Monday

27-10-2025 Vol 19

VLORA E SHEKULLIT XV – XVI NË DISA DOKUMENTA TË HUAJA

Humbja e Vlores se vjeter

Dhimitër Pilika:

Në kohët e fundit janë zbuluar në arkiva dhe bibloteka të jashtme shumë vepra, dokumenta dhe dorëshkrime të panjohura që flasin për vendin tonë: midis faqeve të tyre vemë re të përmendet edhe Vlora me rrethin e saj.

Në qershor të vitit 1493 një udhëtar çek, JAN HASISHTESKI LOBKOVICASI kalon me det nga qarku i Vlorës, dhe e përshkruan kështu luftën e himariotëve kundër turqve, në veprën që pati shkruar disa vjet më vonë:

“Njerëzit n’atë vend janë zotër në punën e vet, dhe s’duan t’i shtrohen kurrkujt. Veten e quajnë shqiptarë… Në vendin e tyre ka plot fshatra , bagëti , drithë e verë.  Kam marrë vesh gjithashtu se s’hyn dot kush në krahinën e tyre, veçse nëpër shtigje, përmes shkëmbinjsh të mëdhenj…

Pikërisht po këta njerës dhe banorë të kësaj krahine janë pengesa më e madhe për sulltanin e Turqisë dhe për vasalët e tij”

Pastaj shkrimtari prej Lobkovice thotë se në këto anë gjejnë strehë të gjithë ata që ndiqen prej turqve, dhe se, në punë bese, shqiptari  s’është fetar, por beson, si të thuash, ç’i do e bardha zemër…

Duke folur për Vlorën ky udhëtar çek e quan “qytet të madh” dhe na zë në gojë kështjellën e saj.

Për këtë qytet na flet edhe një udhëtar tjetër çek: “ODLRZHIH PREFATI  VËLKANOVASI: ay pat kaluar s’andejmi më 1456 , dhe në veprën e tij shpreh frikën që qënke përhapur n’anije se mos goditeshin prej piratësh , të cilët e paskan patur strofkën asokohe afër qytetit të Vlorës.

Një udhëtar tjetër çek KRISTOF HARANTI prej POLIZHICE lundron gjatë bregut të Vlorës më 1598 dhe shkruan:

…“Pamë majat e larta të Himarës , të cilat e kanë marrë këtë emër nga qyteti që shtrihet ndënë ‘to”

_________________________________________________________________________________________________________

VLORA – VLORA!

Patrioti Ali Asllani na përshkruan me dhimbje dorëheqjen e kryeqeveritarit të parë shqiptar babait të kombit Ismail Qemali kështu -Plaku u ul në tryezë që ndodhej në mes të dhomës duke më ftuar dhe mua pranë tij . “-Shkruaj”, – më tha, por në çast shtoi: “-Nëma ta shkruaj vetë”  dhe shkroi me dorën e tija telegramin me të cilin lajmëronte dorëheqjen dhe i linte lamtumirën atdheut dhe popullit shqiptar. Datën e kam vënë unë me dorën time,ashtu dhe një korrigjim që duket në telegram e kam bërë unë me pëlqimin e tij.

Siç shihet, Vlora bëri çmos që të mos përçahej Shqipërija dhe të qëndronte  me të vetmen qeveri dhe me flamurtarin e sajë në krye , por fatkeqësisht  nuk ndodhi kështu : intrigat e ambiciozëve dhe armiqt vazhduan të godasin rëndë plakun. “Duhet të ikij ky, që të bashkohet e të shpëtojë Shqipërija”, – thoshin ata.

Por me largimin e tij ,Shqipëria jo vetëm që nuk u bashkua, po u godit në palcë dhe u bë lesh e li, me një tuf qeverish, sa për pak e mori lumi e deti.

Rruferat kanë sevda të sulmojnë dhe të qëllojnë malet e larta dhe kur gjëjnë vend të përshtatshëm, bëjnë shkrumb e hi. Ne nuk ishim të organizuar dhe për të thënë të drejtën, në dy shtëpi ishim 3 pleq dhe tri parti në një lagje.

Sedra individuale ishte e madhe: tarafet, ambicjet, ua shtonin oreksin armiqve: bile disa që më parë ishin miq të plakut, muarën qëndrim kundër tij dhe në dëm të atdheut.

