Monday

27-10-2025 Vol 19

Branko Merxhani me artikullin “Kurajo!” 

Branko Merxhani ishte një figurë poliedrike dhe përfaqësuesi kryesor i Neo-shqiptarizmës. Ai në një nga artikujt e tij të shumtë në gazetën “Demokratia“ të 23 Marsit 1929 me titull “Kurajo!” shprehet i shqetësuar për mungesën e idealizmit dhe kurajos e devocionit për të shndëruar realitetin kombëtar. Artikullin ai e fillon me një shprehje të goditur të Nietzche-s: 

“Tre të katërtat e gjithë ligave që ngjajnë në botë  kanë ardhur nga frika”…

Dhe siç duket Brankos i pëlqen ky princip ndaj edhe fillon ta shtjelloj si më poshtë: Si qëllim të përfundimit të përpjekjeve kombëtare-shoqërore të tendencës Neo-Shqiptare, që përkrahim ne, mundemi të pranojmë këtë princip. Krijimi i një Shqipërie! Është lodhje, dëshpërim dhe pa qëllim të kthejmë sytë në gërmadhat e skllavërisë dhe në mjerimet që na la trashëgim e shkuara. Ky vështrim nga prapa është një gjë monstruoze. Sytë tona të drejtuara nga prapa, nuk do të takojnë veç se një gjurmë tepër të madhe shkatërrimi, shënja të panumërta kalbëzimi, britma të dëshpëruar njerëzish dhe epokash. Dhe të gjitha këto të mbështjellura gjithmonë brenda në një mjergull të trashë. S’ka gjëkundi as pikë jete dhe shprese. Po ka edhe një drejtim të kundërt. Drejtim që zë të Vjetrën me të Renë. E ardhmja! 

E vetmja rreze shprese dhe shpëtimi për fatin shqiptar. Mundet që një ditë të shkëlqejë me takimin e një agimi plot gëzime, agim i cili do të shfaqet bashkë me zgjuarjen e Jetës së Re. Po vetëm sy guximtarë, shpirtra plot dashuri dhe ballëndritur e të gëzuar do të mundin të gëzojnë kryelartësinë dhe madhështinë e kësaj jete. Shqipëria e mendimit dhe e ndjenjës, Shqipëria e vërtetë nuk gjendet nga prapa, por përpara nesh. Dhe në qoftë se nuk mund të hedhim shikimin tonë në këtë drejtim, në qoftë se, nuk do të marrim dot vesh thellë thellë kuptimin e këtij orientimi krijues; domethënë, në qoftë se nuk e ndjejmë realitetin e jetës kombëtare-atëhere është e humbur çdo përpjekje, është e kotë çdo dëshirë që të qëndrojmë si një unitet shoqëror i lirë dhe i lumtur brenda në sukseset përparimtare fantastike dhe të paarritshme të qytetërimit të shekullit të sotëm! Shenja dalluese e Neo-Shqiptarizmës, kushti i parë i ekzistencës së saj është kurajo mendore, vazhdon më tej në artikullin e tij Branko Merxhani. Për këtë thotë ai Djalëria, e cila e ka për detyrë të japë shërbimet e saj në luftën e lartësimit shoqëror dhe të zhvillimt qytetërues të vendit, duhet që pikë së pari të tregojë fuqinë dhe superioritetin mendor dhe të ketë kurajon të përballet me të vërtetën e jetës kombëtare, ashtu siç është në realitet dhe t’u shfaqet të tjerëve krejt lakuriq. Lamë të shkojë shumë kohë, duke përgëzuar ambiciet historike me fluturat prrallore. Po kombet që na kanë rrethuar nga të gjitha anët me të cilët na lidh një fat historik, na kanë lënë të paktën një shekull prapa. Megjithë këtë as ndonjë nga ne nuk ka treguar gjer më sot kurajo mendore, që të na shpjegojë arsyet e vërteta dhe shkencore që shkaktuan këtë fakt të hidhur. Nuk janë të paktë ata që shohin, si të vetme arsye historike të fatkeqësisë sonë të sotme, periudhat e gjata të sundimit të huaj, që kaloi populli ynë. Për fat të keq ky nuk është një shkak përfundimtar, shkruan B. Merxhani. Më pas ai shtron pyetjen: Mos jemi vallë i vetmi popull, i cili, në peripecinë e udhëtimit të tij historik, ra nga skllavëria në skllavëri, nga një tirani në tjetrën? Ja, krahas me ne një botë e tërë, e cila shpëtoi dhe u tregua për hir vetëm të shkeljes së turke! Themelonjësi i shkollës Evrasiatike Princi rus Troubeskoi, që sot quhet si një nga hegjemonët e shkencës, thotë diku: “Sundimi i huaj për një popull është një shkollë”. Kjo është e vërteta. Historia jonë nuk është veç se një vazhdim besnik i peripecive të çfarëdo lloj sundimi të huaj. Po ne u treguam nxënës të keq. Nuk kemi mësuar as gërmën A! Nga organizimi jonë shoqëror mungon një gjë e domosdoshme, le ta cilësojmë (emërtojmë) qysh sot: Faktori kryesor i shpirtit shoqëror, idealizmi krijues, kurajua mendore, devocioni për realitetin kombëtar. Kurajua është arma më e çmuar e përparimit. Gjurmimi i së vërtetës, Shkenca nuk mund të kuptohet pa kurajon. Brenda në vazhdën e luftës së pamëshirshme të jetës së sotme jemi ekspozuar me një rrezik të madh. Dhe vetëm kur të kuptojmë gjithë tmerrin dhe gjithë shkatërrimin që do të shkaktojë ky rrezik, atëhere vetëm do të mundemi të themi se hodhëm të parin hap të shëndoshë përpara, për shpëtim. Në “Gotzendammerung” (“Muzgu i idhujve”) të Neetzche shkruhet: “Kombet që kishin një farë vlere ose fituan një farë vlere, këtë gjë s‘e arritën Institucionet Liberale. Rreziku i madh i lartësoi kombet. Rrezikut të cilit i jemi mirnjohës, i shton mjetet e rezistencës sonë, shfaq vyrtytet tona, shpërndan në zemrat tona kurajo, jep armë në duart tona dhe zbulon njëkohësisht vlera të panjohura mendore, që flejnë brenda nesh. Rreziku na shtrngon të jemi të fortë. Megjithë fuqin e zërit tim dua të flas brenda shpirtrave të Djemve tanë këto fjalë të arta të krijuesit të “Ubmerenesh-it”- (“Mbinjeriu”). Para së gjithash të gjurmojmë shkaqet historike dhe sociologjike të dekadencës sonë shoqërore. Me kurajo. Dhe atëhere do t’i hapim sytë popullit tonë. Dhe do të shfaqet rreziku i madh i gjallë. Rreziku, që bredh rreth e rrotull nesh, në krahët tonë. Brenda nesh, si ndonjë shtazë e urritur…


 Trifon DAFA 

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *