
Intelektuali shqiptar Branko Merxhani, i cili në vitin 1930 gjendej në Stamboll pranë familjes së tij, interesohet pranë Komisionit Mikst nga Lidhja e Kombeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Turqisë dhe Greqisë për çështjen e pakicave ortodokse shqiptare që ndodheshin në Turqi. Branko Merxhani përshkruan takimin me dy nga pjesëtarët e delegacionit të Lidhjes së Kombeve, zotin Andersen dhe Holsten. Kjo çështje tepër e rëndësishme për interesat e ortodoksëve shqiptarë më nxiti që t’i ndiqja më nga afër të gjitha fazat e saj. Vizita e një gazetari shqiptar në zyrën e Komisionit Mikst ishte një ngjarje e veçantë, për të cilën Branko shprehet më tej: “Është hera e parë, më thanë me buzë në gaz këta dy evropianë shumë të fisëm, që shohim këtu një gazetar shqiptar.” Zoti Holsten shtoi edhe këto ndër të tjera: “Prej shumë kohësh po merrem me çështje ndërkombëtare. Kam punuar për vite me radhë nëpër konferenca ndërkombëtare dhe në komisione gjurmuese (faktmbledhëse) të ndryshme. Por nuk mbaj mend të kem takuar gjëkundi ndonjë nga kolegët tuaj. Kjo vizita juaj dëshmon se keni edhe ju shtyp që interesohet edhe për çështjet ndërkombëtare.” Dhe kur po ndaheshim, më tha: “U gëzova shumë për vizitën tuaj. Popujt e vegjël dhe të rinj mund të marrin vesh dhe të mësojnë shumë gjëra nga studimi dhe ndjekja me vërejtje e problemeve të përbotshme.” Këto fjalë të fundit të diplomatit danez po më oshëtijnë akoma në veshët e mia si një shtytje shqetësuese, shkruan B. Merxhani.
Më 14 qershor u dha vendimi i Komisionit Mikst. Vendim kundër pikëpamjes së delegacionit grek. Ja dhe paragrafi i përkthyer saktësisht: “U vendos që nënshtetasit turq ortodoksë, të ndodhur në Stamboll në çastin e hyrjes në fuqi të Konventës së Ankarasë më datë 10 qershor 1930, ardhur nga viset e shtetit shqiptar, duke mos pasur kurrë të shtruar nën shkëmbimin e vendosur nga Konventa e Lozanës më 30 janar 1923, por duke qenë në çdo kohë të kushtëzuar nga Marrëveshja Turko-Shqiptare bërë në Ankara më 15 dhjetor 1923, nuk vjen në dispozitat e kaptinës V të Marrëveshjes më datë 10 qershor dhe kështu nuk mund t’u shtohen këtyre interpretimeve dhe të gjitha kushteve që rrjedhin prej tyre.”
Më tej, Branko Merxhani na njofton se materiali i këtij Komisioni Mikst përbëhet nga 30 fletë të daktilografuara dhe përmban një shikim historik të plotë dhe interpretim ndërkombëtar në tërësi të çështjes. Ka shumë rëndësi kjo pjesë që i përket vendimit nr. 35 të Komisionit Mikst, përsa u takon interpretimit të fjalëve “fe myslimane” dhe “fe greke ortodokse” që figurojnë në artikullin e parë të “Konventës së Lozanës”. Në mbledhjen e 27 dhjetorit 1927, Komisioni Mikst vendosi edhe këto: “Nuk përfshihen nga Konventa e Lozanës çështja e shkëmbimit për personat e varur fetarisht:
– Nga Patriarkanat e Antiokisë, të Jeruzalemit dhe të Aleksandrisë; – Nga kishat autoqefale të Qipros, të Malit Sinai, serbe, rumune, të Malit të Zi, ruse të Shqipërisë dhe të Bullgarisë.”
Në këtë vendim që kam në dorë, shprehet Merxhani, nuk përjashtohet Kisha Autoqefale Shqiptare. Mbështetur në të drejtën neutrale të ortodoksëve shqiptarë, goditi për vdekje pikëpamjen greke për të lidhur shqiptarët ortodoksë me Patriarkanën e Fanarit dhe kthjellon nga pikëpamja fetare pozitën e ortodoksëve shqiptarë të vendosur në Turqi. Kemi pra, për nga numri dhe cilësimi, një “pakicë fetare” me rëndësi në Stamboll, e mbrojtur me ligj, e cila njihet edhe ndërkombëtarisht. Afërsisht 15 mijë pjesëtarë të Kishës Autoqefale Shqiptare nuk kanë asnjë kishë nga kishat ortodokse të shumta që janë në Stamboll. Kjo pakicë mund të ketë edhe në Stamboll edhe shkolla fillore në gjuhën shqipe, sipas ligjit të Republikës Turke – e përfundon shkrimin e tij, në gazetën “Demokratia”, më 14 maj 1932, gazetari Branko Merxhani.
Timoleo GURI