperatura të larta në stadiumin e Tiranës dhe do të jetë një ndeshje me shumë emocione nga të dyja palët…, në fund do të mbarojë me fitoren e kombëtares shqiptare me rezultatin e pastër 2 – 0 dhe ja përse:

Kjo ndeshje megjithëse është thjesht një ndeshje sporti, në kuadër të eliminatoreve për Kapionatin Botëror 2026, e luajtur në një atmosferë vetëm sportive deri në minutën e fundit të ndeshjes do të jetë garancia e fitores së ekipit shqiptar. Në ndeshjen e kaluar në Tiranë vendosi faktori psikologjik i rënduar në radhët e ekipit tonë kombëtar, i shkaktuar nga mediat dhe dhënia e ngjyrave nacionaliste të një grupi tifozash ultras të kombëtares sonë, të cilët padashje krijuan një presion psikologjik të panevojshëm tek futbollistët tanë…

Këto takime, ngarkuar me emocione tejet sensibilizuese në situatat politike të një vendi, janë krejt të panevojshme të përçohen në arenat e sportit.

Rasti më i fundit i Presidentit Vuçiç, i cili i kujtoi trajnerit serb kushtin për fitore në Tiranë të kombëtares serbe, le të jetë një ngarkesë negative vetëm për ekipin mysafir…

Ky akt elektoral, për të nxitur eksese të panevonevojshme mes dy shteteve, tregon mentalitetin anakronik të një politikani që dikur ka qenë altoporlanti i kasapit të ballkanit Sllobodan Millosheviç. Ky nxënës i keq, që ende nuk është emancipuar në rrjedhat e reja politike dhe që ka mbetur me ngulitjen në kokë për “Serbinë e madhe”, tregon se i gjori ka harruar atë që dinë të gjithë se “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”… Dhe pikërisht për këtë, duke e politizuar me nacionalizmat të dëshpëruar, ekipi i tij serb e ka humbur politikisht 2 – 0 këtë ndeshje sportive.

Pas kësaj, Vuçiç do të duhej të shihej me përbuzje edhe nga opinoni i sportistëve të talentuar serbë që kanë fituar kupa e kampionate në Evropë edhe në botë. Ata, jo vetëm janë shembull i integrimeve në ekipet ku luajnë, por edhe në shumë raste janë model i sportistit botëror. Ata janë parë e ndjekur me respekt nga opinoni mediatik, por edhe sportdashës në nivel botëror. Sot ndodh që futbolistë serbë e shqiptarë të luajnë në të njëjtin ekip dhe trajnerë të ndryshëm, me origjinë serbe apo shqiptare, nuk bëjnë dallin për përkatësinë nacionale të futbollistëve. Janë tejkaluar këto barriera dhe janë vite drite larg këto histori të përdorimit të sportit për arsyeje politike e nacionaliste. Një ndeshje mbetet thjesht një ndeshje që fillon të bluhet në mendje qysh në ditën kur shpallet shorti në grupe. Aktivizohen mediat dhe çdo tranjer punon për të pasur në dispozicion futbollistët më të mirë të momentit… Të gjitha kombëtaret thurin ëndrrat dhe nisin bërjen e llogarive të tyre vetëm sportive… Nga ana tjetër, industria e argëtimit tashmë është kthyer në një emërues ekonomik i cili ka edhe fushatën e tij që në performancën e një ndeshjeje sheh leverdinë ekonomike dhe impaktin që sjell në shoqëri. Turisti nga Serbia është shtuar në këto 10 vjetët e fundit në Shqipëri, po ashtu edhe turisti shqiptar është shtuar në Serbi, gjë që do të thotë se popujt i tejkalojnë paranojat historike, liturgjitë politike dhe, falë sportit,u është dhënë shansi që edhe tifozeritë të ndjejnë të njëjtën atmosferë si të turistëve në të dyja vendet. Histritë e shëmtuara, paragjykimet, përceptimet dhe manipulimet emocionale e kanë vendin në koshin e harresës. Kjo ndeshje mes dy kombëtareve, të cilat duan të konfirmojnë në fund të fundit futbollin ballkanik, duhet të jetë vetëm me ambicie dhe emocione sportive.

“Živio futboll!”.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *