
Në rreshtat të librit të Koçi Lubonjës me titull “Letër e mbyllur e disidentit, 1986”, shtjellohet ndër të tjera edhe pikëpamja e autorit se Enver Hoxha nuk ishte komunist, por veçse një spiun i agjenturave të huaja perëndimore. Sipas Lubonjës, përpjekja e parë e Enverit për të shkatërruar Partinë Komuniste Shqiptare dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare nisi gjatë luftës, menjëherë pasi mori postin e Sekretarit Politik, përmes bisedimeve dhe kompromiseve me Ballin Kombëtar, të cilat, në fund të vitit 1942 dhe gjysmën e parë të vitit 1943, u zhvilluan në shumë vende dhe nga shumë persona.
Ngjarjet e Mukjes, ashtu si ato para dhe pas saj, sipas autorit, ishin të parapërcaktuara në shtëpinë e Bahri Omarit, ku “kunatollët”, me role të ndara, bënin politikën shqiptare dhe përcaktonin fatin e vendit. Ndërsa Enver Hoxha kryesonte Partinë Komuniste, palën tjetër e përfaqësonte Bahri Omari, politikan i rafinuar dhe diplomat profesionist, emigrant politik që kishte udhëtuar në shumë vende të Europës dhe agjent i kualifikuar i disa zbulimeve, si dhe ideologu kryesor i Ballit Kombëtar.
Bedri Spahiu dhe Qarkori i Partisë në Gjirokastër ndërmorën veprime për vrasjen e Omarit. Kur nuk arritën ta realizonin në Gjirokastër, e goditën gjatë një udhëtimi në Vuno të Himarës, ku sot është ngritur një lapidar me mbishkrimin “Aksioni kundër Bahri Omarit”.
Sipas Lubonjës, nuk është më sekret që kujdestari i përhershëm i Enver Hoxhës, në Shqipëri dhe jashtë saj, si student e konsull, edukatori, mësuesi, inspiratori politik, madje edhe tutori dhe furnizuesi i tij, ka qenë Bahri Omari. Kjo është arsyeja pse baza më e sigurt e Enverit gjatë dy viteve të qëndrimit ilegal në Tiranë ishte pikërisht shtëpia e Omarit, agjent i fashizmit dhe ministër në qeverinë kuislinge, ku nuk iu prek asnjë fije floku.
Për këtë arsye, dhe sepse strehoi pa shqetësim familjen e Enverit deri në çlirimin e vendit, sot në atë shtëpi është vendosur një pllakë përkujtimore. Në të njëjtën ndërtesë banonte edhe Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti. Nga kjo shtëpi, ku strehohej Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, janë bërë njoftime telefonike organeve të spiunazhit fashist për bazat dhe materialet sekrete, për lëvizjet e Qemalit, Mistos, Vojos e të tjerëve.
Aty mblidheshin dhe shpërndaheshin luftëtarët e lirisë, ndërkohë që informohej SIMI dhe OVRA, komplotohej kundër Partisë dhe lëvizjes, zhvilloheshin takime me krerët e Ballit, përcaktohej taktika e të dyja palëve dhe ndaheshin detyrat. Pikërisht në atë shtëpi, ku ndodhej shtabi famëkeq i përbashkët, u bënë kompromiset dhe komplotet e para kundër PKSH-së dhe Luftës Nacionalçlirimtare, përfshirë edhe Marrëveshjen e Mukjes.
Enver Hoxha, jo rastësisht, nuk e përfshiu veten në delegacionin që do të shkonte në Mukje, ndonëse kjo do të ishte e ligjshme dhe e logjikshme. Përkundrazi, caktoi persona të paaftë dhe pa emër, madje edhe armiq të deklaruar, të cilët përballë krerëve të Ballit patjetër do të dështonin, siç edhe ndodhi. Ndërkohë, ai vetë u largua për në Vithkuq të Korçës, duke shkëputur çdo lidhje, informacion dhe udhëzim; krejt ndryshe nga mënyra si veproi Ymer Dishnica në Konferencën e Pezës.
Edhe më naivët sot e kuptojnë se Enveri kishte një qëllim të dyfishtë, shkruan Lubonja. Nëse Dishnica do të pranonte kompromisin, ai do t’i ngarkonte përgjegjësinë e “Kajros” dhe “Varkizës” shqiptare, ndërsa vetë do të dilte i papërlyer. Nëse Ymeri do të hezitonte, kundërshtonte apo ndërpriste bisedimet për të kërkuar mbledhjen e Komitetit Qendror dhe dhënien e udhëzimeve (siç veproi në fakt), Enveri do të qëndronte në heshtje, derisa dy zëvendëskryetarët e delegacionit, Mustafa Gjinishi dhe Abaz Kupi, të lidhur me Intelligence Service-in britanik, ta detyronin të pranonte kompromisin.
Kështu, prestigji i Partisë do të binte, Ymeri, si rival kryesor në drejtimin e saj, do të skartohej nga skena politike, dhe Enveri, pa u ekspozuar, do të vazhdonte veprimtarinë e tij armiqësore. Por gjërat nuk rrodhën siç dëshironin “kunatollët”. Marrëveshja e Mukjes u denoncua. Enver Hoxha, që e kuptoi rrezikun e demaskimit, menjëherë ndërroi fytyrë dhe padron: u bë filo-jugosllav dhe u vu tërësisht në shërbim të tyre.
Sipas kërkesës së Tempos, pa kundërshtim apo hezitim, firmosi krijimin e Shtabit Ballkanik. Pjesën e Partisë që vepronte në Kosovë ia kaloi në vartësi të PK Jugosllave dhe problemit të Kosovës i vuri vizën. Titos i thuri lavde dhe mijëra komplimenta. Për Marrëveshjen e Mukjes heshti dhe nuk e përmendi as në Pleniumin e Helmësit, ndërsa katër vjet më vonë do të fliste e shkruante me dhjetëra e qindra herë, për t’ua mbushur mendjen njerëzve se kishte qenë “shpëtimtari i Partisë dhe i Shqipërisë”.
Në Pleniumin II Beratit, Partia e bëri Enver Hoxhën përgjegjës si njeri i kompromiseve pa parim, që kalonte nga ekstremi i majtë në atë të djathtë, “vice versa”, siç e cilësoi me të drejtë Sejfulla Malëshova.
Pleniumi II, de facto, për arsyet e përmendura më lart, e shkarkoi Enver Hoxhën nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë dhe këtë funksion ia ngarkoi faktikisht Sejfulla Malëshovës. Megjithatë, për të shmangur trazira dhe konfuzione në prag të çlirimit të vendit, vendimi formal u shty për më vonë. I trembur nga zbulimi dhe demaskimi, për një periudhë Enveri u tërhoq, u bë më i butë se një qengj, i dashur dhe i përzemërt me të gjithë, madje sakrifikoi edhe tutorin e tij pa asnjë kundërshtim, derisa u grupua me Koçi Xoxen dhe jugosllavët.
Me krijimin e këtij “uniteti”, ky intrigant i komplotit politik nisi të eliminojë një nga një anëtarët e Pleniumit të Beratit. Por nuk u ndal me kaq. Në krye të një delegacioni qeveritar, bashkë me Koçi Xoxen, udhëtoi drejt Beogradit dhe lidhi me Titon një marrëveshje politike dhe ekonomike antishqiptare e diskriminuese, përmes së cilës u krijuan kushte që Jugosllavia të përfitonte maksimalisht, duke na zhvatur ekonomikisht dhe duke na rrezikuar pavarësinë politike. Çështja e Kosovës u mbyll në favor të Jugosllavisë, me arsyetimin se “ashtu ishte më mirë për të dhe për Shqipërinë”.
Në atë takim, kokë më kokë, u thurën plane dhe komplote të tjera kundër kuadrove të Partisë. Për këto veprime, Tito e përgëzoi Enver Hoxhën dhe e dekoroi me titullin më të lartë: “Hero i Popujve të Jugosllavisë”. I entuziazmuar nga këto zhvillime, sapo u kthye nga Jugosllavia, nga ballkoni i Komitetit Ekzekutiv në Tiranë, Enver Hoxha deklaroi me pompozitet: “Nuk mund të kuptohet ekzistenca e Shqipërisë pa Jugosllavinë e Titos; dokrrat e Fishtës për Oso Kukën dhe sllavizimin i ka kaluar koha; nuk ka forcë në botë që të na ndajë, dy popujt tanë vëllezër dhe dy partitë tona motra”.
Më pas, ai dhe Koçi Xoxe, të përkrahur nga jugosllavët, u hodhën në komplot kundër atyre që e kishin kritikuar dhe shkarkuar në Berat. Viktima e parë ishte Sejfulla Malëshova, shok i Avni Rustemit dhe Halim Xhelos, bashkëluftëtar i Nolit dhe Ali Kelmendit, përfaqësues i vegjëlisë dhe demokracisë – i cili u dënua me akuzën qesharake “oportunist dhe shërbëtor i borgjezisë”.
Nako Spiros iu ngritën akuza dhe provokime që e çuan drejt vetëvrasjes; përndryshe e prisnin torturat çnjerëzore dhe plumbi. Më pas erdhi radha e Bedri Spahiut, i cili përveç armiqësive të vjetra dhe rolit në Pleniumin e Beratit, kishte demaskuar Bahri Omarin në gjyqin special, duke çuar në dënimin me pushkatim të tij.
Tuk Jakova, një nga nismëtarët e krijimit të Partisë, u burgos dhe u torturua deri në vdekje. Mehmet Shehu, Liri Belishova dhe Fadil Paçrami u survejuan dhe u vunë nën presion të plotë. Baba Faja Martaneshi dhe baballarët e tjerë të Kryegjyshatës u vranë nga i njëjti njeri, me të njëjtën metodë si Mustafë Gjinishi në vitin 1944.
Edhe për Spiro Moisiun, Haxhi Lleshin dhe Myslym Pezën po përgatiteshin plane për eliminim fizik, sipas metodave të UDB-së jugosllave. E gjithë Partia dhe populli u vunë nën kontroll dhe terror.
Por siç dihet, “barka jugosllave” u shpua. Enver Hoxha e kuptoi rrezikun dhe, për të mos u demaskuar, iu dha detyra të luante kartën e fundit: u largua nga klani jugosllav dhe mori në dorë flamurin e “shpëtimtarit të Partisë”. Poshtërësitë e mëparshme ia la Koçi Xoxes, bashkëpunëtorit të tij më të bindur. Përkohësisht e largoi nga pushteti, derisa bëri aleancë me Mehmet Shehun.
Ndërkohë, i bënte lajka Koçi Xoxes si mikun më të madh të Bashkimit Sovjetik dhe të Stalinit, madje e ngrinte në krah duke e quajtur “kocka e shëndoshë e Partisë”. Të gjithë komplotistët që kishin lyer duart me gjak, Koçi Xoxe, Liri Gega, Dali Ndreu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, duhej të zhdukeshin, bashkë me gjurmët e krimeve që kishin kryer.
Për të tjerët, dënimet ishin më të diferencuara. Ymer Dishnica tre, katër vjet burg; Sejfulla Malëshova, mbi 30 vjet internim; Nako Spiro, nuk mund të ishte njëherësh hero dhe viktimë, sepse e kishte quajtur Enverin “mburravec”.
Naxhije Dume, në Kongresin I, tha se përgjegjësia për marrëdhëniet me Jugosllavinë rëndon jo vetëm mbi Koçi Xoxen, por mbi të gjithë Komitetin Qendror. Gjin Marku “gaboi” në kompromisin e Beratit dhe në Kongresin I, si dhe bëri gabime në ushtri. Nexhip Viçani, i dehur në një banket në ambasadën sovjetike, pyeti Mehmet Shehun kur do të bëhej ministër i Mbrojtjes, pyetje që u cilësua “me qëllime armiqësore”.
Tuk Jakova, në Pleniumin IV, deklaroi se Enver Hoxhës nuk i takon ndonjë meritë e veçantë për krijimin e Partisë. Bedri Spahiu e mbështeti dhe në replikë me Enverin tha se “nuk është në gjendje të drejtojë as një katua me lopë, jo më një parti e një shtet”.
Koço Tashko dhe Liri Belishova thanë se nuk duhet të shkëputemi nga Bashkimi Sovjetik, dhe nëse socializmi mori fund atje, le të përfundojmë edhe ne me të. Beqir Balluku, që e shihte Enverin si idhull, gaboi rëndë duke shtrembëruar tezat e mbrojtjes përmes kalemxhinjëve ushtarakë.
Petrit Dumja sillej si Napoleon Bonaparti, arrogant, me sazet në makinë. Ai dhe Hito Çako përbënin komplotin e madh ushtarak. Muhamet Prodani, i njohur si “pashai i Gjirokastrës”, kishte ngrënë shumë mishra. Zoi Themeli gaboi në Peshkopi duke kritikuar Jashar Menzelxhiun. Kiço Ngjela u cilësua “gjeneral civil”. Hasan Dumja paralajmëroi: “Të kemi kujdes, shokë, mos kalojmë në ekstremin e majtë”.
Po a mund të dënohej Sadik Bekteshi me 15 vjet burg, komunist i orëve të para, shok i Vasilit dhe Qemalit, shembull i modestisë, Hero i Kosovës dhe i gjithë Shqipërisë, vetëm pse piu një kafe në turizmin e Beratit? Ai meritonte të ishte Ministër i Mbrojtjes, me të cilin jo vetëm ju, por e gjithë ushtria do të krenohej.
A mund të pushkatohej Ministri i Industrisë pse nuk doli nafta në Patos? A mund të pushkatohej Abdyl Këllezi, Kryetar i Kontrollit të Planit të Shtetit, vetëm pse një punëtor i naftës kishte thënë në një mbledhje se përgjegjësia për problemet bie edhe mbi të? Po çfarë janë këto lloj dënimesh që analizojnë krijimtarinë letrare të Fadil Paçramit dhe e shpallin fajtor edhe Todi Lubonjën? A mund të shkarkojë Byroja Politike një shkencëtar si Piro Dodbiba, ministrin më të aftë që e vuri bujqësinë shqiptare në baza shkencore, për hiçgjë? Internohet për 15 vjet ministri më i mirë i arsimit, Thoma Deliana, njeriu më njerëzor që kishim në atë detyrë, vetëm sepse pyeti Manush Myftiun, i deleguar në organizatën e ministrisë, se si qëndronte puna me një komunist për të cilin do të diskutohej.
A nuk ka ardhur koha që, si prindër të këtij vendi, të mendoni për popullin dhe për bashkëluftëtarët e shokët tuaj, që u damkosën padrejtësisht me emrin e armikut dhe të tradhtarit? – shkruan ndër të tjera Koçi Lubonja, duke iu drejtuar Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit…

Timoleo GURI