Monday

27-10-2025 Vol 19

Dyl Dysheku (Pjesa III)

Nga Ilir MBORJA

Një javë pasi i kisha dhuruar romanin, një mbrëmje si gjithmonë pas mësimit, Lumturia, duke larë, “pa dashje” i ra me këmbë kovës me ujë dhe, dyshemeja e klasës ku ishim, u lag aq shumë, sa duheshin orë të tëra për t’u tharë. Mbeta mbi tavolinë me këmbët në ajër dhe nuk munda ta kap autobusin. Ishte ora 10 e gjysmë dhe kishte kaluar gjysmë ore që kishte ikur edhe i fundit për atë natë.

– Po tani, si do bësh? Ku do flesh? – më pyeti e alarmuar Lumturia kur kuptoi se më kishte lënë autobuzi.

– S’ka problem. Do bëj si do bëj. Ja, do bashkoj dy stola dhe do t’ia fus gjumit si Dyli, karrocieri, – iu përgjigja unë.

– Jo, jo. Punë që s’bëhet. Unë mund t’ju ftoja edhe në shtëpi, se prindërit e mi janë të emancipuar, por opinioni këtu në fermë, si në fermë. Si i fshatit dhe edhe më i keq. Dua të më kuptosh i dashur mësues! Nuk kam hallin tim sesa atë të Partisë. Një sekretareje partie si unë, nuk i lejohet të bëhet shkak për thashetheme sikur ne të dy duhemi. Apo jo? – u justifikua Lumturia dhe unë, krejt instiktivisht iu përgjigja:

– Por ne të dy, domethënë unë… Jam menduar shumë kohët e fundit… Ti e bën çdo ditë, çdo natë desha të them më të ndritshme dhe më jep një ndjenjë të veçantë që nuk e kam ndjerë më parë.

 – Ooo! Lëri këto, i dashur shoku mësues!

– Të lutem! Mund t’i heqësh e mos t’i dëgjoj më ato fjalët “shoku mësues”? – e ndërpreva. Pastaj, bëra një hap përpara e iu afrova aq afër sa ndjeva avullin e frymës së saj të më përplasej në buzë si një valë e ngrohtë. E pashë që i dridhej ajo e poshtmja, dhe kur i vendosa dorën mbi faqe, ajo mbylli ngadalë syrin e vëngër në fillim, pastaj edhe tjetrin… Buzët tona u takuan. Ishte një puthje e butë, por e zjarrtë, që zgjati më shumë se frymëmarrja jonë…

– Të ndiej shumë. Prania jote më bën të lumtur, – më thoshte Lumturia në kohën që shkëputeshim për t’u mbushur me frymë…

 A do të ishe e gatshme t’i ndanim këto çaste gjithë jetën bashkë? A do të martohesh me mua? – e pyeta Lumturinë dhe megjithse nuk më interesonte përgjigjja, se tashmë e dija, ajo m’u përgjigj:

– Oh, po! Po, dua të jem me ty gjithmonë… Hajde tani e të të çoj të shtrihesh e të bësh një sy gjumë te dhoma ku mbaj fshesat dhe kovat! Kemi dhe një minder atje…

*** 

Vitin tjetër, më ’87-n u martova me Lumturinë. Ishte tremuajshe shtatzënë kur e mora në shtëpi. Ky moment ndryshoi jetën time përgjithmonë, duke më dhënë një ndjenjë të re përgjegjësie…

Ishte 8 vjet më e madhe se unë, por për mua s’kishte asnjë problem. Sigurisht, nuk i tregova njeriu dhe askush nuk më ra në sy për punën e moshës, përveç shefit të kuadrit. Ai kishte dijeni për datëlindjet tona se posedonte dosjet dhe, kur më uroi, më tha se kisha vepruar tamam si marksist-leninist i vërtetë. Unë kujtova se ma tha këtë se isha lidhur me sekretaren e organizatës bazë të Partisë së shkollës sonë, por pastaj, kur më tha se edhe Marksi, edhe Lenini, ashtu si unë, i paskëshin pasur gratë e tyre nga 8 vjet më të mëdhaja se veten, e kuptova ku e paskësh pasur fjalën… Por kjo e jotja, nga pamja ngjan më shumë me atë të Leninit, Krypskajën…

Kur ia tregova Lumturisë këtë, ajo, në vend që t’i bëhej qefi e të ngazëllehej si unë, u mërzit shumë. Kujtova se u mërzit që nuk i ngjante gruas së Marksit, Zhenit, që thonin se ishte shumë më e bukur se Krupskaja e Leninit… Por jo. Nuk e kishte aty. Ajo nguli këmbë se nuk njihte për fytyrë as njërën e as tjetrën, madje tani po merrte vesh edhe për diferencat e moshave të tyre. Siç ma shpjegoi me zë të lartë, sikur unë të isha shurdh nga veshët, ajo që e kishte mërzitur, çmendur më mirë të thuash, ishte se qe marrë vesh puna e moshës së saj, 8 vjet më e madhe nga unë. Kur desha ta qetësoj dhe ta sqaroj se nuk kishte asnjë notë ironie në atë që më tha shefi i kuadrit, Lumturia çakërreu syrin, atë vëngëroshin, si nuk e kisha parë gjer në atë çast dhe shqiptoi duke theksuar rrokje për rrokje, mu përpara hundës sime, fjalën “Të dhjevsha Marksin e Leninin bashkë, o idiot!”.

***

Por lumturia ime nuk zgjati më shumë se pesë a gjashtë vjet. Në nëntor të 1989-s mora vesh se ishte shembur Muri i Berlinit. Fillimisht u gëzova, por më pas entuziazmi im nisi të shuhej. Parandjeva se era e re e Perestrojkës që po frynte në Evropën Lindore mund të përmbyste, bashkë me diktaturën e proletariatit, edhe shkollën e natës ku punoja unë e Lumturia. Prandaj, kur dëgjova që plasën protestat në Rumani, e kuptova se rrezikun e kishim tek dera e shtëpisë. Ndërsa, kur ia filluan studentët në dhjetor të ‘90-s, u tremba vërtet…  Aty e kuptova se demokracia kishte trokitur tamam dhe shkollën time të natës me gjithë zanatin tim të profesorit të Marksizëm-Leninizmit, përfundimisht, do t’i merrte lumi. Bashkë me to, do të më duhej t’i thosha lamtumirë edhe gjumit deri në mesditë. Dhe ashtu ndodhi. Shkolla e natës u mbyll dhe Marksizëm-Leninizmi u hoq si lëndë në të gjitha shkollat. Të natës e të ditës. Kështu pra, më ’92-shin mbeta pa punë unë edhe Lumturia. S’po mendoja më ku do hanim e ku do pinim unë me Lumturinë, megjithëse një fjalë goje ishte edhe kjo, por kisha hallin e vajzës që sapo i kishte mbushur 5 vjeçët dhe të fëmijës që kishte katër muaj që e mbante në bark Lumturia… Më ’92-shin, në shtator, mora fund. Gjumi im mori arratinë dhe të gjithë njerëzit rreth e rrotull i urreja se më dukeshin si rumunë. Gruaja më lutej duke qarë që, për të mos u bërë gazi i botës, të mblidhja toruan. Dy persona që m’u paraqitën si dashamirës më këshilluan se duhej ta shihja realitetin në sy dhe që të më kthehej gjumi, të paktën ai i natës, më rekomanduan vizitë te një psikiatër. Unë u thashë prerë, jo. Ata m’u përgjëruan shumë dhe, për të mos ua prishur qefin, përfundimisht, pranova. Pastaj, njëri nga ata më tregoi ca pranga dhe më propozoi të m’i vendoste sa për provë te kyçet e duarve. Unë pranova dhe meqë u kisha dhënë fjalën pranova vetëm të më lidhnin duart. Pastaj, jashtë marrëveshjes, më lidhën edhe këmbët me një litar. U treguan të pabesë dhe më hipën në një fugon e më çuan drejt e në çmendinë. Mjeku, sa më pa, më njohu dhe gati luajti nga mendtë kur më pa ashtu të lidhur. I bëri qepaze dy dashamirësit e mi të fuqishëm:

– Si nuk ju vjen pak turp? Lidhet kështu profesori i filozofisë?! Zgjidheni! – urdhëroi ai.

– Po ky ngrihet në mes të natës, hap dritaren dhe thërret: Çaushesk! Çaushesk! Ti je gjallë! Poshtë rumunët! Rroftë teknikumi bujqësor!” – i justifikoi Lumturia ata që më lidhën.

– Mirë bën. Gjallë është Çaushesku. Edhe teknikumi bujqësor do të hapet përsëri. Shumë shpejt bile, – tha doktori…

– Ju tani shkoni në shtëpi dhe hiqni që andej çdo send apo objekt që i sjell ndër mend Rumaninë dhe rumunët. Asgjë të tillë në shtëpi. Libra, fotografi, filma rumunë, sakën! Sa të pastroni ju shtëpinë nga rumunët, profesori do të rrijë këtu me mua. S’ka më të ndyrë se rumunët! – iu drejtua pastaj familjarëve të mi duke i shtyrë drejt derës psikiatri… Kam përshtypjen se fjalia e tij e fundit ishte ajo që më shëroi më shumë se shiringa që më bëri në tule. Më zuri gjumi. Nuk mbaj mend sa fjeta dhe kur u zgjova. As sa qëndrova dhe kur dola nga spitali. Por, edhe kur u ktheva në shtëpi, përsëri nuk më bënte zemra t’i falja rumunët. Sa inat i kisha marrë atëherë… Por atëherë ama, ndërsa tani jo më. E dini pse? Ja po jua shpjegoj më poshtë.

Vijon

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *