
Koçi Lubonja e hoqi vetë në kurriz këtë persekutim dhe reflekton, se përpara se t’i ndodhte atij gjëma të gjithë kush e më shumë pak i kishin besuar për një kohë të gjatë ato që ju servirën me mjeshtëri dhe njëri pas tjetrit u bënë si të thuash edhe aktorë edhe ekzekutorë edhe tabela poligoni. Por zhdukja e disa Komiteteve Qëndrore, të luftës e në vazhdimësi, eleminimi i të gjithë plejadës që udhëhoqi revolucionin, që i kish jetuar ngjarjet e njihte faktet historike, si dhe ata që kapërcyen vështirësitë e para të ndërhyrjes e të ndërtimit, duke zbatuar metodën klasike: “grupo dhjetë dhe arresto dy tre”. Eleminimi pjesë pjesë, gati i të gjithëve, me akuza të sajuara e të fallsifikuara, e pagëzimi me emra sensasionalë: “fraksioniste”, “antiparti”, “trockiste”, “titiste”, “antijugosllave”, “antihurshoviane”, “revizioniste”, “komplotiste” e “puçiste”, “agjentë të imperializmit e socialimperializmit” etj etj, epitete qesharake. Goditje e kokës së ushtrisë me ca akuza bajate: “i ke lexuar, s’i kelexuar, i ke miratuar, s’i ke miratuar tezat e mbrojtjes; e ngjashme kjo me përrallën e gomarit: Ja dhe të ftohtë pse maftohe gomarin? Ja dhe të ngrohtë pse ma ngrohe gomarin dhe, me një emër të përbashkët “kaste”. U flakën nga Partia një mori komunistësh që ishin gjenerata më e aftë, e cila me luftë e sakrifica kishte justifikuar veten e kishte krijuar pesonalitet dhe emër të mir, me akuza të fallsifikuara e për hiç gjë, u arrestuan dhe u dënuan në masë, mbi bazë dyshimesh e aluçinacionesh të lindura në kokën e Hoxhës dhe të Shehut, si në kokën e skizofrenit, jo vetëm për personat e familjet e tyre, por edhe për fisin, miqtë, shokët kolegët e punës, superiorët e vartësit dhe për këdo që ishin takuar e shoqëruar, sipas ligjit të inkuzicionit. U shkatërrua disa herë aparati shtetëror, me parrullën famëkeqe të “luftës kundër burrokratizmit”. Më tej Koçi Lubonja rendit një mori faktesh që denoncon dhe rekomandon si duhen të jenë drejtime për ta prerë këtë lloj fiasco të pësuar në ekonomi për 40 vjet rresht, nga eksperimentimet e sofizmat aventureske të majta të “ekonomistit” të talentuar Enver Hoxha, i cili i pillte direktivat jo mbi bazën e ligjeve ekonomike, por sikur i shikonte në ëndërr e sikur i gjente në fall; kthimi e stërkthimi për qindra herë tek të njëjtat profka; “Themeluesi i Partisë”, “komandanti legjendar”, “marksisti i vërtetë”, nga ku e gjithë bota duhet të marrë dorë e mend, “ideologu gjenial, më i madh i kohës” që mbrojti marksizëm-leninizmin në frontin ideologjik, përralla e dokra si këto: prapaskena e Beratit” dhe tezat për revizionimin e tij, pleniumi VIII-të dhe kthesa e stërkthesa; “luftëtari i pamposhtur dhe shpëtimtari i Partisë dhe i Shqipërisë nga synimet ekspasioniste të Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik etj etj. Tamam si Zyloja i Dritëro Agollit , shfrytëzues i punës së të tjerëve dhe zbatues i makiavelizmit që si Makbethi, për lavdi e për pushtet vret edhe vëllanë e vet dhe t’ja arritur qëllimit që i vë vetes, shkel çdo parim e normë njerëzore dhe vë në ankand edhe Atdheun; përdor me mjeshtëri edhe lotët artistëve skenik edhe klithmat histerike edhe dhelpërinë e plumbin; koncepti dhe veprimet që Komitetin Qëndror forumet drejtuese dhe qeverinë, gjithë partinë e popullin t’i trajtonte si bagëti, kurse veten si Zot i plotfuqishëm, si çoban e si aga, i cili sot të bën sekretar e minister, e nesër, po të zemërohet ose po t’i dojë qejfi, të therr e të rrjep etj etj. Nga analiza e tërë veprimtarisë dhe verifikimi i së kaluarës së tij, vijon më tej Koçi Lubonja: kemi arritur në deduksionin e pakontestueshëm që e gjithë jeta e Enver Hoxhës është e dyshimtë dhe me një mori pikpyetjesh të pashpjegueshme. Dhe pse ishte e tillë, prandaj zhduku gjithë revolucionarët e vërtetë e përvetësoi punën e të tjerëve; prandaj fliste dhe mburrte veten aq shumë si krijues i gjithshkaje, duke e shpjeguar e transformuar revolucionin tonë në një luftë klanesh e grindje pallati, sa po të qe ndryshe s’kish pse të mohonte e shtrembëronte faktet historike dhe s’kish pse të përvetësonte meritat e të tjerëve. Po le t’u referohemi fakteve historike, shkruan K. Lubonja ndër të tjera. Ështe thënë që Enver Hoxha, aktivitetin komunist e ka filluar e zhvilluar në Francë dhe ka botuar shkrime në “Hymanite”. Kjo është tërësisht gënjeshtër. Përgjigjen më të saktë për këtë e ka dhënë Qamil Çela kur iu kërkua të pohonte e të shkruante në “Zërin e Popullit” një gjë të tillë. Ai e hodhi poshtë si të pathemeltë dhe në mënyrë kategorike refuzoi të bënte një deklaratë të rreme. Bash për këtë arsye, ky militant komunizmit shqiptar ka mëse një çerekshekulli që është përjashtuar nga Partia dhe dëbuar nga Tirana e ndonëse i ka kaluar të 80-tat, vazhdon t’i nënshtrohet një trajtimi mizor në vetmi e varfëri të plotë. Nga pohimi i tij dhe nga trajtimi që i bëhet, vërtetohet fakti tjetër logjik që s’kish si të zhvillonte aktivitet komunist e të botonte artikuj për komunizmin e kundër Zogut dhe regjimit borgjez as në “Sazani” dhe as në “Hymanite”, madje s’kish si të pranohej në grupet e majta e në Partinë Komuniste Franceze konsulli i Zogut në Bruksel. Të gjithë e kanë ditur me kohë që vetë posti ishte fuksion i organeve të spiunazhit dhe detyrë e tij fuksionale, për të cilën paguhej ishte sfidim dhe shkatërrim i partisë komuniste dhe i lëvizjes së majtë. E vërteta është se Enver Hoxha u aktivizua, por jo në favor të komunizmit, por në shërbim të zbulimit sipas udhëzimeve e detyrave të ngarkuara prej tij. Më 1938-1939 mundi të futet në Grupin Komunist të Korçës me pikësynime të largëta. Në atë mjedis naivësh, deri diku injorantësh, ky kuadër i zbulimit i përgatitur e i drejtuar nga “Deusieme Buro” jo vetëm penetroi, por me dinakërinë që e karakterizonte arriti deri në filialin e Tiranës e në grupin e përfaqësimit në Konferencën e themelimit të Partisë. Qemali e Vasili në radhë të parë, por edhe shumë komunistë të tjerë revolucionarë të afirmuar si Bedri Spahiu e Mustafa Kaçaçi, për shkak të së kaluarës së tij të dyshimtë, për pikpamjet nacionaliste, e lidhjet intime që ai kishte me element borgjezë e reaksionarë të kallëpit të Bari Omarit, e kanë shikuar me dyshim dhe kanë patur rezerva. Por, ai si zbulues i përgatitur, mundi t’ua hidhte dhe arriti të marrë pjesë jo vetëm në takimet e bisedimet dypalëshe e në mbledhjen e Themelimit të Partisë, por edhe të zgjidhet në Komitetin Qëndror Provizor. Por faktet e mësipërme hedhin poshtë edhe pretendimin tjetër që Enver Hoxha na qenka themeluesi i Partisë. S’kish si të ishte themelues i partisë një njeri si ai, i cili deri atëhere s’ishte dëgjuar kurrë, e nuk ishte afirmuar si komunist, e që madje, shikohej me dyshime. As Qemal Stafa, që ndonëse si komunist e revolucionar kishte bërë emër e kishte dhënë prova në betejat e luftës klasore; ai që me mendjen e kthjellët e zemrën e zjarrtë u dha kurajo e u hapi horizonte komunistëve dhe konferencës, që caktoi shtëpinë ku do të zhvilloheshin bisedimet, përpiloi rezolucionin e mbledhjes, i cili ishte edhe Manifesti i Parë i PKSH-së: atij që iu caktua detyra e sekretarit të Rinisë; e prapë se prapë asnjë figurë e tillë nuk u zgjodh sekretar i Partisë, sepse kjo me të drejtë u la e hapur për një kohë si periudhë prove. E si mund të caktohej në atë detyrë Enver Hoxha, që deri atëhere akoma nuk ishte njohur e dëgjuar si komunist?! Ka një të vërtetë historike për të cilën nuk flitet fare jo pa qëllim: Mbledhja e prillit të viti 1942, e cila analizoi veprimtarinë e Komitetit Qëndror e të Partisë nga themelimi i saj; zgjeroi numrin e anëtarëve të Komitetit Qëndror dhe zgjodhi edhe sekretarin e saj. Bash në këtë mbledhje sekretar u zgjodh Ymer Dishnica, detyrë të cilën vazhdoi ta kryejë deri në Konferencën e I të Vendit të PKSH-së në mars të vitit 1943. Kjo ishte një zgjedhje e drejtë edhe e logjikshme, shkruan më tej Koçiu. Ymer Dishnica kishte qenë shoku i ngushtë i Ali Kelmendit. Ai nuk kishte marrë pjesë në asnjërin nga grupet dhe nuk ishte i infektuar nga armiqësitë e brendshme dhe lufta e grupazheve. Kishte qenë anëtar i Partisë Komuniste Franceze dhe jo vetëm që kishte bërë emër si komunist e luftëtar revolucionar e parimor, por kishte organizuar e udhëhequr një grup të madh komunistësh në Francë, në Lion e në Paris në radhë të parë, por edhe në qytete të tjera me punëtorë e studentë, të cilët kishin ndjekur një vijë të pastër. Këtë të vërtet autori i kësaj letre e ka mësuar prej kohësh nga një burim i brendshsëm e serioz. Por kjo tani vërtetohet edhe me dy prova të servirura nga vetë Enver Hoxha. I. Nga “Letër shokut” botuar kohët e fundit që i përket muajit tetor 1942, në të cilat ai i raporton “shokut” gjendjen e organizatës së Tiranës, i justifikohet për disfatat e dobësitë e për gabimet e bëra nga Fiqerete Sanxhaktari, për të treguar se ai “Tarasi” nuk ka patur dijeni për ato që ndodhën e i parashtron edhe masat që ka marrë e do të marrë për të rigjallëruar gjendjen. II. Raportin organizativ në Konferencën e Parë të Vendit e mbajti Enver Hoxha ndërsa Raportin politik e mbajti Ymer Dishnica, që ishte sekretari politik. Ky fakt shkruan Lubonja, nuk ka nevojë për komente dhe interpretime. Zgjedhja e papritur e Enver Hoxhës si Skretar Politik ka qenë enigmë. Më vonë kemi mësuar që në këtë lojë për poste e për pushtet, vegël ishte bërë Liri Gega, e ndihmuar edhe nga Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të cilët me procedurën konspirative si u bënë zgjedhjet, zunë e ndanë postet midis tyre. Në vrasjet e Qemal Stafës dhe ngjarjet e Kodrës së Kuqe ka zëra se është dora e Enver Hoxhës. Për këtë ndodhi thuhen shumë fjalë e jepen shumë versione e argumente, të cilave s’ka pse të mos u besohet. Dyshimet janë ngritur që në fillim nga komunistët bashkëkohës, nga shokët e ngushtë të Qemalit, shumica e të cilëve, për këtë arsye kanë patur reperkusione: nga familja dhe njerëzit e afërt të Qemalit. Dyshimet për vrasjen me tradhti të Qemal Stafës, u bënë objekt diskutimi të komunistëve të kohës, që përfshiu edhe shumicën dërmuese të komunistëve të Vlorës dhe dhanë shkak për fraksionin e Xhepit. Përsa u përket rrethaneve të vrasjes, kemi patur paqartësira. Po ato i kthjellon e na i vërteton vetë Enver Hoxha në kujtimet “Kur lindi Partia”, ku thotë: që sapo ishte ndarë nga Qemali, d.m.th vetëm ai e dinte ku ishte e ku do të shkonte Qemali dhe siç thuhet poshtë e lartë për këtë ndodhi informoi organet e fashizmit. E njëjta skenë na përsëritet edhe në rrethimin e grupi të Vojo Kushit. Ije Farka e ka pohuar në televizior që sapo u largua Enver Hoxha të katër shokët u gjendën të rethuar. A mos edhe kjo është një koinçidencë e rastit? Edhe fakti që atje paskan qenë katër, njëri prej të cilëve qenka zënë i gjallë e jeton akoma, por për të nuk bëhet fjalë mbetet gjithashtu një enigmë e pashpjegueshme. Por çdo njeri me kulturë tani e kupton që këto mënyra vrasjeje janë karakteristike e informacionit të dhënë nga agjenti i brendshëm, i cili mbasi i ve shokët në kallauz e në pritë, sajon një preteks të largohet prej tyre. Por në qoftë se në atë kohë u hëngrën një e nga një, shumë shokë për shkak të mungesës së përvojës e të eksperiencës, tani që kemi parë e dëgjuar shumë lojra e veprime të organeve të spiunazhit dhe kemi në dorë edhe një seri fakte e dokumenta të tjera plotësuese për veprimet e piksynimet e Enver Hoxhës, në eleminimin që u bëri rivalëve të tjerë mbas vrasjes së Qemalit, për të dalë në krye; nuk ka pse të mos dyshojmë që në të dyja këto ndodhi, si edhe për shumë goditje të tjera që ka marrë nga armiku Partia e Lëvizja sidomos në Tiranë, gjatë kohës që punoi e drejtoi Enver Hoxha, të jetë tamam dora e tij, shprehet K. Lubonja.

Timoleo GURI