Gjergj Fishta lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Lezhës. Arsimin fillestar e mori në Kolegjin Saverian të Shkodrës, ndërsa studimet e larta për filozofi dhe teologji i kreu në Bosnjë. Ai ishte bashkëthemelues i shoqërisë kulturore-politike “Bashkimi” në Shkodër, e cila luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Në vitin 1908, Fishta kryesoi Kongresin e Parë të Manastirit, ndërsa në periudhën 1916–1918 mori pjesë aktive në “Komisinë Letrare të Shkodrës”. Ai kontribuoi edhe në jetën politike të vendit, duke u angazhuar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për demokratizimin e shtetit shqiptar në hapat e tij të parë. Vdiq në vitin 1940.
Poema epike “Lahuta e Malcis” përfaqëson një nga kulmet e letërsisë shqipe, krahas veprave të tjera si “Mrizi i Zanave”, satirat “Anzat e Parnasit”, “Gomari i Baba Tasit” etj. Me penën e tij, Fishta trajtoi tema estetike, filozofike, politike dhe publicistike, të cilat u pasqyruan në shtypin e kohës, nga gazeta “Albania” e Faik Konicës deri te revista “Ylli i Dritës”, të cilën e drejtoi vetë për 20 vjet.
Falë nivelit të lartë të krijimtarisë dhe mendimit, Gjergj Fishta zë një vend të merituar në Panteonin e shkrimtarëve dhe mendimtarëve të kombit shqiptar. Ai trajtoi me guxim tema të sociologjisë, linguistikës, religjionit, kulturës dhe artit, komunikimit dhe edukimit, moralit, arsimit dhe shkencës, si dhe kompleksitetin e marrëdhënieve familjare. Duke marrë për objekt jetesën kanunore të shqiptarit, ai analizoi martesën, divorcin, traditat fisnore dhe aristokratike, por edhe veset dhe huqet e trashëguara nga e kaluara historiko-politike.
Në një nga artikujt e tij polemizues me shtypin francez dhe politikën e Francës në Ballkan, të titulluar “A JANË T’ZOT SHQIPTARËT ME U MBAJT M’VEDI”, ai shkruan:
“Na e dimë sigurt se francezët, vite më parë, as që kanë menduar se gjendet kund Shqipëri në Evropë, e se, kur kanë dëgjuar ndonjëherë për shqiptarët, u është dukur sikur flitet për ndonjë fis të Patagonisë, a të ishujve të Sondes…”
Fishta kritikon shtypin francez për përhapjen e të pavërtetave mbi shqiptarët, të diktuara sipas tij nga Bankat e Parisit dhe qeveritë e tyre, me qëllim krijimin e një informacioni të errët. Ai thekson nevojën për të sqaruar mendjet e kthjellta dhe të paanshme, duke u treguar fuqive të mëdha se shqiptarët nuk janë një racë barbare, por një komb që meriton shtetin e vet dhe po ecën në rrugën e përparimit.
Antropologu i njohur gjerman, Wirkov, pas studimeve të gjata mbi skeletet e shqiptarëve në kohëra të hershme, ka deklaruar:
“Raca shqiptare është më fisnike, më bujare se të gjithë popujt e Ballkanit.” (Origjinali: Voilà la race vraiment supérieure de ces contrées.)
Një nga temat më të dashura për Fishtën ishte lëvrimi i gjuhës shqipe. Në një artikull mbi estetikën e gjuhës, ai shprehet:
“Njësimi i gjuhës është shenja më e qartë e kombësisë.” Ai sjell si shembull popujt e Spanjës dhe Meksikës, apo Anglisë dhe Irlandës së Veriut, që flasin të njëjtën gjuhë. Por kritikon ashpër përzierjen e gegnishtes me toskërishten në mënyrë të paqartë, duke thënë: “Ajo nuk është gjuhë, ajo është si mushka – s’është as kalë, as gomar.” Sipas tij, për të ndërtuar një gjuhë letrare nuk është e nevojshme të krijohet një gjuhë e re, por të njihet mirë gjuha dhe të ndiqen rregullat e saj me mjeshtëri. Koha dhe dija estetike do të gjykojnë se cili dialekt do të zgjidhet për gjuhë letrare në Shqipëri.
