Branko Merxhani në një jetëshkrim të jetës së tij, shkruan: për instiktin dhe shpirtin e tij prej gazetari qysh në rininë e tij të hershme. Shqetësimi i nxjerrjes së lajmeve dhe gjurmimi i së vërtetës e ka ndjekur në gjithë jetën e tij intelektuale. Gazetaria për Brankon ka qenë puna që ka kryer më me kënaqësi në jetë. E kish nisur në bankat e gjimnazit si punë loje, “nxehje djaloshare” e më pas iu kthye në profesion të rregullt e të dashur, jashtë dëshirës së familjes. Në Universitet nisi të bashkëpunoj me gazetat dhe revistat më të rëndësishme të kohës, dhe mbeti mik i pandarë i penës, herë me gjumë dhe herë pa gjumë, kudo që u ndodh në qytete apo në gjysmë qytete, fshatra të largëta dhe të shkretë. I mësuar me zhurmën harmonike të maqinerisë së shtypshkronjës dhe erës së bojrave dhe letrës së gazetave. Ky ishte gëzimi dhe e fshehta e gazetarit, dhe mbase, dëfrimi i vetëm dhe më i madh i një gazetari të thjeshtë: të jetojë dhe të interesohet për jetën e gjysmës së njerëzisë me qëllim që t’ja përhapi lajmin e të ndriçoj në gjysmën tjetër… Mirpo njeriu rrallë e do dhe e çmon të vërtetën, shkruante Branko Merxhani. Duke udhëtuar në Stamboll me çfarëdo anije e vapori të vogël, vajtje-ardhjet në të dy anët e Bosforit, siç shkruan ai: është e pamundur të mos dëgjojnë veshët edhe ndonjë fjalë shqipe, që vjen nga larg. Dhe vetëvetiu i lindte pyetja atij. Ç’kërkojnë këta njerëz këtu? Ç’bëjnë? Si rrojnë? -dhe këto pyetje të thjeshta dhe të shpejta që i vijnë në mendje i shtreshëzohen për të dalë tek një interesim më i thellë rreth gjendjes së tyre ligjore, politiko-shoqërore. Nga ky moment ai do të filloj një cikël artikujsh me temën e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë së lirë ku për autorin ka edhe një “Shqipëri të dytë që ne ‘s’e dimë”. Më tej ai ka temën e një kryeartikulli me temën: “Pse një pjesë e bashkombësve tanë po shkombëtarizohen në kurbet?”. Kemi nevojë të interesohemi për jetën e shqiptarëve jashtë shtetit dhe të studiojmë problemet e tyre. Branko Merxhani shkruan në vazhdim: Me gjithë ndryshimet e mëdha që ndodhën vitet e fundit shumë bashkëatdhetarë tanë muslimanë dhe të krishterë, nga vise të ndryshme të Shqipërisë së lirë dhe të robëruar, mbetën në Turqi. Që nga nga viti 1914 u bënë shumë ndryshime në hartën e botës, u shkulën popullsi të tëra nga vatrat e tyre, por shqiptari me përjashtime shumë të vogla mbeti në truallin e tij. Plot dy million shqiptarë llogariten të jenë të mërguar në të gjithë botën. Çështja e tyre paraqet interes të veçantë se ka të bëj me marrëdhëniet e tyre me shtetin amë-atdheun. Padrejtësirat evropiane që na u bënë me ngushtimin e kufijve të Shqipërisë, na bëjnë të mendojmë se kemi një Shqipëri të dytë, me një popullsi më të madhe dhe shumë të rëndësishme të shpërndarë që nga Amerika e Veriut, gjer në anët e Nilit të Afrikës, e gjer në Sirinë, e gjer në kufijtë e Ballkanit dhe brenda në Anadoll. Kjo përbën Diasporën shqiptare një nga faktorët më të rëndësishëm ekonomik me shumë rëndësi për mbajtjen dhe zhvillimin e jetës familjare, raciale dhe mendore të kombit. Për zhvillimin e një jete kombëtare të zhvilluar si dhe një jete kulturore duhet një popullsi e madhe. Po pjesa më e madhe e popullit tonë jeton jashtë shtetit dhe shumica e saj ndihmon nga ana financiare familjarët në Shqipëri. Por ka edhe një pjesë tjetër jo të paktë që po shtohet dita ditës e cila, prej faktorëve historik dhe influencave të ndryshme po ç’kombtarizohen, duke pranuar dashur pa dashur nënshtetësinë e vendit ku jetojnë(Amerikë, Rumani, Itali, Greqi, Turqi etj… duke u vendosur familjarisht në dhe të huaj dhe duke ndërprerë kështu çdo marrëdhënie me shtetin amë-atdheun, duke humbur dalë ngadalë edhe gjuhën, edhe origjinën, edhe traditat. Ky problem panshqiptar duhet të merret parasysh me seriozitet. Nga njëra anë duhet të rregullojmë punët tona brenda vendit, të zhvillojmë ekonominë (bujqwsinë të parën) dhe nga ana tjetër duhet të nxjerrim ligje duke frenuar emigrimin, dhe të përpiqemi që të biem në vend shqiptarët e emigruar. Pozita e sotme e shqiptarëve në Turqi është bërë shumë herë temë e bisedimeve ndërkombëtare. Ka dy dokumente të cilat atakojnë pozitën e tyre nga pikëpamja ligjore-politke ose më tepër ndërkombëtare.
- Konventa e Lozanës më 1923
- Marrëveshja Turko-Shqiptare në dhjetor 1923
Traktati i Lozanës i cili i përjashton shkëmbimin e të gjithë shqiptarëve muslimanë e të krishterë, si në Turqi edhe në Greqi, nuk u zbatua tërësisht, shkruan ndër të tjera B.Merxhani. Shqiptarët, muslimanë dhe të krishterë në Stamboll llogariten të paktën 20 mijë (më 1923). Në këtë numër nuk janë përfshirë ata 60 mijë shqiptarë që janë vendosur përfundimisht në Stamboll dhe në vise të tjera të Turqisë, të cilët për shkaqet e lidhjes fetare, u përthithën të gjithë nga turqizimi dhe kanë zënë poste ushtarake dhe administrative të shtetit, që nga pozita e lartë e Ministrit gjer në katedrën e nderuar të Universitetit të Stambollit. Siç dihet në shumë raste sot në qeverinë e Turqisë së Re janë me gjak shqiptari. Bile Kryetari iRepublikës Turke, njeriu mbase më i shkëlqyer i shekullit, tonë, duke kuvenduar mes miqsh, kishte thënë me krenari se “gjyshërit e tij kanë qenë shqiptar”, (bëhet fjalë për Qemal Ata Turkun). Po kështu ka shumë fakte në shtetet e Ballkanit ku udhëheq raca shqiptare. Po le t’i kthehemi çështjes së 20.000 shqiptarëve muslimanë dhe të krishterë, vazhdon më tej B. Merxhani.
- Konferenca e Lozanës ka qenë dakord për të përjashtuar nga shkëmbimi shqiptarët që kanë banojnë në Greqi e Turqi, siç rezulton nga mbledhja e Nënkomisionit të parë për shkëmbimin e popullsive, mbajtur në Lozanë në 19 janar 1923 nën kryesinë e zotit Montagna. Delegati grek Kaklamanos dhe delegate turk Riza Nuri Bej, pas ndërhyrjes së delegatit Italian deklaruan se “Greqia nuk kish aspak qëllim të shkëmbejë muslimanët me origjinë shqiptare” dhe se “Turqia pranon që shqiptarët duhen të përjashtohen nga shkëmbimi”. Më 20 janar të vitit 1923 z. Garroni u përgjigjigj si më poshtë në emër të delegacionit italian, që ishte marrë me çështjen e fatit të rezervuar të shqiptarëve të Çamërisë me një letër dërguar delegatit shqiptar më datën 11 janar 1923. “Jam i lumtur që mund t’ju lajmëroj se “përfaqësuesit turq e grekë deklaruan formalisht se pakica shqiptare, vendosur si në Turqi ashtu edhe në Greqi, përjashtohen “de jure et de facto” nga shkëmbimi i popullsive.
I) Në 15 dhjetor të 1923 në mes të Shqipërisë e Turqisë u nënshkruan në Ankara tre akte ndërkombëtare.
A) Konventa e vendosjes
B) Traktati i miqësisë
C) Marrëveshja mbi kombësinë
Ky akti i fundit sqaron ndër të tjera Brank Merxhani, përmban një sërë dispozitash për gjendjen personale të njerëzve nga Shqipëria e lirë. Artikulli 2 flet se personat nga shteti shqiptar dhe të vendosur në Turqi në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje do të mbeten nënshtetas turq. Paragrafi i dytë dhe i tretë të artikujve 3 disponojnë këto të drejta. “Personat, që do të donin të zgjidhnin nënshtetësinë shqiptare, duhet që, pas një viti “nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, të shesin pasuritë e tyre të tundshme dhe të patundshme, të lajnë taksat ose borxhet e tyre vetjake të shkëpusin marrëdhëniet e të ikin nga Turqia me kushtin që të mos kthehen më”. Nga kjo marrëveshje kanë të drejtë të përfitojnë pa përjashtim feje të gjithë shqiptarët e lindur në territorin e shtetit shqiptar. Por e vërteta është se gjer pak kohë më parë këto dispozita nuk ishin zbatuar të gjitha nga ana e qeverisë turke, për shkaqe të ndryshme. Pra sipas Konventës së Lozanës shqiptarët duheshin përjashtuar nga shkëmbimi i popullsive si në Turqi ashtu edhe në Greqi, por kjo nuk u zbatua, dhe e pësuan shqiptarët orthodoksë të vendosur në qytete të ndryshme sidomos në Azinë e Vogël, të pushtuar nga ushtria greke, të cilët u shtrënguan që t’i linin në panik shtëpitë dhe mallin e tyre bashkë me ushtritë greke të mundura nga turqit. Po kur gjendja u normalizua, nuk u kërkuan dhe nuk u rregulluan të drejtat e kësaj popullsie të zhveshur me pa të drejtë nga malli e gjëja. Ndërsa shqiptarët muslimanë të Azisë së Vogël ishin më të privilegjuar. Shumë prej tyre ishin nënpunës të lartë të shtetit turk. Morën pjesë aktive në çlirimin e popullit turk kundër shkeljes së ushtrisë greke dhe në këtë mënyrë mundën të forconin pozitën e tyre në administratën turke. Këto janë shkaqet që shumë shqiptarë orthodoksë të vendosur në Stamboll, në kohën e firmosjes së marrëveshjes të zgjedhin nënshtetësinë turke e të mos kthehen më në vatrat e tyre të shkatërruara, shkruan B. Merxhani. Shkaku i shitjes me nxitim i pasurive frenojë riatdhesimin e shqiptarëve në tokën mëmë. Për gati nëntë vjet që nga viti 1923 deri në vitin 1934, qeveria turke nuk u kujdes që të rregullohej pozita e kësaj popullsie që kishte zgjedhur nënshtetësinë turke në bazë të dy akteve ndërkombëtare. Kjo anomali kaq e gjatë erdhi nga shkaku i mosbesimit të autoriteteve turke ndaj atyre greke e cila me taktika mizore dhe spekullative e delegacionit grek pranë “Komisionit miks të popullsisë”, u përpoq me çdo mjet që t’i pagëzonte si grek, këta shqiptarë të thjesht, me qëllime doemos politike dhe me qëllim që të vareshin nga Patriakana Ekumenike.
Timoleo GURI