Monday

27-10-2025 Vol 19

Anuar Sadat. Hero i luftës dhe i paqes

Jetoi për paqen dhe u bë martir për parimet e tij.

Më 6 tetor 1981, Egjipti po festonte përvjetorin e tetë të Luftës së Tetorit. Anuar Sadati qëndronte ulur në një tribunë të lartë, duke parë paradën ushtarake. Papritur , një nga kamionët e paradës u ndal. Një grup ushtarësh fondamentalistë të ushtrisë egjiptiane, duke përfshirë një anëtar të Xhihadit islamik që i kishte shpëtuar arrestimit, nisi të shtijë me breshëri plumbash drejt Sadatit. Presidenti dhe dhjetë të tjerë mbetën të vrarë. Sadati kishte besuar se liria e Egjiptit do të arrihej fillimisht nëpërmjet pavarësisë dhe më pas me pajtimin historik. Qëllimi i tij ishte të ringjallte dialogun e lashtë midis hebrenjve dhe arabëve, mbështetur në idenë se historitë e tyre ishin të ndërthuara. Pikërisht ky besim te harmonia dhe bashkëjetesa e shoqërive me besime të ndryshme fetare, për kundërshtarët e tij ishte i papranueshëm.Anuar Sadat dhe Jitzhak Rabin u vranë nga vrasës që nuk i donin ndryshimet që mund të sillte paqja. Sadati që njoha unë shkruan Henri Kisinger në librin “LIDERSHIP”, kish ndryshuar nga një njeri me një vizion strategjik, në një njeri me një vizion profetik. Siç tha ai gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Traktatit të Paqes Egjipt-Izrael, në mars të vitit 1979: Sadat: Le të mos ketë më luftëra apo gjakderdhje midis arabëve dhe izraelitëve. Le të mos ketë vuajtje apo mohime të drejtave. Le të mos vajtojë më asnjë nënë për humbjen e fëmijës. Le të mos ketë më dëshpërim dhe humbje besimi. Le të mos humbasë jetën asnjë i ri në luftë që nuk ka asnjë fitimtar. Le të punojmë së bashku deri deri në ditën kur ata do të kthejnë shpatat në parmenda dhe shigjetat në drapër. Dhe zoti udhëheq popujt drejt paqes. Ai i udhëzon ata në rrugën e tij.Jitzhak Rabin në një fjalim prekës, tha: Si një ish ushtarak…do ta kujtoj përgjithmonë heshtjen e çastit përpara gjëmës: heshtjen kur akrepat e orës duken sikur po shkojnë përpara, kur koha po mbaron dhe, pas një ore, apo pas një minute, do të shpërthejë ferri. Në atë çast të jashtëzakonshëm tensioni, pak para se gishti të tërheqë këmbëzën, pak para se fitili të fillojë të digjet, në qetësinë e tmerrshme përpara fundit, ka ende kohë për t’u menduar, për të pyetur veten: A është vërtetë e domosdoshme të veprosh? A nuk ka mundësi tjetër? A nuk ka asnjë rrugë tjetër? Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes me Jordaninë në vitin 1994, Rabini iu drejtua Kongresit Amerikan:Në Bibël, kryelibri ynë, paqja përmendet 237 herë, në mënyra të ndryshme. Në Bibël, nga e cila nxjerrim vlerat dhe forcën tonë, në Librin e Jeremisë, gjendet një vajtim për Matrarkën Rakelë. Aty thuhet:”Mos qaj dhe mos u përlot: sepse puna e tyre do të shpërblehet, thotë Zoti”. Nuk do t’i mbaj lotët për ata që s’janë më. Por në këtë ditë vere në Uashington, larg nga atdheu, ne ndiejml se puna jonë do të shpërblehet, si parashikoj profeti.Thirrja e Sadatit për të rikrijuar aleancln e lashtë midis arablve dhe hebrenjve, si mishërim i ” vëllazërisë biblike të Islamit dhe Isakut”, nuk arriti të frymëzonte imagjinatën e njerëzve të nevojshëm që mund ta bënin atë realitet. Pasi Egjipti dhe Izraeli u pajtuan për kornizën e paqes në Kamp David dhe para se të nënshkruhej traktati dypalësh për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike, u bë i qartë se Izraeli do të rifillonte ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe në Gaza sapo të përfundonte pezullimi i ndërtimeve.Gjatë përpjekjeve për paqe, Sadati pati partnerë të rëndësishëm izraelitë. Gjeografia e Izraelit nuk i lejonte vendit veprime heroike. Megjithatë, udhëheqësit izraelitë që bashkëpunuan me Sadatin ( Golda Mejer, Jitzhak Rabin dhe Manahem Begin) u frumëzuan nga vizioni i tij për paqen. Veçanërisht Rabini ndoqi një rrugë paqeje që përputhej me atë të Sadatit. Pozita gjeografike e Egjiptit, midis botës arabe dhe Mesdheut, ishte njëherazi një mundësi dhe një barrë. Sadati e shihte Egjiptin si një komb islamik paqësor, mjaftueshëm të fuqishëm për të bërë aleancë me ish armikun e vet, në vend që ta mbizotëronte atë ose të mbizotërohej prej tij. Ai e kuptonte se një paqe e drejtë mund të arrihej vetëm me një evolucion të natyrshëm dhe njohjes së interesave të ndërsjellta, jo me detyrim nga fuqitë e jashtme. Dhe kulmi i këtij procesi do të ishte pranimi i përbotshëm i këtyre parimeve. Sadati nuk “shprehu” vetëm me një fjalë idealin e tij për qytetërimin. Ai e modifikoi dhe e fisnikëroi atë. Sado që ai e nderonte të kaluarën e lavdishme të Egjiptit, arritja e tij më e shkëlqyer ishte tejkalimi i modelit të historisë së tij të kohëve të fundit. Këtë aftësi për të parë përtej të dukshmes, e kishte fituar gjatë kohës si i burgosur. Mendja e tij kishte kaluar muret e qelisë, duke u hapur ndaj ndryshimit moral dhe filozofik, shkruan diplomati i shekullit Henri Kisinger. Biseda jonë e fundit ishte në gusht 1981, gjatë një fluturimi nga Uashingtoni në Nju Jork, pasi ai ishte takuar për herë të parë me presidentin Reegan. Deri atëherë ai kishte takuar katër presidentë amerikanë. Papritmas u kthye nga unë dhe më foli për një projekt simbolik shumë të vyer për të. “Marsin e ardhshëm do të na rikthehet zyrtarisht Sinai” më tha, shkruan Kisinger, “Do të bëjmë një festë të madhe. Ju na ndihmuat të hidhnim hapin e parë dhe duhet të vini të festoni me ne”. Pastaj ra në mendime për disa çaste siç e kishte zakon dhe fytyra e tij e gjallëruar mori një pamje keqardhjeje. “Jo, më mirë jo, tha. Do të jetë shumë e dhimbshme për izraelitët të heqin dorë nga ky territor. Dhe popullit hebre do t’i dhimbte shumë po t’ju shihte në Kajro duke festuar me ne. Ejani më mirë një muaj më vonë. Do të shëtisim bashkë Malin Sinai, ku kam ndër mend të ndërtoj një sinagogë, një xhami dhe një kishë. Ky do të ishte një kremtim më i mirë. Por Sadati ishte një njeri i duruar dhe i qetë. Filozofia e tij ishte e ngjashme me atë të egjiptianëve të lashtë, që e shihnin përmbushjen si një shpalosje të amshimit. Gjatë një vizite në Egjipt në prill të 1983, tregon Henri Kisinger, kur shkova në varrin e Sadatit për të bërë një nderim. Isha njeriu i vetëm i pranishëm. Në varrin e Anuar Sadatit, epitafi përmban një varg nga Kurani: “Mos i konsideroni të vdekur ata që vriten për hir të Allahut, por të gjallë dhe të bekuar pranë të Madhit”. Poshtë tij shkruhet: Hero i luftës dhe i paqes. Jetoi për paqen dhe u bë martir për parimet e tij”

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *