
Gjuha ka formën e folur dhe formën e shkruar të saj. Gjuha e shkruar është më e re se gjuha e folur. Shkrimi ka lindur 6-7 mijë vjet më parë. Shpikja e tij është nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit. Etapat që ka kaluar ky shkrim kaq i thjeshtë alfabetik deri në ditët e sotme natyrisht kanë qenë të gjata. Shkrimi ideografik ka qenë mjaft i thjeshtë në kohët e lashta dhe quhej shkrim simbol. Me të përfaqësoheshin objektet simbolikisht të cilat përcillnin mesazhe. Këtu mund të kujtojmë kutitë me kokra kripe ose piperi etj të cilat përcillnin mesazhet me kuptim të dashurisë dhe të urrejtjes. Njihet nga të gjithë mesazhin që përcjell historiani grek i lashtësisë Herodoti (shekulli V para erës sonë), që skitët i dërguan Darit, mbretit të Persëve, me të cilin ishin në luftë. Mesazhi përbëhej nga një bretkocë, një mi, një zog dhe 5 shigjeta. Sipas “leximit” që i është bërë, ky mesazh donte të thoshte që, në qoftë se ju, persët, nuk do të mësoheni të hidheni nëpër këneta si bretkocat të fshiheni nëpër vrima si minjtë dhe të fluturoni si zogjtë, atëhere ju do të mbuloheni nga shigjetat tona, sapo të vini këmbën në tokën tonë. Ky është një shembull i sinjalizimit simbolik, ku çdo shpend apo gjitar ose send simbolizon diçka, p.sh, në rastin konkret zogu simbolizonte fluturimin. Një mjet tjetër përbëjnë shkopinjtë e mesazhierëve australianë. Këta shkopinj, të mbështjellur me lëkura, shërbejnë për të transmetuar, informacione apo urdhëra, nga një seri urdhërash mjaft të ndërlikuar. Në kombinimet e lëkurave jepet një skemë e figuruar e komunikimit një skelet i kumtimit që duhet bërë. Së njëjtës kategori të shkopinjëve të mesazhierëve i përkasin edhe “kiposët” e peruanëve dhe “vampumët” e disa fiseve indiane të Amerikës së Veriut. “Kiposët” janë gjalma (litarë ose spango) të formuara nga fije leshi me ngjyra të ndryshme, mbi të cilat vendosen në largësi të ndryshme nyje pak a shumë të ndërlikuara. Duke kombinuar njëherazi ngjyrën e fijeve, trashësinë dhe pozicionin e nyjeve dhe duke i lidhur gjalmat njeri me tjetrin në një mënyrë konvencionale arrihen të shprehen në mënyrë simbolike idetë. Ndërsa “vampumët” janë gjerdanë me guacka të bashkuara, kombinimet e të cilave formojnë figura gjeometrike. Disa prej tyre kanë nga 6-7 mijë copë. Më e gjata një njihet përbën 49 rradhë guaskash. Ky lloj transmetimi kumtimesh, “që mund të quhet “shkrimi me nyje”, duhet të ketë qenë mjaft i vështirë për t’u lexuar. Çdo kombinim nyjesh kërkonte një interpretim nga marrësi, i cili jo gjithmonë e zgjidhte me saktësi e lehtësi këtë. Edhe në ditët tona zgjidhja e kësaj nyjeje do të ishte zgjidhja e fjalëkryqit më të vështirë. Sado të prefeksionoheshin “kiposët” dhe “vampumët” ishin vetëm mjete kujtese, sepse nuk arrinin të shprehnin idetë dhe nocionet. Ato janë vetëm pararendëse e shkrimit të vërtetë. Mund të pohohet se shkrimi fillon me piktografinë (nga latinishtja piktus=i vizatuar dhe greqishtja grapho= shkruaj). Piktografia është shkrimi me anë të vizatimeve dhe përbën fillimin e shkrimit grafik. Shenja e këtij shkrimi, piktogramat, janë vizatime skematike të njerëzve, kafshëve, shpendëve, drurëve etj. Në këtë mënyrë me anë të piktografisë mund të paraqiten vetëm sende konkrete, ndërsa idetë abstrakte nuk mund të paraqiten. Me anë të saj duke kombinuar një seri figurash, arrihej të paraqitej një tregim i lidhur. Një etapë tjetër më e lartë në zhvillimin e shkrimit përbën “ideografia” (nga greqishtja idea=ide dhe graphos=shkruaj), dmth shkrimi me anë të ideve, nocioneve. Nevoja për të paraqitur grafikisht atë që nuk mund ta vizatohej, atë që nuk ishte konkrete, lindi ideografinë. Shkrimi ideografik është shkrimi i parë që njohim dhe nga i cili kanë dalë të gjitha sistemet e tjera të shkrimit. Ndërsa në piktografi vizatimi paraqiste vetë sendin, në ideografi vizatimi paraqiste nocionin që lidhej me sendin, rezultatin e përdorimit të tij. P.sh nocioni i vigjilencës nuk mund të vizatohet, mund të paraqitet me anë të syrit; ose miqësia mund të paraqitetet me anë të dy duarve që shtrëngojnë njëra-tjetrën. Çdo lloj shkrimi ideografik ka pësuar ndryshime deri sa lindi nevoja për të shkruar shpejt dhe gjatë, gjë që solli skematizimin e vizatimeve, kthimin e tyre në një shenjë simbolike. Kjo solli për pasojë lindjen e hieroglifeve, të cilat në fillim ishin shenja që u ngjanin vizatimeve të sendeve-nocione, por me kalimin e kohës thjeshtohen dhe transformohen në simbole konvencionale. Fillimi i shkrimit hieroglifk i takon afërsisht mjëvjeçarit IV para erës së re. Atë e gjejmë në Kinë. Me kalimin e kohës u bënë përpjekje për ta thjeshtuar shkrimin dhe për të pakësuar numrin e shenjave. Këto përpjekje u bënë në rrugë të ndryshme. Një nga këto rrugë ishte bashkimi i shenjave të ndryshme për të shprehur një nocion. P.sh; në shkrimin kinez, për të dhënë nocionin e lotit bashkohej shenja e syrit me shenjën e ujit, ose për të dhënë nocionin e lehjes së qenit bashkohej shenja e qenit dhe shenja e gojës etj. Një rrugë tjetër e shkurtimit dhe e thjeshtimit ideografik lidhej me format gramatikore. Kështu për rrënjën ruhej një hieroglif, kurse për format e prejardhura nga kjo rrënjë përdoreshin hieroglife plotësuese me kuptimin e ndajshtesave (afikseve). Meqë numri i rrënjëve ishte pothuaj i pakufishëm, për çdo rrënjë kishte një hieroglif. Në gjuhën kineze ky numër arriti në 50.000, nga të cilat përdoreshin 10.000 dhe prej tyre më dendur 4000-5000. Një lloj tjetër shkrimi është fonografia (nga greqishtja phone=tingull dhe grapho=shkruaj). Fonografia është ajo mënyrë shkrimi ku shenjat tregojnë elementët tingullore të fjalës: rrokjet ose tingujt. Sipas faktit se çfarë përfaqësonin këto shenja janë dalluar dy lloje shkrimi: Shkrimi me rrokje ose (shkrimi silabik) dhe shkrimi me tingull. Fonografia shënon një etapë të re më të lartë të zhvillimit të shkrimit. Ajo tregon rritjen e aftësisë tek njerëzit për analizën e të folurit. Fjalët analizohen në njësi më të vogla, në fillim në rrokje. Kështu lindi shkrimi silabik, ku çdo rrokje ka një shenjë të veçantë. Në këtë lloj shkrimi numri i shenjave bëhet disa qindra herë më i vogël. Shkrimi më i vjetër silabik është shkrimi i sumerëve (Mesapotami), të periudhës afërsisht 2000 vjet para erës së re. Vatër tjetër e shkrimit silabik është Kreta dhe Qipro në detin Mesdhe. Në gjuhët e sotme të gjalla shkrimi silabik përdor gjuha japoneze, që është krijuar prej hieroglifeve kineze. Këtu çdo hieroglif përfaqëson një rrokje. Një hap tjetër të mëtejshëm drejt sistemit fonetik të shkrimit përbën shkrimi i fenikasve, afërsisht në 1000-vjeçarin e parë para erës sonë, ku shënoheshin me shkronja bashkëtingëlloret, kurse zanoret, që alternoheshin dhe shprehnin forma gramatikore, shënoheshin në shkrim me shenja diakretike. Etapa e fundit në zhvillimin e shkrimit është shkrim tingullor, ku çdo shkronjë paraqet një tingull të veçantë. Një sistem i tillë shkrimi u krijua në greqishten e vjetër. Pothuajse të gjitha sistemet e shkrimit tingullor kanë një origjinë të përbashkët. Ato kanë dalë nga alfabeti semit i përhapur në Finik, Siri dhe Palestinë në mijëvjeçarin e dytë para epokës sonë. Në të shënoheshin vetëm bashkëtingëlloret me 22 shenja. Si pikënisje e të gjitha alfabeteve evropiane është alfabeti grek. Ai lindi diku në shekujt 10-9 para epokës sonë (përmendoret më të vjetra i përkasin shekullit VII parë erës sonë). Shkrimet e vjetra greke përputhen pothuajse plotësisht nga forma e shkronjave me alfabetin e fenikasve. Shkrimi latin është gjithashtu një vatër tjetër rrezatuese, (përmendoret e para e të cilit janë të shekullit VI para erës sonë). Në kohën e Perandorisë Romake shkrimi latin fitoi një karakter ndërkombëtar. Më vonë mbi bazën e shkrimit latin u zhvilluan sistemet kombëtare të shkrimeve të popujve të Evropës.
(Vijon…)
Timoleo GURI