Shkrimtari Nonda Bulka me penën e tij ka ringjallur një ngjarje të vërtetë në dyqanin ku kish blerë për herë të fundit heroj i luftës së Vlorës Selam Musaj.

Mexhidja e Selamit

Aty nga viti 1921, pas mbarimit të luftës së Vlorës,  në një dyqan të errët të një bakalli të vogël, at e bir bisedojnë:

-Pa shiko ore bir atë defterin e veresievet, dhe nxiri emrat e atyre fshatarve që na kanë mbetur borxh para se të fillonte lufta.

Dhe i biri , duke shkarravitur nëpër gjishtat e vet lapsin e vogël  emra pas emrash  , kur  befas qëndroi dhe i mbërtheu sytë mbi një emër të njohur : e pyeti tanë.

-Selam Musa Salaria, na paska borxh një mexhide? Mos është ay i këngës?

-Po biro ay është . Ay s’na ka asnjë borxh , as neve ,as Vlorës ,as Shqipërisë.

-Ta fshij emrin ?

-Jo ruaje si kujtim se ay emër vlen më tepër  se sa tërë defteret tanë: Selami i lau borxhet me gjakun e tij. i gjori Lap ,s’kish pasur as sheqer ,as oriz, as beze,as krypë : erdhi i mori veresie tek ne e s’pati kohë t’i lante borxhet. Megjithë fukarallëkun ai mori pushkën kur Vlora e thirri dhe e zuri topin nga gryka.

-Po varrin ku e ka?

-Varrin? Po ay ska varr . S’mbeti thrrime  nga trupi i tij dhe treqind shokëve të tij . Gjithë topat e Italianit çkrinë mbi trupat e fatosave , po zemrën e lapit nuk e çkrinë dot

Tërë flota e Sazanit,  e pashalimanit , e karaburunit i lëshoj bateritë e saj mbi festebardhët që patën hedhur gunat përmbi  telat me gjëmba dhe me afshin e zëmrën çanë rrugën drejt spitalit .Tërë festebardhët pa opinga u vranë : s’u mbeti as nishan po u mbeti  nami

 Ndërsa, shkrimtari Shefqet Musaraj në kujtimet e vegjelisë shkruan I  VDEKURI  I  PA VDEKSHËM

Atë ditë mësonjësi  i vizatimit në shkollën e Muradijes, që e kish zakon të hynte në klasë pesë minuta para se të binte zilja, nuk erdhi në orar.

-Sot s’do të bëjmë mësim…..

I tha këto fjalë me zë të mallëngjyer , një e nga  një  , sikur mezi i dilnin nga gjoksi  , sikur ajo frymë që mori nuk i mjaftoi dhe në një mënyrë që të linte të kuptoje se diçka i kish ndodhur  , ndonjë hata e madhe , sigurisht . Në klasë u dëgjuan pëshpëritje të mekura: “Do jetë sëmurë”….”  “Mos i ka vdekur njeri”….  “Ndofta e kanë pushuar”

-Ju jini të vegjël…Vonë do ta kuptoni se ç’hata e madhe e gjeti Shqipërinë…………..Kanë vrarë  Avni  Rustemin !  Dhe s’vazhdoi  dot më . E mbytnë lotët.

“Kanë vrarë Avni Rustemin? Ç’thotë kështu zoti mësonjës? Kush e vrau? Pse? Ai ish aq i mirë, aq i dashur…!” Dhe si nëpër mjegull të hollë, që po më vishte sytë, kisha tani përpara meje, në vend të mësonjësit, fytyrën e hequr me vetulla  të zeza  të Avniut kur hynte e dilte shpesh në shtëpinë ku banonte me qera Halim Xhelua me familje- shtëpia e Mustafa Kuçit në lagjen e re, afër spitalit, në atë rrugicën prej kalldrëmi të vjetër që ngjitej përpjetë bregut me ullinj.

“Paskan vrarë Avninë! Sa gjynah, po pse? Pse? Ai ish aq i mirë, aq i dashur…!”

Në shtëpinë e Halimit kish rënë zija. Atë mbrëmje në shtëpi të Halimit nuk u shtrua sofër dhe vetë Halimi e kaloi tërë natën përjashta. Thoshnin se kishte punë me popullin dhe gazetën .

Kur u gdhi, rrugët e Vlorës buiznin nga njerëzit. Nëpër mure, në shtylla e telefonit dhe nëpër  vitrinat e dyqaneve ishin ngjitur copa letre me vijë të zezë anës, të shkruara me gërma të mëdha: “Zi për heroin kombëtar Avni Rustemi”. Dorë më dorë qarkullonte një broshurë e vogël ngjyrë trëndafili. Ish një vjershë e gjatë në dialektin e Kosovës që ne të vegjëlit mezi e kuptonim dhe megjithatë mundoheshim ta mësonim përmendsh. Vajza e djem të rritur hynin nëpër oborre shtëpish që kishin lule dhe dilnin me tufa në duar. Vlora përgatitej të priste në gjirin e saj trupin e Avniut që po e sillnin me det nga Durrësi.

Në Sheshin e Flamurit ku s’kish ku hidhje mollën as në ballkonet e çatitë e shtëpive rreth e rreth , u mbajtën fjalime. Doktor Shezai  Çomo e quanin e flitej se kish të bënte me Avninë – sa e mori fjalën, ia plasi të qarit dhe nuk vazhdoi dot më, po mbuloi fytyrën me pëllëmbë dhe u tërhoq nga tribuna.

Nuk di çdodhi më tej. Po, pas ca kohe, unë u gjënda në sallën e madhe të Bashkisë, me tavan e mure të pikturuar ku ish ekspozuar në mes të luleve dhe të flamurëve, arkivoli i Avni Rustemit. Dhe putha, si të gjithë të tjerët, kur më erdhi rradha, xhamin e kristaltë ndënë të cilin dukej, si në gjumë të ëmbël, fytyra e hequr e të vdekurit të pavdekshëm…

Shkrimtari Petro Marko, veç poezisë për Ismail Qemalin  në kapitullin e pestë të almanakut –VLORA  NËPËR  SHEKUJ ai ka dhe  studimin –Shkolla shqipe në shekullin XVI dhe XVII.

Pas vdekjes së Skënderbeut, krahina e Himarës vazhdoi luftrat kundër sulltanëve . Asokohe Himara shtrihej nga Rradhima gjer në Butrinto .

“Dije o at i shënjtë, se qysh  nga koha e të paepurit Skënderbe, të madhit tonë, të mbiquajtur Kastriot, asnjë here kurrë dhe askush as edhe më i egëri dhe i pamëshirëshmi turk, me gjithë forcat e tij të pareshtura, nuk ka mundur të na mposhtë dhe të na gjunjëzojë e të na nënshtrojë nën zgjedhën e perandorisë së tij, megjithëse ditë për ditë e or e çast nuk lë kurrë të qetë me ushtrit e tij, ashtu që na sjell dëme të mëdha në njerëz…….” I shkruanin Papës së Romës fshatarët e Himarës më 12 korrik të vitit 1577, duke i kërkuar ndihma materiale dhe bekime apostolike.

Kurse në shkurt të  vitit 1581 , midis të tjeravet i shkruanin: “ ..të na ndihmoni me një ndihmë prej tre mijë njerëz t’armatosur dhe armë për dhjetë mijë veta , më shumë veshmbathje….se në Himarë mund të ngrihen dhjetë mijë burra , dhe në një javë , duke përfshirë dhe zonat kufitare , mund të ngrihen për luftë pesëdhjetë mijë burra…” dhe këtë letër e nënshkruanin krerët e këtyre fshatrave të krahinës së Himarës:

Dukat, Brogoto, Kallarat, Tërbaç, Sotirja, Palasë, Pangalladhe, Dhrimadhe, Ilias, Vuno, Qeparo, Kudhësi, Piluri, Kuç, Progonat, Lopës, Kastelli, Nivicë, Piqeraj, Beneci, Gorica, Kamenica, Finiqi, Damës, Vivar, Oresta, Bafade, Terna, Zaroforicë, Lekël, Dragot, Peshtan, Gumenicë, Bernakus, Çepriot, Shën Vasili, Zhulati e tjerë.

Siç shihet në këtë letër, pra, del se cila ka qenë krahina e Himarës asokohe!

Po gjatë kësaj kohe është bërë edhe një luftë për arsim e për kulturë. Shohim se në shekullin e XVI, vit kur në Himarë erdhën misionarët bazilianë, fshatarët u kërkuan ndihmë që tu mësonin fëmijëve shkrim e këndim. Misionarët shumica ishin arbëreshë  që kishin mbaruar seminaret e ndryshme ku jipej dhe gjuha shqipe. Këta misionarë qëndruan në Himarë që nga shekulli XVI e gjer në shekullin XVIII. Dhe me këmbënguljen e fshatarëve ata u ndihmuan për të çelur shkolla ku mësohej gjuha shqipe. Shkollat e para u çelën në Dhërmi, Palasë, Vuno, dhe Himarë. Këtu vinin nxënës nga Dukati, Tërbaçi, Kuçi, Lukova, Piqerasi e tjerë. Shkollat e para i çeli Neofit Rodinoja, që besohet se në fshatrat e Himarës arriti në vitin 1632. Ky përkthente libra të vogla, i botonte me të hollat e tij dhe ua shpërndante falas fshatarëve që mësonin shkrim e këndim dhe që këndonin katekizmin shqip. Një nga nxënësit e Rodinos ishte dhe Papa Dhimitri nga Dhërmiu i cili, pasi ishte  nga kombi shqiptar siç thotë dhe vetë Rodinoja, përktheu me një shqipe elegante katekizmin për shkollat dhe kishat e Himarës. Pas Rodinosë, të tjerë misionarë erdhën, peshkopë dhe kryepeshkopë, të cilët vazhduan mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e çelura. Kostantin Onofri, Stanilas, Xhovani de Kamilis, të cilët i shtuan nxënësit me gjithë luftën e madhe që bënte dhespoti i Janinës, i cili nuk deshte në asnjë mënyrë të mësohej shqipja, se ai ishte agjent i Fanarit që i shërbente Sulltanit duke propoganduar në kisha librat byzantine që ishin shkruar në gjuhën greke. Këta misionarë i shkruanin Papës se Himarjotët, edhe me kërcënime, kërkojnë t’i mbajnë të çelura shkollat për të mësuar fëmijët e tyre. Shkollat i mbrojnë  nga sulmet e shumta të agjentëve të Fanarit dhe nga shpifjet kundër mësonjësve që japin mësim. Më vonë në Dhërmi u themelua një shkollë e vërtetë misjonare, nga duallnë nëndë priftërinj me shkollë e jo si ata që ishin analfabetë. Niko Katalanos përpilon një gramatikë shqipe dhe një fjalor italisht-shqip për nxënësit e tij që arritën gjer tetëdhjetë. Katalanoja vdiq duke shkuar për në Korfuz se ishte sëmurë dhe u varros në kishën e Shën Thanasit në Dhërmi, pranë shkollës së tij. Lufta për këto shkolla ka qenë e ashpër, se Patriku i Stambollit, me ndihmën  e turqve, bëri ç’ish e mundur t’i mbullte. Dhe një shkaqet e mbylljes së tyre kishin qenë luftrat e ashpra, me sulmet, djegëjet, internimet si dhe largimi i misionarëve që nuk ishin të sigurtë pasi nuk pati më caste qetësie ajo krahinë. Sulmet pirateske të turqve, rrëmbimi i fëmijëve dhe shitja e tyre si plaçkë, varfëria dhe shtypja për ta shfarosur fare këtë krahinë, bënë që të mos vazhdojnë më shkollat…Gjersa më vonë, me ndihmën e patriakanës dhe të dhespotëve grekomanë, u çelën shkolla greke si në gjithë Shqipërinë e jugut- pa tjetër në fshatrat e krishterë. Këto ndodhën në fillim të shekullit XIX, kur antagonizmi midis muslimanëve dhe të krishtrëve ishte ndezur më shumë për ta përçarë popullin tonë me qëllim që të përfitonin armiqt, e veçanërisht shovinistët grekë.

Propoganda u shtua më tepër, sidomos, kur Greqia fitoi indipendencën dhe bënte ç’ishte e mundur për t’i greqizuar ato krahina trime shqiptare. Dhe një nga mjetet e greqizimit që ajo përdori ishte shkolla dhe feja. Propoganda është propogandë dhe historia është histori… Krahina heroike e Himarës (domethënë Labëria e soçme) ka mbajtur në shekuj flamurin e lirisë dhe ka shkruar gjatë sundimit otoman faqe të shkëlqyera për Historinë e popullit tonë… Në këto faqe të historisë sonë të lavdifshme, bëjnë pjesë dhe shkollat e para shqipe në fshatrat e Himarë.

______________________________________________________________________________________________________________

Përgatiti: Kastriot KOTONI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *