Një nga temat më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë është edhe Konferenca e Paqes në Paris në vitin 1946. Në librin e profesor Arben Putos me titull “Shkrime të zgjedhura”është trajtuar me skrupulozitet dhe fakte kjo temë në kapitulllin “Shqipëria në Konferencën e Paqes”. Në prillin e vitit 1941, Presidenti amerikan F.Roosvelt dhe kryeministri britanik W. Churchill nënshkruan Kartën e Atlantikut, një dokument që parashikonte krijimin e një “sistemi sigurimi mbi një bazë të gjerë”. Në tetor 1943 me projektin u bashkua edhe Bashkimi Sovjetik. U arrit kështu në vendimin e përbashkët për të krijuar një organizatë krejt të re. Për këtë qëllim u mblodh Konferenca e San Franciskos, më 25 prill. Qeveria shqiptare iu drejtua që më 31 mars 1945 tre të Mëdhenjve me kërkesën për pjesëmarrjen e Shqipërisë në konferencë. Objekti i Konferencës ishte i kufizuar. Do të bisedohej për krijimin e organizatës së pasluftës, shkruan ndër të tjera profesor Puto. Traktatet e paqes me shtetet e mundura në luftë do të jenë kompetencën e Konferencës së Parisit. Kërkesa e Shqipërisë për anëtarësimin e në OKB u paraqit më 5 janar 1946. Sipas procedurës e cila ndahej në dy faza: së pari, shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit, pastaj votohet në Asanmblenë e Përgjithshme. Në Këshillin e Sigurimit kërkesa shqiptare u diskutua më 8 janar. Ajo mori përkrahjen e delegacionit jugosllav, pastaj të delegacionit sovjetik dhe atij polak. Sekretari i Departamentit të Shtetit ndërhyri, duke bërë vërejtjen se kërkesat për anëtarësime të reja duhen parë me kujdes, dhe propozoi që të gjitha kërkesat të shtyheshin në gjysmën e dytë të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme. Sekretari i Foreing Office-it, E. Bevin, ishte dakord. Ai nuk do të ishte në kundërshtim që kërkesa e palës shqiptare të futej në agjendën e punimeve. Që këtu pozita e Shqipërisë ndeshi në kundërshtimin e prerë të delegacionit grek. Qeveria e Athinës shprehu qëndrimin e saj, një qëndrim që do ndjekë çështjen shqiptare në të gjitha selitë e diplomacisë së pasluftës. Në fund të janarit agjencia zyrtare greke e formulonte qëndrimin grek me këto fjalë: “Shqipëria është në gjendje lufte me Greqinë”. Për këtë i referohej shpalljes së luftës nga qeveria kuislinge menjëherë pas agresionit Italian. Dhe nuk ngurronte të shtonte se në luftë u dërguan 25 batalione, të “ushtrisë së rregullt shqiptare” që nuk kanë qenë veçse një repart vullnetarësh. Shqipëria ishte palë në okupacionin e Greqisë në krah të Italisë. Shkurt, Shqipëria kishte marrë anën e Boshtit. Si konkluzion, çështja e pranimit të Shqipërisë në OKB u shtrua që në Konferencën e San Franciskos, më 1945, dhe u vendos më 1955, me marrëveshjen e Fuqive për 17 kandidaturat në emër të “universialitetit” të Organizatës. Pengesa e Amerikës dhe e Britanisë duke kërkuar argumenta jo në tezat greke, por në atë që ato do ta quajnë “sjellje jo korrekte” e qeverisë shqiptare, shkruan më tej Arben Puto. “Prej vitit 1913 qeveria greke ka kërkuar vazhdimisht dy distrikte shumë të rëndësishme të Gjirokastrës e të Korçës, si dhe distriktet e ndërmjetme Përmet, Leskovik, Kolonjë. Prej viti 1940 qeveria greke ka kërkuar Sazanin dhe deshi edhe Vlorën. Shoqatat patriotike greke shkojnë edhe më tej, një kufi që shkon në Veri të Shkumbinit, Elbasan deri në Liqenin e Ohrit. Kur Greqia sjell si argument dëshirat e banorëve, pozita e saj ka ardhur duke u dobësuar. Ndërsa argumentet ekonomike greke kanë fare pak peshë. Ka arsye serioze të mendohet se Epiri i Veriut është e domosdoshëm për Shqipërinë… Për sa i përket Sazanit ai shkon me Vlorën. Nuk mund të ketë asnjë ndryshim të kufirit që do të kënaqte Greqinë, pa shkatërruar Shqipërinë. Në kapitullin “Gunboat diplomacy” vazhdohet më tej me vështirësitë që haste qeveria shqiptare me palën britanike për shkak të incidentit të Korfuzit. Konflikti pati filluar më 15 maj 1946 kur në kanal kaluan disa luftanije britanike pa ngritur falamurin. Bateritë bregdetare bënë disa qitje paralajmëruese deri sa ato ngritën flamurin. Pala shqiptare ishte e shqetësuar dhe e ndjente veten të kërcënuar nga sulmet greke në kufirin jugor. Ajo ndiqte me dyshim çdo lëvizje në kanal. Për pasojë, ajo kërkonte që përpara se luftanijet të kalonin në kanal në ujërat terretoriale, autoritet shqiptare të njoftoheshin më parë dhe të jepnin pëlqimin e tyre. Qeveria britanike reagoi ashpër duke deklaruar se në një kanal ndërkombëtar si Kanali i Korfuzit nuk ishte kusht as njoftimi dhe as pëlqimi i shtetit bregdetar. Megjithëse kjo pikëpamje ka qenë vënë në dyshim jo vetëm nga specialist të së drejtës ndërkombëtare të kohës, por edhe nga vetë ekspertët ligjorë të Foreign Office, qeveria britanike gjeti një shkak për ta penalizuar qeverinë shqiptare duke i dhënë “një mësim si të sillej me flotën e Madhërisë së tij”. Kalimi u bë në datën e caktuar paraprakisht më 22 tetor 1946 me katër luftanije. Ato hasën në mina që shkaktuan 44 marinarë të vrarë dhe dëme serioze në dy prej tyre. Studiuesi anglez J.Cable e ka quajtur operacionin britanik të 22 tetorit si një shembull klasik të “gumbat diplomacy”, në të cilin Britania ishte sulmuesi dhe Shqipëria viktima.
Në dokumentet e arkivave të zbuluara së fundi del se minat janë vendosur nga autoritetet shqiptare në marrëveshje me qeverinë jugosllavae , shkruan profesor A.Puto. Qeveria angleze e shtroi çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare. Gjykata mori një vendim të njëanshëm duke bërë përgjegjëse vetëm palën shqiptare. Në dritën e burimeve të ndryshme sot është bërë e qartë se përgjegjësia ka qenë e dyanshme qeveria shqiptare për vendosjen e minave dhe qeveria britanike për “gumbat diplomacy” (diplomacy me luftanije), duke dërguar luftanijet pa njoftim e autorizim paraprak dhe në një pozicon provokues. Ato nuk ushtronin të drejtën e njohur të kalimit paqësor, por bënë demostrim force. Kjo gjendje do të pasqyrohet detyrimisht edhe në Konferencën e Paqes. Delgacioni britanik, veçanërisht A.Cadogan (që ishte përfaqësues në Gjyqin e Hagës), do t’u kundërvihet në çdo rast akuzave në adresë të qeverisë greke për “gjendjen e luftës”. Këto ishin rrethanat në të cilat Shqipëria do të ballafaqohej me synimet greke në Konferencën e Paqes. Në një farë mënyre konflikti për incidentin e Kanalit të Korfuzit, refuzimi shqiptar dhe qëndrimi i prerë britanik do të jenë një nga faktorët kryesorë të izolimit të Shqipërisë për 50 vjet. Qeveria greke në Konferencën e Paqqes në Paris do të vijë me një platform që kishte filluar të hartohej në dorë të parë pa filluar lufta, thekson professor A.Puto. Platforma e qeverisë greke në radhë të parë paraqiste kërkesat territoriale që do të shtrohen në Konferencën e Paqes. Papandreu thotë: “Nga Shqipëria, të cilën Italia e ktheu në një bastion të fuqishëm që komandonte ngushticën e Otrantos dhe hyrjen në Adriatik, Greqia kërkon ishullin e Sazanit, qytetin e Korçës, Vorio-Epirin, ndoshta edhe Vlorën”. Në vazhdim ai shton: “Më 1918 parrulla kryesore ishte se çdo vend duhet të ketë kufijtë etnikë. Sot është ndryshe, çdo vend duhet të ketë kufij që do t’i japin Greqisë mundësinë për t’u mbrojtur në tokën e vet. Kërkohej gjysma e Shqipërisë. Një muaj më vonë, më 18 tetor, Papandreu del me një program edhe më të gjerë kërkesash territoriale. Greqia, që bëri çudinë në luftën me Italinë, ka të drejtë të kërkojë më shumë se më parë. Tani nga Shqipëria ai kërkon Sazanin bashkë me Vlorën që nuk ishin në programin territorial të Greqisë as në Konferencën e Londrës më 1912-1913. Nga Shqipëria aleate e Boshtit, do të merret më shumë. Platforma do të përpunohet më tej: do të jetë temë e nxehtë e një fushate intensive në rritje sa më afër çeljes së Konferencës së Parisit. Në Athinë krijohet një organ i posaçëm “Komiteti për Punët e Jashtme të Greqisë”, i përbërë nga 12 personalitete, ish kryeministra dhe ish ministra të Jashtëm, që do të ketë agjendën e tij kryesisht Vorio- Epirin. Në një memorandum të gjatë që u pariqitet Aleatëve, Komiteti shpjegon arsyet se “pse Greqia e konsideron Shqipërinë një shtet armik”. Së pari “Shqipëria luftoi kundër Greqisë me forca të rregullta”. Së