Triumf shqiptar në zemër të Amerikës: Pianistja Anila Aliu shpallet fituese e “CCPA Concerto Competition”, duke mahnitur jurinë me interpretimin e saj virtuoz në Çikago.
Një emër shqiptar po ndriçon gjithnjë e më fort në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike. Pianistja Anila Aliu ka arritur një fitore të jashtëzakonshme në “CCPA Concerto Competition”, njërën prej garave më prestigjioze të talentëve muzikorë në Shtetet e Bashkuara, e zhvilluar në Çikago.
Aliu mahniti jurinë me një interpretim brilant, plot teknikë, pasion dhe ndjeshmëri artistike, duke lënë pas dhjetëra konkurrentë nga e gjithë bota. Ky sukses e ngjit atë në radhën e artistëve të rinj që po bëjnë histori për muzikën shqiptare jashtë kufijve.
Si pjesë e çmimit, pianistja shqiptare do të performojë si soliste me Orkestrën e CCPA, nën drejtimin e dirigjentit të njohur Dr. Benjamin Firer, në një koncert gala që do të mbahet këtë të premte në orën 19:30 në Çikago, një event që pritet të tërheqë publik dhe kritikë nga qarqet më elitare të muzikës klasike.
Ky triumf shënon një moment kthese në karrierën e Anila Aliut, e cila prej vitesh po ndërton me përkushtim një rrugëtim të suksesshëm ndërkombëtar, duke u bërë zë i denjë për kulturën dhe artin shqiptar, një histori suksesi që dëshmon se talenti shqiptar mund të ndriçojë edhe në skenat më të mëdha të botës.