
Arbëreshet e Greqisë janë ngulur nga valët e historisë në ngulimet të reja, duke ruajtur gjuhën e folur dhe të shkruar, tipar themelor të vetëdijes kombëtare dhe etnokulturës të cilën e përcjellin brez pas brezi, duke përçuar e përqendruar në thelbin e traditave shpirtërore. Kjo ka ndikuar në zhvillimin e përparimin e tyre në jetën shoqërore. Duke lëvruar fjalën shqipe ata kanë krijuar vlera të reja, të cilat janë shkrirë si pjesë përbërëse e rëndësishme në pasurinë tonë kulturore. Përpjkje për të shkruar gjuhën shqipe janë bërë edhe nga arbëreshët e Greqisë dhe janë padyshim ato që fillojnë nga gjysma e dytë e shekullit XIX. Më të rëndësishmet ndër to janë veprat e Panajot Kupitorit, studiues arbëresh nga Hidra dhe të Anastas Kulluriotit, studiues nga Salamina, themelues i gazetës “Zëri i Shqipërisë” (“I foni tis Alvanias”, 1879-1880), që u bë tribunë e shquar e ideve të Rilindjes Kombëtare në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. P. Kupitori hartoi, ndër të tjera, një “Abetare” të gjuhës shqipe (1860) dhe një “Fjalor greqisht-shqip”, dorëshkrimin i të cilit ka mbi 1200 faqe. Vlera shkencore e këtij fjalori është e dyfishtë edhe si dëshmi e arbërishtes së Greqisë e sidomos e të folmes së Hidrës në shekullin e XIX, edhe si dëshmi e pasqyrimit të leksikut ndërdialektor me të folmet e tjera të toskërishtes, të gegërishtes dhe të arbërishtes së Italisë. A. Kllurioti hartoi gjithashtu një “abetar arbëror”, botuar më 1882 si “ndihmës prindëvet dhe djemvet arbëror”. Vetë autori e ka shprehur vlerësimin e kësaj vepre në ballinën e saj “Një abetare e mirë është baza e gjuhës”. Në vitin 1882 A. Kullurioti botoi përkthimin “Klumsht për foshnja”. Ai hartoi edhe një Fjalor shqip-greqisht. Krahas kësaj pune studimore për gjuhën shqipe, në vitet 1870-1880 nga arbëreshët e Greqisë krijohen edhe vepra poetike në gjuhën shqipe. Më 1870 Gjergj Divra botoi “ndë të folurë hidriote” vjershën “Të ndriçmes Zonjëzë Elenë Gjika”. Në këtë poezi ai ngre lart Arbërinë si vend që “gjithëmonë njerëz të mëdhenj ka nxjerrë”! dhe e çmon Dora d’Istrian pikërisht, sepse është prej gjaku shqiptar dhe sepse është përpjekur shumë për të nxjerrë në shesh historinë, ngjarejt tragjike e trimërinë e arbëreshëve. Vjershëtari Jani Botasi shkroi më 1886 poemthin “Peca (Specia)”, që ka një përmbajtje të thellë historiko-shoqërore. Ai përshkohet nga një lirizëm i hidhur, por edhe nga nota optimiste, të cilat burojnë nga besimi që ka poeti te forca morale njerëzve arbërorë. Duke kërkuar frymëzimin në kujtimet e djalërisë, J. Botasi u këndon me mall e përkushtim të thellë bukurive e shkëlqimit që kishte dikur vendlindja e vet. Specia (të cilën arbëreshët, sipas ligjeve të shqipes, e quajnë “Peca”, njerëzve arbëreshë me veti të larta-trimave “plot hare”, grave e vajzave të hijshme e plot stoli, që shkonin radhë radhë “si një gardh me trëndafile”, ngre lart heroizmin e arbëreshëve të Species, që ishin të parët në luftërat për çlirimin e Greqisë nga pushtuesit osmanë. Përballë këtyre faqeve të ndritura e të paharruara shfleton faqet e jetës së zymtë të arbëreshëve në ishullin e dashur, që e kishin zbukuruar dhe mbuluar me lavdi me djersën e me bëmat e veta. Ai thekson me dhimbje të thellë që, pasi u dëbuan pushtuesit, Specia nuk i gëzoi frytet e gjakut të derdhur e të humbjeve që pësoi: “Rbore njerëz e karave, – i drejtohet ai vendlindjes së vet, gjë s’kërkove, gjë s’të dhanë…, të lanë.” Pas flijimeve të mëdha erdhën ditë edhe më të vështira thotë poeti, Specia ngriti zërin për të dalë nga kjo gjendje, por zëri i saj nuk u përfill: “E kur pashë se ku jeshe, e pa bukë se mbese, / Ece thirre e kërkove, ma të thanë ka ku dolle, / Kur qeroi ish nukë fole, nani s’kemi, nani shkove”. Jani Botasi ka edhe një vjershë të shkurtër që ia kushtonte motrës së vet me këto vargje: “Edhe u, motërza ime, shkruajta me dorë time, Nja dy kshille jo shklerisht, po ndë gluhë arbërisht…”. Poezitë e Botasit kanë vlera estetike për të qenë të denja në antologjinë e letërsisë shqipe të Rilindjes. Ka edhe vepra të tjera që nuk njihen akoma, si dëshmi e shkrimit arbërishtes së Greqisë në shekullin e XIX, Hari Babuni një filog arbëresh zbuloi një dëshmi tjetër se arbërishtja e Greqisë është shkruar jo vetëm për qëllime mësimore e shkencore, por edhe në fushën e publiçistikës shoqërore. Ky zbulim është bërë i njohur nga filologu i shquar arbëresh Petro Filip Angjeli në Kolekiumin që është mbajtur Kalivia të Atikës. Kjo dëshmi është një ligjeratë parazgjedhore, e shkruar në arbërishten e Atikës më se 125 vjetë më parë. Kjo ligjëratë është botuar si Thirrje gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare në të përkohshmen politike e filologjike antimonarkiste “E ardhmja e Atdheut” (“To Mellon tis Patridhos”) më 29 dhjetor 1860 në faqen e parë, në dy shtylla – shqip e greqisht. Thirrja u drejtohet banorëve të ngulimeve arbëreshe të rretheve të Athinës. Ajo ka rëndësi të veçantë edhe si dokument për rolin e rëndësishëm të arbëreshëve të Atikës e të Beotisë në jetën politiko-shoqërore të Greqisë në gjysmën e dytë të shekullit XIX, edhe si dëshmi e rrallë e prozës letrare- publiçistike në të folmen e tyre. Në thirje shkruhet: Dheu është akoma i lagur nga gjakërat e etërve dhe të vëllezërve tuaj. Përzumë tiranin, fituam lirinë, pra është mallkim shumë i madhë për atë gjak të mos jemi të zotë për atë liri. Të gjithë ata dëshmorë që ranë në atë luftë, do të na japin nëma e mallkime. Ja pse keni kushtetutë? Çdo të thotë kushtetutë? Do të thotë që çdo qytetar ka të drejtën të kujdeset vetë që të drejtohet mirë atdheu, të mos ketë taksa të rënda, të bëjë ligje, të mos i bëhen zotë të tjerët në shtëpi, të mos e godasë xhandari me kamxhik etj. Meqënëse nuk munden të gjithë qytetarët të mblidhen, se janë larg njëri-tjetrit, caktojnë përfaqësonjës që quhen deputet. Ata bëjnë atë që do të bënin qytetarët në mbledhje (nëse do të mblidheshin) dhe çfarë do të bëjnë ata është bërë mirë…Doni të shihni sa vlen e drejta juaj? Shihni qeverinë se si i hoqi kryetarët e bashkive dhe caktoi kandidatët e tretë, ndërsa ligji thotë se duhet të caktojë kandidatët e parë, se si dërgon nënpunësit e bashkisë dhe të prefekturës për t’ju prishur mendjen ose për t’ju trembur. Siç vihet re në drejtshkrim autori bën përpjekje të mbara edhe për normëzimin e arbërishtes së shkruar të Greqisë, për ta ngritur atë në shkallën e një varianti gjuhësor të përpunuar nga ana letrare. Në drejtshkrim zbatohet pothuajse pa luahtje një normë e caktuar, që i përgjigjet një norme të shqiptimit. Për të dhënë me përpikmëri sa më të madhe disa veçori fonetike të shqipes (tingujt ë, b, j, l, gj, nj etj) autori i ka bërë alfabetit të greqishtes edhe përshtatje e plotësime, duke i ndërthurur shkronjat greke edhe me shkronjat latine. Kjo tregon se ai ka patur njohuri të vërteta shkencore gjuhësore e filologjike. Fjalët e shprehjet shqipe ndërthuren edhe me huazime të reja nga greqishtja, por këto huazime janë më tepër fjalë që shënojnë nocione të sferës abstrakte, sidomos fjalë që i takojnë terminologjisë zyrtare, juridike e politike.
Autori i kësaj Thirrjeje nuk njihet ende, por shihet qartë se ai është arbëresh demokrat e përparimtar, me kulturë të gjerë, që e njeh mirë gjendjen e mendësinë e arbëreshëve të Atikës dhe gjuhën e tyre. Zbulimi i Thirrjes në një organ periodik me përhapje të gjerë është një shpresë se shkrime të arbërishtes në Greqi mund të gjenden, dhe kanë rëndësi jo vetëm për studimet albanlogjike, por edhe ballkanologjike.
Timoleo GURI