dyti “Shqipëria mori pjesë në okupimin e territorit grek dhe vazhdoi okupimin edhe mbas rënies së Italisë”. Përballja greko shqiptare në Konferencën e San Franciskos për pranimin e Shqipërisë në OKB ishte vetëm preludi. Epiqendra do të jetë Konferenca e Paqes për nënshkrimine Traktatit të Paqes me Italinë. Konferenca hapet më datën 29 korrik 1946. Qeveria greke e ka paraqitur versionin zyrtar të kërkesave të saj përpara hapjes së Konferencës. Ajo i drejtohet që më 16 prill 1946, me një memorandum, Këshillit të Ministrave të Jashtëm në Paris, organ i Konferencës. Në memorandum riformulohen dy shtyllat e ofnesivës së saj diplomatike: 1) Shqipëria ka marrë pjesë në luftën kundër Greqisë si aleate e Italisë: 2) Vorio-Epirit duhet t’i kthehet Greqisë, qoftë edhe si “kompesim” për fitoren e saj në luftë. Nga ana e saj qevria shqiptare i drejtohet me një memorandum Këshillit të Ministrave të Jashtëm, më 26 prill. Në radhë të parë kërkohet që Shqipëria të marrë pjesë në Konferencë si “palë e interesuar për Traktatin e Paqes me Italinë”. Ajo ka qenë viktima e parë e agresionit fashist. Populli shqiptar zhvilloi një rezistencë të vendosur kundër okupatorëve. Gjatë katër viteve të luftës u ngrit një ushtri e mirëfilltë partizane, e organizuar në brigade, divizione dhe korparmata. Me gjakun e derdhur dhe me sakrificat në luftën kundër Fuqive të Boshtit, populli shqiptar bëri sakrifica të mëdha, nga fundi i luftës ishin rreth 50.000 të vrarë e të plagosur, 35% të qytetve e fshatrave të rrënuara. “Të lejohet, pra, populli shqiptar të ngrejë zërin e tij në Konferencë”. Kërkesën e saj qeveria shqiptare e përsëriti edhe në prag të hapjes së Konferencës, më 19 korrik, duke iu drejtuar kryeministrit frnacez si Kryetar i Këshillit të Ministrave të Jashtëm. Pa pritur përgjigje formohet delegacioni me në krye Hysni Kapon; vihen në dijeni “Tre të Mëdhenjtë” me notë verbale. Hysni Kapo njofton nga Beogradi, më 23 korrik të 1946, nisjen e delegacionit jugosllav për në Paris, 100 veta. Thekson se është më i ndikuari për të paraqitur dhe mbështetur kërkesën për shqiptarët pranë tij, për t’i dhënë ndihmën e nevojshme me dokumentacion përkatës. I është bërë një notë verbale e posaçme ministrit të jashtëm sovjetik V. Mollotov. Por prapë duket se “më i ndikuari është delegacioni jugosllav” të paktën në këtë fazë. Ndërkohë Kahreman Ylli rezident në Paris vendos kontaktet e para. Takimin e parë e pati më 2 gusht me ambasadorin amerikan. Kahremani i bëri histori, i foli për mbrojtjen e çështjes shqiptare nga Presidenti Willson në Konferencën e Paqes më 1919. Ambasadori kishte qenë sekretar i delegacionit në atë Konferencë. Pastaj tha se e kishte marrë notën dhe “e hodhi fjalën gjetkë”. Delgacioni greki ka ardhur në Konferencë jo aq për traktatet e paqes, që është tema kryesore e agjendës, se sa për pretendimet mbi Shqipërinë jugore. Fjalimi i Caldaris ishte i gjatë “i mbushur plot me material eksploziv kundër Shqipërisë për Vorio-Epirin”. E filloi me “padrejtësitë që i është bërë Greqisë nga Austor-Hungaria dhe Italia më 1913. Tani është koha t’i kërkohet llogari Shqipërisë për pjesëmarrjen në agresionin kundër Greqisë bashkë me Italinë. Në krah të divizioneve italiane kanë qenë 14 batalione. Një kontigjent i “ushtrisë shqiptare” është parë në paradën e fitores në Athinë”. Sulmi i delgatit grek kundër “agresionit shqiptar”, aq më tepër me një fjalor të ngarkuar me urrejtje dhe poshtërime, pritet me rezerva. Shumë delegatë shpreheshin të habitur, e kishin të vështirë ta besonin. Në fund të fundit, Shqipëria ishte viktima e parë e Musolin-it. Caldaris nuk ndalet. Vijon më tej me kërkesën greke për Vorio–Epirin. Ai i referohet gjithnjë ligjit të aprovuar nga Asambleja e Tiranës më 9 qershor 1940, që e fuste Shqipërinë në luftë me të gjitha shtetet me të cilat Shqipëria do të ishte në luftë. Në përgjigje të këtij dekreti Greqia do të shpallte gjendjen e luftës edhe me Shqipërinë, disa ditë pas zhvillimit të debatit në Konferencë, Caldaris do të ketë në qendër të ndërhyrjeve të tij Shqipërinë agresore, aleate të Italisë.
Parantezë. Ajo që bie veçanërisht në sy në ndërhyrjen e Caldaris-it është orvatja për të thirrur në ndihmë as më pak e as më shumë Ismail Qemalin. Ai thotë: “Nuk është nevoja të parashtroj këtu dosjen e ngjeshur të të dhënave historike dhe etnografike që provojnë karakterin grek të kësaj krahine prej thellësisë së shekujve. Mjafton t’ju them juve se jo më herët se më 1907, Ismail Qemal bej, kreu i nacionalizmit shqiptar të rilindur dhe pastaj Kryeministri i Shqipërisë së pavarur, në një marrëveshje që pati lidhur me Jorgo Theodokos Kryeministri i Greqisë, njihte se kufiri etnik midis Greqisë dhe Shqipërisë duhet të ndjekë një linjë që fillon në perëndim të Manastirit dhe mbaron jo më larg se bregdeti ne veri të Korfuzit, duke ia lënë Epirin e Veriut Greqisë”. T’i kthehemi thelbit të çështjes , shkruan profesor Arben Puto. Në të vërtetë I.Qemali, pas largimit nga Turqia, i angazhuar tani për shkëputjen dhe daljen më vete të kombit shqiptar, bëri disa sondazhe për të hetuar shtigjet nëpër të cilat do të zhvillohej vepra e tij. Një diplomat si Ismail Qemali nuk mund të mos hyjë në disa kontakte për të parë cilët janë faktorët pozitivë dhe negativë. Nuk ishte vetëm interesi i I.Qemalit për këto kontakte. Ai pati një takim me vetë mbretin e Greqisë sapo mbërriti në Athinë. Nga ana greke po shfaqej një lloj tendence për ta njohur dhe përkrahur”albanizmin”, për të arritur në një bashkëpunim shqipatro-grek që do t’i kundërvihej sllavizmit. Si rezultat u lidh një marrëveshje pikërisht më 1907, “marrëveshja shqiptaro-greke”, që shpallte “interesin e përbashkët të grekëve dhe shqiptarëve për t’u mbrojtur nga një agression serb-bullgar”. Siç dihet, Austro-Hungaria ishte Fuqia që i ndiqte nga afër ngjarjet shqiptare dhe konsulli i saj Kralj, raportonte në Vjenë atë që e quante “kthesë në politikën e Athinës”, që e njihte tani zgjimin shqiptar, por që fshihte prapa kësaj, qëllimin për të kontrolluar dhe modeluar zhvillimet e ardhshme veçanërisht në Shqipërinë e Jugut. Por marrëveshjen e prishi kryeministri grek Theodokos, i cili në bisedë me përfaqësuesin e austro-hungarez në Athinë, shprehu haptazi pretendimet greke mbi Shqipërinë e Jugut. Ismail Qemali në “Kujtimet” shpreh bindjen se në ato rrethana “interest e vendit të tij i dukeshin të njëjta me interesaat e popullit grek”. Ai pohonte se kjo bindje e shtynte të “ishte në të mirë të çështjes së përbashkët në mbrojtje të të dy popujve kundër sllavizmit, prirjet e të cilit asokohe dukeshin të rrezikshme për të dy”.
Përgjigjen më të qartë do ta japë vetë Ismail Qemali në krye të veprimtarisëpër përgatitjen e Shpalljes së Pavarësisë, aq më tepër në krye të delegacionit në Konferencën e Londrës që do të parashtrojë memorandumin e Qeverisë së Vlorës për kufijtë pa asnjë lëshim kundrejt kërkesave të fqinjëve, të Serbisë dhe të Greqisë, – thotë Arben Puto.
Timoleo GURI