Për gjuhën shqipe kanë rënë heronj, dhe kjo tregon se të huajt na kanë sulmuar pikërisht për të penguar zhvillimin letrar dhe shtetëror të Shqipërisë, për shkak të mungesës së një gjuhe të unifikuar. Më keq akoma, shumë gazetarë të rinj, duke përdorur fjalë të huaja pa kriter, po e bjerrin gjuhën shqipe. Ndërsa tjetër gjë është të gjesh fjalë të huaja të vlefshme dhe t’i përdorësh me mjeshtëri, dhe tjetër gjë është të shumtosh gjuhën pa kriter – shkruan Fishta.
Një nga thëniet më të njohura të tij, e kthyer në postulat për lexuesin shqiptar, është: “Tani që është bërë Shqipëria, duhen të bëhen shqiptarët.” Kjo thënie vjen nga artikulli i tij me titull “Tash qi asht ba Shqypnija, duhen përba Shqyptarët.” Po shkëpusim një paragraf nga ky shkrim memoristik të Gjergj Fishtës së madh:
“E vërtetë se sot për sot Shqypnija asht në hall për rruga, ura e rregullime ujrash; se këtu s’ka fabrika, avullore, udha të hekurta, etj… Por këto nuk do me thanë se s’ka Shqypni të lirë e të pavarme. Nuk janë rrugat e urat e shenjat e tjera të përparimit që sjellin lirinë e popujve; por asht kujdesi dhe puna e palodhur. Shqypnija, nëpër liri e pavarësi të vet, ka me përparu – do përparojë. Mbas pesëqind vjetësh robni, s’ka si bahet në dhjetë vjet Shqypnija si Ingliterrë, ta merr mendja.”
Fishta ngre pyetjen: A jemi ne shqiptarët sot një element i shëndoshë dhe një faktor i fortë për të mbajtur Shqipërinë në këmbë dhe për t’i dhënë përparim e lulëzim? Për t’i shërbyer shtetit-atdheut, më parë duhet të dish çfarë është atdheu, dhe më pas ta duash me gjithë zemër. Por shton Fishta: A ka shqiptarë që bëjnë Shqipërinë dhe e mëkëmbin shtetin?
Ciceroni thotë:
“Shteti është pjesë e kombit. Por komb nuk quhet çfarëdo lloj turme njerëzish, por një popull që vepron me ligje dhe rregulla për një interes të përbashkët.” Nga kjo thënie del se për të pasur Shqipëri me shtet, nuk mjafton të jesh shqiptar vetëm me trup e me fis, por duhet të jesh shqiptar me shpirt – një shqiptar që përfaqëson kombin, jo thjesht popullin. Për t’u shoqëruar, shoqërohen edhe hajdutët, por nuk përbëjnë as komb e as shtet.
Për ta ilustruar më thellë idenë e tij, Fishta përmend disa vargje nga një poezi italiane:
Della Patria l’amor santo e perfetto, Che amor di figlio e di fratello avanza, Empie a mille la bocca e a dieci il petto.
E përkthyer në shqip:
“Atdhedashurinë e kanë në gojë një mijë vetë, por në zemër vetëm dhjetë.”
Nga këto vargje kuptohet se edhe në Evropën e madhe, numri i atdhetarëve të vërtetë nuk është aq i madh. Në një tjetër citim, Fishta thekson se përpara se të aprovojnë buxhetin e shtetit, parlamentarët duhet të jenë atdhetarë.
Pas vëzhgimit të tij, Fishta arrin në përfundimin se sot ka Shqipëri, por shqiptarë të vërtetë ka pak ose aspak. Dhe pyet: Kush do t’i bëjë këta shqiptarë të vërtetë? Çelësi është Morali! E gjithë forca materiale dhe morale e qeverisë duhet të jetë homogjene. Nëse organizohen në homogjinitet parimet morale dhe shoqërore, ngjallen idetë, dhe nëpërmjet homogjenitetit të ideve ngrihet veprimi i përbashkët. Kështu, nëpërmjet këtij veprimi të përbashkët, forcohet shteti dhe lulëzon Shqipëria – thekson Gjergj Fishta.
Vepra e tij ka frymëzuar dhe vazhdon të frymëzojë shqiptarët kudo në botë. Edhe pse i paragjykuar, i anatemuar dhe i ndaluar gjatë diktaturës, në vitin 1962 është bërë përpjekje për ta eksperimentuar në lëndën e gjuhës shqipe në disa shkolla. Për këtë ekziston edhe një maket…
Nga Timoleo GURI