Termat “gjeopolitika” dhe “gjeografia politike” janë relativisht të vona. Për herë të parë termi “gjeopolitik” u përdor në vitin 1899 nga sociologu dhe politologu suedez R.Rudolf Kyelen. Ndërsa si baba i termit “gjeografia politike” është gjeografi gjerman Fridrih Racel (në vitin 1897). Fillimisht termat në vendet anglosaksone u përdorën si sinonime të njëri tjetrit. Gjeopolitika par a Luftës së Parë Botërore pati njohur një popullaritet të madh. Kjo u bë e mundur në sajë të nxitjes që i dhanë studiuesit gjermanë e në mënyrë të veçantë gjenerali Karl Haushofer. Ai ishte themeluesi i shkollës së Munihut në Bavari. Pas Luftës së Dytë Botërore gjeopolitika pati një zbehje, një humbje të popullaritetit. Një autor si Lakosti është i mendimit se rizbulimi gjeopolitikës nga ana e mendimit politik evropian ndodhi në vitin 1978, me pushtimin e Kamboxhias nga an e Vietnamit dhe më pas me sulmin e Kinës kundër Vietnamit. Këto veprime iu kundërvunë dogmës së pamundësisë së luftës midis shteteve socialiste. Më përpara në këto vende nuk flitej për gjeopolitikë, edhe nga fakti se Stalini pas Luftës së Dytë Botërore kishte urdhëruar që gjeopolitika të konsiderohej si një shprehje tipike e mendimit politik nazist, e cila tregoi pavërtetësinë e saj në Bashkimin Sovjetik. Rishfaqja jo aq e gjeopolitkës si koncept sesa e termit gjeopolitikë, rrodhi nga faktorë të ndryshëm: nga përfundimi i ideologjisë së botës dy polare; nga zëvendësimi i rregullit të vendosur nga Jalta me shpërndarjen e disa vendeve, nga projektimi i vështirë për të ngritur një “rend të ri botëror”. Bashkimi i Gjermanisë, “Ballkanizimi i botës”, rritja e ndikimit ndërkombëtar të disa vendeve sidomos të Azisë Juglindore dhe shfaqja e fondamentalistëve dhe e feve shumëkombëshe, varësia e shoqërive nga informacioni, shfaqja në sistemin ndërkombëtar i teknologjive të reja, qoftë për industrinë ushtarake apo për industrit e tjera, janë edhe shkaqet e risjelljes së gjeopolitikës jo vetëm si term gjeopolitik, por edhe si metodologji e tematikat, kërkohet, pak a shumë në mënyrë të ndërgjegjshme t’u bëhet ballë sfidave të pasigurive të ndryshimeve të tilla si edhe rregullit të ri botëror. Përcaktimi dhe përmbajtja e gjeopolitkës nuk është një nocion i prerë i dhënë njëherë e përgjithmonë, nuk ekziston as edhe ndonjë vend i qartë në disiplinën e shkencave. Disa e pozicionojnë gjeopolitkën në hapësirën e shkencave gjeografike, disa të tjerë e fusin midis shkencave politike, në mënyrë të veçantë në atë që merret me lidhjet ndërkombëtare, të tjerë pohojnë autonominë shkencore të saj, duke e konsideruar atë “ndërgjegja gjeografike e shtetit” ose “gjeografia objektive. Megjithatë determinizmi gjeografik, veçanërisht i parapëlqyer për shkollën haushoferiane, kishte prirje të tejkaluara. Në përgjithësi gjeografët akademikë synojnë ta vendosin gjeopolitkën në një hapësirë të ngushtë të shkencave gjeografike; ta quajnë si sinonim të thjeshtë të gjeografisë politike, duke e mohuar qënien e saj si një disiplinë më vete. Politologët, internacionalistët nisur nga kuptimi i ngushtë i termit, natyrisht me thekse të ndryshme i japin asaj përkatësi në shkencën e politikës. Disa të tjerë pohojnë që gjeopolitika nuk ekziston në realitet, por vetëm në literaturë dhe se ajo identifikohet me historinë e mendimit gjeopolitik. Të tjerë si Raimondo Strasoldoja e Pjer Galusi i qëndrojnë mendimit se është e nevojshme të veçohet një koncept sa më i ngushtë për gjeopolitikën, ndërsa një grup tjetër janë për një koncept edhe më të gjerë të saj. Koncepti i parë do të ishte determinist dhe pikërish si koncepti i shkollës së Mynihut, të cilën Galusi e emërtoi “gjeopolitika metafizike”, por që më saktë duhet të quhet “shkencore”. Koncepti tjetër synon të paraqisë rëndësinë që kanë faktorët gjeografikë, në vendimet politike. Në këtë varg idesh futet Norman Paundsi, i cili parapëlqen ta emërtojë gjeopolitikën si “makrogjeografi”. Sipas tij, në bazë të përvojës praktike historike, mund të pohosh se faktorët mjedisorë nuk përcaktojnë zgjidhjet politike. Natyrisht ata i kushtëzojnë ato me një sërë veprimesh të ndërsjellta, madje përpara gjithë faktorëve të tjerë, por kushtëzimi e përjashton çdo raport mekanik shkak-pasojë. Të tjerë si Haroldi e Margaret Sprauti, i qëndrojnë mendimit, se është më i pranueshëm koncepti sipas të cilit mjedisi ndikon në vendimet që marrin njerëzit. Ata pohojnë se natyra ndikon mbi këto vendime vetëm duke i kufizuar ato, ose e shumta, duke kontribuar në veçimin e obsioneve të mundshme e midis të cilëve do të duhet të realizohet zgjedhja. Një qëndrim tjetër ka të bëjë me shtrirjen territoriale, e cila merret në konsideratë në analizat gjeopolitike. Teoritë e mëdha klasike gjeopolitike janë globale dhe gjithmonë kanë qenë për një lidhje të ngushtë midis të vërtetave të mëdha gjeografike e atyre historike. Ato e vlerësojnë qëndrimin kontradiktor midis tokës e detit, midis fuqive kontinentale e atyre detare dhe synojnë të përcaktojnë ndikimin e mjedisit mbi njeriun e mbi veprimtarinë e tij, duke filluar nga shoqëria tek institucionet e saj politike dhe nga ekonomia deri te kultura specifike e çdo populli. Teori të tilla vlerësojnë si përcaktuese elementët natyrore të tilla si, pozicioni, shtrirja territoriale, largësitë, hapësira dhe klimës, duke mbajtur gjithmonë në konsideratë ndikimin e teknologjisë, që merr vlera të mesme midis faktorëve natyrorë dhe vlerës së tyre politike, ekonomike e strategjike. Gjeopolitika e re është rajonale edhe lokale. Ajo nuk kundërshton të vërtetat e mëdha, por ndalet në veçoritë rajonale dhe në sensin e hapësirës që kanë grupe të ndryshme kombesh në kërkim të një identiteti, të një afirmimi dhe realizimin e atyre që ato përcaktojnë si të “drejta historike” e që nëpërgjithësi janë mbi të “drejtat historike të popujve” të tjerë. Me shpërthimin e etnonacionalizmit veçimi i pozicioneve të tilla është themelor për të parashikuar konfliktet e ardhshme si dhe për të përcaktuar nismat që duhen marrë për parandalimin e tyre. Sipas Lakostit gjeopolitika në këtë sens do të ishte një disiplinë më vete. Ajo do të merrej me përcaktimin dhe ballafaqimin e vazhdueshëm të ndijimeve e bindjeve që çdo grup politik ka për hapësirën të arritura këto jo nga një vlerësim racional e objektivi i interesave të tyre, por nga kultura dhe përvoja historike e tij. Në përgjithësi, gjeopolitika e re, e krahasuar me atë tradicionalen, i jep një rëndësi të madhe faktorëve gjopolitikë njerëzorë siç janë: demografia; ekonomia; etnologjia; sociologjia; antropologjia etj, të krahasuar këto me faktorët fizikë, ku ndikim i këtyre të fundit, si rezultat i teknologjisë, ka ndryshuar. Sa më i lartë të jetë niveli i qytetërimit, aq më shumë njeriu lirohet nga natyra, por jo nga vetvetja e nga kushtëzimet e lidhura me kulturën e tij. Studiues të tjerë e zgjerojnë fushën e interesave të gjeopolitikës, te faktorë të brendshëm, të lidhur jo vetëm me shpërthimet fisnore dhe lokalizmat mbinacionalë që ndjekin një politikë të fuqisë e të vetëafirmimeve, por edhe planifikimin e territorit, në zhvillimin shoqëror, ekonomik, në urbanistikë, në qëndrimet elektorale, në ndarjen territorial të përgjegjësive (posteve) publike më të rëndësishme. Ekzistojnë shkolla e mendime gjeopolitike të ndryshme, të lidhura edhe me shtete të veçanta sesa me idologji politike të ndryshme. Kështu mund të flitet për një gjeopolitikë marksiste ose katolikosociale apo liberale, por mund të flitet për një gjeopolitikë gjermane, ruse, amerikane, angleze, franceze apo italiane. Pra duhet të flitet për shumë gjeopolitika në vend që të flitet vetëm për një gjeopolitikë. Studiuesit e gjeopolitikës kurrë nuk nuk janë neutral, dhe është pikërisht kjo mungesë neutraliteti te gjeopolitkanët që i bën të përfshihen nga “vetëdija e determinizmit”. Ky qëndrim i mbajtur ndaj konceptit të gjeopolitikës ka treguar historikisht dëshirën e gjeografëve për t’u vetëpropozuar si “këshilltarë të mbretit”, që kërkojnë edhe pëlqimin e “mbretit” apo opinonit publik, me qëllim që zgjedhjet e tyre politike të pranohen. Në thelb gjeopolitka nuk është gjë tjetër veçse “gjeografia e mbretit”, një gjeografi voluntariste me të cilën “mbretërit” dëshirojnë të veçojnë interesat e të përcaktojnë politika për të ndryshuar rregullin gjeografik. Natyra e gjeopolitikës është një kompleks parimesh e metodash që zbulojnë thelbin e teorive e hipotezave gjeopolitike. Ajo është pasqyrim i veçantë (mendim, bindje), por jo i vetëm dhe eksluziv, që paraprin vendimet politike. Ajo nuk synon të përshkruajë në mënyrë statike shtrirjen gjeografike të pushtetit politik, startegjik apo ekonomik të një momenti të veçantë, por as edhe të një momenti historik të veçantë, por as edhe të parashikojë evolucionet e mundshme “natyrore”. Në studimin e çdo hipoteze gjeopolitike është e nevojshme të dallohen gjithmonë tre momente. Së pari, lipset të bëhet një analizë sa më objektive e prirjeve kryesore të mjedisit. Së dyti, të bëhet një përcaktim, i nevojshëm subjektiv, i interesave dhe verifikimi i objektivave dhe i politikave të parazgjedhura. Së treti, të realizohet veprimi informativ dhe propagandistik me qëllim që të arrihet konsensusi i brendshëm dhe i nevojshëm për veprimin që synohet të realizohet.