
PËRPJEKJA SHQIPTARE 1
TIRANË, TETOR 1936

Selman RIZA

Të huajt çuditen kur shikojnë ndryshime karakteri dhe divergjenca së foluri midis toskëve e gegëve, dhe kanë të drejtë: Shqipëria është e vogël si vend, e pakë si popullësi; dhe gjeografia e ndan Arbërinë më tepër në Lindje e Perëndim se sa në Veri e Jug. Me gjithë këtë, që të gjejmë ndryshime karakteri dhe divergjenca së foluri midis gegëvet e toskëvet, nuk kemi nevojë të kërkojmë shumë larg: në veshje e mbathje, në qëndrime e t’ecur na bien në syt, në muzikë të fjalës dhe në tingëllim të zërit na dogëndisin në vesht. Dhe në ka shqiptarë për të mos i zënë në gojë këta varjacione, reticenca e këtyrevet rrjedhë nga që duan të praktikojnë politikën e urtë të savet e kanë për parim të heshtin mbi çka na përçan dhe të theksojnë çka tek ne dëshmon unitet ethnik. Për të qënë një komb i vetmë, mendojnë këta zotërinj, është punë e domosdoshme të kemi një gjuhë të vetme. Që elementi gjuhësor mirret si kriterium nacionaliteti, si shenjë dallonjëse e çdo kombësie të vërtetë, dhe që njësija gjuhësore është parapandehja e njësis kombëtare, asnjeriu nuk mund t’I vejë mëndja t’a vërë këtë në dyshim. Mirë po gjer tashi, në vëndin t’onë, mbi këte pikë ka mbretruar mosmarveshja m’e përvajtuarëshme: tjatër është gjuha, tjatër dhjalekti; tjatër shqipja tjatër toskërishteja e gegërishteja! Lipset të jetë njeriu një pus padituriije ase një pellg paragjykimesh për të pretenduar se ka një gjuhë toskërisht dhe një gjuhë gegërisht. Vetëm në imagjinatën e alarmuar të disa superpatriotve, dualizma ynë dhjalektike ka qënë ngritur në lartësinë e një rreziku kombëtar, ka marrë thuajse surratin kërcënonjës të një gogoli separatist. Kurse mëndja e shëndoshë t’a thot, edhe m’i përcipti shqyrtim t’a provon, albanologët e huaj, për të cilët njësija politike e atdheut t’onë ka më së të ngjarë të jetë m’e vogla e galjeravet, t’a vërtetojnë se ka një të vetme gjuhë shqipe në botë me toskërishten dhe gegërishten si kryedhjalekte.
Por edhe në mos qoftë e rrezikëshme për njësinë t’onë kombëtare, dualizma ynë dhjalektike nuk mund të mos jetë lartësisht e pavolitëshme, në daçim, përveç shpirtit të njëjtë, përveç paritetit në thallbët, që, ka vetvetiu tashi më, t’i japim mëmëdheut t’onë edhe një fizionomi të njëllojëshme, edhe një homogjeneitet në cipët. Andaj çështja gjuhësore mbetet problemi ynë aktual. Çështje e rrahur me kohë por pa system, problem i studjuar, me vullnet të mirë por pa kriterium të saktë.
Për të mbënjanuar dualizmën t’onë dhjalektike, kemi vetëm tri mënyrë:
1. Të ngrehim njërin dhjalekt në lartësin e një gjuhe shkrimi të përbashktë dhe të lëmë tjatrin jashtë përdorimit zyrtar, shkollor dhe letrar, kështu që të prapset dita ditës, të zhduket dalëngadal, në saje të përhapjes s’arsimit botor dhe të letërsis kombëtare.
2. Të gatuajmë bashk një idiomë eklektike nga brumi i dy kryedjalektevet.
3. Të privilegjojmë një nëndhjalekt, për hir të një situate gjeografisht të mesme, së cilës besojmë që ay t’i detyrojë një analogji bipolare me dy kryedhjalektet fëqinj.
