Libri nuk është një tempull i vetmuar ku as shqiponjat nuk shkelin; ai duhet të respektojë lexuesin. Ëndrra e çdo shkrimtari është të arrijë panteonin e njerëzve të letrave, një finish, një Itakë, ku të shquarit dhe të veçantët janë të rrallë, ndaj edhe kjo garë është sfilitëse për mijëra e miliona njerëz të letrave. Libri i Vasil Makoçit, për të gjitha çfarë do të shtjellojmë, është një roman fiction me peripeci, i mbarsur me elementë nga zhanre të ndryshme, që përbën një risi në letërsinë shqiptare. Ai nis me një histori mediatike dhe shtrihet në terrene psikokriminale, duke u hedhur herë pas here në rrëfime funksionale, me guxim artistik që ndriçon mes dritëhijes historike karakterin e personazheve.
Eksperimenti qëndron në futjen e një eseje të botuar në revistën “Nëntori” në vitin 1958, e cila ndërthuret natyrshëm me pjesën tjetër të librit. Ky roman është i thurur me mjeshtëri, si një pëlhurë nga fije shumëngjyrëshe. Në radhë të parë spikasin simbolet dhe arketipet. Sipas Carl Jungut, arketipet janë struktura mendore universale, të lindura dhe organizuese të psikikës njerëzore, që shfaqen si modele të përbashkëta të mendimit, sjelljes dhe imazheve në të gjitha kulturat dhe kohërat. (Shembuj arketipesh janë Heroi, Magjistari, Dashnori etj.)
Libri fillon me simbolin e udhëkryqit. Të gjithë personazhet ndodhen në udhëkryqin e jetës së tyre: Rollo, skenaristi amerikan që kërkon një ngjarje ekzotike, Visari, e po ashtu, dhe Klajdi. Pas takimit në atë udhëkryq, jeta e tyre merr një drejtim krejt tjetër. Në fakt, në udhëkryq ndodhet e gjithë shoqëria shqiptare. Madje, po ta zgjerosh më tej, e gjithë bota.
Simboli tjetër që e ndjek menjëherë më pas është ai i lapidarit. Jo rastësisht, Visari nis të japë shfaqje me shpërthime granatash mbi kokë pikërisht në platformën ku ngrihet lapidari. Edhe skena e fundit, ku ai vritet aksidentalisht apo vetëflijohet, ndodh mbi atë platformë. Në lapidar janë shkruar emrat e heronjve të Luftës së Dytë Botërore, duke sjellë idenë se edhe Visari ka zënë vend mes tyre, duke shkruar emrin me gjakun e tij. Dikujt fundi i tij mund t’i duket më pak heroik se ai i dëshmorëve të Luftës Nacional-Çlirimtare, por siç ka thënë dramaturgu Arthur Miller, njeriu i zakonshëm është subjekt i përshtatshëm për tragjedi. Visari luan skenën e fundit të tragjedisë së tij mbi skenën e vërtetë të jetës. Një simbolikë qëndrore është rrugëtimi i Heroit (në këtë rast i Visarit) drejt Veriut. Libri përshkruan se çfarë përfaqëson Veriu në mendimin e përbashkët shqipëtar, dhe ajo çka ndodh në fund të këtij rrugëtimi mbart një simbolikë të fuqishme. Ndërkaq, rrugëtimi i Albencit drejt Jugut me grupin e banditëve dhe ajo që ndodh aty, vendos një drejtëpeshim mes këtyre dy poleve të kundërt gjeografikë. Ngjarjet me të cilat përballen dy protagonistët në këto dy skaje të vendit, për nga dramaticiteti, të kujtojnë rrëfimin e Togerit Mamya tek Kronika e Zogut Kurdisës të Murakamit, apo episodin me Radislavin tek Ura mbi Drin të Ivo Andriç. Ajo çka i mbetet në mend lexuesit është figura e Visarit që endet nëpër Shqipëri me granatën mbi kokë. Në krye ai nis ta bëjë këtë gjë për të siguruar mbijetesën. Më vonë në vakumin e krijuar prej forcës së shpërthimeve, ai gjen të vetmen rrugë për mbijetesësë. A përfaqëson ai njeriun e sotëm shqipëtar “me kokën në torbë”, siç thotë një shprehje, apo vetë njerëzimin në një rrugëtim të rrezikshëm drejt vetëshkatërrimit? Fije të tjera që thurren në këtë pëlhurë letrare janë ato të historisë bizantine (përfshihet një pjesë kronike e shekullit IX), të Luftës Nacional-Çlirimtare, elementë të realizmit magjik (kujtohet Márquez), koncepti i metempsikozës apo rimishërimit të shpirtit, ndarja e vetëdijes nga trupi (out-of-body experience), ekzistenca njëkohësisht në dy universe paralele, UFO-t etj. Merita e Vasil Makoçit qëndron në kullimin dhe bashkimin e të gjitha këtyre fijeve në mënyrë koherente dhe të përqëndruar, pa fjalë të tepërta, në një vepër letrare.
Në fillimet e krijimtarisë së tij, Makoçi ka eksperimentuar në katër libra; druaj se edhe ky është një roman eksperimental. Eksperimenti qëndron në trupëzimin e një eseje të botuar në revistën “Nëntori” në vitin 1958, e cila është shkrirë aq natyrshëm me pjesën tjetër të librit, sikur të mos ishte fotokopjuar nga revista, do të dukej si pjesë organike e krijuar nga vetë autori. Struktura tregimore është jolineare. Mund të krahasohet me ndërtimin e kukullave Matrioshka, ku çdo kukull fsheh brenda saj një tjetër. Makoçi, që vjen nga bota e regjisurës, i ndërton ngjarjet si Quentin Tarantino në filmat “Reservoir Dogs” dhe “Pulp Fiction”.
Lapidari i qytetit e përndjek Rollon si një qark memoristik; aty fillon dhe mbaron cikli i shtegtimit për një ngjarje bombë. Rollo punon për një shtëpi prodhuese filmash ku i duhet të lexojë dhe të zgjedhë skenarë. Ai njihet me Shqipërinë përmes një skenari me titullin “Gjaku”, shkruar nga një skenarist shqiptar që jeton në Nju Jork. Në gojën e skenaristit Shqipëtar, Makoçi ka ditur të vendosë humbjen e atdheut në të dy skajet, të atdheut të ri dhe atij prej nga kanë ardhur, ku “ata ndiheshin njësoj të huaj”. Një gjetje tjetër është sakrifica e intelektualit shqiptar për të mbajtur gjallë gjuhën amëtare nëprmjet përkthimeve të librave. I vendosur të zbulojë një ngjarje të fuqishme, Rollo shkon në Shqipëri. Tokën shqipëtare ai e prek nga kufiri verior. Panorama e shkëmbinjve të Namuna, kalaja e Rozafës dhe lumi Bunë e ndihmojnë të kuptojë më mirë skenarin “Gjaku”. Në një shaka me Klajdin, përkthyesin e tij në Shqipëri, del për herë të parë fakti se, diku në një kryqëzim rrugësh, dikush jep shfaqje, duke shpërthyer granata mbi kokë. Kjo është ajo që i sjell të dy tek kryqëzimi. Emrat e personazheve përfaqësojnë një hartë psikosociale-kulturore: Visari, Albenci, Gazmendi, Milo etj. Ata mbartin dallime kulturore, por i lidh në shumëkohësi deontologjia shqiptare. Naracioni është i mbushur me skanime portretesh psikologjike, që të kujtojnë libra dhe filma me temë nga krimi mafioz. Tingulli i këmbanave të viteve të mbrashta, rikthehet edhe në këtë libër. Të pashpresët blejnë armë, qoftë edhe për forcë zakoni. Për shkrimtarin, në situata krizash si ato të viteve 1997-1998, armatosja e popullsisë është një vetëvrasje kolektive, pasojat e së cilës ndihen ende sot. Në historinë politike të Shqipërisë gjenden gjithmonë personazhe të cilët, me lodrën e luftës, presionit dhe shantazhit, luajnë me jetën e popullit. Nuk është ngjarja ajo që duhet ndjekur, por transformimi i njeriut drejt rrugës kriminale. Romani është i vendosur në një areal gjeografik, midis Tiranës dhe Jugut të vendit, në Himarë, duke kaluar nëpër bregdetin e Vlorës, që ende mbart gjurmët e dhimbjes nga ngjarjet e vitit 1997. Ambiguiteti i papërcaktueshmërisë në viskozitetin e personazheve ka fosforeshencën e vet. Në qendër të romanit mbetet aksioma: “Shqiptari gjen paqe me ish-pushtuesin”, një perlë e deontologjisë shqiptare, por jo me veten dhe me të tijtë. Asnjë titull kaq i rëndë në një vepër letrare nuk do të ftonte çfarëdo lloj lexuesi, por Vasil Makoçi ka sakrifikuar shumë me titullin e librit, si një predikues që u bie këmbanave të vdekjes kolektive, këmbanave të ndërgjegjes sonë.
“KUR TË GJITHË NE TË JEMI VETËVRARË”, flet shumë. Ku po shkojmë ne shqiptarët me këtë situatë krimi? Si nuk zumë mend nga ngjarjet e vitit të kobshëm 1997? A po i vuajmë ende sot pasojat e atyre ngjarjeve? Kujt i intereson shtimi i kriminalitetit? Kujt i intereson rikthimi i falangave antishtet? Kujt i intereson në botë, kjo pasiguri, kjo armatosje?
Këto janë kambanat që bien në romanin kaq të veçantë të Vasil Makoçit. Dihet se ka ikur koha kur shkrimtarët dhe filozofët e shekullit XIX ndikonin në opinionin publik, por Makoçi e ndjen veten të përgjegjshëm. Me veprën e tij artistike ai është i vërtetë, siç thotë kritika hegeliane: “Arti është në harmoni me ngjarjet historiko-shoqërore.” Makoçi, si autor, ka shprehur jetën e kohës së tij dhe, natyrisht, në mënyrë të plotë bëhet “përfaqësues” i epokës dhe i shoqërisë së tij. Historia e madhe e tranzicionit shqiptar barazohet me kuptimin dhe rëndësinë artistike. Veprat e artit mbesin “dokumente, sepse ato janë monumente.” Harmonia midis njeriut dhe epokës është postulat. “Përfaqësueshmëria”, “e vërteta shoqërore” janë, kësisoj, edhe rezultat, edhe shkak i vlerës artistike. Kjo vepër as nuk e nëpërkëmb realitetin, as nuk e mbingop me fiction, gjë që e vendos komunikimin me lexuesin në një raport të drejtëpeshuar dhe të durueshëm në “skllavërinë” e leximit, deri në faqen e fundit. Hermeneutika ka vendosur fatin e saj në këtë roman. Stili i tij i drejtpërdrejtë dhe përshkrues, i përdorur me masë, e dallon këtë vepër. Deheroizmi i personazheve jep fundin tragjik të individit dhe të shoqërisë. Në atë kohë nuk kishte ëndrra. I vetmi njeri që i gëzohej çmendurisë së tij, ishte granatashpërthyesi, – ose jeta si në Ruletën ruse, udhëkryqi i njerëzimit. Simbolika me tempera të forta është e pranishme në çdo kapitull, por ajo më qëndrore mbetet: “Arma në kokën e njeriut nga dalldia kolektive” – që shkatërron jetë dhe lë pasoja për një kohë të gjatë, pasoja që e çojnë njerëzimin drejt vetëasgjësimit, drejt vetëvrasjes kolektive.
Kastriot KOTONI