
Në Muzeun e Artit të Guandongut, artistët shqiptarë Helidon Xhixha dhe Alfred Mirashi (Milot) sjellin një dialog magjik mes dritës, formës dhe shpirtit krijues që kapërcen kufijtë.
Në Guangzhou të Kinës, në zemër të Muzeut të Artit të Guandongut, drita dhe ngjyrat shqiptare po tërheqin vëmendjen e botës. Artistët Helidon Xhixha dhe Alfred Mirashi – Milot janë bërë protagonistë të ekspozitës ndërkombëtare “Rifrazioni e Dritës”, një ngjarje madhështore që bashkon dy univers artistikë të ndryshëm, të ndërlidhur nga filozofia e përbashkët e dritës si energji e krijimit.
E kuruar nga Ji Shaofeng dhe organizuar nga vetë institucioni, ekspozita u çel më 10 tetor 2025, duke i dhënë skenës kineze një përvojë të rrallë estetike ku racionalja dhe emocioni përplasen për të krijuar harmoni.
Në veprat e Alfred Mirashit, çelësat e deformuar në metal apo të përjetësuar në tablo janë më shumë se objekte artistike, janë metafora të hapjes, komunikimit dhe emancipimit njerëzor.
Për Milotin, çdo çelës është simbol i shpirtit që kërkon të çlirohet nga frika dhe kufizimi. Çdo përkulje e formës shpreh rebelimin ndaj uniformitetit, një ftesë për ta parë lirinë jo si rrezik, por si udhëtim drejt kuptimit të vetes.
Në galeritë e Guandongut, çelësat e tij janë si porta të imagjinatës që hapin botë të reja kulturore. Arti i Milotit flet për njeriun bashkëkohor që kërkon dritën përtej pragut të zakonshmërisë, për shoqërinë që mëson të hapet pa frikë.
Në krah të Milotit që punon me simbole, Helidon Xhixha sjell dritën si substancë të artit. I njohur për skulpturat e tij në çelik të lëmuar, Xhixha ndërton forma që pasqyrojnë, përthyjnë dhe shumëfishojnë rrezet, duke krijuar një përvojë vizuale që ndryshon me çdo lëvizje të shikimit.
Në punën e tij, drita bëhet arkitektura e hapësirës, ndërsa reflektimet pasqyrojnë energjinë e njeriut dhe marrëdhënien e tij me universin.
Ekspozita “Rifrazioni e Dritës” është më shumë se një takim mes dy artistësh, është një përplasje poetike mes mendimit racional të Xhixhës dhe shpërthimit emocional të artistit kinez Yan Laichao.
Njëri e sheh dritën si strukturë, tjetri si ndjenjë, dhe në mes të tyre qëndron Miloti, që e përdor dritën si metaforë për lirinë.
Në këtë dialog mes formës dhe ngjyrës, mes arsyes dhe shpirtit, arti shqiptar zë vendin e vet në skenën botërore si gjuhë universale që bashkon, ndriçon dhe frymëzon.
Muzeu i Guandongut, një nga qendrat më të rëndësishme të artit në Azi, ka sjellë kështu për herë të parë dy artistë shqiptarë që me talentin dhe vizionin e tyre po tregojnë se drita e artit nuk njeh kufij, ajo udhëton, përshtatet dhe ndriçon botën.