Monday

27-10-2025 Vol 19

Monopatinat, skuterat mes kaosit dhe mungesës së vizionit

Në Shqipërinë e viteve të fundit, ku çdo hap drejt Bashkimit Europian shoqërohet me entuziazëm dhe tension, edhe mjetet e vogla elektrike si monopatinat dhe skuterat janë bërë pjesë e panoramës urbane. Por ndërsa qytetet tona përpiqen të duken moderne, realiteti në rrugë tregon një histori krejt tjetër: atë të mungesës së rregullave, të infrastrukturës së papërshtatshme dhe të një shteti që shpesh reagon me vonesë.

Askush nuk mund të mohojë që këto mjete janë të dobishme, ekologjike dhe praktike për lëvizje urbane. Por kur përdoren pa rregulla, pa sinjalistikë dhe pa ndërgjegjësim, ato shndërrohen në burim aksidentesh dhe stres për qytetarët. Spitalet publike raportojnë një rritje të ndjeshme të numrit të të aksidentuarve nga këto mjete. Kalimtarët në trotuare ndihen të pasigurt, ndërsa rrugët nacionale përballen me një trafik gjithnjë e më të ngarkuar. Në këtë kontekst, ndalimi nuk është zgjidhje, por një reagim i vonuar ndaj një problemi që duhej parashikuar.

Përpara se këto mjete të dilnin në treg, duhej të ishin përcaktuar qartë disa elementë bazë: kufiri minimal i moshës së përdoruesit, sinjalistika e nevojshme për lëvizjen e tyre, rregullat e qarkullimit dhe zonat ku lejohet përdorimi. Pa këto masa paraprake, çdo përpjekje për të kontrolluar situatën pas shpërthimit të fenomenit është e pamjaftueshme dhe e paefektshme.

Në një vend ku çdo ministri ka ekspertë të trajnuar për qarkullimin rrugor, është e pakuptueshme pse nuk u hartuan më herët ligje dhe rregullore për përdorimin e mjeteve elektrike. Institucionet si Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Sigurimeve Shëndetësore duhej të kishin ngritur alarmin për kostot shëndetësore dhe financiare që po shkakton ky fenomen. Në vend të një fushate ndalimesh, duhej një strategji e mirëfilltë: studime të dendësisë së trafikut, sinjalistikë e përshtatur për mjetet e reja, edukim publik dhe integrim i teknologjisë në sistemin e qarkullimit. Vetëm kështu mund të jemi “dhjetë hapa përpara” dhe jo të kapemi në befasi nga zhvillimet.

Në sfondin e këtij ndalimi, kanë nisur të qarkullojnë zëra për interesa të fshehta. A është ky një veprim që i hap rrugë tenderave për mjete të reja, për infrastrukturë të re, për projekte që pasurojnë pakicën? Kujtesa kolektive na rikujton rastin e fushave të kalçetos, që dikur u kthyen në burim aksidentesh dhe më pas në biznes për kirurgët, fizioterapistët dhe qendrat e fitnesit. Po mos vallë edhe këtë herë, kaq hollë është menduar bllokimi i skuterave dhe monopatinave?

Shqipëria nuk ka nevojë për ndalime të përkohshme, por për politika të qëndrueshme urbane. Mjetet elektrike nuk janë armiku, por një mundësi për të modernizuar transportin. Por kjo kërkon vizion, planifikim dhe mbi të gjitha, vullnet për të mbrojtur qytetarin. Nëse duam të ecim drejt Europës, duhet të fillojmë nga rruga. Jo vetëm në kuptimin fizik, por edhe në atë institucional dhe etik.


Hasan SOKOLI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *