Monday

27-10-2025 Vol 19

Branko MERXHANI: “Duke filluar nga puna…”Politikë s’ka! Vetëm Kulturë!””


Për të qëndruar më besnik ndaj së vërtetës, duhej të thoshim kështu: duke rifilluar, ose më mirë, duke vazhduar punën. Sepse në realitet ne sot nuk bëjmë gjë tjetër veçse rifillojmë dhe të ndjekim një punë që formalisht për ne, filloi qysh prej vitit 1928. Atë vit, atë poshtë në shkretirën e zezë, po çuditërisht tërheqëse të Gjirokastrës, në çapin e parë të punës bashkë me Vangjel Koçën, mikun tim me besë dhe të pandarë, por më pastaj, duke patur edhe miq të tjerë, të gjithë njerëz të mirë dhe të ndershëm, kishim vendosur edhe ne të nisim një përpjekje me një karakter thjesht kulturor. Të gjithë ishim, pothuaj, krejt pa mjete. Shteti i Tiranës nuk çante fare kokën atëherë për lëvizjet kulturore ose mendore. Jo vetëm nuk çante kokën, por çdo gjë më e keqe ishte se frikësohej, dëgjoshte, shtypte dhe murmuriste.

Por ne nuk u-dëshpëruam. I dinim dhe i kuptonim fare mirë shkaqet historike të thella t’asaj mizerje. Filluam nga puna pa bujë dhe pa shumë thash’e theme midis nesh. Mbështeteshim vetëm mbi mjetet t’ona të varfëra, por përmbi të gjitha mbi fuqin morale e cila lidhte ngushtë me besë dhe dashuri një grup të vogël shokësh, që kishin po ato dëshira. Nuk na shkoj kurrë nga mendja të vinim këtu në Tiranë dhe t’i lypnim përkrahje. I u-shtruam punës dhe hapëm, pa një pa dy, faqen e tretë të „Demokratis” atje poshtë në Gjirokastër. E mbajtëm në këmbë katër a pesë vjet me radhë. „Lëvizja mendore” ka qenë titulli i asaj reviste të përjavëshme dhe mikroskopike që dilte vetëm me një faqe çdo të Shtunë.

Ç’kërkonim në brënda n’atë atmosferë të trubulltë t’ asaj kohe?
— Nga Shteti as gjë. Vetëm kërkonim të lëkundnim pakëz mëndjen e djemve të mësuar të këtij vëndi, mëndjen e shokëve t’anë, dhe të ndienim pak zjarr, pak gjallëri, pak dhëmbje, dashuri, mërzitim, shqetësim në zemrat t’ona të ftohta. Disa vjet pas ngjarjeve të hidhura të ʼ24-ës dhe vetëm pak kohë pas shpalljes së regjimit monarkhik-kushtitucional, që hapi periudhën e qetësisë, guxuam të mendojmë, në një gurkat njerëzî, të futur thellë atje poshtë në ankim e krahinës, se më e fund po zbardhullonte një dit’ e re, dhe filluam të ecim me çapat të ngadalëshme brënda në natën e errët të Fatit t’onë. Kërkonim të gjejmë shtigjet që do t’na shpinin një orë më parë, po se mos e mundur më të plotë, drejt përpjekjes s’agimit të ëndërruar. Dhe thoshnim:
„Politikë s’ka! Vetëm kulturë!” (*)

Rreth kësaj parimi të pastër dhe të ndershëm zhvilluam një veprimtari të tërë dhe provuam të hedhim gurët e parë që të konstruojmë edhe ne diçka në formimin e një doktrine nacionaliste-demokratike shqiptare që të përputhesh me nevojat reale të kombit dhe sipas mundësisë së epokës s’onë. Krijuam një lëvizje, që më vonë u quajt me një emër të njëjtë me mëmbajten që i dhamë dhe u përhap me një emër: Neo-Shqiptarizma.

