
Më 2 tetor 2025 u mbajt ASHSH, në sallën “Akademikët” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, Tryeza Shkencore me titull “Parimi themelor i drejtshkrimit shqip” organizuar nga Departamenti i Gramatikës dhe Historisë së Gjuhës i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Ishte i pranishëm Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike akad. Gëzim Hoxha, drejtori i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë akad. Valter Memisha, si dhe studiues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe institucioneve të tjera nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Veprimtarinë e moderoi Prof. asoc. Adelina Çerpja, përgjegjëse e Departamentit të Gramatikës dhe Historisë së Gjuhës.
Prof. asoc. Aristotel Spiro mbajti ligjëratën me temën “Parimi themelor i drejtshkrimit”
Fillimisht ai theksoi se debatet e zhvilluara deri më sot për drejtshkrimin shqip nuk mund të japin rezultat pozitiv, nëse nuk marrin përsipër zgjidhjen e çështjes së parimit themelor, i cili në Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1972) është formuluar në mënyrë të pasaktë si “parim fonetik”.
Prof. asoc. Spiro vuri në dukje se parimi universal që përshkon gjithë drejtshkrimet e gjuhëve të botës është parimi fonologjik, pavarësisht nga lloji i shkrimit të përdorur. Ai tha se fillimisht duhet sqaruar përmbajtja e parimit morfologjik të drejtshkrimit, i cili në dijen e deritanishme shqiptare është trajtuar në mënyrë të gabuar, siç rezulton nga literatura që qarkullon.
Drejtshkrimi i gjuhës shqipe nuk përshkohet nga parimi morfologjik, meqenëse është një drejtshkrim shumë i ri. I gjithë argumentimi për parimin morfologjik i përket në të vërtetë parimit fonologjik. Parimi morfologjik i drejtshkrimit të një gjuhe argumentohet me ekzistencën e morfogramave (shkronja pa përkatëse fonologjike, të cilat japin informacion për morfema të caktuara të fjalës). Gjuha shqipe nuk përmban morfograma, sikundër gjuhë të tjera, drejtshkrimi i të cilave është i pasur me morfograma (frëngjishtja, anglishtja, greqishtja e lashtë dhe e re). Parimi morfologjik, edhe kur është i pranishëm në drejtshkrimin e një gjuhe, vepron në mënyrë të kufizuar dhe në asnjë mënyrë nuk mund të jetë parimi kryesor i drejtshkrimit të gjuhës.
Përveç parimit fonologjik, në drejtshkrimin e shqipes veprojnë edhe parime të tjera dytësore, si parimi fonetik, parimi ndërsemiotik, parimi simbolik etj. Të gjitha parimet dytësore përkufizohen në lidhje me parimin fonologjik.
Pas konferencës, prof. asoc. Spiro deklaron edhe një herë se: “Tryeza për Parimin Themelor të Drejtshkrimit Shqip qe një hap i parë shumë i rëndësishëm për ta vendosur drejtshkrimin shqip mbi baza të forta dhe për ta mbrojtur nga ndërhyrjet arbitrare që përdorin si argument sistematicitetin.
Është një shërbim ndaj kulturës shqiptare dhe të ardhmes së saj evropiane.
Mendimet e pambështetura për veprimin e një parimi të ashtuquajtur «morfologjik» në drejtshkrimin e shqipes janë produkt i një mendësie të kalcifikuar që nuk arrin të kuptojë se marrëdhënia mbizotëruese në drejtshkrim është ajo midis fonemës dhe grafemës dhe çdo marrëdhënie tjetër, përfshirë edhe atë me morfemat, kalon nëpërmjet kësaj marrëdhënieje.
Që drejtshkrimi i një gjuhe të udhëhiqet, qoftë edhe pjesërisht, nga parimi morfologjik duhet që në drejtshkrimin e asaj gjuhe të ekzistojnë morfograma. Në gjuhën shqipe nuk ka morfograma, që do të thotë se asnjë parim morfologjik nuk vepron në drejtshkrimin e saj. Çdo spekulim tjetër është abuzim me logjikën, mosnjohje e teorisë së grafematikës, mungesë e kompetencës profesionale.
Vijojmë përpjekjet tona në të mirë të drejtshkrimit duke diskutuar brenda një konteksti komunikues shkencor të hapur, me respekt për çdo propozim a mendim të mbështetur në argumente.
Falënderoj gjithë të pranishmit fizikisht dhe virtualisht (online), që i dhanë përmbajtje debatit shkencor.
Mirupafshim në takime të tjera!”


Tryeza shkencore vijoi me pyetje dhe diskutime dhe debate të shumta.
Tryeza u ndoq nga një auditor studiuesish të interesuar prej institucionesh të ndryshme kërkimore shkencore dhe arsimore të vendit, si dhe me ndjekje online nga studiues dhe të interesuar përmes platformës Zoom.

Linku i videos së plotë të TRYEZËS SHKENCORE: https://limewire.com/d/uJWxC#Uj8nmaNFbe