Nuk mund të mohohet që toskë e gegë e kuptojnë më lehtë Elbasanishten se sa njeri jatrni. Mirë po një lehtësi e këtillë, sado e dëshiruarshme të jetë në marrëdhënjet e përditëshme, nuk mjafton prap se prap t’a bëjë të mundur kalimin pa shkallë nga Elbasanishteja në një shqipe të përbashktë, kapërximin titanik në një gjuhë letrare nga një nëndhjalekt me një domethënje kulturore të cektë, me një pasuri idiomatike të paktë. Kurse mb’ anë tjatër sicilido nga dy kryedhjalektet është gjithazi m’i evoluvar, ka një të kaluar qytetërimi dhe një thesar letërsije dhe kurse është fjala për një atdhe të prapambetur, ku qytetërimi dhe letërsija janë sende mjaft të pakë, të rrallë dhe të rij për të mos na vajtur as mëndja që t’i ç’vleftësojmë ase t’i vjetërojmë kapitalet mendorë dhe vlerat shpirtërore, të grumbulluara dita ditës thërrime thërrime. Një pamundësi këso fare duket t’a ketë kuptuar ase së paku ndjerë Z. Aleksandër Xhuvani. Me një inkonsekvencë për të ngashëryer porpër një herë me një instinkt letrari dhe një intuitë filologu q’e nderojnë, kampioni militant i udhës së mesme na fal sot shkrime ku nuk është vështirë të shijojmë më të hijëshmen e shkodranishtevet. Sidoqoftë, utopija e dënuarëshme e një dhjalekti të mesmë e theksoi lumtërisht nevojën që shkrimtarët gegë dhe sidomos prozatorët shkodranë të përkudjeseshin paskëtaj për të shkruar me një mënyrë më botërisht të kuptuar, duke hequr dorë nga lokusjonet lokalistë, nga konstrukte e koklavitur, duke qërurar gjuhën e tyre nga një farë snobisme të përmbysur, nga një lloj malokllëku t’eksponentuar.
Të gatuarit bashk të dy kryedhjalektevet për të trajtuar një idiomë eklektike duhet luftuar a priori si një kombinim artificjal ase si një përzjerjearbitrare. Kombinimi artificjal do të qe krijesa e albanogëvet. Le që filologët, qofshin kombëtarë, qofshin të huajë, janë grindavecë prej natyre dhe nuk do të bëneshin kurr në një mëndje për të caktuar ç’duhet marrë dhe ç’lipset lënë nga çdo kryedhjalekt, por edhe sikur të niste kjo mrekulli në botën e pluhërosur të fjalë-qëronjësvet, përfundimi i konvencionit do të qe një pjellë bastardhe që do të pranohej me vështirësi të madhe dhe mbase nuk do të përgjthësohej kurrën e kurrës. Për të sjellur vetëm një shembëll cikrrimtare mbi efektet e shëmtuar të një toskëzimi eklektik të gegërishtes dhe anasjelltas, nuk më rihet pa kujtuar këtu përshtypjen e neveritur që më bën çdo gegë, i cili në vënd të formës gegërishte përdorë trajtën toskërishte të përemrit lidhor të pandryshuarëshmë: pastërtija e fantazis së tij më bënet sa kaqë e dyshimtë.
Përzjerja arbitrare është që tashi vepra e kryer e gazetarëvet t’improvizuar dhe improvizonjës, e përkthenjësvet habersëzë e gjithë këtyre zotërinjëve, të cilët me pendë nakatosin siç do të spastronin me një fshesë, s’është asgjë tjatër përveçse një mozaikë pa shije, një amalgam pa karakter, një mëmëligë e pacilësuarshme, një monstrum linguisticum. Dhëntë Zoti që ky studim modest të jetë pikënisja e një reaksioni kundra kësaj përzjerjeje arbitrare të dy kryedhjalektevet.