Ç’përfundim pati gjithë ajo punë? — Aty-këtu disa tingëllime të kënaqëshme dhe premtuese për të nesërmen na vinin në vesh nga këndet e ndryshme të vëndit. Andej-këtej na pritën zemërime dhe urrejtje. Këtu në kryeqytet, në këtë fushë qendrore të nënpunsave burokratë, krisi pa panduehur fare një bujë e kotë. Por nuk na bëri asnjë përshtypje kjo katandí e dëshpëruar. E kishim parandjerë dhe bile paralajmëruar botërisht, qysh prej ditës së parë. (**) Në rrojmë brënda në idenë e historís dhe eksperienca e jetës na ka bërë të qëndrojmë krejt indiferentë dhe krejt të pa-cënuar nga kalbësirat e zakonshme të çdo epoke që po kalojmë. Punës që kishim filluar këtu e tetë vjetë përpara, i kemi mbetur besnikë dhe në palcë dhe do të përpiqemi me gjithë fuqin që të ndjekim rrugën t’onë pa ndonjë lakim dhe shtrembërim edhe këtej e tutje. Për ne ideja është gjëja më kryesore dhe përmbi të gjitha qëndron karakteri.

Sa të themi tani janë të kota: Koha do t’a tregojë në jemi njerëz…


(*) Në numrin që vjen do të shpjegojmë gjerë e gjatë dallimin që bëjmë ne, midis këtyre dy nocioneve.

(**) Në Korrikun e vitit 1930 shkruanim:

„…në qoftë se munt të kuptohet sot “Neo-Shqiptarisma”, kjo përpjekje nuk munt të ketë veçse baza ideologjike për një punë mendore të pastërt, larg nga çdo lloj aluzioni politik. Kemi shumë frikë se mos lloi i lehtë i fletorizmës neo-shqiptare, lindur tamëm afër, pa patur të paktën as sedrën të japij një titull të sajë në veprën e vet pa shpirt – kemi shumë frikë se mos rrezikoi dhe bastardhoi veprën e kësaj reviste, vepër e cila është krejt kulturore dhe prandaj nuk lyp vetëm mundime të shumta dhe të rënda, por do edhe një periudhë të tërë aktiviteti mendor sistematik që të realizojë edhe qëllimet e para që ajdek.“ („Neo-Shqiptarisma“ faq. 28–29).

Tetor 1936

______________________________________________________________________________________

përpjekjashqiptare.al: “Politikë s’ka! Vetëm Kulturë” – Po në Shqipërinë e sotme?

Në frymën e vizionit të Branko Merxhanit, ideja se politika e vërtetë duhet të lindë nga kultura, do të duhej të ishte një pikë thelbësore edhe për Shqipërinë e sotme. Por, në realitetin aktual, ligjërimi politik shpesh devijon nga ky ideal, duke u mbështetur në teknika të shëmtuara ligjërimi që, jo vetëm dëmtojnë cilësinë e debatit publik dhe besimin e qytetarëve, por përcjellin një shembull negativ, madje edhe të rrezkshëm tek fëmijët e adoleshentët.
Në fushatën zgjedhore për 11 Majin, bullizimi dhe fyerjet nuk mungojnë. Liderët politikë, duke përdorur gjuhë përçmuese dhe sulme personale për të diskredituar kundërshtarët e tyre e reduktuar debatin në një nivel të ulët retorik. Këto sulme (“Bufi i kënetës”, “Vallja e hajdutëve”, “Çyrykë” etj.) nuk ofrojnë zgjidhje për problemet e qytetarëve, por polarizojnë më tej shoqërinë.
Sloganet e fushatës shpesh janë të mbushura me premtime që tingëllojnë bukur, por mungon një plan konkret për realizimin e tyre. Kjo krijon një hendek mes pritshmërive të votuesve dhe realitetit, duke minuar besimin në procesin demokratik.
Retorika emocionale, që synon të nxisë tallje (“O Rame! – Ku je, o Lul!”, “Ku i ke shokët, o Rame?”, “7 x 7= 313” etj.) është një tjetër teknikë e përdorur gjerësisht në këtë fushatë. Në vend që të promovojnë një dialog të shëndetshëm mbi politikat, liderët shpesh polarizojnë votuesit (“Patronazhistë”, “Çyrykë” etj.) duke shmangur diskutimet racionale dhe konstruktive.
Në një Shqipëri që aspiron të jetë pjesë e Evropës, liderët politikë, në vend se të shmangin këtë teknikë ligjërimi bullizuese dhe përçarëse, do duhej të fokusoheshin në ide dhe zgjidhje konkrete… Le të shërbejë ky shkrim i para 90 vjetëve i Merxhanit: “Politikë s’ka! Vetëm Kulturë!” – si një thirrje për të rikthyer debatin politik në një nivel më të lartë, ku kultura dhe mendimi kritik të jenë në qendër, siç e kërkon Evropa që na premtojnë këta politikanë…

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *