Anglia vjen me dy autobusë dhe me 5 mijë tifozë. Ndeshjen do ta transmetojnë 5 televizione ndërkombëtare.
Menaxherët më të mirë në botë kanë zbarkuar në Shqipëri për këtë ndeshje; kjo është një arsye e justifikuar që lojtarët tanë shqiptarë të luajnë me kapacitet maksimal. Do të jemi me fat nëse nuk pësojmë gol në 20 minutat e para dhe të futemi në lojë me presing. Futbolli nuk njeh ekipe të mëdha apo të vogla. Anglezët nuk kanë ardhur një ditë më parë, siç kanë bërë përherë për t’u njohur me terrenin — kjo flet shumë. Lojtarët kanë zhvilluar shumë ndeshje në kualifikuese dhe në kampionatet ku aktivizohen.
Ne, me ekipin tonë kombëtar, luajmë për prestigj, për ndeshjen e nderit, por çfarëdo rasti që të na dalë përpara portës gjatë lojës duhet të mos e falim. Me kundërpërgjigje të shpejta dhe me Uzunin e Hoxhën të aktivizuar që në minutat e para mund të arrijmë diçka. Besoj se ekipi i ka parë ndeshjet e Anglisë në këto kualifikuese, gjë që për ekspertët që dinë të lexojnë lojën e futbollit është një avantazh për të projektuar një ekip që gabon sa më pak dhe është sa më i motivuar.
Lojtari ynë i 12-të, tifozeria shqiptare, besoj se do të rrisë adrenalinën e kësaj ndeshjeje. Futbollistët duhet ta kenë këtë ndeshje si simbol të përballjes me ekipet më me emër në botë sot për sot. Energjitë e derdhura në këtë ndeshje nga ana e kombëtares shqiptare duhet të menaxhohen deri në minutën e fundit për të marrë qoftë edhe një barazim. Një humbje minimale me një lojë dinjitoze përballë Anglisë edhe justifikohet. Duhet të mposhtim presionin dhe të tregohemi profesionistë të vërtetë.
Së pari, Strakosha, portieri ynë, e ka ndeshjen e karrierës, sepse anglezët nuk i ndahen traditës së lojës në ajër. Strakoshës i duhet të dalë e të zotërojë zonën në goditjet nga këndi. Ndërsa mbrojtësit duhet të jenë më bashkëpunues dhe t’i ulin presingun ekipit anglez në minutat e para. Sulmues inteligjentë dhe pasime të shkurtra që çorientojnë kundërshtarin janë pika jonë e fortë në treshen Bajrami–Uzuni–Asllani. Ndeshjet për statistikë nuk i duam; duam situatë loje dhe mend në kokë.
Ndryshe ka qenë në kohë të tjera dhe ndryshe sot: ekipi ynë është rritur dhe duhet të tregojë pjekuri, dhe mbi të gjitha karakter në fushë, duke respektuar jo vetëm vlerat e flamurit kombëtar, por edhe duke gëzuar zemrat e tifozerisë shqiptare që i ka ndjekur kudo ku ka luajtur nëpër botë.
Kastriot KOTONI