Politikët ase letrarë janë shkaqet për të cilët një djalekt ja merr anën, i hapë përherë një djalekti tjetër. As Toskërija as Gegërija nuk ka nxjerrë në çastin e volitshëm një shkrimtar ase vjershëtar mjaft famë-madh dhe vrragë-thellë sa që t’i jepte toskërishtes ase gegërishtes epërsin e nevojëshme për t’u ngritur në lartësinë e një idiome të përbashktë. Momenti opportun është në këtë mes një faktor kaq kryesor sa që edhe sikur Arbërija të kishte fatin e bardhë të sillte një vigan letrar, më duket punë e pabesuarshme, që ky individ të mposhte pa tjetër shituatat e kristallizuara, gjendjet e bëra të ngurta nga kalimi i kohës dhe nga përpjekjet kollektive. Është e vërtetë mb’anë tjatër që letërsija e Veriut ka tradicione më antike, është gjith’ashtu m’e bollëshme nga ajo e Jugut. Mirë po kur të jetë fjala për estethikë dhe për art vjetërsija dhe sasija lozin vetëm një rol të dorës së dytë.
Midis politikës dhe letërsisë lipset të zërë vënd në këtë skicë kritike të çështjes gjuhësore, albanologjija. Dihet që shumica e të huajvet që janë marrë me gjuhën t’onë, kanë studjuar sidomos gegërishten për shkak të një lashtësije më të largët ase toskërishtja dhe më të thellë. Ne janë më anë tjetër toskë më të mëndjeshëm, më shije-hollë, me styl-lehtë nga gegët, shqipëtarët e qytetëruarë janë filologë më të saktë, didaskalj më të duruar, spjegonjës më konsekuentë. Dhe në ka arrrijë gegërishtja në rrogozin e një djalekti të mesëm – të bëhet me kohë gjuhë zyrtare stricto sensu, dua të them, gjuha e letërkëmbimit qeveritar, këjo i detyrohet jo aqë faktit se qendra shtetërore gjëndet në Tiranë, sa punës se organet teknikë, përkatësitë gjuhësore të Ministrís s’Arsimit kanë qenë thuajse gjithmonë gegë qind për qind ase toskë të gegëzuar për parim kombëtar ase shije vetiake.
Disa shkrimtarë toskë me dell satyrik të njohur kanë vënë me kohë në lojë nisjativën e moçme të Ministrís s’Arsimit për rê trajtuar një gjuhë zyrtare. Mirë po kritikat nuk muntnë t’a shpien dekasterin e mësimit të heqi dorë nga udha e nisur. Dhe duhet t’a themi që projekti i tij, i cilësuar qesharak, qe e kundërta e një nisjative të dështuar. Do të bindemi më lehtë nga vërtetësija e kësaj vërejtjeje, kur të kemi shtuar që në sajë të përpjekjevet të vijuarshme të Ministrís s’Arsimit, gjuha zyrtare që tashi përfshin jo vetëm korrespondencën administrative, por edhe tekstet juridikë bashk me librat shkollore për rendet e lartë të fillorevet dhe institutet e mesmë. Andaj mund të thuhet që Shteti Shqiptar ka që tashi një gjuhë zyrtare dhe lato sensu.
Sikur analfabetizma dhe indiferentizma intelektuale të kishin qenë të përhapura në mënyrë përpjesësisht të barabartë në Veri dhe Jugë, një përparim i këtillë i kryedhjalektit gegërisht do të kishte patur domethënjen e gjerë të një fitoreje të plotë. Mirë po shkrimtari tosk ka shkruar, shkruan dhe do të shkruajë toskërisht, jo vetëm pse e njeh më idiomatikisht dhe e përdorë më natyrisht, por edhe pse kësisoji i siguron veprës së tij një rreth të gjerë lëçitësish dhe lëçitësesh.
Për hatër të një begatie idiomatike të barabartë me folklorin e gegërishtes, për hatër të një orthografie më të plotë dhe të një fonetike më muzikale, për hatër të një syntakse më t’ evolvuar drejt shprehjes analitike, dhe sado anëtar të jem — për arsyet e çfaqura më sipër të një fizionomie të njëllojshme dhe të një homogjeneiteti në cipët — nuk mund veçse të përgëzohem botërisht që në saje të prestigjit të kryeshkrimtarëve dhe të mbrothësisë së publikutt tosk, toskërishtja të mos jetë destinuar të bjerë në radhën e një së foluri vetëm dhe thjesht popullor. Shkabën e flamurit e kemi me dy krerë. Gjuhën e kombit do t’a kemi me dy kryedhjalekte.
Selman RIZA