Monday

27-10-2025 Vol 19

Paqësisht, regjimet mund të ndryshohen vetëm me Frymë

Nga Klodi STRALLA

33 vjet më parë, në 22 mars 1992, Opozitarizmi shqiptar e mposhti me votë Partinë e Punës, një strukturë ideologjike dhe organizative mbi 50 vjeçare, e mirë organizuar, me burime të shumta materiale e njerëzore, e shndërruar në Parti-Shtet. Për ne, që e jetuam atë kohë, kjo u bë e mundur vetëm nga krijimi i një Fryme dehëse, liridashëse dhe europianiste e shumicës të shqiptarëve, bile edhe të një pjese të vetë komunistëve, natyrisht e frymëzuar edhe nga koniuktura ndërkombëtare, me përmbysjen e regjimeve komuniste në BS dhe vendet e Lindjes europiane.

Por, fatkeqësisht, mbas tre dekada, vendi ynë rrëshqiti në autoritarizëm, me një Parti të madhe qeverisëse (PS) dhe me një Opozitë fasadë (PD+), që nuk është dot në gjendje të bëjë rrotacion pushteti. Ne kemi Opozitarizëm dhe jo të vogël (unë besoj mbi 50%), por nuk kemi Opozitë konkuruese që të ngjallë besim.

Opozitarizmi – është ai grupim njerëzish që, në zgjedhjet, kombëtare ose vendore, nuk voton për Qeverinë, ndërsa Opozita është vetëm ajo pjesë e opozitarizmit, e atij që voton për ndryshimin e Qeverisë. Me këto përkufizime, Opozitarizmi, në çdo vend, është shumë më i gjerë se Opozita, që është vetëm ajo pjesë e popullsisë që voton kundra qeverisë. Tek ne kjo diferencë, që shpesh e quajnë shtresa “gri” e popullsisë, që nuk del në votime, ndonse nuk është e kënaqur me Qeverinë, është relativisht e madhe dhe është pikërisht ajo shtresë që përcakton rezultatin e zgjedhjeve.

Tek ne, me zgjedhjet e 11 majit, Qeveria mori një mandat të katërt pikërisht se Opozita (grupim partishë) nuk mundi të identifikohet me Opozitarizmin, pra të krijonte atë frymë besimi tek njerëzit e pavendosur, qe ta votonin atë masivisht. Krijimi i kësaj fryme është i domosdoshëm për të kompensuar të gjitha avantazhet që ka Qeveria në garën elektorale, duke filluar nga fuqia e saj ekonomike (oligarkët), nga Administrata tërrësisht partiake, nga blerja e votes të shtresave në nevojë etj.

Kjo Qeveri, që ka vite që është shdërruar në Regjim, mund të ndryshohet paqësisht me vote, vetëm duke krijuar në popull frymë besimi për ndryshimet e dëshiruara. Pakënaqësia ndaj Qeverisë, sado e madhe qoftë, nuk mjafton që të shdërrohet në votë plebishitare për alternativën e saj – Opozitën.

Por si krijohet Fryma? Mbase nuk krijohet, por lind vetiu. Më tepër se programe dhe premtime të bukura në letër, janë fytyrat e reja të personaliteteve që ngjallin besim. Populli nuk dëshiron të votojë programe dhe lista elektorale, hartuar nga kryetarët e partive, si gjer më sot, por njerëz konkretë që, me punën, sjelljen dhe veprimtarinë e tyre shumëvjeçare, ngjallin besimin e publikut.

Zgjedhjet e pjesshme lokale të këtij 9 nëntori janë një rast “test” ku Opozita të identifikohet me Opozitarizmin, por fatkeqësisht nga sa po shoh kjo përsëri nuk ka për të ndodhur.

Sigurisht nuk është e lehtë, aq më shumë që kemi tre dekada zhgënjimesh të njëmbasnjëshme, por pa këtë “operacion” nuk mund të krijohet dot ajo Frymë që do të sjellë ndryshimin. Datat e zgjedhjeve të reja do të jenë datat e zhgënjimeve të reja të radhës!


perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *