

Nga Kastriot KOTONI
Idlir Azizi tashmë nuk përbën surprizë për lexuesin shqiptar dhe të huaj, pasi ai i ka kaluar sprovat dhe sfidat e një shkrimtari pretencioz në këtë areal shqiptar të njohjes së veprimtarisë krijuese të tij. Një vepër që të fton ta rilexosh, jo për faktin e një tejshqyrtimi të ri me aktualitetin e sotëm shqiptar, ku në duart e parlamentarëve tanë është ligji për përcaktimin e gjinisë, sepse vërtet libri me titull Don Kanuni ose, ngadalë gjaksi fillon dremit, botuar 13 vjet më parë, e ka në epiqendër këtë fenomen, por duke e rigjetur në kohë lidhjen e fenomeneve që vetëm arti i të shkruarit të Idlir Azizit e kishte paralajmëruar, debatin për gjininë.
Don Kanuni është ndoshta një libër që i ngjan një udhëtimi me avion supersonik, i cili në rrethrrotullimin ciklik të situatave dhe historive shqiptare navigon me pikiata të rrezikshme, si një pilot i sprovuar. E fillon misionin e fluturimit me temë nga profili i medias dhe kulturës shqiptare, e cila ka në qendër të vëmendjes vetëm një portret shqiptari që merret me të në vitet ’90, dhe padyshim, çfarëdo që të bënte ky shqiptari i kriminalizuar, duhej të përfshihej edhe tema e Kanunit. Citojmë një pasazh në faqen 14: “Mes gjithë atyre librave e personazheve shqiptarë e më gjerë; mes gjithë atyre skenareve dhe imazheve të këtyre kohëve nga filmat, bazuar ekskluzivisht mbi Shqipërinë, pra tërësisht mbi Kanunin, si nishanin e dallimit në fytyrën e Shqipërisë…”.
Këtë tipologji që vazhdon ende të performohet në libra, filma dhe teatrot shqiptare, Azizi e denoncon si fundin dhe degradimin e kulturës sonë. Kalimi në një ngjitje kozmike të shpejtësisë së zërit me trajtimin e një teme tabu – ku në qendër të Kanunit është një viktimë as grua e as burrë – është sa lëvizje kinetike mendore, aq edhe ndriçim i Kanunit, nga pikëpamja e amendimeve për gjininë e viktimës. Tani mekanizmi i strukturës së romanit punon me “autopilot” dhe lëvizjet krijojnë gjurmë ciklike të papërcaktuara, në mënyrë që çdo rikthim ciklik t’i shërbejë idesë qendrore: “Koha e Kanunit përballë një shoqërie me fenomene transgjinore është jo vetëm arkaike, por tregon një Shqipëri në dekadencë në të gjitha fushat e jetës.”
Ankorimi i ndërgjegjes shoqërore përballë dy situatave që kurrë në letërsinë botërore, e jo më shqiptare, nuk kanë lindur, e çon Azizit në destruktimin jo vetëm të ringjalljes së Kanunit, por edhe të filozofes pa gjini Judith Butler, e cila kishte ardhur për të “ndihmuar” në këtë koklavitje gjinore.
Vrasësi mirë që ishte dënuar nga shteti me ligjet e tij; por çfarë thoshte Kanuni? Këtu qëndron problemi. Viktima nuk i plotësonte kushtet për t’i vënë emrin mashkull. Pleqësia që do të jepte vendimin sipas Kanunit u gjend në hall. Diku në Perëndim, një filozofe e përcaktimit të gjinisë, e veshur si kaubojs, ishte ftuar nga pleqtë, meqë edhe ajo dinte ose ishte e informuar për Kanunin.
Kthesa dhe pirueta të ciklimit historik të shtetit shqiptar, gdhendur mjeshtërisht me metafora groteske, janë sipari i një romani stilistik, plot sarkazëm dhe ironi. Tema e shtetbërjes sonë, në një panoramë groteske në aeroportin e vendit, kalon herë në ngjitje kozmike e herë në pikiatë. Mjeshtërisht janë përshkruar idetë dhe forma e një romani që kërkon të zbërthejë figurën e policit – d.m.th. të shtetit – por edhe të filozofes qëndrestare, e cila të qenit pa identitet gjinor e quan diçka normale.
Shkurt: si duhet të veprojë shteti në këtë rast? Libri është shkruar në vitin 2012 nga Azizi. Apokalipsi vjen nga brenda psikikës sonë, sepse filozofen Butler – e cila ka mbrojtur doktoraturën me temën e transgjinores në shoqëritë moderne – e kanë ftuar pleqtë e krahinës që do të zbatojë Kanunin me përpikëri.
Kjo skenë, e mbarsur me dialogë të ngjeshur dhe të shtëna me kast nga narratori, është një navigim historik i asaj që ka ndodhur me historinë tonë… në gojën e kanunorit, i cili kishte mik shefin e policisë dhe i kishte bërë nder me një pasaportë fallco; ndërsa shefi qëndronte strikt duke kruar gjenitalet.
Zbërthimi i temës së “nacionalizmit” fallco dhe spontan vetëm në ndeshjet e futbollit, apo skizofrenia e shoqatave me orientim egjiptologjik, ndërkohë që prindërit, shkrimtarët dhe politikanët shqiptarë ishin tashmë vetëm albanologë; shoqata me burra nga tifozllëku kombëtar e shihnin veten tani si stërnipër të Osirit që s’i gjente gjëkundi në mijëvjeçarë. Kryeshoqata “Faqekuq-Faqezinj” akuzonte partitë politike se e kishin mashkullarizuar emrin e Shqipërisë në numrin njëjës: “Me seksin e Osirisit të sajuar në ‘photoshop’ për logon e vet, kryeshoqata ‘Faqekuq-Faqezinj’ ishte bërë denoncuese e korrupsionit fort mashkullor në Shqipëri…”. “Ngritja në modë e egjiptologjisë në Shqipëri kishte sjellë atëherë edhe tërbimin e universiteteve private. Ato ishin të parat që provonin degjenerimin përfundimtar të shpirtit konkurrent pa funksion…”
Me një shikim gjakftohtë të këtij romani, është e udhës të themi se shkrimtari u thërret bashkëkombasve të vet se për çfarë duhet të ketë me të vërtetë arti dhe shoqëria shqiptare interes: ruajtjen e vlerave të saj. Vëzhgimi i hollë dhe mjetet stilistike tregojnë se, duke goditur me sarkazëm e ironi shumë fenomene politiko-shoqërore e kulturore, arrin më shpejt qëllimin, në një roman prej vetëm 125 faqesh.
Mbase e teprojmë, por ky roman hyn tek autorët e mendimit dualist ose “idealizmit të lirisë” – Platoni, teologët kristianë, Kanti, Fichte, që nënkuptojnë pavarësinë e frymës përkundrejt natyrës.
Shtresëzimi i një shoqërie pasqyrohet me shtresëzimin e shijes së saj; kalimi i normave nga klasa të larta që zbresin e pranohen në klasat e ulëta përbën thelbin e një shoqërie ambigue, të cilën Azizi, përmes çështjes së gjinisë, na e paraqet si rrafshin e tranzicionit kaq të tejzgjatur alla shqiptar.
Ndryshimet e vrullshme shoqërore dhe shkëputja e lidhjeve me shoqërinë e dekadave të kaluara kanë hapur një hendek të madh, dhe pikërisht këtu qëndron vlera e kësaj letërsie si dokument shoqëror: sepse na pasqyron një tablo të përgjithshme shoqërore, të dhimbshme, të hidhur për ta përtypur, që serviret e ftohtë, por është balsam.
Satira e ironia, vetëpërqeshja, alegoria e errët dhe trillimi imagjinativ janë të dhëna me masë dhe talent, pjesë e stilit të autorit. Larmia e karaktereve, tiparet psikologjike dhe tensionet e brendshme na ndërgjegjësojnë për kuptimësinë e veprës. Risia e diskursit të Azizit është në funksion të një gjykimi të hapur, të bazuar në arsyetim logjik e racional.
A është letërsi e një periudhe? Po, pa dyshim. Ka thyer norma dhe sisteme konvencionesh? Patjetër. Por kushti i parë është që vepra t’i nënshtrohet një lexuesi sa më të gjerë, me orvatje kritike nga pena profesionale, për të kuptuar nëse ia vlen përpunimi i një ideali të ri në historinë e letërsisë me autorë si Idlir Azizi.
Autori ka në CV-në e tij 10 romane dhe po aq libra të përkthyer; mbi të gjitha, është botuar edhe në vende të tjera të botës. Jeta e një vepre qëndron te historia e efekteve të saj; ndaj edhe vepra e këtij autori ka potencial të qëndrueshëm në vëmendjen e lexuesve.