Monday

27-10-2025 Vol 19

Refleksionet e Koçi Lubonjës në “Letrën e Mbyllur të Disidentit” (Pjesa II)

Një nga temat kryesore në librin e Koçi Lubonjës me titull Letra e Mbyllur e Disidentit 1986, drejtuar Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit, është çështja e bërjes së një politike kuadri më të shëndoshë dhe parimore. Shqetësimi i një kuadri të Luftës dhe ish-komunisti për politikën e shtrembër të kuadrit, mbi bazën e njohjes personale, të fisit, krahinës dhe fesë, lajkës e hipokrizisë, ryshfetit e qylit, marrëdhënieve intime dhe veprave të turpshme; pra, siç shihet, Koçi Lubonja po e analizon me fakte konkrete politikën e kuadrit dhe shpreson se, duke e denoncuar, do t’i shërbente sado pak shoqërisë për të cilën kishte luftuar e punuar.

Lubonja, pasi bën një pasqyrë se cilat duhet të jenë vlerat e kuadrit, si njeri i ndershëm e serioz, i matur dhe i thjeshtë, popullor dhe atdhetar, model disipline dhe korrektese, i përpiktë në zbatimin e rregullave dhe të ligjeve, shembull në punë dhe në jetën personale, thekson se caktimi në postin drejtues duhet të gjejë edhe miratimin dhe buzëqeshjen e vartësve dhe të masës.

Por a dini çfarë thuhet për Simon Stefanin, Lenka Çukon, Hekuran Isain, Pali Miskën etj.? Epitetet më negative, barcoletat më qesharake. Pse? Nuk ka shokë të tjerë që e kanë afirmuar veten dhe janë të denjë për t’u zgjedhur në organet e partisë dhe të shtetit, në vend të atyre që dolën si këpurdhat pas shiut? A nuk gjenden dhjetëra e qindra të tillë në institucionet tona shkencore dhe mësimore, në dikasteret dhe hallkat e tjera të Partisë dhe të Pushtetit?

Mund të hedhësh dorën ku të duash dhe të caktosh me dhjetëra kuadro sekretarë të KQ-së, por jo Simon Stefanin e Lenka Çukon, që s’janë në gjendje të drejtojnë një grup-organizatë në kooperativë ose në naftë. Mund të gjenden njëqind punëtorë operativë për t’i bërë ministra të Brendshëm, por jo Hekuran Isain, që s’vlen as për një të plotfuqishëm. Mund të bësh pesëqind oficerë ministra të Mbrojtjes, por Prokop Murra, në rastin më të mirë, mund të vlejë për një komisar reparti. Mund të marrësh njëqind profesorë të universiteteve dhe instituteve dhe pesëqind mësues të shkollave të mesme t’i bësh ministra të Arsimit, por Tefta Cami nuk vlen më tepër se një mësuese në tetëvjeçare. Mund të marrësh njëqind agronomë, zooteknikë e veterinerë t’i bësh ministra të Bujqësisë, por Themije Thomain kurrësesi. Mund të bësh çdo inxhinier dhe çdo ekonomist ministër, por jo Vito Kapon dhe të tjerë kështu me radhë…

Më pas, Koçi Lubonja shtron pyetjen: E përse ky favor dhe ky trajtim për këta telendër, kur dihet që shumica e tyre nuk kanë sakrifikuar qoftë edhe një palë opinga? Ka ardhur koha të kuptohet dhe të vlerësohet drejt që elementët negativë e të paaftë, mitmarrësit, dallaveraxhinjtë e të gjitha akrobatllëqeve, të cilët zunë dhe mbajnë postet kyçe në Parti dhe në pushtet, njerëz të kallëpit të Hekuran Isait, Jashar Mezenxhiut, Nedin Hoxhës, Hysen Faqollit e të tjerë, bëjnë ligjin dhe namin, sepse kanë në dorë strehimin dhe pashaportizimin, të drejtën e studimit, vendosjen në punë, arrestimet dhe internimet, transferimet dhe dëbimet, caktimin në vende të privilegjuara dhe çuarjen jashtë shtetit etj.

Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti e Gafur Çuçi me shokë nuk kanë asnjë ndryshim – për të mos thënë se ua kalojnë dhjetëfishin. Si mund të krahasohen veprimet e Jasharit, i cili e mbushi Tiranën me gollobordas e dibranë, elbasanas e sarandiotë, të cilët i kish mjelë kur kish qenë andej, dhe i solli, i pashaportizoi e i strehoi me të njëjtat motive e metoda si Koço Koststën që shkroi një novelë në “Nëntori”? Mirëpo, kur erdhi puna për llogaridhënie, Koçon e dërguan në fshat së bashku me një numër njerëzish të tjerë, kurse Jasharit nuk i hyri gjemb në këmbë. Po të tjerët që janë akoma më lart, mos bëjnë më pak se Jashari?

Shumë nga këta “talentë të bazës” e “të klasës”, të cilët “Zoti”, duke u dhënë një zhvillim të pakët mendor, i ndihmoi të bëheshin punëtorë e, për rrjedhojë, të bëhen udhëheqës, e shfrytëzojnë postin në Parti dhe në pushtet si ua do qejfi. Doni të vërtetoni një fakt, shkruan më tej K. Lubonja, i cili ndikoi edhe në rritjen mekanike të Tiranës dhe në fryrjen e aparatit administrativ? Kontrolloni sa kanë ardhur nga Peqini, Elbasani, Dibra e Librazhdi në Komitetin Qendror, në Ministrinë e Brendshme dhe dikastere të tjera, qëkurse është Hekuran Isai Sekretar dhe Ministër. Kush i solli gjithë këta myteberë të përngjashëm me Qazim Mulletët e me mamurët e dovletit? Kush e krijoi këtë katrahurë dhe pse?

Në qoftë se kuadri mbetet në dorën e konformistëve të kallëpit të Mihal Bishës, të cilët, kur sekretari apo titullari është vlonjat, bëjnë çmos të mësojnë lidhjet dhe dëshirat e tij dhe të gjitha hallkat dhe vrimat t’i mbushin me vlonjatë; apo kur politika e kuadrit në Komitetin Qendror lihet në dorën e një Stavri Miloje, i cili, brenda një kohe të shkurtër, por për një periudhë të gjatë, pa u trembur nga disiplina dhe përgjegjësia dhe pa u merakosur nga opinioni shoqëror, vendos në Komitetin Qendror dhe në Kryeministri, në Komitetin e Partisë të rrethit dhe në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, në Ministrinë e Mbrojtjes, të Brendshme, të Industrisë, Arsimit dhe në shumë vende të tjera të Ministrisë së Jashtme dhe në institucione të tjera, drejtorë dhe përgjegjës kuadri vetëm kolonjarë dhe vetëm të krishterë, sikur Shqipëria të mos kishte asnjë tjetër.

Ne e kujtojmë me nostalgji për principialitetin që e karakterizonte në punë dhe në jetë dhe ndjejmë dhimbje të thellë për të keqen që i ra në kokë kuadrovikut të talentuar, shokut Thoma Deliana, i cili ishte sa parimor e modest, aq edhe model i pastërtisë dhe i principialitetit në bërjen e politikës së kuadrit me partishmëri të lartë.

Lubonja kërkon që t’u thuhet “mjaft” këtyre padrejtësive dhe arbitrariteteve dhe shtron problemin e rehabilitimit pa asnjë mëdyshje të atyre komunistëve që u vranë apo vdiqën nëpër burgje e tortura.


Vijon

Timoleo GURI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *