
NJË VEPËR E RE LEKSIKOGRAFIKE SI NGJARJE E RËNDËSISHME KULTURORE: FJALORI RUMANISHT-SHQIP I RENATA MELONASHI-TOPÇIUT DHE LUAN TOPÇIUT

Nga Aristotel SPIRO
Në një kohë kur komunikimi ndërkulturor është më i rëndësishëm se kurrë, kjo vepër vjen si një kontribut i qartë dhe i qëndrueshëm: një dëshmi se kur pasioni shkencor bashkohet me përkushtimin e ndershëm, rezultatet nuk i shërbejnë vetëm një komuniteti të vogël studiuesish, por gjithë shoqërisë.

Botimi i “Fjalorit rumanisht–shqip” nga Renata Melonashi-Topçiu dhe Luan Topçiu shënon një moment të rrallë në kulturën tonë gjuhësore: pas shumë vitesh pune të palodhur, në dorën e lexuesit, të studentit, të përkthyesit dhe të studiuesit vjen një vepër që plotëson një mungesë të dukshme në mjetet tona të komunikimit me gjuhën rumune.
Ky fjalor, i konceptuar si vepra “binjake” e “Fjalorit shqip–rumanisht” të vitit 2003 (me ribotim në 2022), krijon për herë të parë një simetri të plotë leksikografike midis dy gjuhëve. Përtej aspektit të një arritjeje teknike, ky fjalor përbën një çelës që ndihmon në lëvizjen e lirë të fjalëve, të kuptimeve dhe të përkthimin në të dy drejtimet.
Në thelb të këtij projekti qëndron një punë e heshtur, por e admirueshme, me vite kërkimi, krahasimi, përzgjedhje dhe saktësimi. Kjo vepër voluminoze është ofron barasvlerësit dhe bashkëpërkimet kuptimore midis dy gjuhëve, por hap hap njëkohësisht edhe një dritare për të kuptuar më mirë botën gjuhësore rumune dhe lidhjet e saj me shqipen. Kjo e bën veprën të vlefshme jo vetëm për përdorim praktik, por edhe për analizë më të thellë akademike.
Ky fjalor është i rlëndësishëm sepse i jep një mjet të sigurt kujtdo që mëson rumanishten, qoftë ai/ajo nxënës/-e, student/-e apo i/e apasionuar pas gjuhëve. Njëkohësisht u vjen në ndihmë përkthyesve, të cilëve deri sot u mungonte një referencë e përditësuar dhe serioze. Në aspektin e kërkimit shkencor-akademik ky fjalor e udhëzon studiuesin e marrëdhënieve shqiptaro-rumune, duke i ofruar një bazë të pasur për kërkime të reja; por ai u shërben shërben në të njëjtën kohë edhe ballkanologëve, të cilët gjejnë në këtë vepër një instrument krahasimi për dukuritë e arealit ballkanik.
Një vepër e tillë është jetëgjatë. Fjalorët e mirë jetojnë bëhen pjesë e qarkullimit të ideve, të kulturës dhe të përditshmërisë gjuhësore të njerëzve.
“Fjalori rumanisht–shqip” është pikërisht një fjalor i tillë: një shtyllë e re mbi të cilën do të ndërtohen projekte të tjera, studime, botime dhe ura bashkëpunimi midis dy kulturave.