Monday

27-10-2025 Vol 19

Për të kujtuar Mbretëreshën që solli hijeshi e dinjitet në një vend të vogël, por me shpirt të madh

Mbretëresha Geraldinë: Eleganca që preku Shqipërinë

Në Budapestin e ndriçuar nga dritat e aristokracisë europiane, më 6 gusht 1915, erdhi në jetë një vajzë që fati do ta çonte larg, në një vend të panjohur për të, Shqipëri. Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagy-Appony, bija e një konti hungarez dhe një zonje amerikane, u rrit në botën e finesës, kulturës dhe mirësjelljes që vetëm oborret e vjetra europiane mund ta ofronin.

Por jeta e saj nuk ishte thjesht një histori fisnikërie, ishte një rrugëtim drejt dashurisë, sakrificës dhe dinjitetit. Në dhjetor të vitit 1937, një fotografi e saj mbërriti në Tiranë. Mbreti Zog I e pa dhe, mes shumë kandidatesh të tjera, njohu në atë fytyrë fisnike dhe shikim të butë, gruan që do t’i rrinte krah në fron. Vetëm pak muaj më vonë, më 27 prill 1938, në kryeqytetin shqiptar u zhvillua një martesë që solli në këtë vend frymën e Evropës elegante. Ajo u bë Mbretëresha e Shqipërisë; “Rosa e Bardhë e Hungarisë”, siç e quante shtypi i kohës.

Në Tiranën e viteve ’30, ajo solli kulturën e butë të perëndimit, delikatesën e sjelljes, dashurinë për artin dhe respektin për popullin. Fustanet e saj të qepura në Paris, tiarat me diamante që përziheshin me simbolet e Skënderbeut, ishin më shumë se zbukurim, ishin shenjë nderimi për vendin që ajo zgjodhi të quante atdhe.

Në prill 1939, Mbretëresha Geraldinë u largua me dhimbje nga Shqipëria, duke mbajtur në krah djalin e sapolindur, Princ Lekën. Vitet e mërgimit do të ishin të gjata, por kurrë pa kujtimin e vendit që e kishte pranuar me dashuri. Në çdo vend ku qëndroi; në Francë, Egjipt apo Afrikën e Jugut, ajo ruajti të njëjtin fisnikërim, duke mbetur një zonjë e heshtur, e fortë dhe e përulur përballë fatit.

Në moshë të thyer, ajo u rikthye në Shqipëri, atje ku dikur kishte bërë betimin e saj mbretëror.

Më 22 tetor 2002, Geraldina e mbylli udhëtimin e saj tokësor në Tiranë, qytetin që e kishte pritur si mbretëreshë dhe e përcolli si një nënë e përkushtuar e kombit.

Geraldina ishte një shenjë e elegancës, e kulturës dhe e një dashurie të përtejme për Shqipërinë. Figura e saj mbetet një kujtesë e qetë dhe e ndritur se si dinjiteti, butësia dhe dashuria mund të mbretërojnë më gjatë se çdo fron.

Në kujtim të Mbretëreshës Geraldinë, “Trëndafilit të Bardhë” që lulëzoi mes maleve shqiptare dhe la pas aromën e fisnikërisë së përjetshme.

Nga Borea Lisi

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *